Çfarë mund të na ndihmojë që të qëndrojmë të patundur në besim?
1 Që kur kemi filluar të shoqërohemi me organizatën e Jehovait, progresi ynë frymor ka dalë se është një burim gëzimi për ne. Megjithatë, që të jemi ‘të rrënjosur, të ndërtuar dhe të stabilizuar në besim’, është e nevojshme që të rritemi vazhdimisht frymësisht. (Kolos. 2:6, 7, BR) Ndërsa shumica kanë lulëzuar në kuptim frymor, disa i ka marrë rryma sepse kanë dështuar të «qëndrojnë të patundur në besim». (1. Kor. 16:13, BR) Ne mund ta parandalojmë një gjë të tillë në rastin tonë. Në ç’mënyrë?
2 Aktivitet i rregullt frymor: Të përcaktojmë një rutinë të mirë frymore duke ecur në një hap me organizatën e Jehovait. Këtu nevojat tona frymore plotësohen më së miri. Mbledhjet e kongregacionit, asambletë dhe kongreset na nxitin për t’u rritur më shumë frymësisht e për të pasur më shumë stabilitet, me kusht që të jemi vazhdimisht të pranishëm në to për të nxjerrë dobi. (Hebr. 10:24, 25) Një rutinë e rregullt e leximit të Biblës, revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, si edhe e librave që diskutojnë ushqimin e fortë të Fjalës së Perëndisë, do të bëjë që rrënjët tona frymore të shkojnë thellë e të jenë të forta. (Hebr. 5:14) Nëse vëmë synime frymore personale dhe punojmë me zell për t’i arritur ato, do të kemi, gjithashtu, dobi të pafundme.—Filip. 3:16.
3 Ndihma nga të krishterët e pjekur: Të kërkojmë të zgjerojmë shoqërinë tonë me personat e pjekur frymësisht në kongregacion. Të njihemi me pleqtë, pasi në radhë të parë janë ata që mund të na forcojnë. (1. Sel. 2:11, 12) Të mirëpresim çdo këshillë ose sugjerim që mund të na ofrojnë. (Efes. 4:11-16) Po ashtu, shërbëtorët ndihmës interesohen mjaft për të ndihmuar të tjerët që të bëhen të patundur në besim, prandaj, le t’u drejtohemi këtyre vëllezërve për inkurajim.
4 A kemi nevojë për ndihmë në shërbim? Të flasim me pleqtë dhe t’u kërkojmë ndihmë. Ndoshta mund të përfshihemi në programin Pionierët Ndihmojnë të Tjerët. A jemi një i sapopagëzuar? Studimi i librit Të organizuar dhe zbatimi i asaj që përmban do të na nxitë të përparojmë drejt pjekurisë frymore. A jemi një prind? Të forcojmë vazhdimisht gjendjen frymore të fëmijëve tanë.—Efes. 6:4.
5 Duke qenë të rrënjosur e të stabilizuar në besim, ne gëzojmë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain dhe shoqërinë e ngrohtë të vëllezërve tanë. Kjo gjë na jep mundësi që t’u bëjmë ballë sulmeve të Satanait dhe forcon shpresën tonë për një të ardhme të përhershme.—1. Pjet. 5:9, 10.