TEMA KRYESORE | A SJELL NDONJË TË MIRË LUTJA?
A i dëgjon kush lutjet?
Sipas disave, lutjet janë thjesht humbje kohe, nuk i dëgjon askush. Të tjerë janë përpjekur të luten, por mendojnë se nuk kanë marrë përgjigje. Një ateist krijoi një ide si mund të ishte Zoti dhe u lut: «Më jep vetëm një shenjë të vogël.» Por ai tha se Zoti «nuk reagoi fare».
Megjithatë, Bibla na siguron se ka një Perëndi që i dëgjon lutjet. Bibla përmban këtë pohim që iu bë një populli kohë më parë: «Me të dëgjuar klithmën tënde, ai [Zoti] do të të japë hir, po, me ta dëgjuar, ai do të të përgjigjet.» (Isaia 30:19) Një tjetër varg biblik thotë: «Lutja e të drejtëve është kënaqësi për të.»—Proverbat 15:8.
Jezui iu lut Atit të tij dhe lutja e tij «u dëgjua».—Hebrenjve 5:7
Gjithashtu, Bibla përmban shembuj të njerëzve që u janë dëgjuar lutjet. Një varg thotë se Jezui i bëri «përgjërime . . . Atij që ishte në gjendje ta shpëtonte» dhe se lutja e tij «u dëgjua». (Hebrenjve 5:7) Shembuj të tjerë gjejmë edhe te Danieli 9:21 dhe 2 Kronikave 7:1.
Po atëherë, pse mendojnë disa se lutjet e tyre nuk marrin përgjigje? Që të dëgjohen, lutjet duhet t’i drejtohen vetëm Perëndisë së Biblës, Jehovait,a dhe askujt tjetër. Zoti kërkon edhe ‘që të lutemi sipas vullnetit të tij’, pra për gjëra që i miraton. Ai na siguron se, po të lutemi sipas vullnetit të tij, «ai na dëgjon». (1 Gjonit 5:14) Pra, që lutjet tona të dëgjohen, duhet të njohim Perëndinë e Biblës e të mësojmë cili është vullneti i tij.
Shumë veta besojnë se lutja nuk është thjesht një rit fetar, por se Zoti i dëgjon vërtet lutjet dhe u përgjigjet atyre. Isaku nga Kenia thotë: «U luta për ndihmë që të kuptoja Biblën. Nuk kaloi shumë dhe dikush m’u afrua e më ndihmoi tamam për këtë.» Hilda që jeton në Filipine donte të linte duhanin. Pasi dështoi shumë herë, burri i sugjeroi: «Pse të mos i lutesh Zotit për ndihmë?» Ajo e ndoqi këshillën dhe tha: «U mrekullova nga ndihma e tij. Ishte sikur humba dëshirën për të pirë duhan. Arrita t’i them jo.»
A do Perëndia të të ndihmojë edhe ty për çështje personale që janë sipas vullnetit të tij?
a Jehova është emri i Perëndisë siç tregohet në Bibël.