JETËSHKRIM
Shërbimi i plotkohor Ja ku më ka çuar kjo udhë
Kur kthej kokën pas e shoh 65 vitet e shërbimit të plotkohor, mund të them me plot gojën se jeta ime ka qenë e mbushur me ditë të bukura. Me këtë s’dua të them se nuk kam pasur edhe ditë kur jam ndier i trishtuar ose përtokë. (Psal. 34:12; 94:19) Por, në përgjithësi, jeta ime ka qenë shpërblyese dhe kuptimplotë.
MË SHTATË shtator 1950 u bëra pjesëtar i familjes Bethel në Bruklin. Në atë kohë familja Bethel përbëhej nga 355 vëllezër e motra të moshës 19-80 vjeç, nga kombësi të llojllojshme. Shumë prej tyre ishin të krishterë të mirosur.
SI NISA T’I SHËRBEJA JEHOVAIT
Në moshën 10-vjeçare, kur u pagëzova
Mësova t’i shërbeja ‘Perëndisë tonë të lumtur’ nga ime më. (1 Tim. 1:11) Ajo filloi t’i shërbente Jehovait kur isha çunak. Më 1 korrik 1939, në moshën dhjetëvjeçare, u pagëzova në një asamble zone (që sot quhet asamble qarkore) në Kolumbus të Nebraskës, SHBA. Ishim mbledhur nja njëqind veta në një sallë me qira, për të dëgjuar fjalimin e incizuar «Fashizëm ose liri» të mbajtur nga Xhozef Radhërfordi. Në mes të fjalimit, jashtë sallës sonë të vogël u mblodh një turmë e tërbuar. Hynë me forcë, na prishën mbledhjen dhe na përzunë nga qyteti. Megjithatë shkuam në fermën e një vëllai jo larg qytetit dhe atje dëgjuam pjesën tjetër të programit. Siç mund ta merrni me mend, nuk e kam harruar kurrë datën e pagëzimit!
Mamaja bëri çmos të më rriste në të vërtetën. Im atë ishte shpirt njeriu dhe baba i mirë. Megjithatë, nuk i interesonte fort as feja, as mirëqenia ime frymore. Prandaj, inkurajimin që më nevojitej aq shumë, e merrja nga mamaja dhe nga Dëshmitarë të tjerë në kongregacionin e Omahës.
JETA IME MERR DREJTIM
Kur po mbaroja shkollën e mesme, duhej të vendosja ç’do të bëja me jetën time. Çdo vit, gjatë pushimeve të verës kisha shërbyer si pionier pushimi (që sot quhet pionier ndihmës) tok me moshatarët e mi.
Në atë kohë në zonën tonë u caktuan si mbikëqyrës udhëtues dy vëllezër beqarë të rinj në moshë, që sapo ishin diplomuar në klasën e shtatë të Shkollës së Galaadit, Xhon Çimiklisi dhe Ted Xharazi. U çudita kur mora vesh se ishin në fillim të të 20-ave. Unë isha 18 vjeç dhe pas pak do të mbaroja shkollën e mesme. Më kujtohet si sot kur vëlla Çimiklisi më pyeti ç’kisha ndër mend të bëja me jetën time. Kur i tregova, më nxiti: «Po, ashtu bëj, filloje në çast shërbimin e plotkohor. Kurrë nuk i dihet ku do të të çojë kjo udhë.» Ajo këshillë, bashkë me shembullin e atyre vëllezërve, la gjurmë të thella tek unë. Kështu, më 1948, me të mbaruar shkollën, fillova të shërbeja si pionier.
SI SHKOVA NË BETHEL
Në korrik 1950 udhëtova bashkë me prindërit për të ndjekur kongresin ndërkombëtar në stadiumin «Jenki», në qytetin e Nju-Jorkut. Gjatë kongresit vajta në mbledhjen për të interesuarit për shërbimin në Bethel. Dorëzova një letër ku thosha se do të shërbeja me kënaqësi atje.
Babai nuk ishte kundër që të shërbeja si pionier ndërsa jetoja në shtëpi, ama donte që të kontribuoja një shumë të arsyeshme për strehimin dhe ushqimin. Një ditë në fillim të gushtit, kur dola të kërkoja punë, ndalova te kutia jonë postare. Aty ishte një letër për mua nga Bruklini. Kishte firmën e Nejthën H. Norit, që shkruante: «Kemi në dorë kërkesën tënde për të shërbyer në Bethel. Me sa thua, je dakord të qëndrosh në Bethel gjersa Zotëria të të largojë. Prandaj dua që të paraqitesh në Bethel më 7 shtator 1950, në adresën 124 Columbia Heights, në Bruklin, Nju-Jork.»
Po atë ditë, kur im atë u kthye në shtëpi, i tregova se kisha gjetur punë. Më tha: «Bukur fort! Ku do të punosh?» Ia ktheva: «Në Bethelin e Bruklinit, me 10 dollarë në muaj.» Kjo e tronditi ca, por më tha se, nëse kisha zgjedhur këtë rrugë, duhej të bëja çmos t’ia dilja mbanë. Nuk kaloi shumë dhe babai u pagëzua në kongresin e vitit 1953 në stadiumin «Jenki».
