BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w19 nëntor f. 20-25
  • Mësime nga libri i Levitikut

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Mësime nga libri i Levitikut
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2019
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • SI FITOJMË MIRATIMIN E JEHOVAIT
  • SHËRBIMI YNË MOTIVOHET NGA MIRËNJOHJA DHE DASHURIA
  • JEHOVAI E BEKON ORGANIZATËN E TIJ
  • Dita e Shlyerjes dhe ti
    Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje—2020
  • Libri biblik numër 3​—Levitiku
    «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
  • Sakrifica lëvdimi që i pëlqejnë Jehovait
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
  • Djegia e temjanit: A ka vend në adhurimin e vërtetë?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2003
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2019
w19 nëntor f. 20-25

ARTIKULLI I STUDIMIT 47

Mësime nga libri i Levitikut

«I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm.»—2 TIM. 3:16.

KËNGA 98 Shkrimet janë të frymëzuara nga Perëndia

PËRMBLEDHJEa

1-2. Pse duhet t’u interesojë të krishterëve sot libri i Levitikut?

APOSTULLI Pavël i solli ndër mend mikut të tij Timote se «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm». (2 Tim. 3:16) Këtu përfshihet edhe libri i Levitikut. Çfarë mendon për këtë libër të Biblës? Disa mund ta konsiderojnë si një libër plot rregulla që nuk aplikohen për ditët tona, ama të krishterët e vërtetë mendojnë ndryshe.

2 Levitiku u shkrua rreth 3.500 vjet më parë, gjithsesi Jehovai e ruajti atë «për mësimin tonë». (Rom. 15:4) E përderisa hedh dritë mbi mënyrën si mendon e si ndihet Jehovai, duhet të na interesojë ta shqyrtojmë. Faktikisht, mund të nxjerrim shumë mësime nga ky libër i frymëzuar. Të shohim katër prej tyre.

SI FITOJMË MIRATIMIN E JEHOVAIT

3. Pse paraqiteshin flijime vit për vit në Ditën e Shlyerjes?

3 Mësimi i parë: Kemi nevojë për miratimin e Jehovait që sakrificat tona të jenë të pranueshme. Çdo vit kombi i Izraelit mblidhej për Ditën e Shlyerjes, kur paraqiteshin flijime në kafshë. Ato flijime u kujtonin izraelitëve se kishin nevojë të pastroheshin nga mëkati. Mirëpo para se të çonte atë ditë gjakun e ndonjë flijimi brenda Më të Shenjtës, kryeprifti duhej të bënte diçka tjetër, diçka më të rëndësishme se falja e mëkateve të kombit.

Ditën e Shlyerjes, kryeprifti i Izraelit hyn në Më të Shenjtën me temjan dhe thëngjij

(Shih paragrafin 4)d

4. Siç thuhet te Levitiku 16:12, 13, çfarë bënte kryeprifti herën e parë që hynte në Më të Shenjtën në Ditën e Shlyerjes? (Shih figurën e kopertinës.)

4 Lexo Levitikun 16:12, 13. Imagjino skenën në Ditën e Shlyerjes: kryeprifti hyn në tabernakull, e kjo është hera e parë nga të tria herët që duhet të hyjë në Më të Shenjtën atë ditë. Në njërën dorë ka një mbajtëse me temjan aromatik dhe në tjetrën një mbajtëse zjarri prej ari plot me thëngjij. Ai ndalon përpara perdes që është te hyrja e Më të Shenjtës. Me respekt të thellë, hyn në Më të Shenjtën dhe qëndron përpara arkës së besëlidhjes. Në kuptimin e figurshëm, ai po qëndron përpara vetë Perëndisë Jehova! Tani prifti me kujdes hedh temjanin e shenjtë mbi thëngjijtë, e dhoma mbushet me aromë të këndshme.b Më vonë do të hyjë përsëri në Më të Shenjtën me gjakun e blatimeve për mëkatin. Vër re se ai e djeg temjanin përpara se të paraqitë gjakun e blatimeve për mëkatin.

