Të zhvillojmë aftësitë tona perceptuese
1 Ditët e fundit angështuese ku gjendemi tani, kanë sjellë rritjen e presioneve dhe sprova të rënda të shumëllojshme kudo mbi popullin e Perëndisë. (2 Tim. 3:1-5) Të gjithë ne kemi nevojë për inkurajim që të qëndrojmë të patundur në besim. (1 Kor. 16:13) Mund ta bëjmë këtë me ndihmën e Jehovait, ndërsa vazhdojmë të ushqehemi rregullisht me Fjalën e tij, të mbështetemi te fryma e tij dhe të qëndrojmë të lidhur ngushtë me organizatën e tij.—Psal. 37:28; Rom. 8:38, 39; Zbul. 2:10.
2 Me arsye të vlefshme, tema «Bëhuni tërësisht të rritur në aftësitë për të kuptuar» u trajtua në programin e Asamblesë Speciale Njëditore të vitit të kaluar. Bazohej te 1 Korintasve 14:20, ku lexojmë fjalët e apostullit Pavël: «Vëllezër, mos u bëni fëmijë të vegjël në aftësitë për të kuptuar, por jini foshnja për sa i përket së keqes; e megjithatë bëhuni tërësisht të rritur në aftësitë për të kuptuar.» Ç’mendoni për programin?
3 «Sa inkurajuese!» «Kjo ishte pikërisht ajo që na nevojitej.» Këto ishin vetëm dy prej përgjigjeve. Edhe një burrë që s’ishte dëshmitar, i cili erdhi në asamblenë speciale njëditore për të parë vajzën e tij 12-vjeçare që pagëzohej, tha se i kishte bërë shumë përshtypje programi dhe se mund të shihte sa do të ishte dobiprurës për familjen e tij. A ndiheni edhe ju kështu? Le të kujtojmë disa nga pikat kryesore të programit.
4 Njohuria e saktë është e domosdoshme për të zhvilluar aftësitë perceptuese: Në fjalimin e hapjes, «Zhvilloni tani aftësitë për të kuptuar», çfarë theksoi folësi se nevojitet për të përballuar sfidat e sotme? Jo vetëm inteligjencë. Duhet të zhvillojmë dhe të thellojmë aftësitë për të kuptuar Biblën që të mos mposhtemi nga gjithë të këqijat ndaj të cilave jemi të ekspozuar. Kjo kuptueshmëri kërkon drejtimin hyjnor. Duke u lutur si psalmisti, duhet t’i kërkojmë Jehovait të na bëjë të kuptojmë ligjet dhe përkujtuesit e tij, që të mund t’i shërbejmë atij me gjithë zemër.—Psal. 119: 1, 2, 34.
5 Në pjesën tjetër mbikëqyrësi qarkor tregoi se Jehovai, përmes Fjalës dhe organizatës së tij, na siguron «Ndihmë për t’u rritur tërësisht në kuptueshmërinë e Biblës». Kuptueshmëria u përkufizua si «aftësia për të parë brenda një çështjeje dhe për të dalluar përbërjen e saj duke kuptuar lidhjet që ekzistojnë midis pjesëve të saj dhe së tërës, duke nxjerrë kështu kuptimin e saj.» Kush mund të na ndihmojë për të zhvilluar këtë aftësi? Jehovai na ka siguruar dhurata në njerëz që të na ndihmojnë për të bërë përparim frymor. (Efes. 4:11, 12) Organizata e tij tokësore na nxit ta lexojmë Fjalën e Perëndisë çdo ditë dhe të marrim pjesë rregullisht në të gjitha mbledhjet e kongregacionit. (Psal. 1:2) Ne mësohemi si ta përdorim Biblën dhe botimet tona të krishtere në studimin personal e familjar si edhe në përgatitjen për mbledhje dhe shërbimin në fushë. A keni përfituar nga gjithë këto masa? A po mbani një program të rregullt për leximin personal të Biblës? Kjo është thelbësore, nëse duam të jemi të mbrojtur nga rënia pre e prirjeve të botës, modës, filozofive dhe ndikimeve mashtruese.—Kolos. 2:6-8.
