Mbështetuni në Jehovain për t’i bërë gjërat të rriten
1 «Unë përjetova për herë të parë gëzimin unik të ndihmesës për formimin e një kongregacioni të ri. Për këtë u deshën më shumë se dy vjet punë të zellshme, lutje të vazhdueshme dhe mbështetje në Jehovain, i cili ‘bën gjërat të rriten’.» Kështu shkroi një pionier i ndërgjegjshëm, i cili mësoi nevojën për t’u mbështetur në Jehovain për rritje. (1. Kor. 3:5-9) Edhe ne kemi nevojë për mbështetjen e Perëndisë, në kërkimin e personave të prirur frymësisht, nëse duam që shërbimi ynë të sjellë fryte.—Prov. 3:5, 6.
2 Rritja kërkon kultivim: Nëse fara e së vërtetës do të rritet, ajo duhet të kultivohet. Kthimi përsëri brenda një apo dy ditëve nga vizita e parë, zakonisht sjell rezultate të mira. Ji i ngrohtë dhe miqësor. Bëj që personi tjetër të ndihet rehat. Mos fol vetëm ti gjatë gjithë kohës. Lejo që personi të të njohë dhe tregoji se je i interesuar ndaj tij si person.
3 Gjatë korrikut dhe duke vazhduar në gjithë muajin gusht ne po përqendrohemi në ofrimin e broshurave të ndryshme, personave që takojmë. Megjithatë, ne duhet, gjithashtu, të ndjekim interesin që gjejmë dhe literaturën që kemi lënë. E arrijmë këtë duke bërë rivizita dhe duke ofruar studime biblike. (Mat. 28:19, 20) Për këtë qëllim mund të përdoret broshura Çfarë kërkon? për të filluar studime. Mund t’i gjesh të dobishme katër sugjerimet e mëposhtme.
4 Nëse ke folur me dikë, i cili ishte i shqetësuar për keqësimin e kushteve të botës, mund ta rifillosh bisedën, duke thënë:
◼ «Besoj se jeni të shqetësuar po aq sa edhe unë për rënien morale të shoqërisë njerëzore. Ne dëgjojmë raporte të trishtueshme mbi dhunën në shtëpi, që kanë të bëjnë me abuzimin mbi fëmijët, prindërit dhe bashkëshortët. Dhe duket se shumë njerëzve nuk u bën përshtypje të gënjejnë apo të vjedhin, për të kënaqur dëshirat e tyre. A mendoni se për Perëndinë ka rëndësi mënyra se si e bëjnë jetën njerëzit? [Lëre të përgjigjet.] Perëndia vendosi disa norma, me anë të të cilave njerëzit të mund të jetonin dhe ato në të vërtetë nuk janë një barrë për ne.» Lexo 1. Gjonit 5:3. Pastaj prezanto broshurën Çfarë kërkon? dhe hape në mësimin 10. Lexo paragrafin e parë. Thekso fjalët dhe shprehjet e shkruara me gërma të pjerrëta në fillim të paragrafëve 2-6 dhe pyet pronarin e shtëpisë se cilat praktika mendon ai apo ajo që janë më të dëmshmet për shoqërinë. Lexo paragrafin që lidhet me këtë dhe lexo një apo dy shkrime, aq sa ta lejojnë mundësitë. Përfundo duke lexuar paragrafin 7 dhe më pas bëj rregullime për t’u kthyer për një bisedë të mëtejshme.
5 Atyre që ke takuar, të cilët janë të interesuar për familjet e tyre, mund t’u thuash diçka të ngjashme me sa vijon:
◼ «A mendoni se është e arsyeshme të presim që Krijuesi të na japë mjetet që na duhen, për të ndërtuar një jetë të suksesshme familjare?» Lëre të përgjigjet. Prezanto broshurën Çfarë kërkon?, hape në mësimin 8 dhe shpjego se ajo përmban parime nga Bibla për çdo pjesëtar të familjes. Ofroji t’i demostrosh se si ta përdorë broshurën me Biblën për të marrë bekime më të mëdha prej saj. Ndiq udhëzimet që gjenden në faqen 2 të broshurës. Bëj rregullime për t’u kthyer që të vazhdosh studimin mbi mësimin ose nëse e përfundon atë, për të studiuar një mësim tjetër që pronari i shtëpisë e zgjedh nga broshura.
6 Këtu është një hyrje e drejtpërdrejtë që mund të përdorësh për të ofruar programin tonë të studimit të Biblës. Trego broshurën «Çfarë kërkon?» dhe thuaj:
◼ «Kjo broshurë përmban një kurs studimi të përmbledhur mirë, i cili trajton mësimet themelore të Biblës. Në çdo faqe do të gjeni përgjigje për pyetjet që kanë munduar njerëzit për shekuj me radhë. Për shembull: Cili është qëllimi i Perëndisë për tokën?» Shko në mësimin 5 dhe lexo pyetjet në fillim të mësimit. Pyet pronarin e shtëpisë se cila i intereson më shumë dhe më pas lexo paragrafin(ët) që i korrespondon, duke lexuar shkrimet e përshtatshme. Shpjego se po aq lehtë sa kjo, mund të gjenden përgjigje të kënaqshme edhe për pyetje të tjera. Sugjeroji që të kthehesh përsëri, për të gjetur përgjigjen e një pyetjeje tjetër.
7 Ose mund të preferosh të përdorësh një hyrje të thjeshtë për të filluar një studim biblik, duke thënë:
◼ «A e dinit se vetëm në pak minuta, mund të gjeni përgjigjen për një pyetje të rëndësishme nga Bibla? Për shembull, . . . » Pastaj bëj një pyetje që gjendet në fillim të njërit nga mësimet në broshurë, një që ti mendon se do ta tërheqë individin. Për disa mendime mbi pyetjet që mund të përdorësh, shiko paragrafët 15 dhe 16 në shtojcën e Shërbimi ynë i Mbretërisë të marsit 1997, që titullohet «Merr guxim për të bërë rivizita».
8 Pranimi i gëzueshëm i sfidës për të bërë rivizita dhe për të drejtuar studime biblike është pjesë e qënies «bashkëpunëtorë» të Perëndisë. (1. Kor. 3:9) Ndërsa punojmë fort për të kultivuar interesin që gjejmë dhe më pas mbështetemi në Jehovain për t’i bërë gjërat të rriten, ne do të përjetojmë kënaqësinë e vërtetë që nuk mund ta sjellë asnjë punë tjetër.