5. Çfarë mund të mësojmë nga fakti që në Ditën e Shlyerjes përdorej temjan?

5 Çfarë mund të mësojmë nga fakti që në Ditën e Shlyerjes përdorej temjan? Bibla tregon se lutjet e pranueshme të adhuruesve besnikë të Jehovait janë si temjani. (Psal. 141:2; Zbul. 5:8) Sill ndër mend se kryeprifti e çonte temjanin përpara Jehovait me respekt të thellë. Po njësoj, ne i lutemi Jehovait me respekt të thellë, plot nderim. Jemi shumë mirënjohës që Krijuesi i universit na lejon t’i afrohemi e të krijojmë një lidhje të ngushtë me të, si një fëmijë me të atin. (Jak. 4:8) Ai na pranon si miqtë e tij. (Psal. 25:14) E vlerësojmë jashtë mase këtë privilegj, ndaj nuk do të donim kurrë ta zhgënjenim Jehovain.

6. Ç’mund të mësojmë për Jezuin nga fakti që kryeprifti digjte temjan përpara se të paraqiste flijimet?

6 Kujto që kryeprifti duhej ta digjte temjanin përpara se të paraqiste flijimet. Kështu sigurohej që të kishte miratimin e Perëndisë. Ç’mund të mësojmë nga kjo? Kur ishte në tokë, Jezui duhej të bënte diçka të rëndësishme përpara se të flijonte jetën, po, diçka më të rëndësishme se shpëtimi i njerëzimit. Çfarë? Duhej t’i bindej me besnikëri Jehovait e të mbante integritetin gjatë gjithë jetës së tij në tokë, që Jehovai ta pranonte flijimin e tij. Kështu Jezui do të vërtetonte se t’i bësh gjërat sipas mënyrës së Jehovait, është mënyra e duhur për ta jetuar jetën. Jezui do ta shfajësonte sovranitetin e të Atit, pra do të tregonte se mënyra si qeveris Ai është e drejtë.

7. Pse i solli kënaqësi Atit gjithë jeta e Jezuit në tokë?

7 Gjatë gjithë jetës së tij në tokë, Jezui iu bind me përsosmëri standardeve të drejta të Jehovait. Asnjë tundim a sprovë, madje as dijenia se e priste një vdekje agonike, nuk mund t’ia venitte dëshirën për të mbrojtur mënyrën si qeveris i Ati. (Filip. 2:8) Kur haste sprova, Jezu lutej «me klithma të forta dhe lot». (Hebr. 5:7) Lutjet e tij të zjarrta buronin nga një zemër besnike dhe ia forcuan dëshirën për t’u bindur. Për Jehovain, lutjet e Jezuit ishin si aroma e këndshme e temjanit. Me gjithë jetën e tij, Jezui i solli kënaqësi të thellë Atit dhe e shfajësoi sovranitetin e Tij.

8. Si mund të imitojmë jetën e Jezuit?

8 Mund ta imitojmë Jezuin duke bërë çmos të jetojmë plot integritet e besnikëri ndaj udhëve dhe ligjeve të Jehovait. Kur hasim sprova, i lutemi me zjarr Jehovait për ndihmë, sepse duam t’i sjellim kënaqësi. Kështu tregojmë se e mbështetim mënyrën si qeveris ai. E kuptojmë se Jehovai nuk do t’i pranojë lutjet tona nëse po bëjmë gjëra që ai i dënon. Megjithatë, nëse jetojmë sipas standardeve të Jehovait, mund të jemi të bindur se lutjet tona nga zemra do të jenë për të si temjani me aromë të këndshme. E mund të jemi të sigurt se integriteti ynë dhe bindja jonë plot besnikëri i sjell kënaqësi Atit tonë qiellor.—Prov. 27:11.

SHËRBIMI YNË MOTIVOHET NGA MIRËNJOHJA DHE DASHURIA

Një baba izraelit bashkë me familjen i jep priftit një dele për flijimin në bashkësi

(Shih paragrafin 9)e

9. Pse paraqiteshin flijimet në bashkësi?

9 Mësimi i dytë: I shërbejmë Jehovait nga mirënjohja. Për ta nxjerrë në pah këtë, le të shqyrtojmë flijimet në bashkësi, një tjetër aspekt të rëndësishëm të adhurimit të vërtetë në Izraelin e lashtë.c Në librin e Levitikut mësojmë se një izraelit mund të paraqiste një flijim në bashkësi «si shprehje falënderimi». (Lev. 7:11-13, 16-18) Ai nuk e paraqiste këtë flijim ngaqë ishte i detyruar, por ngaqë dëshironte. Prandaj ky ishte një blatim vullnetar që e paraqiste nga dashuria për Jehovain, Perëndinë e tij. Mishin e kafshës së flijuar mund ta hante personi që e paraqiste, familja e tij dhe priftërinjtë. Por disa pjesë të flijimit i duheshin paraqitur vetëm Jehovait. Cilat?

Jezui flet me një grup dishepujsh

(Shih paragrafin 10)f

10. Çfarë na mësojnë flijimet në bashkësi të përshkruara te Levitiku 3:6, 12, 14-16 për motivin e Jezuit ndërsa bënte vullnetin e të Atit?

10 Mësimi i tretë: I japim Jehovait më të mirën nga dashuria. Jehovai e konsideronte dhjamin si pjesën më të mirë të një kafshe. Gjithashtu, ai tha se organet jetësore, përfshirë veshkat, kishin vlerë të veçantë. (Lexo Levitikun 3:6, 12, 14-16.) Prandaj Jehovai ishte veçanërisht i kënaqur kur një izraelit i paraqiste vullnetarisht organet jetësore me dhjamin e kafshës. Ai që paraqiste një flijim të tillë, tregonte se dëshironte nga zemra t’i jepte Perëndisë më të mirën. Po njësoj, Jezui me gatishmëri i dha Jehovait më të mirën duke i shërbyer me gjithë shpirt nga dashuria. (Gjoni 14:31) Për Jezuin ishte kënaqësi të bënte vullnetin e Perëndisë, pasi i kishte thellë në zemër ligjet e Tij. (Psal. 40:8) Ç’kënaqësi duhet t’i ketë sjellë Jehovait të shihte Jezuin t’i shërbente me kaq dëshirë!

Një motër në karrige me rrota dëshmon me anë të letrave

Dashuria për Jehovain na motivon t’i japim më të mirën (Shih paragrafët 11-12)g

11. Në ç’kuptim shërbimi ynë ndaj Jehovait është si ato flijime në bashkësi, dhe pse na e ngroh zemrën kjo?

11 Shërbimi ynë ndaj Jehovait është si ato flijime në bashkësi, pasi kështu i shprehim me dëshirë Jehovait dashurinë tonë të thellë. Ne i japim Jehovait më të mirën, dhe këtë e bëjmë ngaqë e duam me gjithë zemër. Ç’kënaqësi i sjell Jehovait tek sheh miliona adhurues që i shërbejnë me dëshirë nga dashuria e thellë për të dhe udhët e tij! Sa na ngrohet zemra kur kujtojmë që Jehovai sheh dhe çmon jo vetëm veprimet, por edhe motivet tona! Për shembull, nëse je i moshuar dhe nuk bën dot më aq sa do të doje, ji i sigurt se Jehovai i kupton kufizimet e tua. Ndoshta mendon se nuk ke shumë për të dhënë, por Jehovai sheh se në zemër ke dashuri të thellë për të, që të motivon të bësh aq sa mundesh. Ai e pranon me kënaqësi më të mirën që mund të japësh.

12. Si ndihej Jehovai për flijimet në bashkësi, dhe si na inkurajon kjo?

12 Çfarë mund të mësojmë nga flijimet në bashkësi? Ndërsa zjarri përpinte pjesët më të mira të kafshës, tymi shkonte lart dhe Jehovai ishte i kënaqur. Ji i sigurt, pra, se Jehovai është i kënaqur me shërbimin që i bën vullnetarisht e me gjithë shpirt. (Kolos. 3:23) Imagjino buzëqeshjen e tij miratuese! Ai i konsideron përpjekjet e tua të dashura në shërbim të tij, të vogla a të mëdha qofshin, si thesare që do t’i kujtojë e do t’i çmojë përherë.—Mat. 6:20; Hebr. 6:10.

JEHOVAI E BEKON ORGANIZATËN E TIJ

13. Sipas Levitikut 9:23, 24, si e tregoi Jehovai se i miratonte priftërinjtë?

13 Mësimi i katërt: Jehovai po e bekon pjesën tokësore të organizatës së tij. Të shohim çfarë ndodhi më 1512 p.e.s., kur u montua tabernakulli rrëzë malit Sinai. (Eks. 40:17) Moisiu drejtoi ceremoninë e emërimit të Aronit dhe të djemve të tij si priftërinj. Kombi i Izraelit u mblodh për të parë priftërinjtë tek paraqitnin për herë të parë flijimet e tyre në kafshë. (Lev. 9:1-5) Si e tregoi Jehovai se i miratonte priftërinjtë e sapoemëruar? Ndërsa Aroni dhe Moisiu bekonin popullin, Jehovai dërgoi një zjarr që përpiu gjithë flijimin në altar.—Lexo Levitikun 9:23, 24.

14. Pse ka rëndësi për ne sot fakti që Jehovai i miratonte Aronin me djemtë e tij si priftërinj?

14 Çfarë tregoi Jehovai me anë të zjarrit nga qielli në ditën e emërimit të kryepriftit? Me anë të tij, ai tregoi se i mbështeste plotësisht Aronin me djemtë e tij, të cilët i kishte emëruar si priftërinj. Kur panë qartë se Jehovai i mbështeste, izraelitët e kuptuan se edhe ata duhej t’i mbështetnin plotësisht priftërinjtë. A ka rëndësi kjo për ne sot? Po. Priftëria në Izrael ishte thjesht një hije e një priftërie më të rëndësishme. Krishti, Kryeprifti më i madh, ka një priftëri mbretërore prej 144.000 vetash, që do të shërbejë përkrah tij në qiell.—Hebr. 4:14; 8:3-5; 10:1.

Gerrit Lësh nga Trupi Udhëheqës prezanton botimin e rishikuar të Përkthimit Bota e Re në gjermanisht; dy motra në Gjermani e përdorin në shërbim Biblën e re të rishikuar

Jehovai po e bekon dhe po e udhëheq organizatën e tij. Ne e mbështetim këtë organizatë me gjithë zemër (Shih paragrafët 15-17)h

15-16. Si ka treguar Jehovai se e miraton ‘skllavin besnik e të mençur’?

15 Më 1919, Jezui emëroi një grup të vogël vëllezërish të mirosur si ‘skllavin besnik e të mençur’. Ai skllav merr drejtimin në veprën e predikimit dhe u jep dishepujve të Krishtit «ushqim në kohën e duhur». (Mat. 24:45) A shohim prova të qarta se Perëndia e miraton skllavin besnik e të mençur?

16 Satanai dhe bota e tij s’kanë lënë gjë pa bërë për t’ia vështirësuar punën skllavit besnik, e madje për t’ia bërë të pamundur nga këndvështrimi njerëzor. Pavarësisht dy luftërave botërore, përndjekjes së pamëshirshme e të pareshtur, krizave ekonomike botërore e trajtimit të padrejtë, skllavi besnik dhe i mençur ka siguruar vazhdimisht ushqim besimforcues për dishepujt e Krishtit në tokë. Mendo sa shumë botime kemi sot në dispozicion falas në më tepër se 900 gjuhë! Kjo është provë e pamohueshme e mbështetjes së Perëndisë. Një dëshmi tjetër e bekimit të Jehovait është vepra e predikimit. Lajmi i mirë po predikohet vërtet «në gjithë tokën e banuar». (Mat. 24:14) Pa dyshim, Jehovai po e udhëheq e po e bekon me bollëk organizatën e tij sot.

