BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w06 15/3 f. 21-25
  • «Secili do të mbajë ngarkesën e vet»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • «Secili do të mbajë ngarkesën e vet»
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2006
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Një kërkesë kryesore
  • Çfarë shoqërie do të zgjedhim?
  • Zgjedhja e punës
  • «Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua»
  • Kërko mençuri nga Perëndia
  • A është gjithnjë i mirë rezultati?
  • Trego besim—Merri vendimet me mençuri!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2017
  • Si mund të merrni vendime të mençura?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
  • Të marrim vendime që nderojnë Perëndinë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2011
  • Si të marrim vendime të mençura?
    Gëzoje jetën përgjithmonë—Bibla zbulon si
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2006
w06 15/3 f. 21-25

«Secili do të mbajë ngarkesën e vet»

«Secili nga ne do t’i japë llogari Perëndisë për veten.»​—ROMAKËVE 14:12.

1. Me cilën përgjegjësi u ballafaquan tre hebrenjtë?

TRE të rinj hebrenj që jetojnë në Babiloni gjenden përballë një vendimi kritik, për jetë a vdekje. A duhet të përkulen para shëmbëlltyrës gjigante, siç e kërkon ligji i vendit? Apo s’duhet të pranojnë ta adhurojnë, e kështu t’i hedhin në një furrë të zjarrtë? Shadraku, Meshaku dhe Abednegoja s’kanë kohë për t’u këshilluar me dikë tjetër, por as kanë nevojë ta bëjnë këtë. Pa ngurrim thonë: «Ta dish, o mbret, se ne nuk u shërbejmë perëndive të tua dhe nuk do ta adhurojmë shëmbëlltyrën prej ari që ke ngritur.» (Danieli 3:1-18) Tre hebrenjtë e morën mbi supe përgjegjësinë e tyre.

2. Cilët e morën në të vërtetë vendimin që i takonte Pilatit lidhur me Jezu Krishtin, por, a e shkarkoi kjo nga përgjegjësia guvernatorin romak?

2 Rreth gjashtë shekuj më vonë, një guvernator ka dëgjuar akuzat që janë ngritur kundër një njeriu. Pasi e shqyrton çështjen, bindet se i akuzuari është i pafajshëm. Por, turma kërkon që ai të ekzekutohet. Pasi bën njëfarë rezistence, guvernatori ngurron të marrë mbi supe përgjegjësinë që i takon dhe i dorëzohet presionit. Lan duart dhe thotë: «Unë jam i pafaj për gjakun e këtij njeriu.» Pastaj ua dorëzon ushtarëve që ta vënë në shtyllë. Pra, në vend që të marrë përgjegjësinë që i takon për të vendosur lidhur me Jezu Krishtin, Ponc Pilati lejon që të tjerët të vendosin në vend të tij. S’ka ujë në botë që ta lajë nga përgjegjësia për dënimin e padrejtë të Jezuit.—Mateu 27:11-26; Luka 23:13-25.

3. Pse nuk duhet të lëmë që të tjerët të marrin vendime për ne?

3 Po ti? Kur duhet të marrësh vendime, a je si tre hebrenjtë apo lejon që të vendosin të tjerët për ty? Të marrësh vendime nuk është e lehtë. Kërkohet pjekuri për të bërë zgjedhjet e duhura. Për shembull, prindërit duhet të marrin vendime të mira për fëmijët e tyre të mitur. Natyrisht, kur një situatë është e ndërlikuar dhe duhen peshuar disa faktorë, është shumë e vështirë të merret një vendim. Megjithatë, përgjegjësia për të marrë vendime nuk është kaq e rëndë, sa të përfshihet te «barrët» ose gjërat e rënda që mund të mbajnë për ne vëllezërit me «kualifikime frymore». (Galatasve 6:1, 2) Jo, kjo përgjegjësi është një ngarkesë për të cilën «secili nga ne do t’i japë llogari Perëndisë për veten». (Romakëve 14:12) «Secili do të mbajë ngarkesën e vet»,—thotë Bibla. (Galatasve 6:5) Atëherë, si mund të marrim vendime të mençura në jetë? Së pari, duhet të kuptojmë kufizimet tona si njerëz dhe të mësojmë çfarë nevojitet për të plotësuar atë që na mungon.

