Sa real është Djalli për ju?
SHKRIMET shpjegojnë se Djalli është person real. Njerëzit s’mund ta shohin për të njëjtat arsye që nuk mund të shohin Perëndinë. «Perëndia është Frymë»,—thotë Bibla. (Gjoni 4:24) Djalli është një krijesë frymore, pra e padukshme. Mirëpo, ndryshe nga Krijuesi, Djalli ka pasur një fillim.
Mjaft kohë përpara se të krijonte njerëzit, Perëndia Jehova krijoi shumë e shumë krijesa frymore. (Jobi 38:4, 7) Në Bibël, ata quhen engjëj. (Hebrenjve 1:13, 14) Perëndia i krijoi që të gjithë të përsosur—as edhe një i vetëm s’ishte djall, asnjëri s’kishte ndonjë tipar të lig brenda vetes. Atëherë, nga erdhi Djalli? Në gjuhët në të cilat u shkrua Bibla, fjala «djall» ka kuptimin «shpifës», domethënë dikush që thotë gënjeshtra keqdashëse për të tjerët. «Satana» do të thotë «Kundërshtar». Ashtu si një njeri që dikur ka qenë i ndershëm, kur vjedh, bëhet hajdut, njëri nga bijtë e përsosur frymorë të Perëndisë veproi sipas një dëshire të gabuar, e kështu u bë Satana Djall. Bibla e shpjegon me këto fjalë procesin e vetëkorruptimit: «Secili sprovohet, i tërhequr dhe i joshur nga dëshira e vet. Pastaj dëshira, si bëhet pjellore, lind mëkatin, dhe mëkati, pasi kryhet, sjell vdekjen.»—Jakovi 1:14, 15.
Në të vërtetë, kështu ndodhi. Kur Perëndia Jehova krijoi çiftin e parë njerëzor, Adamin dhe Evën, engjëlli që ishte gati të rebelohej kundër Perëndisë, e pa këtë me vëmendje. E dinte që Jehovai e urdhëroi Adamin dhe Evën ta mbushnin tokën me njerëz të drejtë, të cilët do të adhuronin Krijuesin. (Zanafilla 1:28) Ai engjëll e kuptoi se kishte para tij një rast që të bëhej i rëndësishëm dhe të fitonte epërsi. I nxitur nga lakmia, dëshiroi atë që, me të drejtë, i përket vetëm Krijuesit: adhurim nga njerëzit. Ky bir frymor i Perëndisë, në vend që ta hidhte poshtë këtë dëshirë të gabuar, e ushqeu, derisa prej saj lindi një gënjeshtër, e më pas rebelimi. Mendoni pak për atë që bëri.
Engjëlli rebel i foli gruas së parë, Evës, me anë të një gjarpri. «Vërtet ka thënë Perëndia që të mos hani nga çdo pemë e kopshtit?»—e pyeti gjarpri Evën. Kur Eva përmendi urdhrin e Perëndisë dhe pasojën që do të vinte po të mos i bindeshin atij urdhri, gjarpri ia ktheu: «Ju s’keni për të vdekur aspak. Por Perëndia e di se, po atë ditë që do të hani [nga pema që është në mes të kopshtit], sytë tuaj do të hapen e ju do të jeni si Perëndi, dhe do të njihni të mirën dhe të keqen.» (Zanafilla 3:1-5) Kështu, la të nënkuptohej se Perëndia nuk i kishte thënë të vërtetën Adamit dhe Evës. Duke ngrënë frytin e asaj peme, Eva do të bëhej, sipas tij, si Perëndi, pra do të kishte autoritetin të vendoste çfarë ishte e mirë e çfarë e keqe. Kjo qe gënjeshtra e parë fare. Kur tha këtë, ai engjëll u bë shpifës. Po ashtu u bë kundërshtar i Perëndisë. Prandaj Bibla e identifikon këtë armik të Perëndisë si ‘gjarprin e hershëm, që quhet Djall dhe Satana’.—Zbulesa 12:9.
«Jini syçelë»
Gënjeshtra që i tha Evës, bëri punë tamam sipas planit të Djallit. Bibla thotë: «Si rrjedhim, gruaja pa që fryti i pemës ishte i mirë si ushqim dhe i lakmueshëm për sytë, po, fryti i pemës ishte i dëshirueshëm për t’u parë. Prandaj ajo mori nga fryti i pemës dhe hëngri. Më pas, kur ishin bashkë, i dha edhe burrit, e kështu hëngri edhe ai.» (Zanafilla 3:6) Eva i besoi Satanait dhe nuk iu bind Perëndisë. Ajo e bëri dhe Adamin të shkelte ligjin e Perëndisë. Kështu Djalli ia doli mbanë që ta fuste në udhën e rebelimit kundër Perëndisë çiftin e parë njerëzor. Që nga ajo kohë, Satanai ushtron ndikim të padukshëm në çështjet njerëzore. Synimi i tij? T’i largojë njerëzit nga adhurimi i Perëndisë së vërtetë dhe t’i bëjë të adhurojnë atë vetë. (Mateu 4:8, 9) Prandaj, me të drejtë, Shkrimet paralajmërojnë: «Ruani gjykimin, jini syçelë. Kundërshtari juaj, Djalli, vjen rrotull si një luan që ulërin, duke kërkuar të gllabërojë dikë.»—1 Pjetrit 5:8.
Sa qartë e shpjegon Bibla se Djalli është një person real frymor, një engjëll që u korruptua e u bë i rrezikshëm! Hapi i parë thelbësor për të qenë syçelë, është të pranojmë se Djalli ekziston vërtet. Gjithsesi, që të ruajmë gjykimin dhe të qëndrojmë syçelë, duhet më shumë se kaq. Është e rëndësishme edhe të mos jemi në padije të «intrigave» të Satanait e të metodave që përdor për të mashtruar njerëzit. (2 Korintasve 2:11) Cilat janë intrigat e tij? Si mund të qëndrojmë të palëkundur përballë tyre?
Djalli shfrytëzon një nevojë të lindur të njeriut
Djalli i ka vëzhguar njerëzit që nga koha kur u krijuan. Ai e njeh natyrën njerëzore—njeh nevojat, interesat, dëshirat e njeriut. E di mirë se njeriu u krijua me nevojën për të adhuruar Perëndinë. Djalli e ka shfrytëzuar këtë me dinakëri. Si? Duke e ushqyer njerëzimin me gënjeshtra fetare. (Gjoni 8:44) Shumë mësime fetare rreth Perëndisë bien në kundërshtim me njëra-tjetrën dhe janë pështjelluese. Qëllimit të kujt mendoni se i shërben kjo? Mësimet që kundërshtojnë njëra-tjetrën, nuk mund të jenë të gjitha të vërteta. A nuk duhet të jenë, pra, shumë prej tyre të sajuara enkas nga Satanai, si një mjet për të mashtruar njerëzit? Në të vërtetë, Bibla e quan Satanain «perëndia i kësaj bote», i cili ua ka verbuar mendjen njerëzve.—2 Korintasve 4:4.
E vërteta e Perëndisë na mbron prej mashtrimeve fetare. Bibla e krahason të vërtetën e Fjalës së Perëndisë me atë pjesë të armaturës, që një ushtar i kohëve të lashta e ngjeshte në ijë për t’i mbrojtur. (Efesianëve 6:14) Nëse merrni njohuri nga Bibla dhe jetoni në përputhje me të, si ta kishit të ngjeshur në ijë, Fjala e Perëndisë do t’ju mbrojë që të mos mashtroheni nga gënjeshtrat dhe gabimet fetare.
Prirja e natyrshme për të adhuruar Perëndinë, i ka shtyrë njerëzit të eksplorojnë të panjohurën. Kjo i ka vënë përballë një intrige tjetër të Satanait. Duke shfrytëzuar kërshërinë e njeriut për gjërat e çuditshme dhe misterioze, Satanai ka përdorur spiritizmin dhe okultizmin, për të pasur nën kontroll shumë veta. Ashtu si gjahtari vendos diçka në grackë për të joshur prenë, Satanai përdor dredhi të tilla, si parashikimi i fatit, astrologjia, hipnotizimi, shtrigëria, shikimi i dorës dhe magjia, për të joshur dhe për të zënë në grackë njerëz anembanë botës.—Levitiku 19:31; Psalmi 119:110.
Si mund të mbrohemi, që të mos biem në kurthin e spiritizmit? Në Ligjin e përtërirë 18:10-12 thuhet: «Mes teje të mos gjendet asnjë nga ata që e kalojnë të birin ose të bijën nëpër zjarr, që hedhin fall, që merren me magji, që kërkojnë ogure, ndonjë shtrigë, ndonjë që ysht të tjerët, që këshillohet me një medium ose me dikë që ka si zanat parathënien e ngjarjeve a ndonjë që pyet të vdekurit. Sepse ata që i bëjnë këto, janë të pështirë për Jehovain, dhe për shkak të këtyre gjërave të pështira, Jehovai, Perëndia yt, po i përzë përpara teje.»
Këshilla që japin Shkrimet është fare e qartë: të mos kemi kurrfarë lidhjeje me spiritizmin. Po sikur të jeni përfshirë në ndonjë praktikë të tillë, dhe tani doni të çliroheni prej saj? Mund të ndiqni shembullin e të krishterëve të hershëm në qytetin e Efesit. Bibla thotë se, kur pranuan ‘fjalën e Jehovait’, «mjaft nga ata që ishin marrë me magji, i grumbulluan librat dhe i dogjën para të gjithëve». Ata libra kushtonin goxha: 50.000 monedha argjendi. (Veprat 19:19, 20) Megjithatë, të krishterët në Efes nuk ngurruan t’i shkatërronin.
Satanai gjuan pikat e dobëta të njerëzve
Një engjëll i përsosur u bë Satana Djall, ngaqë iu dorëzua dëshirës për të lartësuar veten. Ai zgjoi edhe tek Eva krenarinë dhe dëshirën egoiste për të qenë si Perëndi. Sot Satanai u ngjall shumë njerëzve ndjenjën e krenarisë, e kështu i ka në dorë. Disa mendojnë, për shembull, se raca, grupi etnik ose kombësia e tyre është më e mirë se ajo e të tjerëve. Sa ndryshe nga ajo që mëson Bibla! (Veprat 10:34, 35) Në Bibël thuhet qartë: «Nga një njeri i vetëm [Perëndia] bëri të gjitha kombet.»—Veprat 17:26.
Një mbrojtje e efektshme kundër përpjekjeve të Satanait për të ngjallur te ne krenarinë, është përulësia. Bibla na këshillon ‘të mos mendojmë për veten më shumë nga sa duhet të mendojmë’. (Romakëve 12:3) «Perëndia u kundërvihet fodullëve,—thuhet në të,—por u jep dashamirësi të pamerituar të përulurve.» (Jakovi 4:6) Një mënyrë e sigurt për t’u bërë ballë orvatjeve të Satanait, është të shfaqim në jetën e përditshme përulësi dhe cilësi të tjera që Perëndia i miraton.
Djalli është gati të shfrytëzojë edhe dobësinë e njeriut për t’u dorëzuar para dëshirave të papërshtatshme të mishit. Perëndia Jehova kishte si qëllim që njerëzit ta gëzonin jetën. Kur i plotësojmë dëshirat tona brenda kufijve të vullnetit të Perëndisë, ndiejmë lumturi të vërtetë. Ndërsa Satanai i tundon njerëzit t’i plotësojnë dëshirat në mënyra imorale. (1 Korintasve 6:9, 10) Është shumë më mirë ta përqendrojmë mendjen te gjëra të dëlira dhe të virtytshme. (Filipianëve 4:8) Kjo ndihmon t’i kemi nën kontroll mendimet dhe ndjenjat tona.
Vazhdoni t’i kundërviheni Djallit
A ia dalim dot mbanë, po t’i kundërvihemi Djallit? Patjetër që po. Bibla na siguron: «Kundërvijuni Djallit, e ai do të ikë nga ju.» (Jakovi 4:7) Por edhe kur i kundërvihemi, Satanai nuk heq dorë menjëherë, nuk i resht përpjekjet për të na krijuar shqetësime, ndërsa marrim njohurinë e Perëndisë. Djalli do të orvatet prapë në «një kohë tjetër të volitshme». (Luka 4:13) Megjithatë, nuk ka pse ta kemi frikë Djallin. Nëse vazhdojmë t’i kundërvihemi, ai s’do të jetë në gjendje të na largojë nga Perëndia i vërtetë.
Veçse, për t’iu kundërvënë Djallit, duhet të dimë kush është ai, çfarë mënyrash përdor për t’i mashtruar njerëzit, si edhe masat që mund të marrim për t’u mbrojtur nga intrigat e tij. Ka vetëm një burim të saktë nga mund t’i dimë këto: Fjala e Perëndisë, Bibla. Prandaj, jini të vendosur t’i studioni Shkrimet e frymëzuara dhe ta zbatoni në jetë atë çka mësoni prej tyre. Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj do t’ju ndihmojnë me kënaqësi dhe pa asnjë pagesë, për ta bërë këtë studim në një kohë të përshtatshme për ju. Mos ngurroni të flisni me ta ose t’u shkruani botuesve të kësaj reviste.
Teksa nisni të studioni Biblën, duhet të mbani parasysh se Satanai mund të përdorë kundërshtimin a përndjekjen, që t’ju ndalojë të mësoni të vërtetën nga Fjala e Perëndisë. Disa nga njerëzit tuaj të dashur mund të inatosen që studioni Biblën. Kjo mund të ndodhë ngaqë nuk i njohin të vërtetat e mrekullueshme që përmban ajo. Disa të tjerë mund t’ju vënë në lojë. A do të ishte i kënaqur Perëndia, sikur të binit para këtyre presioneve? Djalli dëshiron t’ju shkurajojë, që të mos mësoni më për Perëndinë e vërtetë. Pse duhet ta lejoni Satanain të fitojë?! (Mateu 10:34-39) Atij nuk i detyroheni për asgjë. Kurse Jehovait i detyroni jetën. Prandaj, jini të vendosur t’i kundërviheni Djallit dhe ‘t’ia gëzoni zemrën Jehovait’.—Proverbat 27:11.
[Figura në faqen 6]
Ata që u bënë të krishterë, i dogjën librat e tyre të magjisë
[Figura në faqen 7]
Ji i vendosur ta studiosh Biblën