6 Aftësitë tona perceptuese duhet të stërviten: Në fjalimin e tij të parë, me titull «Ruani gjendjen frymore duke stërvitur aftësitë tuaja perceptuese», folësi vizitues shpjegoi se personat nga bota nuk mund ta dallojnë të drejtën nga e gabuara. (Isa. 5: 20, 21) Kjo ndodh pasi nuk pranojnë të njohin dhe të zbatojnë normat e drejta të Perëndisë. Në ndryshim nga ata, ne që kemi marrë stërvitje frymore në organizatën e Jehovait i njohim normat e Perëndisë, të cilat shërbejnë për të udhëhequr veprimet dhe sjelljen tonë. Kështu që, jemi në gjendje t’i tregojmë vetes se ç’është e mirë dhe e pranueshme në sytë e Jehovait dhe ç’është në përputhje me vullnetin e tij të përsosur.—Rom. 12:2.
7 Për të shmangur mënyrën e ngatërruar të të menduarit të botës dhe frytet e këqija që vijnë si pasojë, duhet t’i stërvitim vazhdimisht aftësitë tona perceptuese. Si mund të arrihet kjo? Siç është shkruar te Hebrenjve 5:12-14, apostulli Pavël theksoi nevojën për t’u ushqyer më tepër se vetëm me ‘qumështin’ e fjalës. Kemi nevojë për ushqim të fortë frymor, të tillë, si ai që po marrim në studimin e profecive të Isaisë në Studimin e Librit të Kongregacionit. Pastaj me gatishmëri duhet të zbatojmë në jetën tonë atë që mësojmë. Kur bëjmë kështu, jemi të bindur për drejtësinë e parimeve dhe të normave të Jehovait. Kjo stërvit aftësitë tona perceptuese për të dalluar qartë si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën.
8 Mjerisht, disa janë fundosur frymësisht. Pse? Nuk e kanë përqendruar vëmendjen e tyre në atë që është e mirë dhe e drejtë në sytë e Jehovait. Si pasojë, kanë rënë viktima të programeve televizive dhe radiofonike me përmbajtje në kundërshtim me Shkrimet, të muzikës degraduese ose të ndikimeve të këqija në chat room. Duke vepruar me mençuri, do të shmangim ndikimin e njerëzve imoralë, të pamend dhe të ligj. —Prov. 13:20; Gal. 5:7; 1 Tim. 6: 20, 21.
9 Të rinjtë duhet «të jenë foshnja për sa i përket së keqes»: Programi kishte dy pjesë që në mënyrë të veçantë nxitnin të rinjtë që të zhvillonin aftësitë e tyre perceptuese. Oratorët treguan se të jesh ‘foshnjë për sa i përket së keqes’ do të thotë të mbetesh i papërvojë, ashtu si është një foshnjë e pafajshme, në lidhje me atë që është e papastër në sytë e Jehovait. (1 Kor. 14:20) Të gjithë u nxitëm të vazhdojmë të shohim me kujdes se si e përdorim kohën, kështu që të përmbahemi nga ekspozimi ndaj të gjitha llojeve të së keqes dhe të shmangim ndotjen prej saj. (Efes. 5:15-17) U nxitëm të llogaritim sa kohë harxhojmë duke lexuar materiale që nuk na ndihmojnë të rritemi në kuptueshmërinë e gjërave frymore. A e bëtë këtë? Çfarë treguan përfundimet? Përveç leximit të përditshëm të Biblës, jini të vendosur të vazhdoni me leximin e materialeve që na siguron organizata. Bërja e kësaj do të na ndihmojë të gjithëve, përfshirë edhe të rinjtë, të ‘fitojmë kuptueshmëri’. —Prov. 4: 7-9.
10 «Të nxjerrim dobi duke zbatuar me kuptueshmëri parimet biblike»: Kjo ishte tema e fjalimit përmbyllës të programit të Asamblesë Speciale Njëditore. Një folës i ftuar shpjegoi se Jehovai është Burimi i kuptueshmërisë jetëdhënëse, e cila është pafundësisht më e lartë se kuptueshmëria e gjithë njerëzimit. Vetëm mendo të kesh mundësinë të shfrytëzosh kuptueshmërinë e Jehovait! Ai ua jep me bujari atyre që ia kërkojnë me gjithë zemër dhe i luten me besim. (Prov. 2: 3-5, 9; 28:5) A po përfitoni plotësisht nga oferta e tij?
11 U nxitëm të mësojmë të dallojmë parimet kur lexojmë Biblën. (2 Tim. 3:16, 17) Studiojini ato me kujdes për të pasur një kuptueshmëri të saktë të asaj që thotë Jehovai. Gjeni kohë për të medituar për këto parime dhe ngulitini në zemër dhe në mendje. Kjo do të stërvitë aftësitë tuaja perceptuese kështu që do të keni sukses kur të merrni vendime në jetë. (Jos. 1:8) Le të marrim disa rrethana që përballojnë shumë veta dhe të shohim se si zbatimi i parimeve të Biblës mund të na ndihmojë t’ia dalim mbanë.
12 ‘A duhet t’i përshtatem një stili të caktuar veshjeje dhe krehjeje?’ Prirjet ekstravagante të botës në veshje dhe krehje shpesh pasqyrojnë një frymë rebelimi. Një frymë e tillë i nxit njerëzit të vishen me gjëra të llangosura dhe të pakëndshme ose që nxitin dëshira seksuale. Cilat parime të përshtatshme biblike do të na ndihmojnë të kundërshtojmë prirje të tilla? Pasi kemi stërvitur aftësitë tona perceptuese do të marrim parasysh parimin që gjendet te 1 Timoteut 2:9, 10, të vishemi «me modesti dhe mendje të shëndoshë . . . , si u ka hije [njerëzve] që pohojnë se nderojnë thellësisht Perëndinë». Parime të tjera që zbatohen përfshijnë ato që përmenden te 2 Korintasve 6:3 dhe Kolosianëve 3:18, 20.
13 ‘Çfarë mund të bëj për të mbajtur të forta lidhjet familjare?’ Komunikimi i mirë midis pjesëtarëve të familjes është jetësor. Jakovi 1:19 na thotë: «Çdo njeri duhet të jetë i shpejtë për të dëgjuar, i ngadalshëm për të folur, i ngadalshëm për t’u zemëruar.» Pjesëtarët e familjes duhet të dëgjojnë dhe të flasin me njëri-tjetrin, sepse komunikimi familjar është një bisedim i dyanshëm. Madje, edhe kur ajo që themi është e vërtetë, kur thuhet mizorisht, me krenari ose në një mënyrë të pandjeshme, ka të ngjarë që më shumë të dëmtojë sesa të ndihmojë. Kështu, nëse jemi burrë ose grua, prind ose fëmijë, duhet të lejojmë që e folura jonë «të jetë gjithnjë me hir, e ndrequr me kripë».—Kolos. 4:6.
14 ‘A po prekem nga materializmi?’ Materializmi është një lloj presioni i ushtruar nga bota që e ndërlikon jetën. Ai nuk i hap dyert drejt lumturisë. (Ekl. 5:10; Luka 12:15; 1 Tim. 6:9, 10) Për të na ndihmuar të shmangim grackat e materializmit, Jezui na mësoi këtë parim të rëndësishëm: mbajeni syrin të thjeshtë. Të bëjmë një jetë të drejtpeshuar, më pak të ndërlikuar, përfshin t’i ngulitim sytë në interesat e Mbretërisë, duke lënë çdo gjë tjetër në vend të dytë.—Mat. 6:22, 23, 33.
15 Cilat duhet të jenë synimet tona?: Në Fjalën e Perëndisë kemi një burim të besueshëm të parimeve të drejta që na udhëheqin për të marrë vendime. Duhet t’i mësojmë këto parime, të meditojmë rreth tyre dhe të kuptojmë si t’i zbatojmë ato në jetën tonë. Kështu që nga ‘stërvitja e aftësive tona perceptuese për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën’, do t’i sjellim dobi vetes dhe do të nderojmë Jehovain.—Hebr. 5:14.