Një kërkesë kryesore

4. Cilin mësim thelbësor duhet të nxjerrim nga mosbindja e çiftit të parë njerëzor për sa u përket vendimeve?

4 Që në fillim të historisë njerëzore, çifti i parë mori një vendim që solli pasoja shkatërrimtare. Zgjodhën të hanin nga fryti i pemës së njohjes të së mirës dhe të së keqes. (Zanafilla 2:16, 17) Mbi ç’baza e morën këtë vendim? Bibla thotë: «Gruaja pa që fryti i pemës ishte i mirë si ushqim dhe i lakmueshëm për sytë, po, fryti i pemës ishte i dëshirueshëm për t’u parë. Prandaj ajo mori nga fryti i pemës dhe hëngri. Më pas, kur ishin bashkë, i dha edhe burrit, e kështu hëngri edhe ai.» (Zanafilla 3:6) Eva e bazoi zgjedhjen e saj te dëshirat egoiste. Edhe Adami bëri të njëjtin veprim. Si pasojë, mëkati dhe vdekja «u përhap në të gjithë njerëzit». (Romakëve 5:12) Nga mosbindja e Adamit dhe Evës duhet të nxjerrim një mësim thelbësor lidhur me kufizimet e njeriut: po të mos ndjekë udhëheqjen e Perëndisë, njeriu është i prirur të marrë vendime të gabuara.

5. Cilën udhëheqje na ka siguruar Jehovai e çfarë duhet të bëjmë që të nxjerrim dobi prej saj?

5 Sa të kënaqur jemi që Perëndia Jehova nuk na ka lënë pa udhëheqje! Shkrimet na thonë: «Ngado që të shkoni, djathtas ose majtas, veshët tuaj do të dëgjojnë nga prapa fjalët: ‘Kjo është udha. Ecni në të!» (Isaia 30:21) Jehovai na flet me anë të Fjalës së tij të frymëzuar, Biblës. Duhet t’i studiojmë Shkrimet dhe të marrim njohuri të saktë për to. Për të bërë zgjedhjet e duhura, duhet të marrim ‘ushqimin e fortë që u përket njerëzve të pjekur’. Veç kësaj, ‘nëpërmjet përdorimit i stërvitim aftësitë perceptuese për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën’. (Hebrenjve 5:14) Mund t’i stërvitim aftësitë perceptuese duke zbatuar atë që mësojmë nga Fjala e Perëndisë.

6. Çfarë nevojitet, që ndërgjegjja jonë të funksionojë mirë?

6 Për të marrë vendime, një ndihmë thelbësore është ndërgjegjja, kjo aftësi e lindur te njeriu. Ajo na ndihmon të gjykojmë rreth gjërave dhe madje ‘na akuzon ose na shfajëson’. (Romakëve 2:14, 15) Megjithatë, që ndërgjegjja të funksionojë mirë, duhet ndriçuar me njohurinë e saktë të Fjalës së Perëndisë dhe duhet bërë e ndjeshme duke e zbatuar këtë Fjalë. Një ndërgjegje që s’është e stërvitur ndikohet me lehtësi nga zakonet dhe traditat vendëse. Gjithashtu, mjedisi që na rrethon dhe opinionet e të tjerëve mund të na drejtojnë gabim. Çfarë ndodh me ndërgjegjen, kur i shpërfillim vazhdimisht paralajmërimet e saj dhe kur shkelim normat hyjnore? Me kalimin e kohës, mund të damkoset «si me hekur të nxehtë» e të bëhet si mish i djegur, me qeliza të vdekura, pra e pandjeshme. (1 Timoteut 4:2) Nga ana tjetër, ndërgjegjja e stërvitur me anë të Fjalës së Perëndisë është një udhërrëfyese e sigurt.

7. Cila është një kërkesë kryesore për të marrë vendime të mençura?

7 Pra, një kërkesë kryesore për të marrë mbi supe përgjegjësinë e vendimeve të mençura, është njohuria e saktë e Shkrimeve dhe aftësia për ta zbatuar atë. Në vend që t’i marrim vendimet pa menduar dhe nxitimthi, duhet të lëmë kohë për të kërkuar parimet biblike dhe të përdorim aftësinë për të menduar ndërsa zbatojmë këto parime. Edhe kur do të na duhet të marrim një vendim aty për aty, si në rastin e Shadrakut, Meshakut dhe Abednegos, do të jemi të përgatitur, po të kemi njohuri të saktë për Fjalën e Perëndisë dhe po ta kemi stërvitur ndërgjegjen me anë të saj. Le të shqyrtojmë dy fusha të jetës, për të parë se si pjekuria që përpiqemi të arrijmë, mund të na e përmirësojë aftësinë për të marrë vendime.

Çfarë shoqërie do të zgjedhim?

8, 9. (a) Cilat parime tregojnë se është e nevojshme të shmangim shoqëritë e këqija? (b) A nënkupton shoqëria e keqe vetëm shoqërimin e drejtpërdrejtë me njerëz pa parime morale? Shpjegoni.

8 Apostulli Pavël shkroi: «Mos u mashtroni! Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.» (1 Korintasve 15:33) Jezu Krishti u tha dishepujve të tij: «Nuk jeni pjesë e botës.» (Gjoni 15:19) Kur mësojmë këto parime, menjëherë e kuptojmë nevojën për të shmangur shoqërinë me kurvarë, kurorëshkelës, hajdutë, pijanecë e kështu me radhë. (1 Korintasve 6:9, 10) Por, ndërsa përparojmë në njohurinë e së vërtetës biblike, e kuptojmë se është po aq e dëmshme të kalojmë kohë me individë të tillë duke i parë nëpër filma, në televizor, në ekranet e kompjuterit ose duke lexuar për ta nëpër libra. E njëjta gjë mund të thuhet për shoqërimin në ‘dhomat e bisedave’ në Internet, «me njerëz që e fshehin se ç’janë».—Psalmi 26:4.

9 A duhet të kemi shoqëri të ngushtë me njerëz që ndoshta janë të pastër moralisht, por që nuk besojnë te Perëndia i vërtetë? Shkrimet na thonë: «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.» (1 Gjonit 5:19) Nga kjo, kuptojmë se te shoqëritë e këqija nuk hyjnë vetëm njerëzit tepër liberalë ose të degjeneruar moralisht. Prandaj, me mençuri, lidhim miqësi të ngushta vetëm me njerëz që e duan Jehovain.

10. Çfarë na ndihmon të marrim vendime të pjekura, lidhur me marrëdhëniet që kemi me njerëzit në botë?

10 Shmangia e plotë e marrëdhënieve me njerëzit në botë as është e mundur dhe as kërkohet. (Gjoni 17:15) Kur dalim në shërbimin e krishterë, kur jemi në shkollë a në punë, do të jemi me njerëz nga bota. Një i krishterë që është i martuar me një jobesimtar, do të ketë të bëjë me njerëz nga bota më shumë se të tjerët. Megjithatë, ngaqë i kemi stërvitur aftësitë perceptuese, e kuptojmë se një gjë është të kesh marrëdhëniet e nevojshme të kufizuara me botën, dhe krejt tjetër të kesh lidhje të ngushta me të. (Jakovi 4:4) Kështu, kemi mundësi të marrim vendime të pjekura lidhur me pjesëmarrjen në aktivitetet jashtëshkollore, si sportet ose mbrëmjet e vallëzimit, dhe nëse do të shkojmë nëpër festa e darka të organizuara për punonjësit.

Zgjedhja e punës

11. Cili është faktori i parë që duhet shqyrtuar, kur marrim vendime lidhur me punën?

11 Zbatimi me pjekuri i parimeve biblike na ndihmon kur marrim vendime për mënyrën se si do të përmbushim detyrimin ‘për të siguruar gjërat e nevojshme’ për familjen. (1 Timoteut 5:8) Faktori i parë që duhet marrë parasysh ka të bëjë me natyrën e punës, pra çfarë na kërkohet të bëjmë. S’diskutohet që është e gabuar të zgjedhim një punë e cila mbështet praktika që dënohen drejtpërdrejt në Bibël. Kështu, të krishterët e vërtetë nuk pranojnë punë që mund të përfshijë idhujtarinë, vjedhjen, keqpërdorimin e gjakut ose praktika të tjera jobiblike. Gjithashtu, nuk gënjejmë e nuk mashtrojmë, edhe sikur punëdhënësi të na kërkojë të veprojmë kështu.—Veprat 15:29; Zbulesa 21:8.

12, 13. Përveç natyrës së punës, cilët janë disa faktorë të rëndësishëm për të marrë vendime lidhur me punësimin?

12 Po sikur puna në vetvete të mos shkelë në mënyrë specifike ndonjë kërkesë biblike? Ndërsa shtojmë njohurinë për të vërtetën dhe përmirësojmë aftësitë perceptuese, arrijmë të dallojmë faktorë të tjerë që duhen marrë parasysh. Po sikur puna të na përfshijë në një praktikë jobiblike, si për shembull t’u përgjigjemi telefonatave në një lokal bixhozi? Faktorë të tjerë janë burimi i pagës dhe vendi ku ndodhet puna. Për shembull, një i krishterë që është i vetëpunësuar, a do të pranonte të paguhej për të lyer një kishë të të ashtuquajturit krishterim, pra të ndihmonte për të përkrahur fenë e rreme?—2 Korintasve 6:14-16.

13 Po sikur, në një rast, punëdhënësi ynë të pranojë një kontratë për të zbukuruar një vend të adhurimit të rremë? Në këtë rast, duhet të shqyrtojmë faktorë të tillë, si: sa kemi ne në dorë lidhur me punën që po bëhet dhe sa jemi të përfshirë në të. Ose, në anën tjetër, ç’të themi për kryerjen e një shërbimi të ligjshëm, si shpërndarja e postës kudo në lagje, duke përfshirë vende ku bëhen praktika të gabuara? A nuk do të ndikonte këtu parimi që gjejmë te Mateu 5:45? Një gjë që nuk duhet lënë pas dore është si do të ndikonte në ndërgjegjen tonë përfshirja në këtë punë ditë për ditë. (Hebrenjve 13:18) Po, që të mbajmë mbi supe përgjegjësinë për të marrë vendime të pjekura lidhur me punën, duhet të mprehim aftësitë perceptuese dhe të stërvitim ndërgjegjen që na ka dhënë Perëndia.

«Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua»

14. Çfarë masash duhet të marrim, kur ballafaqohemi me vendime?

14 Po për vendimet që marrim lidhur me çështje të tjera, si ndjekja e arsimit në botë dhe pranimi ose mospranimi i një trajtimi mjekësor? Me çfarëdo vendimi të ballafaqohemi, më parë duhet të sigurohemi për parimet biblike që zbatohen në atë rast dhe pastaj të përdorim aftësinë tonë për të menduar, që t’i zbatojmë ato. Mbreti i mençur Solomon në Izraelin e lashtë tha: «Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua, dhe ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua.»—Proverbat 3:5, 6.

15. Çfarë mësojmë nga të krishterët e shekullit të parë për sa u përket vendimeve?

15 Shpesh, zgjedhjet që bëjmë ndikojnë te të tjerët, prandaj duhet t’i kushtojmë vëmendje edhe kësaj. Për shembull, të krishterët e shekullit të parë nuk e kishin më shumicën e kufizimeve të Ligjit të Moisiut për ushqimin. Mund të zgjidhnin të hanin disa ushqime që nën Ligj ishin quajtur të papastra, por që s’kishin asnjë problem në ndonjë drejtim tjetër. Megjithatë, për mishin që mund të kishte ndonjë lidhje me tempullin e një idhulli, apostulli Pavël shkroi: «Nëse ushqimi bëhet pengesë për vëllanë tim, unë nuk do të ha më kurrë mish, që të mos bëhem pengesë për vëllanë tim.» (1 Korintasve 8:11-13) Të krishterëve të hershëm iu dha nxitja të tregonin konsideratë për ndërgjegjen e të tjerëve, që të mos i pengonin. Vendimet tona nuk duhet të na bëjnë «shkak pengese».—1 Korintasve 10:29, 32.

Kërko mençuri nga Perëndia

16. Si na ndihmon lutja kur duhet të marrim vendime?

16 Një ndihmë e çmuar kur na duhet të marrim vendime është lutja. Dishepulli Jakov thotë: «Nëse ndonjëri nga ju nuk ka mjaft mençuri, le të vazhdojë t’ia kërkojë Perëndisë, sepse ai u jep të gjithëve bujarisht dhe pa i qortuar, e do t’i jepet.» (Jakovi 1:5) Me besim, mund t’i drejtohemi në lutje Jehovait dhe t’i kërkojmë mençurinë e nevojshme për të marrë vendimet e duhura. Ndërsa i shprehim Perëndisë së vërtetë shqetësimet tona dhe i kërkojmë udhëheqje, fryma e shenjtë mund të na ndihmojë të kuptojmë më mirë shkrimet që po shqyrtojmë dhe të na sjellë në mendje ato që mund të kemi kaluar pa vënë re.

17. Si mund të na ndihmojnë të tjerët kur duhet të marrim vendime?

17 A mund të na ndihmojnë të tjerët në lidhje me vendimet tona? Po, Jehovai ka siguruar individë të pjekur në kongregacion. (Efesianëve 4:11, 12) Mund të flasim me ta, sidomos nëse na duhet të marrim një vendim shumë të rëndësishëm. Individët që kanë gjykim të thellë frymor dhe që janë me përvojë në jetë, mund të na e drejtojnë vëmendjen te parime të tjera hyjnore që mund të ndikojnë në vendimin tonë dhe të na ndihmojnë ‘të sigurohemi për gjërat më të rëndësishme’. (Filipianëve 1:9, 10) Megjithatë, është e përshtatshme një këshillë: duhet të bëjmë kujdes që të mos i lejojmë të tjerët të marrin vendime për ne. Përgjegjësinë për vendimet duhet ta mbajmë ne mbi supe.

A është gjithnjë i mirë rezultati?

18. Ç’mund të themi për rezultatin e një vendimi të mirë?

18 A do të sjellin gjithnjë rezultate të mira vendimet që janë të bazuara fortësisht në parimet biblike e që merren në bazë të ndërgjegjes? Po, me kalimin e kohës. Por nganjëherë, aty për aty mund të sjellin vështirësi. Shadraku, Meshaku dhe Abednegoja e dinin se vendimi i tyre për të mos adhuruar shëmbëlltyrën gjigante mund të sillte si rezultat vdekjen. (Danieli 3:16-19) Në mënyrë të ngjashme, pasi apostujt i thanë Sinedrit judaik se duhej t’i bindeshin Perëndisë si sundimtar, e jo njerëzve, i rrahën para se t’i lironin. (Veprat 5:27-29, 40) Për më tepër, ‘kohët e vështira dhe ngjarjet e paparashikuara’ mund të ndikojnë për keq në rezultatin e çfarëdo vendimi. (Eklisiastiu 9:11) Nëse vuajmë në ndonjë mënyrë, edhe pse kemi marrë vendimin e duhur, mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na ndihmojë të qëndrojmë dhe, në fund, do të na bekojë.—2 Korintasve 4:7.

19. Si mund të jemi të guximshëm e të mbajmë mbi supe përgjegjësinë tonë për të marrë vendime?

19 Pra, kur marrim vendime, duhet të kërkojmë parimet biblike dhe të përdorim aftësinë për të menduar, që t’i zbatojmë ato parime. Sa mirënjohës jemi për ndihmën që ka siguruar Jehovai me anë të frymës së tij të shenjtë dhe njerëzve të pjekur në kongregacion! Me këtë udhëheqje e me këtë ndihmë, le të jemi të guximshëm e të mbajmë mbi supe përgjegjësinë tonë për të marrë vendime të mençura!

Çfarë keni mësuar?

• Cila është një kërkesë kryesore për të marrë vendime të mira?

• Si ndikon në zgjedhjen e shoqërive përparimi ynë drejt pjekurisë?

• Cilët janë disa faktorë të rëndësishëm që duhet të shqyrtojmë, kur marrim vendime lidhur me punën?

• Çfarë ndihme kemi, për të marrë vendime?

[Figura në faqen 22]

Nga mosbindja e Adamit dhe Evës nxjerrim një mësim jetësor

[Figura në faqen 24]

Para se të merrni një vendim të rëndësishëm, kërkoni parimet biblike

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo