BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w14 15/6 f. 8-11
  • Të ndihmojmë bashkëbesimtarët e divorcuar—Si?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Të ndihmojmë bashkëbesimtarët e divorcuar—Si?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2014
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • DALLGË NDJENJASH KONTRADIKTORE
  • BETEJA PËR TË RIFITUAR EKUILIBRIN
  • NDIHEN TË VETMUAR DHE TË HEDHUR POSHTË
  • Si të vazhdosh jetën pas divorcit?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2013
  • Si ndikon divorci te fëmijët?
    Ndihmë për familjen
  • Katër gjëra që duhet të dish për divorcin
    Zgjohuni!—2010
  • Divorci
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2014
w14 15/6 f. 8-11

Të ndihmojmë bashkëbesimtarët e divorcuar​—Si?

Një grua i jep zemër një motre të divorcuar

Ka të ngjarë të njohësh ndonjë të divorcuar, madje disa. Kjo sepse divorci është bërë si gripi. Për shembull, nga një studim në Poloni doli se ata që janë te të 30-at dhe që kanë 3-6 vjet martesë, ka shumë gjasa të divorcohen, dhe divorci nuk kufizohet te kjo grup-moshë.

Në fakt, sipas Institutit për Politikën Familjare në Spanjë «statistikat tregojnë se [në Evropë] gjysma e atyre që martohen, divorcohen». Në vende të tjera të zhvilluara vërehet një tablo e ngjashme.

DALLGË NDJENJASH KONTRADIKTORE

Çfarë përfshin kjo dukuri kaq e zakonshme? Një këshilltare martesash me përvojë në Evropën Lindore, vëren: «Divorci thjesht shpall zyrtarisht atë që tashmë ka ndodhur​—prishjen e një lidhjeje dhe ndarjen që sjell kjo, diçka tepër e dhimbshme nga ana emocionale.» Ajo shton se kjo shpesh pasohet nga «stuhi ndjenjash të forta e të skajshme, si zemërim, keqardhje, zhgënjim, dëshpërim dhe turp». Si rrjedhojë, nganjëherë të divorcuarve u shkon mendja te vetëvrasja. «Kur divorci bëhet zyrtar në gjykatë, fillon faza tjetër. I mbytur nga ndjenjat e zbrazëtisë dhe të izolimit, i divorcuari mund të pyesë veten: ‘Tani që u divorcova, kush jam në të vërtetë? Ç’qëllim ka jeta ime?’»

Eva sjell ndër mend si ndihej disa vjet më parë: «S’dija ku të futesha nga turpi kur komshinjtë dhe kolegët më etiketuan ‘grua e ndarë’ pasi u divorcova përfundimisht. Isha tërë mllef. Kisha mbetur e vetme me dy fëmijë të vegjël, e duhej t’u bëhesha nënë e babë.»a Adami, që shërbeu 12 vjet si plak i respektuar, komenton: «E kam humbur kaq shumë respektin për veten, sa hera-herës vloj nga inati dhe më vjen të mos shoh njeri me sy.»

BETEJA PËR TË RIFITUAR EKUILIBRIN

Të pushtuar nga ankthi për të ardhmen, disa e kanë të vështirë të rifitojnë ekuilibrin, madje edhe vite pas divorcit. Mund të mendojnë se askujt nuk i bëhet vonë për ta. Për më tepër, siç thotë një gazetare për çështjet e divorcit, tani u duhet «të ndryshojnë zakonet dhe të mësojnë t’i përballojnë vetë problemet».

Stanislavi kujton: «Kur u divorcuam, ish-gruaja s’më lejonte t’i takoja dy vogëlushet e mia. Për pasojë ndihesha sikur askush nuk e çante më kokën për mua, madje sikur Jehovai më kishte braktisur. S’e doja më jetën. Me kohë kuptova sa shtrembër i shihja gjërat.» Edhe Vanda, një e divorcuar, ndihej tmerrësisht e pasigurt për të ardhmen. Ajo thotë: «Isha e bindur se me kohë të tjerët, përfshirë edhe bashkëbesimtarët, nuk do të interesoheshin më për mua dhe fëmijët e mi. Megjithatë, tani e kuptoj se vëllezërit u bënë copë për ne dhe m’u gjendën pranë ndërsa përpiqesha t’i rritja fëmijët që të bëheshin adhurues të Jehovait.»

Nga komente të tilla dallohet se, pas divorcit, disa i mbytin ndjenjat negative. Mund t’u duket vetja një hiç dhe mendojnë se nuk janë të denjë për vëmendjen e të tjerëve. Përveç kësaj, mbase i shohin me sy kritik ata që i rrethojnë. Si pasojë, pjesëtarët e kongregacionit fillojnë t’u duken të ftohtë e zemërgur. Gjithsesi, përvoja si ato të Stanislavit dhe Vandës tregojnë se me kohë të divorcuarit mund ta kuptojnë se vëllezërit e motrat i kanë vërtet për zemër. Dhe në fakt, bashkëbesimtarët kanë bërë të pamundurën për t’i mbështetur, edhe pse ndihma e tyre në fillim nuk vërehej.

NDIHEN TË VETMUAR DHE TË HEDHUR POSHTË

Të mbajmë parasysh se, sado të përpiqemi ne, bashkëbesimtarët e divorcuar hera-herës mund t’i gllabërojë vetmia. Sidomos motrave të divorcuara mund t’u duket sikur shumica nuk interesohet për to. Alisja tregon: «Kanë kaluar tetë vjet që kur u divorcova. Akoma ndihem inferiore ndonjëherë. Në këto momente dua të rri vetëm, nuk i mbaj dot lotët dhe më vjen gjynah për veten.»

Edhe pse ndjenja të tilla janë të zakonshme për të divorcuarit, Bibla këshillon të mos izolohemi. Kush nuk e ndjek këtë këshillë, dalëngadalë mund të hedhë poshtë ‘gjithë mençurinë praktike’. (Prov. 18:1, shën.) Nga ana tjetër, dikush që ndihet i vetmuar duhet të kuptojë se është mençuri praktike të mos kërkojë vazhdimisht këshilla ose ngushëllim nga një i seksit tjetër. Kështu nuk ngjallen ndjenja romantike të papërshtatshme.

Bashkëbesimtarët e divorcuar mund t’i godasin dallgë ndjenjash të mundimshme, si për shembull, të jenë në ankth për të ardhmen ose të ndihen të vetmuar a të hedhur poshtë. Ne e kuptojmë se ndjenja të tilla janë normale dhe njëherazi të vështira për t’u kapërcyer, prandaj duhet të imitojmë Jehovain duke i përkrahur me besnikëri këta vëllezër e motra. (Psal. 55:22; 1 Pjet. 5:6, 7) Pa dyshim, çfarëdo që bëjmë për ta do të vlerësohet shumë. Sigurisht, në kongregacion ata do të ndiejnë mbështetjen e miqve të vërtetë.​—Prov. 17:17; 18:24.

a Disa emra janë ndryshuar.

Një pikëpamje e ekuilibruar për divorcin

Si shërbëtorë të Jehovait e marrim shumë seriozisht martesën. Kjo sepse pikëpamjen tonë e bazojmë te Shkrimet e Shenjta. Për shembull, te Malakia 2:16 Perëndia thotë troç se «e urren divorcin». Imoraliteti seksual nga njëri bashkëshort është e vetmja bazë biblike për divorc. Prandaj do të ishte gabim trashanik që dikush të bluante në mend mundësinë për t’u divorcuar pa një bazë biblike, ndërkohë që ndoshta planifikon të martohet me dikë tjetër.—Zan. 2:22-24; Ligj. 5:21; Mat. 19:4-6, 9.

Por, kur një i krishterë divorcohet, mbase ngaqë njëri bashkëshort ka kryer tradhti, vëllezërit e motrat në kongregacion i bëhen krah. Ata imitojnë Jehovain, duke bërë çmos të ndihmojnë të drejtët që përkohësisht «e kanë frymën të dërrmuar».—Psal. 34:15, 18; Isa. 41:10.

SI MUND TË NDIHMOSH?

A mund të jesh një mbështetje e vyer? Ç’mund të bësh për të ndihmuar dikë që provon ndjenja si ato të përmendura në artikull? Shiko çfarë thotë Bibla dhe vëre si kanë dhënë ndihmë praktike bashkëbesimtarët besnikë.

Trego gjykim të mirë kur dëgjon. (Prov. 16:20, 23)

Kuptohet që i divorcuari mund të mos ketë qejf të flasë për hollësirat që çuan në divorc. Për më tepër, shfryrja e dufit mund të mos e ndihmojë dhe të mos ia lehtësojë ankthin. (Prov. 12:25; Rom. 12:15) Mihaili, i cili i ndenji pranë Adamit të përmendur më parë, mendon se mund të jesh një dëgjues i dhembshur e me gjykim të mirë, pa ditur çdo detaj. Ai thotë: «Jam përpjekur që Adami të kuptojë se në një çast dobësie, kur e mbytin ndjenja negative, mund t’i shpëtojë pa dashje ndonjë gjë për të cilën mund të bëhet pishman më vonë.» Prandaj, Mihaili ia bëri të qartë se nuk donte të dinte çdo hollësi. Sidoqoftë, e dëgjonte si mik i vërtetë. Mund ta ndihmojmë shumë dikë nëse para ose pas mbledhjes i themi dy fjalë, si: «Si po e përballon? E marr me mend se nuk e ke të lehtë. Jam pranë teje për çdo gjë.»

Trego interes. (Filip. 2:4)

Miroslavi kujton: «Unë dhe ime shoqe lamë kohë për të ndihmuar një motër të divorcuar. Për shembull, një herë i ndreqëm bravën e derës. Një herë tjetër e çuam me makinë te mjeku.» Mbase këto duken gjëra të vogla, ama ishin praktike dhe e ndihmuan vërtet. Motra që përkrahu ky çift, dalëngadalë e rifitoi ekuilibrin. Jo vetëm kaq, por më vonë ajo filloi të shërbente si pioniere, dhe vajza e saj 11-vjeçare u pagëzua.

Një çift tregon interes për një motër të divorcuar

Siguroje se Jehovai e kupton situatën që po kalon.

Nëse dikush ndihet i pavlerë, mund ta sigurosh se për Perëndinë çdo shërbëtor i tij është i çmuar. S’ka dyshim se ‘vlejmë më tepër se shumë harabela’; jemi unikë dhe të vyer në sytë e Tij. (Mat. 10:29-31) Jehovai «shqyrton zemrat», ndaj i kupton të divorcuarit. Ai nuk do të braktisë asnjë nga besnikët e tij. (Prov. 17:3; Psal. 145:18; Hebr. 13:5) Kështu, ndërsa i tregon të divorcuarit se e ke për zemër, siguroje se Perëndia e vlerëson dashurinë e tij për të vërtetën dhe përpjekjet që të përkrahë adhurimin e vërtetë.—Filip. 2:29.

Inkurajoje të rrijë afër kongregacionit.

Kur i mundojnë ndjenja kontradiktore, disa e kanë të zorshme të shkojnë në mbledhje. Por, mbledhjet janë «për ndërtim», dhe tamam atje marrim zemër e forcë. (1 Kor. 14:26; Psal. 122:1) Në këtë drejtim, s’ka të çmuar iniciativa e pleqve. Vanda, e përmendur më lart, kujton: «Nuk na shlyhet nga mendja meraku i tyre i dashur.»

Nxite të forcojë marrëdhënien me Perëndinë me anë të lutjes, studimit personal dhe meditimit. (Jak. 4:8)

Paçka se Jehovai është i plotfuqishëm e banon në qiell, e drejton vëmendjen «tek i munduari, tek ai që e ka frymën të vrarë dhe tek ai që dridhet nga fjala [e Tij]». Siguroje të divorcuarin për këtë. Gjithashtu theksoji se çdonjëri nga ne nxjerr dobi kur afrohet gjithnjë e më shumë me Perëndinë nëpërmjet lutjes e studimit personal.—Isa. 66:2, shën.

Ftoje të dilni në predikim a të përgatiteni bashkë për një mbledhje.

Dy vëllezër dalin bashkë në predikim

Kjo do ta ndihmojë bashkëbesimtarin e divorcuar të fitojë siguri ndërsa vazhdon jetën. Marta, e cila ka mbështetur një motër të zellshme që ishte përtokë pas divorcit, thotë: «Dalim rregullisht bashkë në shërbim. Sa kënaqemi kur arrijmë synimet që i kishim vënë vetes! Nganjëherë studiojmë bashkë për ndonjë mbledhje dhe pastaj gatuajmë diçka të shijshme.»

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo