Prindër: Ngulitni zakone të dobishme te fëmijët tuaj!
1 Zakonet e dobishme nuk trashëgohen, as nuk fitohen rastësisht. Për më tepër, ngulitja e zakoneve të mira te fëmijët kërkon kohë. «Të ngulitësh» përfshin që «të futësh diçka pak nga pak» ose «të bësh që diçka të hyjë pikë-pikë». Nga prindërit kërkohet të jenë konsekuentë, me qëllim që «të vazhdojnë t’i rritin [fëmijët e tyre] në disiplinën dhe normën mendore të Jehovait».—Efes. 6:4.
2 Fillo që nga foshnjëria: Aftësia e fëmijëve shumë të vegjël për të mësuar dhe për të bërë gjëra të reja është e jashtëzakonshme. Edhe pse të rriturit shpesh e kanë të vështirë të mësojnë një gjuhë të re, fëmijët e moshës parashkollore mund të mësojnë dy ose tri gjuhë njëkohësisht. Mos mendo kurrë se fëmija yt është tepër i vogël për të zhvilluar zakone të mira. Nëse mësimi i së vërtetës biblike fillon që herët dhe është i vazhdueshëm, në kohën kur fëmija do të ketë vetëm pak vite moshë, mendja e tij do të mbushet me njohuri që do ta bëjë «të mençur për shpëtim».—2 Tim 3:15.
3 Bëje një zakon shërbimin në fushë: Një zakon i dobishëm që duhet ngulitur gjatë viteve që një fëmijë formohet, është ai i predikimit me rregullsi të lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Shumë prindër e fillojnë këtë duke i marrë fëmijët e tyre në shërbimin shtëpi më shtëpi ndërsa janë ende foshnja. Përfshirja e rregullt e prindërve në veprën e dëshmisë, i ndihmon fëmijët e tyre që të zhvillojnë çmueshmëri dhe zell për shërbimin. Prindërit mund t’u tregojnë atyre si të marrin pjesë në dhënien e dëshmisë në çdo aspekt të shërbimit në fushë.
4 Fëmijët i ndihmon edhe regjistrimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Ajo u mëson atyre zakone të mira studimi dhe si të lexojnë me kuptueshmëri. Ata mësojnë të zhvillojnë biseda rreth Biblës, si të bëjnë rivizita dhe të drejtojnë studime biblike. Një stërvitje e tillë mund t’u ngjallë dëshirën për të shërbyer si pionierë ose mund t’i nxitë që të vënë synime për privilegje të veçanta shërbimi. Shumë bethelitë dhe misionarë kujtojnë me dashuri ditët e tyre të para në Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe e konsiderojnë atë si një masë që i ndihmoi të zhvillojnë zakone të dobishme.
5 Ne jemi të gjithë si argjilë në duart e Poçarit të Madh, Jehovait. (Isa. 64:8) Sa më e freskët të jetë argjila, aq më lehtësisht merr formë. Sa më shumë të thahet, aq më e vështirë bëhet për t’u punuar. Kështu është dhe me njerëzit. Kur janë të rinj, janë më të përpunueshëm, dhe sa më të vegjël të jenë, aq më të mira janë rezultatet. Vitet e tyre të moshës së njomë janë vite formimi, ku forma që marrin do të jetë për mirë ose për keq. Si prind i kujdesshëm, fillo që herët të ngulitësh te fëmijët e tu zakone të dobishme në shërbimin e krishterë.