Sjellja e mirë—Një veçori e njerëzve të perëndishëm
1 Sjelljet e mira janë të rralla sot. Përse kështu? Njerëzit janë me një ngut të tillë, saqë rrallë mund të mendojnë për disa rregulla bazë të mirësjelljes, si p.sh., të thonë «të lutem», «faleminderit» ose «më falni». Fjala e Perëndisë paratha një përkeqësim të sjelljes në ditët e fundit. Në të thuhet se njerëzit do të ishin ‘të dashuruar pas vetes, mendjemëdhenj, fodullë mosmirënjohës, pa përzemërsi të natyrshme, pa vetëkontroll, pa dashuri për mirësinë, kokëkrisur’. (2 Tim. 3:1-4) Të gjitha këto tipare prodhojnë sjellje të këqija. Si njerëz të perëndishëm, të krishterët duhet të bëjnë kujdes që të mos e përvetësojnë këtë mungesë respekti ndaj të tjerëve, gjë që është karakteristikë e kësaj bote.
2 Çfarë është sjellja e mirë? Sjellja e mirë mund të përshkruhet si një vetëdije e thellë ndaj ndjenjave të të tjerëve dhe aftësia për të jetuar në paqe me të tjerët. Aspekte të sjelljes së mirë janë, të jesh i vëmendshëm ndaj të tjerëve, të tregosh mirësjellje, përzemërsi, edukatë, takt dhe të jesh i kujdesshëm. Këto veçori i kanë rrënjët në dashurinë për Perëndinë dhe për të afërmin. (Luka 10:27) Nuk kushtojnë asgjë, por janë shumë të vlefshme për të forcuar marrëdhëniet me të tjerët.
3 Jezu Krishti la një shembull të përsosur në këtë drejtim. Ai zbatoi gjithmonë rregullën e artë: «Ashtu siç dëshironi t’ju bëjnë njerëzit juve, edhe ju bëjuni atyre po ashtu.» (Luka 6:31) A nuk mrekullohemi nga sjellja e kujdesshme dhe e dashur që shfaqi Jezui në marrëdhënien me dishepujt e tij? (Mat. 11:28-30) Këtë sjellje të mirë nuk e fitoi nga rregulla të përshkruara në libra për etikën. Ajo buroi nga një zemër e sinqertë dhe e gjerë. Duhet të përpiqemi që ta imitojmë shembullin e tij të shkëlqyer.
4 Kur duhet ta shfaqin të krishterët sjelljen e mirë? Vetëm në raste të veçanta, kur u intereson që të bëjnë një përshtypje të mirë apo vetëm kur përpiqen të ndikojnë te të tjerët? Jo! Ne duhet të kemi një sjellje të mirë në çdo rast. Veçanërisht në cilat fusha të shoqërimit me njëri-tjetrin në kongregacion duhet të interesohemi për një sjellje të mirë?
5 Në Sallën e Mbretërisë: Salla e Mbretërisë është vendi ynë i adhurimit. Jemi atje me ftesë të vetë Perëndisë Jehova. Në këtë kuptim, ne jemi mysafirë. (Psal. 15:1) A jemi mysafirë shembullorë kur vijmë në Sallën e Mbretërisë? A i kushtojmë vëmendjen e duhur veshjes dhe krehjes sonë? Sigurisht, ne nuk duam të stolisemi as në një mënyrë të shkujdesur e as në një mënyrë ekstreme. Qoftë kur ndjekin kongreset, qoftë kur ndjekin mbledhjet javore të kongregacionit, shërbëtorët e Jehovait dallohen për një sjellje të mirë që u shkon për shtat atyre që pohojnë se e nderojnë Perëndinë. (1 Tim. 2:9, 10) Kështu tregojmë vëmendjen dhe respektin e duhur, si për Mikpritësin qiellor, ashtu edhe për të ftuarit e tjerë.
6 Një mënyrë tjetër me të cilën tregojmë një sjellje të mirë, për sa u përket mbledhjeve, është duke ardhur në orar. Duhet pranuar se kjo nuk është gjithnjë e lehtë. Disa mund të banojnë mjaft larg sallës ose mund të kenë një familje të madhe për të bërë gati për në mbledhje. Në disa kongregacione është vënë re se gati 25 për qind e lajmëtarëve e kanë si zakon të mbërrijnë pas këngës dhe lutjes hapëse. Kjo është një çështje serioze. Duhet të kujtojmë që sjellja e mirë ka të bëjë me vetëdijen tonë për ndjenjat e të tjerëve. Jehovai, Mikpritësi ynë hirmadh, i ka organizuar këto bankete frymore për dobinë tonë. Duke qenë të përpiktë tregojmë çmueshmërinë që kemi dhe se interesohemi për ndjenjat e tij. Veç kësaj, kur arrijmë vonë në mbledhje shpërqendrojmë të tjerët dhe tregojmë mungesë respekti për ata që tashmë kanë zënë vend në sallë.
7 Kur shkojmë në mbledhje, a i vëmë re të interesuarit e rinj që janë në sallë? Duke u dhënë mirëseardhjen tregojmë një aspekt të sjelljes së mirë. (Mat. 5:47; Rom. 15:7) Një përshëndetje e hijshme, një shtrëngim i ngrohtë dore, një buzëqeshje e përzemërt, janë të gjitha gjëra të vogla, por i shtohen asaj që na bën të dallohemi si të krishterë të vërtetë. (Gjoni 13:35) Pasi erdhi për herë të parë në një Sallë Mbretërie, një burrë tha: «Në një ditë takova më shumë njerëz të dashur, edhe pse të panjohur, sesa kisha takuar ndonjëherë në kishën ku u rrita. Dukej qartë që kisha gjetur të vërtetën.» Si rrjedhim, ndryshoi jetën e tij dhe shtatë muaj më pas u pagëzua. Po, sjellja e mirë mund të ndikojë në një mënyrë të shkëlqyer.
8 Nëse jemi të sjellshëm ndaj të panjohurve që takojmë, a nuk duhet të jemi të tillë «sidomos ndaj atyre që janë të lidhur me ne në besim»? (Gal. 6:10) Zbatohet ky parim: «Duhet të tregosh nderim për të moshuarin [ose të moshuarën].» (Lev. 19:32, BR) Këta persona nuk duhen kaluar kurrë pa i vënë re në grumbullimet tona.
9 Të kushtojmë shumë vëmendje: Gjatë mbledhjeve të kongregacionit, shërbëtorët e krishterë të Perëndisë flasin që të na japin ndonjë dhuratë frymore për të na ndërtuar. (Rom. 1:11) Me siguri do të ishte një sjellje shumë e ulët nga ana jonë nëse gjatë mbledhjes do të dremitnim, do të mbllaçitnim çamçakëz, do të pëshpëritnim vazhdimisht me atë që është ulur afër nesh, do të shkonim pa qenë nevoja në banjë, do të lexonim ndonjë material që s’lidhet me argumentin që trajtohet ose do të merreshim me gjëra të tjera gjatë mbledhjes. Pleqtë duhet të jenë shembull në këtë drejtim. Sjellja e mirë e krishterë do të na nxitë të tregojmë respektin e duhur për atë që flet dhe për mesazhin e tij të bazuar në Bibël, duke i kushtuar vëmendje pa u shpërqendruar.
10 Veç kësaj, të shtyrë nga respekti si për atë që flet, ashtu edhe për të pranishmit në sallë, të mos lejojmë që aparatet sinjalizuese dhe celularët të shkaktojnë shpërqendrime gjatë mbledhjes.
11 Sjellja e mirë dhe fëmijët: Prindërit duhet të jenë gjithnjë syhapur për sa i përket sjelljes së fëmijëve të tyre. Nëse një fëmijë i vogël fillon të qajë ose prish qetësinë gjatë mbledhjes, aq sa shqetëson të tjerët, është mirë që të nxirret sa më shpejt jashtë sallës për ta qetësuar. Disa herë kjo gjë mund të jetë e vështirë, por të mos harrojmë, kjo tregon se jemi të vëmendshëm ndaj ndjenjave të të tjerëve. Prindërit me fëmijë të vegjël, që ka të ngjarë të krijojnë shqetësim, shpesh zgjedhin të ulen nga fundi i sallës që të shkaktojnë sa më pak shqetësim që është e mundur, në rast se do t’u duhet të lëvizin gjatë mbledhjes. Sigurisht, pjesa tjetër e të pranishmëve, mund të tregojë vëmendjen e duhur ndaj këtyre familjeve duke lënë rreshtat e fundit të lirë që t’i përdorin, nëse dëshirojnë.
12 Prindërit duhet të jenë të vëmendshëm edhe ndaj sjelljes së fëmijëve të tyre para dhe pas mbledhjeve. Fëmijët nuk duhet të vrapojnë brenda sallës, pasi kjo mund të shkaktojë aksidente. Të vrapuarit andej-këtej jashtë sallës mund të jetë i rrezikshëm, veçanërisht në mbrëmje, kur nuk shihet dhe aq mirë. Bisedat me zë të lartë jashtë sallës mund të shqetësojnë fqinjët dhe të nxitin mendime negative për adhurimin tonë. Prindërit që bëjnë një përpjekje të kujdesshme për t’i mbikëqyrur fëmijët e tyre si brenda, ashtu edhe jashtë Sallës së Mbretërisë janë për t’u lavdëruar, sepse kjo e bën edhe më të kënaqshme banimin së bashku në unitet.—Psal. 133:1.
13 Në studimin e librit: Ne e çmojmë mikpritjen e vëllezërve që hapin shtëpinë e tyre për mbledhjet e kongregacionit. Kur jemi në këto mbledhje duhet të tregojmë respekt dhe kujdes për gjërat që ata zotërojnë. Përpara se të hyjmë, duhet t’i fshijmë me kujdes këpucët që të mos ndotim dyshemenë ose tapetin. Prindërit duhet t’i mbikëqyrin fëmijët e tyre, duke u siguruar që të rrinë në atë pjesë të shtëpisë që është caktuar për të mbajtur Studimin e Librit. Edhe pse grupi mund të jetë i vogël dhe atmosfera disi joformale, ne nuk mund të bëjmë ç’të duam në shtëpinë e të tjerëve. Një fëmijë i vogël duhet shoqëruar nga prindi nëse ka nevojë që të shkojë në banjë. Veç kësaj, meqë Studimi i Librit është një mbledhje kongregacioni, duhet të vishemi sikurse bëjmë kur shkojmë në Sallën e Mbretërisë.
14 Sjellja e mirë është jetësore: Duke e praktikuar sjelljen e mirë, jo vetëm që krijojmë përshtypje të mirë për shërbimin tonë por, gjithashtu, zhvillojmë më tej marrëdhënie të mira me të tjerët. (2 Kor. 6:3, 4, 6) Si adhurues të Perëndisë së lumtur, për ne duhet të jetë e natyrshme të buzëqeshim, të jemi persona të këndshëm e të bëjmë madje dhe gjëra të vogla të dashura që u sjellin gëzim të tjerëve. Këto veçori të sjelljes së mirë do ta zbukurojnë jetën tonë si njerëz të perëndishëm.