Me shokun e shërbimit, Alfred Nusrallahun
U kënaqa që edhe shokun tim të shërbimit, Alfred Nusrallahun, e ftuan në Bethel në të njëjtën kohë, dhe e bëmë rrugën bashkë. Më vonë ai u martua dhe tok me të shoqen, Xhoanën, ndoqën Shkollën e Galaadit, u caktuan si misionarë në Liban, dhe më pas në veprën udhëtuese në Shtetet e Bashkuara.
CAKTIMET NË BETHEL
Caktimi im i parë në Bethel ishte në Repartin e Libralidhjes, ku qepja libra. Botimi i parë me të cilin punova ishte libri Çfarë ka bërë feja për njerëzimin? Pas nja tetë muajsh në atë repart, më caktuan në Repartin e Shërbimit, nën drejtimin e vëlla Tomas Xh. Salivanit. Ç’kënaqësi të punoje me të e të përfitoje nga mençuria dhe gjykimi i thellë frymor që kishte fituar gjatë viteve në organizatë!
Pasi kalova gati tre vjet në Repartin e Shërbimit, Maks Larsoni, mbikëqyrësi i fabrikës, më tha se donte të më takonte vëlla Nori. Vrisja mendjen se mos kisha bërë ndonjë gabim. Sa u lehtësova kur vëlla Nori më pyeti nëse kisha ndër mend të largohesha nga Betheli në të ardhmen e afërt. I duhej dikush që të punonte përkohësisht në zyrën e tij dhe donte të shihte në isha i zoti për atë caktim. I thashë se nuk kisha ndër mend të ikja nga Betheli. Në fakt, pata privilegjin të punoja në zyrën e tij madje për 20 vjet radhazi.
E kam thënë shpesh se nuk do ta paguaja dot kurrë arsimimin që mora nga puna me vëllezërit Salivan dhe Nor, si edhe me të tjerë në Bethel, si Milton Hensheli, Klaus Xhensëni, Maks Larsoni, Hugo Rimëri dhe Grent Sutëri.a
Vëllezërit me të cilët kam shërbyer, ishin goxha të përgatitur për caktimet që kishin në organizatë. Vëlla Nori i përvishte krahët punës dhe donte që vepra e Mbretërisë të përparonte sa më shumë të ishte e mundur. Ne që shërbenim në zyrën e tij bisedonim rehat me të. Edhe kur kishim pikëpamje të ndryshme për një çështje, mund të shpreheshim lirshëm pa e humbur mirëbesimin e tij.
Një herë vëlla Nori më tha sa e nevojshme është të kujdesemi për gjëra që mund të duken të vogla. Për ta ilustruar më tregoi se, kur ishte mbikëqyrës fabrike, vëlla Radhërfordi e mori në telefon një ditë dhe i tha: «Vëlla Nor, kur të vish nga fabrika për drekë, më sill disa goma. Më duhen në zyrë.» Vëlla Nori më tregoi se la çdo gjë dhe në çast shkoi në magazinë, mori gomat e i futi në xhep. Në mesditë i çoi në zyrën e vëlla Radhërfordit. Ishte një gjë fare e vogël, por për vëlla Radhërfordin ishte e dobishme. Pasi më foli për këtë, vëlla Nori më tha: «Më pëlqen të kem në zyrë lapsa me majë të mprehur. Prandaj, të lutem sigurohu të jenë aty çdo mëngjes.» Për vite të tëra sigurohesha që lapsat e tij të ishin të mprehur.
Vëlla Nori theksonte shpesh sa e nevojshme është të dëgjojmë me vëmendje kur na ngarkohet një detyrë. Një herë më dha udhëzime të qarta si të trajtoja një çështje, por nuk e dëgjova me vëmendje. Si rrjedhojë e futa në siklet të madh. S’e doja veten, prandaj i lashë një shënim ku i thosha se më vinte tmerrësisht keq dhe mendoja se ishte më mirë të mos punoja më në zyrën e tij. Më vonë atë mëngjes, vëlla Nori më erdhi në zyrë dhe më tha: «Robert, kam këtu shënimin tënd. Bëre një gabim dhe e sqaruam këtë. Jam i sigurt se në të ardhmen do të jesh më i kujdesshëm. Tani le t’i kthehemi punës.» Isha shumë mirënjohës që u tregua zemërdhembshur.
DËSHIRA PËR T’U MARTUAR
Pasi kisha shërbyer tetë vjet në Bethel, s’kisha plan tjetër veçse të vazhdoja të shërbeja atje. Por kjo ndryshoi. Kur u mbajt kongresi ndërkombëtar në stadiumet «Jenki» dhe «Polo Graunds» më 1958, takova Lorena Bruksin, që e kisha njohur më 1955 kur shërbente si pioniere në Montreal, Kanada. Më lanë mbresa qëndrimi i saj për shërbimin e plotkohor dhe gatishmëria për të shkuar kudo që ta dërgonte organizata e Jehovait. Lorena kishte pasur si synim të ndiqte Shkollën e Galaadit. Më 1956, kur ishte 22 vjeçe, e ftuan në klasën e 27-të. Pas diplomimit e caktuan misionare në Brazil. U njohëm më mirë me njëri-tjetrin gjatë vitit 1958 dhe ajo pranoi propozimin tim për martesë. Kishim ndër mend të martoheshim vitin pasues dhe shpresonim të shërbenim së bashku si misionarë.
Kur i tregova vëlla Norit për synimet që kisha, më sugjeroi të pritnim tre vjet, e pastaj të martoheshim e të shërbenim në Bethelin e Bruklinit. Në atë kohë, që të qëndronin në Bethel pas martese, njëri nga bashkëshortët duhej të kishte shërbyer si bethelit dhjetë vjet a më shumë dhe tjetri të paktën tre vjet. Kështu, Lorena pranoi që, para martesës, të shërbente dy vjet në Bethelin e Brazilit dhe një vit në Bethelin e Bruklinit.
E vetmja mënyrë komunikimi gjatë dy viteve të para të fejesës, ishin letrat. Telefoni kushtonte sa qimet e kokës dhe email-i nuk ekzistonte. U martuam më 16 shtator 1961 dhe patëm nderin që fjalimin e martesës të na e mbante vëlla Nori. Vërtet, ato pak vite na u dukën të pafundme. Por, kur sjellim ndër mend me ëndje e gëzim më shumë se 50 vitet së bashku, themi se ajo pritje ia vlejti që ç’ke me të!
Ditën e dasmës. Nga e majta: Nejthën H. Nori, Patrisia Bruksi (motra e Lorenës), Lorena dhe unë, Kërtis Xhonsoni, Fei dhe Roi Uollëni (prindërit e mi)
PRIVILEGJE SHËRBIMI
Më 1964 m’u dha privilegji të vizitoja vende të tjera si mbikëqyrës zone. Atëherë gratë nuk caktoheshin të shoqëronin bashkëshortët në ato udhëtime. Kjo ndryshoi në vitin 1977 dhe gratë filluan të udhëtonin bashkë me burrat. Atë vit Lorena dhe unë shoqëruam Grent dhe Edit Sutërin për të vizituar zyrat e degëve në Gjermani, Austri, Greqi, Qipro, Turqi dhe Izrael. Gjithsej, kam vizituar rreth 70 vende përqark globit.
Në një vizitë të tillë vajtëm në Brazil më 1980. Atje shkuam në Belem, një qytet në ekuator ku Lorena kishte shërbyer si misionare. Rrugës ndaluam edhe të takonim vëllezërit në qytetin e Manausit. Gjatë fjalimit që u mbajt në një stadium, na zuri syri një grup që rrinin bashkë dhe nuk përshëndeteshin sipas zakonit brazilian, që gratë puthen me njëra-tjetrën dhe burrat tokin duart. Pse?
Ishin bashkëbesimtarët tanë të shtrenjtë nga një koloni të lebrosurish thellë në pyjet e shiut të Amazonës. Që të mos rrezikonin asnjë, bënin kujdes të mos i preknin të tjerët në auditor. Por ama na prekën në zemër dhe nuk do ta harrojmë kurrë gëzimin që rrezatonin fytyrat e tyre! Sa të vërteta janë fjalët e Jehovait: «Shërbëtorët e mi do të lëshojnë britma gëzimi për gjendjen e mirë të zemrës.»—Isa. 65:14.
NJË JETË SHPËRBLYESE DHE KUPTIMPLOTË
Shpesh, Lorena dhe unë kujtojmë me mall më shumë se gjashtë dekadat që i kemi kushtuar shërbimit të Jehovait. Sa gëzohemi për gjithë këto bekime që Jehovai ka derdhur mbi ne, ngaqë e kemi lejuar të na drejtojë me anë të organizatës së tij. Edhe pse nuk jam në gjendje t’i bie botës rreth e qark si dikur, mund të kryej ditë për ditë caktimin si ndihmës i Trupit Udhëheqës, duke bashkëpunuar me Komitetin e Koordinatorëve dhe Komitetin e Shërbimit. Jam shumë mirënjohës që kam privilegjin të ndihmoj sadopak në këtë mënyrë vëllazërinë mbarëbotërore. Edhe sot e kësaj dite mbetemi pa fjalë kur shohim gjithë këta të rinj e të reja që nisin shërbimin e plotkohor me qëndrimin e Isaisë, që tha: «Ja ku jam! Më dërgo mua!» (Isa. 6:8) Ky lumë të rinjsh është provë e gjallë që tregon sa të vërteta janë fjalët e mbikëqyrësit qarkor vite më parë: «Filloje në çast shërbimin e plotkohor. Kurrë nuk i dihet ku do të të çojë kjo udhë.»
a Për jetëshkrimet e këtyre vëllezërve, shih këta numra të Kullës së Rojës, anglisht: Thomas J. Sullivan (15 gusht 1965); Klaus Jensen (15 tetor 1969); Max Larson (1 shtator 1989); Hugo Riemer (15 shtator 1964); dhe Grant Suiter (1 shtator 1983).