A mund të gjeni paqe të brendshme?
Në vitin 1854, autori amerikan Henri Thoro shkroi: «Për njerëzit në përgjithësi dëshpërimi është pjesë e heshtur e jetës që bëjnë.»
Me sa duket, në ditët e tij shumica e njerëzve nuk kishte paqe të brendshme. Gjithsesi, kjo ndodhte pothuajse 150 vjet më parë. A janë ndryshe gjërat sot? Apo fjalët e Thorosë zbatohen ende? Ç’të themi për secilin personalisht? A jeni të kënaqur, në paqe? Apo jeni të pasigurt për të ardhmen, ‘të dëshpëruar në mënyrë të heshtur’, për të parafrazuar fjalët e Thorosë?
MJERISHT, në botë ka shumë gjëra që ua heqin njerëzve paqen e brendshme. Të përmendim vetëm disa: në shumë vende papunësia dhe të ardhurat e pakta sjellin varfëri dhe, si pasojë, dëshpërim ekonomik. Në vende të tjera, shumë veta e harxhojnë pjesën më të madhe të energjisë së tyre duke rendur pas pasurisë dhe pas zotërimeve materiale. Por, shpesh stili konkurrues i jetës që duhet ndjekur sjell ankth e jo paqe. Sëmundjet, lufta, krimi, padrejtësitë dhe shtypja ua grabitin, gjithashtu, paqen njerëzve.
Kërkonin paqe të brendshme
Shumë veta nuk duan ta durojnë këtë botë ashtu siç është. Antoniojaa ishte sindikalist në një fabrikë shumë të madhe në San-Paulo, Brazil. Duke shpresuar të përmirësonte kushtet e jetesës, ai merrte pjesë në protesta dhe demonstrata, por kjo nuk i sillte paqe mendore.
Disa shpresojnë që martesa t’u sjellë një masë qetësie në jetë, por mund të mbeten të zhgënjyer. Markosi ishte një biznesmen i suksesshëm. Ishte përfshirë në politikë dhe u bë kryetar bashkie i një qyteti industrial. Megjithatë, jeta e tij familjare ishte një dështim i plotë. Kur fëmijët u larguan nga shtëpia për të bërë jetën e tyre, ai dhe gruaja e tij u ndanë për shkak të ndryshimeve të papajtueshme.
Gerzoni, një fëmijë rrugësh në Salvador, Brazil, e donte aventurën. Ai spostohej nga një qytet në tjetrin, duke udhëtuar nëpër kamionë. S’kaloi shumë kohë dhe ishte bërë një narkoman, i cili grabiste njerëzit që të gjente para për vesin e tij. Disa herë e kapi policia. Por, megjithëse kishte një personalitet agresiv e të dhunshëm, Gerzoni dëshironte shumë të kishte paqe të brendshme. A do të mund ta gjente ndonjëherë?
Kur Vanja ishte ende e re, i vdiq mamaja dhe asaj i mbeti përgjegjësia për shtëpinë, përfshirë edhe kujdesin për motrën e sëmurë. Vanja shkonte në kishë, por ndihej sikur Perëndia e kishte braktisur. Patjetër që ajo nuk kishte paqe mendore.
Një rast ishte edhe Marçeloja. Gjithçka që donte ai ishte të kënaqej. I pëlqente të bënte festa me të rinj të tjerë, të këndonin, të pinin dhe të merrnin drogë. Një herë u gjend në një përleshje dhe plagosi një të ri tjetër. Pas kësaj, e mbyti keqardhja për atë që kishte bërë dhe iu lut Perëndisë për ndihmë. Edhe ai donte paqe mendore.
Këto përvoja ilustrojnë disa situata që mund ta shkatërrojnë paqen mendore. A kishte ndonjë mënyrë që sindikalisti, politikani, fëmija i rrugës, vajza e mbingarkuar me punë dhe frekuentuesi i festave të arrinin paqen e brendshme që kërkonin? A na mëson ndonjë gjë ajo që u ndodhi atyre? Përgjigjja për të dyja pyetjet është po, siç do ta shohim në artikullin vijues.
[Shënimi]
a Disa emra janë ndryshuar.
[Figura në faqen 3]
A keni dëshirë të madhe për paqe të brendshme?