BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w14 15/12 f. 4-5
  • Jehovai e bekon bujarisht frymën e gatishmërisë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Jehovai e bekon bujarisht frymën e gatishmërisë
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2014
  • Material i ngjashëm
  • «Puna është e madhe»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2016
  • Ta shprehim mirënjohjen për bujarinë e Jehovait
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2015
  • Teprica e tyre plotësoi një mungesë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2012
  • Si të ndihmojmë që të kujdesemi për nevojat e të tjerëve?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2013
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2014
w14 15/12 f. 4-5
Dikush po hedh një kontribut

Jehovai e bekon bujarisht frymën e gatishmërisë

KRIJUESI ynë u ka dhënë dinjitet njerëzve me dhuratën e vullnetit të lirë që s’ka të çmuar. Veç kësaj, i bekon bujarisht ata që e përdorin me altruizëm vullnetin e lirë për të çuar para adhurimin e vërtetë, si edhe që bëjnë pjesën e tyre në shenjtërimin e emrit të tij dhe përkrahin qëllimin e tij madhështor. Jehovai nuk do që të bindemi si robotë, ngaqë ndihemi të kërcënuar a të detyruar. Përkundrazi, e vlerëson pa masë përkushtimin nga zemra, që motivohet nga dashuria e sinqertë dhe mirënjohja e thellë.

Për shembull, kur izraelitët ishin në shkretëtirën e Sinait, Jehovai i udhëzoi të ndërtonin një vend adhurimi. U tha: «Mblidhni një kontribut për Jehovain. Kush të ketë një zemër të gatshme, le të sjellë këtë kontribut për Jehovain.» (Dal. 35:5) Çdo izraelit mund të jepte sa kish mundësi, dhe çdo kontribut vullnetar​—çfarëdo a sado të ishte—​do të përdorej siç duhej që të realizohej qëllimi i Perëndisë. Si reaguan izraelitët?

«Tërë ata që ishin të shtyrë nga zemra» dhe «tërë ata që ishin të shtyrë nga fryma e tyre» bënë blatime vullnetare, «çdo njeri me zemër të gatshme». Burra e gra sollën me gatishmëri diçka për punën që urdhëroi Jehovai: karfica, vathë, unaza, ar, argjend, bakër, fill blu, lesh të ngjyer në të kuqe të purpurt, fill ngjyrë kërmëzi, li të hollë, lesh dhie, lesh dashi të ngjyrosur në të kuqe, lëkurë foke, dru akacieje, gurë të çmuar dhe vaj balsami. Si përfundim, «gjërat që kishin sjellë, ishin të mjaftueshme për punën, madje më se të mjaftueshme».​—Dal. 35:21-24, 27-29; 36:7.

Ajo që ia kënaqi më shumë zemrën Jehovait nuk ishin kontributet materiale, por fryma e gatishmërisë që shfaqën ata të cilët përkrahën adhurimin e pastër. Zemra i nxiti të jepnin edhe nga koha e nga mundi i tyre. Shkrimet thonë: «Të gjitha gratë e afta torën me duart e tyre.» Po, «të gjitha gratë e afta, të shtyra nga zemra, torën leshin e dhisë». Veç kësaj, Jehovai i dha Bezalelit ‘mençuri, kuptueshmëri e njohuri, që të ishte i aftë në çdo lloj zanati’. Vërtet, Perëndia ua mbushi zemrat me mençuri Bezalelit dhe Oholiabit, duke i bërë të zotë të kryenin gjithë punën e ngarkuar.​—Dal. 35:25, 26, 30-35.

Kur i ftoi izraelitët të bënin kontribute, Jehovai ishte plotësisht i sigurt se ‘kush kishte një zemër të gatshme’, do ta përkrahte adhurimin e vërtetë. Pas kësaj, i bekoi pa u kursyer ata me zemër të gatshme, duke u dhënë drejtim e gëzim me bollëk. Kështu, Jehovai tregoi se kur bekon frymën e gatishmërisë të shërbëtorëve të tij, sigurohet të mos u mungojnë të ardhurat ose aftësitë për të kryer vullnetin e tij. (Psal. 34:9) Teksa i shërben Jehovait me altruizëm, ji i sigurt se ai do ta bekojë frymën tënde të gatishmërisë.

SI ZGJEDHIN DISA TË JAPIN KONTRIBUTE PËR VEPRËN MBARËBOTËRORE

Ashtu si në ditët e apostullit Pavël, shumë veta sot ‘vënë diçka mënjanë’ ose grumbullojnë një sasi parash, të cilën e hedhin në kutitë e kontributeve të kongregacioneve që mbajnë etiketën «Vepra mbarëbotërore». (1 Kor. 16:2) Çdo muaj, kongregacionet ia dërgojnë këto kontribute zyrës së Dëshmitarëve të Jehovait në vendin e tyre. Gjithashtu, ju mund t’ia dërgoni kontributet drejtpërdrejt një korporate ligjore që përdoret nga Dëshmitarët e Jehovait në vendin tuaj. Për të mësuar se cilën korporatë ligjore përdorin Dëshmitarët e Jehovait në vendin tuaj, ju lutemi kontaktoni zyrën e degës që shërben në vend. Adresën e zyrës së degës mund ta gjeni në sitin www.jw.org/​sq. Mund të dërgoni drejtpërdrejt kontribute në këto forma:

DHURIME PA KUSHT

  • Dhurime nëpërmjet transfertave elektronike bankare, kartës së debitit ose kartës së kreditit. Në disa degë, kjo mund të bëhet duke përdorur jw.org ose një tjetër sit të caktuar.

  • Dhurime në para, bizhuteri ose gjëra të tjera të çmuara që janë pronë personale. Përfshi një letër ku të thuhet se këto janë dhurime pa kusht.

PARA TË LËNA ME KUSHT

  • Dhurime në para me kusht që mund t’i kthehen dhuruesit nëse i nevojiten.

  • Përfshi një letër ku të thuhet se ky është dhurim me kusht.

DHËNIE E PLANIFIKUAR

Përveç dhurimeve në para dhe gjërave të tjera të çmuara që janë pronë personale, ka edhe metoda të tjera dhënieje për ta çuar përpara shërbimin e Mbretërisë në të gjithë botën. Këto janë renditur më poshtë. Pavarësisht nga metoda ose metodat që dëshironi të përdorni, ju lutemi të kontaktoni më parë me zyrën e degës në vendin tuaj, për të parë se cilat metoda janë të vlefshme në vend. Përderisa kërkesat ligjore dhe ligjet e taksave ndryshojnë nga vendi në vend, është e rëndësishme të merrni mendimin e një këshilluesi ligjor dhe fiskal të kualifikuar para se të zgjidhni mënyrën më të mirë të dhurimit.

Sigurimet: Dhurim i bërë duke përcaktuar një korporatë të përdorur nga Dëshmitarët e Jehovait si përfituese të një police sigurimi për jetën ose të një plani pensioni.

Llogaritë bankare: Llogari bankare, certifikata depozitash ose llogari individuale të pensioneve që lihen në mirëbesim ose që i bëhen të pagueshme pas vdekjes një korporate të përdorur nga Dëshmitarët e Jehovait sipas kërkesave bankare vendëse.

Aksionet dhe obligacionet: Aksione dhe obligacione që i dhurohen një korporate të përdorur nga Dëshmitarët e Jehovait si një dhuratë pa kusht.

Pronat e paluajtshme: Prona të paluajtshme që mund të shiten, të cilat i dhurohen një korporate të përdorur nga Dëshmitarët e Jehovait duke bërë një dhuratë pa kusht ose, në rastin e një prone banimi, duke i rezervuar një ambient banimi dhuruesit, i cili mund të vazhdojë të jetojë në të sa të jetë gjallë.

Dhurimi i të ardhurave duke pasur një pagesë vjetore: Para ose sigurime që i dhurohen një korporate të përdorur nga Dëshmitarët e Jehovait, sipas një rregullimi ku dhuruesi merr një pagesë vjetore të përcaktuar çdo vit të jetës. Për vitin kur bëhet dhurimi i të ardhurave, dhuruesi mund të ketë lehtësime në tatimin mbi të ardhurat.

Testamentet dhe lënia në mirëbesim: Prona ose para që mund t’i lihen në trashëgimi një korporate të përdorur nga Dëshmitarët e Jehovait me anë të një testamenti të bërë ligjërisht ose duke vendosur korporatën si përfituese të një marrëveshjeje mirëbesimi. Ky rregullim mund të sjellë disa lehtësime nga taksat.

Siç nënkuptohet nga termi «dhënie e planifikuar», këto lloj dhurimesh kërkojnë në mënyrë të veçantë disa planifikime nga ana e dhuruesit. Për t’i ndihmuar individët që dëshirojnë të përkrahin veprën mbarëbotërore të Dëshmitarëve të Jehovait me anë të ndonjë forme të dhënies, është përgatitur në gjuhën angleze dhe spanjolle një broshurë e titulluar Dhënie e planifikuar në dobi të shërbimit të Mbretërisë në mbarë botën. Broshura u shkrua për të dhënë informacione për disa mënyra dhurimesh, që mund të bëhen tani ose më vonë, si testament pas vdekjes. Informacioni në këtë broshurë mund të mos zbatohet plotësisht në rastin tuaj për shkak të taksave dhe ligjeve në vendin tuaj. Prandaj, pas leximit të broshurës bëni mirë të merrni mendimin e këshilluesit tuaj ligjor a fiskal. Me anë të këtyre metodave të dhënies, shumë veta kanë mundur të mbështetin veprimtaritë tona fetare e humanitare në të gjithë botën e ndërkohë të kenë më tepër lehtësime nga taksat. Nëse është në dispozicion në vendin tuaj, kjo broshurë mund të merret duke i kërkuar një kopje sekretarit të kongregacionit.

Për më shumë informacione, mund të kontaktoni zyrën e degës në vendin tuaj.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo