BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w13 1/8 f. 3-7
  • Pornografia—E padëmshme apo helmuese?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Pornografia—E padëmshme apo helmuese?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2013
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Si ndikon pornografia te vetë personi?
  • Si ndikon pornografia te familja?
  • Cila është pikëpamja e Perëndisë për pornografinë?
  • Si ta shmang pornografinë?
    Zgjohuni!—2007
  • Dëmi që shkakton pornografia
    Zgjohuni!—2003
  • Pse ta shmang pornografinë?
    Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike, Vëllimi 2
  • Pse t’i thuash JO pornografisë?
    Të rinjtë pyesin
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2013
w13 1/8 f. 3-7

TEMA KRYESORE

Pornografia​—E padëmshme apo helmuese?

Bota sot është e stërmbushur me pornografi.a Mund të gjendet në reklama, në fushën e modës, filma, muzikë, revista, televizion, videolojëra, celularë smartphone, pajisje të tjera elektronike, internet dhe tani në shërbime online ku postohen fotografi. Me sa duket, pornografia pranohet gjerësisht në shoqërinë e sotme. Kurrë më shumë se sot s’ka qenë kaq e përhapur në kaq shumë vende.​—Shih kutinë «Fakte për pornografinë».

Edhe natyra e pornografisë po ndryshon. Profesoreshë Geil Dajnsi shkruan: «Pamjet sot janë bërë kaq ekstreme sa, ajo që më parë konsiderohej pornografi e rëndë (hard-core), tani është bërë e zakonshme.»

Po ti, çfarë mendon për këto tendenca? A është pornografia zbavitje e padëmshme, helm vdekjeprurës apo diçka e ndërmjetme? Jezui tha: «Çdo pemë e mirë prodhon fryt të mirë, kurse çdo pemë e kalbur prodhon fryt të keq.» (Mateu 7:17) Çfarë fryti prodhon pornografia? Që të marrim përgjigjet, le të shqyrtojmë disa pyetje themelore për pornografinë.

Si ndikon pornografia te vetë personi?

ÇFARË THONË EKSPERTËT: Pornografia krijon varësi tepër të madhe, madje disa studiues dhe terapistë e krahasojnë me kokainën krak.

Brajani,b i cili ishte i varur ndaj pornografisë në Internet, tregon: «Asgjë s’më ndalte. Ndihesha si i hipnotizuar. Dridhesha i tëri dhe kisha dhembje koke. Bëra çmos ta lija këtë ves, por nuk ia arrita për vite të tëra.»

Shpesh, ata që jepen pas pornografisë, e fshehin këtë zakon. E mbajnë sekret dhe gënjejnë. Nuk habitemi pse shumë prej tyre vuajnë nga ndjenjat e veçimit, turpit, ankthit, dëshpërimit dhe zemërimit. Në disa raste, mendojnë edhe për vetëvrasje. «Isha mbyllur në vetvete dhe kisha rënë në dëshpërim,—thotë Sergei, i cili shkarkonte pornografi në celular thuajse çdo ditë.—Ndihesha i pavlerë, në faj, i vetmuar dhe si në grackë. Kisha shumë turp dhe frikë të kërkoja ndihmë.»

Edhe një shikim kalimthi e pa dashje i pornografisë mund të ketë ndikim negativ. Në dëshminë që dha para komitetit të Senatit të SHBA-së, dr. Xhudit Raismani, një studiuese e shquar në fushën e pornografisë, tha: «Pamjet pornografike skaliten në tru dhe e ndryshojnë atë, duke lënë menjëherë në kujtesë gjurmë biokimike të pavullnetshme, por afatgjata, që është e vështirë ose e pamundur t’i fshish.» Suzana 19-vjeçare, e cila hynte në site pornografike në Internet, thotë: «Pamjet më janë ngulitur në mendje. Më shfaqen krejt papritur. Duket sikur s’do të arrij kurrë t’i fshij.»

PËRFUNDIMI: Pornografia i skllavëron dhe i rrënon ata që bien pre e saj.​—2 Pjetrit 2:19.

Si ndikon pornografia te familja?

ÇFARË THONË EKSPERTËT: «Çiftet dhe familjet ndahen për shkak të pornografisë.»​—Gracka e pornografisë (anglisht), nga Uendi dhe Leri Maltsi.

Pornografia dëmton martesat dhe familjet sepse:

  • minon besimin, intimitetin dhe dashurinë në martesë.​—Proverbat 2:12-17.

  • nxit egoizëm, ftohtësi emocionale dhe pakënaqësi ndaj bashkëshortit.​—Efesianëve 5:28, 29.

  • ushqen fantazi dhe dëshira të forta seksuale të papërshtatshme.​—2 Pjetrit 2:14.

  • i tundon shikuesit ta detyrojnë bashkëshortin të kryejë praktika seksuale të pahijshme.​—Efesianëve 5:3, 4.

  • nxit tradhtinë në zemër dhe tradhtinë fizike.​—Mateu 5:28.

Bibla u thotë të martuarve ‘të mos veprojnë pabesisht’ me njëri-tjetrin. (Malakia 2:16) Pabesia është një lloj tradhtie që mund ta shkatërrojë martesën dhe të çojë në ndarje e divorc. Nga ana tjetër, këto ndarje dëmtojnë edhe fëmijët.

Pornografia mund t’i dëmtojë fëmijët edhe drejtpërdrejt. Brajani, që e përmendëm më sipër, shpjegon: «Kur isha afro dhjetë vjeç, teksa po luaja symbyllazi, gjeta rastësisht revistat pornografike të babait. Nisa t’i shikoja në fshehtësi, pa e kuptuar tamam pse më tërhiqnin pamje të tilla. Kjo më çoi në një ves shkatërrimtar që s’e hoqa dot edhe kur u rrita.» Studimet tregojnë se pornografia mund t’i nxitë adoleshentët të bëhen aktivë seksualisht që në moshë të vogël, të bëhen të shthurur, të shfaqin dhunë seksuale dhe të bëhen të paqëndrueshëm nga ana emocionale dhe psikologjike.

PËRFUNDIMI: Pornografia helmon lidhjet me njerëzit e dashur, thyen zemra e shkakton dhembje.​—Proverbat 6:27.

Cila është pikëpamja e Perëndisë për pornografinë?

FJALA E PERËNDISË THOTË: «Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët e trupit tuaj . . . në lidhje me kurvërinë, ndyrësinë, urinë seksuale, dëshirat e dëmshme dhe lakminë, që është idhujtari.»​—Kolosianëve 3:5.

E thënë thjesht, Perëndia Jehovac e urren pornografinë. Jo se mendon se seksi është diçka e turpshme. Në fakt, ishte ai që na krijoi me aftësi seksuale dhe kishte si qëllim që të martuarit t’i përdornin për të kënaqur njëri-tjetrin, për t’u afruar emocionalisht dhe për të përjetuar së bashku mrekullinë e sjelljes në jetë të një fëmije.​—Jakovi 1:17.

Atëherë, pse themi që Jehovai ka mendim kaq të prerë për pornografinë? Shqyrto vetëm disa arsye:

  • Ai e di se pornografia mund të rrënojë jetë.​—Efesianëve 4:17-19.

  • Ai na do dhe dëshiron të na mbrojë nga çdo e keqe.​—Isaia 48:17, 18.

  • Jehovai dëshiron t’i mbrojë martesat dhe familjet.​—Mateu 19:4-6.

  • Ai dëshiron që të jemi të pastër moralisht dhe t’i respektojmë të drejtat e të tjerëve.​—1 Selanikasve 4:3-6.

  • Ai dëshiron që t’i respektojmë aftësitë tona riprodhuese dhe t’i përdorim në një mënyrë të nderuar.​—Hebrenjve 13:4.

  • Jehovai e di se pornografia pasqyron një pikëpamje të shtrembëruar, egoiste dhe satanike për seksin.​—Zanafilla 6:2; Juda 6, 7.

PËRFUNDIMI: Pornografia dëmton marrëdhënien me Perëndinë.​—Romakëve 1:24.

Gjithsesi, Jehovai ndien shumë dhembshuri për ata që duan të çlirohen nga kthetrat e pornografisë. Bibla thotë: «Jehovai është i mëshirshëm dhe hirmadh, nuk zemërohet shpejt dhe është plot dashamirësi. Sepse ai e di mirë se si jemi formuar, dhe nuk harron që jemi pluhur.» (Psalmi 103:8, 14) Ai i fton të përulurit të kthehen tek ai ‘që të marrin mëshirë e të gjejnë dashamirësi të pamerituar, për ndihmë në kohën e duhur’.​—Hebrenjve 4:16; shih kutinë «Si të çlirohesh nga pornografia?»

Një numër i madh njerëzish e kanë pranuar ndihmën e Perëndisë. A është e efektshme kjo ndihmë? Vër re çfarë thotë Bibla për disa që i kapërcyen zakonet e këqija: «Jeni larë, jeni shenjtëruar, jeni shpallur të drejtë në emër të Zotërisë tonë Jezu Krisht dhe me frymën e Perëndisë tonë.» (1 Korintasve 6:11) Ashtu si apostulli Pavël, edhe këta mund të thonë: «Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.»​—Filipianëve 4:13.

Suzana, e cila e mposhti vesin e pornografisë, thotë: «Jehovai është i vetmi që mund të të ndihmojë të vish në vijë. Nëse i kërkon ndihmë dhe drejtim, mund të fitosh një qëndrim të pastër para tij. Ai nuk do të të lërë në baltë.»

Si të çlirohesh nga pornografia?

A njeh ndonjë që po lufton me vesin e pornografisë? Shiko si kanë arritur të çlirohen shumë veta.

1. Lutju Perëndisë.

«Hapi më i rëndësishëm për ta kapërcyer lakun e pornografisë, është t’i lutesh Jehovait për ndihmë.»​—Franci.

Nëse dikush ka këtë problem, Jehovai mund t’i japë frymën e shenjtë duke e fuqizuar ‘që të ketë vullnet dhe të veprojë’. (Filipianëve 2:13) Po të ndjekë drejtimin e frymës, ajo do ta ndihmojë t’i mposhtë «pasionet dhe dëshirat» e gabuara.​—Galatasve 5:16, 24.

2. Kërko ndihmë nga të tjerët.

«Varësia ndaj pornografisë është kaq e fshehtë dhe e turpshme sa mendon se s’mund të kërkosh ndihmë. Ti mendon se mund ta mposhtësh i vetëm, por nuk është e vërtetë. Mund ta mposhtësh vetëm me ndihmën e të tjerëve. Prandaj, e kapërdiva krenarinë dhe fola me gruan. Gjithashtu, i kërkova ndihmë një miku të besuar. Ishte gjëja më e vështirë që më është dashur të bëj ndonjëherë, por e mora ndihmën që më duhej.»​—Joshi.

Të hapesh me të tjerët kërkon guxim dhe vendosmëri. Megjithatë është jetësore për ta mposhtur këtë ves dhe për të rregulluar marrëdhëniet me njerëzit e dashur. Suzana, e përmendur më sipër, tregon: «Më pas, më pushtoi një ndjenjë e madhe lehtësimi. Ato momente ishin të dhembshme, por tani ndihem në paqe dhe kam ndërgjegje të pastër.»​—Jakovi 5:16.

3. Identifiko dhe shmang faktorët nxitës.

Cilat situata, mendime ose ndjenja nxitin dëshira të gabuara? Lundrimi në Internet? Shikimi i televizorit në orët e vona? Leximi i revistave? Vajtja në plazh? Uria, zemërimi, vetmia apo lodhja? «Identifiko dobësitë dhe shmangi si të ishin një murtajë»,—thotë Sveni. Jezui tha: «Nëse syri yt i djathtë po të bëhet pengesë, hiqe dhe flake tej.»​—Mateu 5:29.

«Kur tundohem t’ia ngul sytë me epsh një gruaje, i lutem menjëherë Jehovait dhe i detyroj sytë të shkojnë diku tjetër»,—thotë Franci. Jobi, një patriark besnik që përmendet në Bibël, tha: «Kam bërë një premtim solemn që kurrë të mos shoh me epsh një vajzë.»​—Jobi 31:1, Today’s English Version.

4. Forco marrëdhënien me Perëndinë.

«Mbushe mendjen me mendime të shëndetshme dhe jetën me veprimtari që të forcojnë marrëdhënien me Perëndinë»,—shton Franci.

Bibla thotë: «Vazhdoni të mendoni për çdo gjë të vërtetë, çdo gjë që vlerësohet si serioze, çdo gjë të drejtë, çdo gjë të dëlirë, çdo gjë të dashur, çdo gjë për të cilën flitet mirë, çfarëdo virtyti dhe çfarëdo gjëje të denjë për t’u lëvduar . . . dhe Perëndia i paqes do të jetë me ju.»​—Filipianëve 4:8, 9.

a Termi «pornografi» u referohet materialeve me përmbajtje të qartë seksuale, që kanë si qëllim të eksitojnë shikuesin, lexuesin ose dëgjuesin. Këtu përfshihen si pamjet, ashtu edhe materialet e shkruara ose audio.

b Emrat në këtë artikull janë ndryshuar.

c Jehova është emri i Perëndisë siç tregohet në Bibël.

FAKTE PËR PORNOGRAFINË

ÇDO SEKONDË: Afro 30.000 veta vizitojnë faqe pornografike në Internet.

ÇDO MINUTË: Përdoruesit e Internetit dërgojnë më shumë se 1,7 MILIONË email-e pornografike.

ÇDO ORË: Afërsisht DY video pornografike hard-core prodhohen në Shtetet e Bashkuara.

ÇDO DITË: Vetëm në Shtetet e Bashkuara merren me qira më tepër se DY MILIONË filma pornografikë.

ÇDO MUAJ: Afro 9 nga 10 djem dhe 3 nga 10 vajza në Shtetet e Bashkuara, shohin pornografi.

ÇDO VIT: Industria pornografike në mbarë botën fiton rreth 100 MILIARDË dollarë amerikanë.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo