Ta mbajmë kohën e lirë brenda kufijve të duhur
1 Në këto ditë të vështira, të gjithë kemi nevojë për të ndryshuar ritmin herë pas here. Një masë e caktuar çlodhjeje është më se e përshtatshme. Megjithatë, kur harxhohet tepër kohë për çlodhje, për zbavitje dhe për të qenë në shoqëri, mund të ndodhë që një person ta ulë ritmin e të fillojë të harxhojë gjithnjë e më pak kohë për veprimtaritë frymore. Duhet ta mbajmë kohën e lirë brenda kufijve të duhur. (Mat. 5:3) Si mund të arrihet kjo? Duke ndjekur këshillën që gjendet në Efesianëve 5:15-17.
2 Të vëmë kufij: Pavli shkroi se të krishterët duhet ‘të vazhdojnë të shikojnë me kujdes’ se me sa mençuri po e ndërtojnë jetën. Të qenët të përkorë dhe ushtrimi i vetëkontrollit janë të nevojshme për ta kufizuar kohën e lirë brenda masës që është me të vërtetë e nevojshme. Është mirë që të mendojmë seriozisht për mënyrën si e përdorim kohën e lirë. Zbavitja duhet t’i shërbejë një qëllimi të dobishëm, e jo të na bëjë të ndihemi se kemi humbur kohën ose të na lërë të rraskapitur. Nëse, pasi kemi marrë pjesë në një veprimtari, ndihemi përsëri bosh, të pakënaqur dhe disi fajtorë, kjo tregon se duhet të bëjmë rregullime në mënyrën si e përdorim kohën.
3 Të jemi të arsyeshëm: Pavli këshilloi që ‘të blejmë kohën e duhur’ për gjërat më të rëndësishme të jetës, duke mos u bërë «të paarsyeshëm». Të krishterët e dedikuar nuk mund të lejojnë që koha e lirë të jetë qendra e jetës së tyre. Megjithëse pushimi dhe çlodhja mund të na përtërijnë fizikisht, burimi i energjisë frymore është forca vepruese e Perëndisë. (Isa. 40:29-31) Frymën e tij e marrim nëpërmjet veprimtarive teokratike—duke studiuar Biblën, duke ndjekur mbledhjet e kongregacionit, duke marrë pjesë në shërbimin në fushë—jo nëpërmjet zbavitjes.
4 Të vendosim përparësitë: Pavli i udhëzoi të krishterët që ‘të vazhdojnë të dallojnë se cili është vullneti i Jehovait’. Jezui mësoi se veprimtaritë tona duhen përqendruar në Mbretërinë e Perëndisë e cila ka përparësi në jetën tonë. (Mat. 6:33) Është thelbësore që së pari të bëjmë ato gjëra që do të na lejonin të jetonim në lartësinë e dedikimit tonë ndaj Jehovait. Më pas, kohën e lirë mund ta mbajmë brenda kufijve të duhur. Kur veprojmë kështu, kjo do të ketë një ndikim të shëndetshëm dhe do të gjejmë më shumë kënaqësi në të.—Ekl. 5:12.