Merr pjesë në veprën që nuk do të përsëritet më kurrë
1 Në periudha të ndryshme gjatë historisë së njerëzimit, ka qenë e nevojshme që Jehovai të ekzekutonte gjykimin mbi armiqtë e tij. Megjithatë, për shkak të mëshirës së tij, ai u dha personave me zemër të drejtë mundësinë për shpëtim. (Psal. 103:13) Përgjigjja e tyre ndaj mëshirës së tij përcaktoi rezultatin e tyre përfundimtar.
2 Për shembull, para Përmbytjes, në vitin 2370 p.e.s., Noeja ishte një ‘predikues i drejtësisë’. Ata që vdiqën, ishin ata që nuk e përfillën paralajmërimin hyjnor. (2. Pjet. 2:5; Hebr. 11:7) Para shkatërrimit të Jerusalemit në vitin 70 të e.s., Jezui theksoi qartë veprimin që duhej bërë, me qëllim që çdokush t’i shpëtonte shkretimit që do të binte mbi atë qytet. Të gjithë ata që e hodhën poshtë mesazhin e tij paralajmërues, vuajtën pasoja të tmerrshme. (Luka 21:20-24) Paralajmërime dhe gjykime të tilla hyjnore u përsëritën shumë herë gjatë gjithë historisë.
3 Një vepër paralajmëruese në ditët moderne: Kohë më parë, Jehovai shpalli se zemërimi i tij do të lëshohej kundër sistemit të sotëm të lig dhe se vetëm të butët do të mbijetonin. (Sof. 2:2, 3; 3:8) Kohës për predikimin e këtij mesazhi paralajmërues, shpejt po i vjen fundi. «Mjerimi i madh» është tamam pas derës dhe tani po mblidhen të butët. Vërtet, «fushat» po «zbardhojnë për korrjen». Asnjë vepër tjetër, pra, nuk mund të krahasohet me këtë për nga rëndësia dhe urgjenca.—Mat. 24:14, 21, 22, BR; Gjoni 4:35.
4 Ne duhet të marrim pjesë në shpalljen e paralajmërimit të të tjerëve në ditët moderne, «edhe sikur të dëgjojnë ose të mos pranojnë të dëgjojnë». Ky është një caktim që na ka dhënë Perëndia dhe ne nuk guxojmë ta shpërfillim. (Ezek. 2:4, 5; 3:17, 18) Pjesëmarrja jonë e plotë në këtë vepër, shfaq në mënyrë bindëse dashurinë tonë të thellë për Perëndinë, interesin e vërtetë për fqinjët tanë dhe besimin e pathyeshëm tek Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti.
5 Tani është koha për të vepruar: Pas gjykimeve të shkuara të bëra nga Jehovai, ligësia gjithmonë fillonte sërish, për shkak se Satanai dhe demonët e tij ishin akoma aktivë. Megjithatë, këtë herë do të jetë ndryshe. Ndikimi satanik do të eliminohet. Nuk do të ketë më nevojë për një paralajmërim botëror lidhur me një «mjerim të madh». (Zbul. 7:14; Rom. 16:20) Ne kemi privilegjin e veçantë për të marrë pjesë në veprën që nuk do të përsëritet më kurrë. Tani është koha që ta shfrytëzojmë sa më shumë këtë mundësi.
6 Apostulli Pavël tha me shumë bindje për aktivitetin e tij të predikimit: «Unë jam i pastër nga gjaku i të gjithëve.» (Vep. 20:26) Ai nuk ndihej fajtor gjaku për mosshpallje të paralajmërimit. Përse jo? Sepse në lidhje me shërbimin e tij, ai mundi të thoshte: «Për këtë qëllim po lodhem, duke ushtruar veten.» (Kolos. 1:29, BR) Le të provojmë të njëjtën kënaqësi, që vjen nga pjesëmarrja sa më e plotë në veprën që nuk do të përsëritet më kurrë!—2. Tim. 2:15.