17. Si mund të tregojmë se e mbështetim organizatën që po përdor Jehovai?

17 Bëjmë mirë të pyesim veten: «A jam mirënjohës që bëj pjesë në organizatën e Jehovait?» Jehovai na ka dhënë dëshmi po aq të qarta sa zjarri që dërgoi nga qielli në ditët e Moisiut dhe Aronit. Vërtet, kemi shumë arsye për të qenë mirënjohës! (1 Sel. 5:18, 19) Si mund të tregojmë se e mbështetim organizatën që po përdor Jehovai? Duke ndjekur drejtimin e bazuar në Bibël që na jepet në botimet, mbledhjet, asambletë dhe kongreset tona. Veç kësaj, mund të tregojmë mbështetjen tonë duke bërë më të mirën në shërbim.—1 Kor. 15:58.

18. Çfarë je i vendosur të bësh?

18 Le të jemi të vendosur t’i zbatojmë mësimet që nxorëm nga libri i Levitikut! Të fitojmë miratimin e Jehovait, që sakrificat tona të jenë të pranueshme. T’i shërbejmë Jehovait nga mirënjohja. T’i japim Jehovait më të mirën vazhdimisht, ngaqë e duam me gjithë shpirt. E ta mbështetim me gjithë zemër organizatën që ai po bekon sot. Në të gjitha këto mënyra, mund t’i tregojmë Jehovait se e çmojmë privilegjin për të qenë Dëshmitarët e tij.

Ç’MËSIME NXJERRIM NGA . . .

  • fakti që në Ditën e Shlyerjes përdorej temjan? (Lev. 16:12, 13)

  • flijimet në bashkësi që paraqitnin izraelitët? (Lev. 3:6, 12, 14-16)

  • zjarri që ra nga qielli kur u emëruan priftërinjtë? (Lev. 9:23, 24)

KËNGA 96 Libri i Perëndisë: Një thesar

a Në librin e Levitikut gjejmë ligje që Jehovai i dha Izraelit të lashtë. Nga ne si të krishterë nuk pritet që t’i zbatojmë, gjithsesi mund të nxjerrim dobi prej tyre. Në këtë artikull do të trajtojmë disa mësime me vlerë që mund të nxjerrim nga libri i Levitikut.

b Temjani që digjej në tabernakull, konsiderohej i shenjtë, dhe në Izraelin e lashtë përdorej vetëm për të adhuruar Jehovain. (Eks. 30:34-38) Askund nuk thuhet se të krishterët në shekullin e parë digjnin temjan për të adhuruar.

c Për më shumë informacion rreth flijimeve në bashkësi, shih Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëllimi 2, f. 526, anglisht, dhe Kullën e Rojës të 15 janarit 2012, f. 19, p. 11.

d PËRSHKRIMI I FIGURËS: Ditën e Shlyerjes, kryeprifti i Izraelit hynte në Më të Shenjtën me temjan dhe thëngjij, që dhoma të mbushej me një aromë të këndshme. Më vonë hynte sërish në Më të Shenjtën me gjakun e blatimeve për mëkatin.

e PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një izraelit i jep priftit një dele për flijimin në bashkësi, që të shprehë mirënjohjen e familjes së tij ndaj Jehovait.

f PËRSHKRIMI I FIGURËS: Gjatë shërbimit të tij në tokë, Jezui tregoi dashurinë e thellë që ndiente për Jehovain duke zbatuar urdhërimet e Tij dhe duke i ndihmuar dishepujt të bënin po njësoj.

g PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një motër e moshuar, pavarësisht kufizimeve fizike, i jep Jehovait më të mirën duke dëshmuar me anë të letrave.

h PËRSHKRIMI I FIGURËS: Në shkurt 2019, vëllai Gerrit Lësh nga Trupi Udhëheqës, prezantoi botimin e rishikuar të Përkthimit Bota e Re në gjermanisht para një auditori entuziast e mirënjohës. Sot, lajmëtarët në Gjermani, si këto dy motra, e përdorin gjithë gëzim në shërbim Biblën e re të rishikuar.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo