BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 1/12 f. 26-29
  • Mos lejo që forca jote të kthehet në dobësi!

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Mos lejo që forca jote të kthehet në dobësi!
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Përdori me mençuri aftësitë mendore
  • Lër që jetesa sipas besimit të krishterë të përforcojë forcën tënde!
  • Qëndrimi i ekuilibruar ndaj privilegjeve
  • Gra të afta​—një bekim i mrekullueshëm
  • Të zbutim një personalitet të fortë
  • Bekimi i Jehovait na bën të pasur
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
  • Ruhuni nga mburrja!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Të çmojmë ‘dhuratat në njerëz’
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Baba dhe plak: Përmbushni të dy rolet
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 1/12 f. 26-29

Mos lejo që forca jote të kthehet në dobësi!

Me 16 ndarje të papërshkueshme nga uji në trupin e saj, anija luksoze Titanik konsiderohej e pafundosshme. Në udhëtimin inaugurues, në vitin 1912, ajo kishte në bord vetëm gjysmën e numrit të varkave të shpëtimit që nevojiteshin. Anija u përplas me një ajsberg dhe u fundos e bashkë me të u mbytën më shumë se 1.500 njerëz.

NJË njeri me druajtje Perëndie, mbreti Uziah i Jerusalemit të lashtë, ishte një komandant i shkëlqyer ushtarak. Me ndihmën e Jehovait, ai i mundi armiqtë e tij njërin pas tjetrit. «Fama e tij [e Uziahut] u përhap larg, sepse u ndihmua në mënyrë të mrekullueshme derisa u bë i fuqishëm.» Por, më pas, «zemra e tij u bë krenare aq sa . . . mëkatoi kundër Zotit». Për shkak të krenarisë, Uziahu u godit me lebër.—2. Kronikave 26:15-21; Fjalët e urta 16:18.

Këto dy tregime na mësojmë se kur forca, domethënë pikat e forta nuk ekuilibrohen me mençurinë, modestinë dhe përulësinë, mund të kthehen me lehtësi në dobësi ose pengesa. Kjo është serioze, pasi në një mënyrë ose në tjetrën, secili prej nesh ka disa pika të forta ose dhunti dhe dëshiron që këto të jenë të dobishme dhe një burim gëzimi për veten, për të tjerët, e sidomos për Krijuesin tonë. Në fakt, ne duhet të përdorim plotësisht çdo dhunti që mund të kemi nga Perëndia, por në të njëjtën kohë t’i mbajmë nën kontroll që të mbeten një dobi e vlefshme.

Për shembull, një person që e ka shumë për zemër punën e vet, mund ta kthejë me lehtësi këtë pikë të tij të fortë në një dobësi, duke u sfilitur pas punës. Një person i matur mund të mos mashtrohet ose të mos gënjehet me lehtësi, por mund të jetë kaq i matur sa arrin të mos marrë kurrë vendime. Edhe të jesh i efektshëm është një cilësi e shkëlqyer, por po të arrihet në ekstrem, që të lihet pas dore faktori njeri, pasoja mund të jetë krijimi i një ambienti të ftohtë e të ngurtë që ushqen palumturinë. Prandaj, ndalu për disa momente që të meditosh rreth pikave të forta që ke. A i përdor mirë ato? A janë një bekim për të tjerët? Mbi të gjitha, a i përdor për të nderuar Jehovain, Burimin e ‘çdo dhurate të mirë’? (Jakobit 1:17, BR) Për këtë qëllim, le të shqyrtojmë më nga afër disa shembuj të tjerë të pikave të forta që mund të kthehen në dobësi e madje në pengesa, nëse lihen të pakontrolluara.

Përdori me mençuri aftësitë mendore

Mendjemprehtësia është patjetër një cilësi e shkëlqyer. Megjithatë, ajo mund të bëhet një dobësi, nëse çon në siguri të tepërt te vetja ose nëse na bën të mendojmë sikur kushedi kush jemi, veçanërisht kur të tjerët na lavdërojnë tepër ose na bëjnë lajka. Ose mund ta shohim nga pikëpamja intelektuale Fjalën e Perëndisë dhe botimet e bazuara në Bibël që na ndihmojnë për ta studiuar atë.

Siguria e tepërt te vetja mund të shfaqet në disa mënyra. Për shembull, kur dikush me mendje të mprehtë merr një caktim oratorie në kongregacionin e krishterë, ndoshta një fjalim publik ose një fjalim në Shkollën e Shërbimit Teokratik, mund ta lërë përgatitjen për minutën e fundit e ndoshta mund të mos lutet fare për bekimin e Jehovait. Përkundrazi, ai i beson bagazhit të njohurisë që ka dhe aftësisë së tij për t’i menduar vetë gjërat. Kjo aftësi natyrore mund ta fshehë neglizhencën e tij për njëfarë kohe, por pa bekimin e plotë të Jehovait progresi i tij frymor do të ngadalësohej e ndoshta do të ndërpritej fare. Sa keq që një dhunti e shkëlqyer është harxhuar kot!—Fjalët e urta 3:5, 6; Jakobit 3:1.

Personi me mendje të mprehtë, gjithashtu, mund të fillojë ta shohë nga pikëpamja intelektuale Biblën dhe mjetet ndihmëse për studimin e Biblës. Megjithatë, kjo njohuri vetëm sa e «krekos» ose e fryn si tullumbace egon e një personi. Ajo nuk «ndërton» marrëdhënie të dashura të krishtere. (1. Korintasve 8:1; Galatasve 5:26) Nga ana tjetër, njeriu frymor, pavarësisht nga aftësitë mendore që mund të ketë, lutet gjithnjë për të pasur frymën e Perëndisë dhe ka besim tek ajo. Ajo pikë e fortë që ka bëhet gjithnjë e më shumë një gjë e dobishme, ndërsa vetë personi rritet në dashuri, përulësi, njohuri dhe mençuri e kur të gjitha këto janë të ekuilibruara mirë.—Kolosianëve 1:9, 10.

Aftësia, gjithashtu, mund të kthehet në dobësi, kur fillojmë të mendojmë sikur kushedi kush jemi, duke zbuluar mungesë modestie. Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait, 1974, anglisht, tregon për një vëlla në një kamp përqendrimi nazist, i cili kishte kujtesë të jashtëzakonshme. «Fillimisht, aftësia e tij për të kujtuar e për t’i ndarë me të tjerët gjërat që kishte mësuar, qe një burim inkurajimi për vëllezërit. Por, me kalimin e kohës ai u kthye në një idhull, ‘çudia e Bukenvaldit’, dhe thëniet e madje edhe opinioni i tij personal konsideroheshin të padiskutueshme.» Më pas, ata që nuk ishin dakord me të konsideroheshin si armiq, edhe pse ishin në burg për shkak të besnikërisë së tyre ndaj Jehovait.

Qartë, ky person me dhunti, si edhe ata që e admironin së tepërmi, harruan se Jehovai «nuk e përfill atë që e quan veten të ditur», sado dhunti që mund të ketë. (Jobi 37:24) Fjala e Perëndisë thotë: «Mençuria është me modestët.» (Proverbat [Fjalët e urta] 11:2, BR) Apostulli Pavël, edhe pse ishte shumë inteligjent dhe me arsimim të konsiderueshëm, u tha korintasve: «Unë, o vëllezër, kur erdha te ju, nuk erdha me shkëlqim fjalësh a diturie . . . kam qenë te ju me dobësi, me frikë dhe drithërimë të madhe. Dhe fjala ime dhe predikimi im nuk u bënë me fjalë mbushamendëse nga dituria njerëzore, por në dëftim të frymës dhe të fuqisë, që besimi juaj të mos qëndrojë mbi diturinë e njerëzve, por mbi fuqinë e Perëndisë.»—1. Korintasve 2:1-5.

Personi që është vërtet i mençur nuk mashtrohet nga pikëpamja që ka bota për intelektin, as nga kriteri që ka ajo për suksesin. Prandaj, në vend që t’i përdorë talentet e tij për të fituar miratimin e njerëzve ose për të grumbulluar pasuri në botë, ai i jep më të mirën Atij që i dha jetën dhe aftësitë. (1. Gjonit 2:15-17) Për këtë qëllim, ai i mban interesat e Mbretërisë në vend të parë në jetën e tij, duke u bërë si një «pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit», e cila jep fryt. «Gjithçka që bën, do të ketë mbarësi» falë bekimit të Jehovait, jo falë talenteve të tij natyrore.—Psalmi 1:1-3; Mateu 6:33.

Lër që jetesa sipas besimit të krishterë të përforcojë forcën tënde!

Nga vetë natyra e saj, jetesa sipas besimit të krishterë ka kaq shumë pika të forta, saqë të gjitha filozofitë e botës zbehen përpara saj. Për shembull, mënyra e krishterë e jetesës i bën njerëzit që të jenë bashkëshortë e bashkëshorte më të mirë, fqinj më të mirë dhe punonjës më të mirë, njerëz që janë të ndershëm, me respekt për të tjerët, paqësorë dhe të zellshëm. (Kolosianëve 3:18-23) Përveç kësaj, stërvitja e krishterë për mënyrën e të folurit dhe të mësimdhënies ndërton aftësi të mira komunikimi. (1. Timoteut 4:13-15) Nuk habitemi, pra, që shumë shpesh punëdhënësit dëshirojnë t’u japin të krishterëve përgjegjësi më të mëdha dhe ngritje të mëtejshme në detyrë. Por, këto pika të forta edhe mund të keqpërdoren, nëse nuk ruhen me kujdes. Ngritja në përgjegjësi ose një ofertë tërheqëse pune mund të nënkuptojë pothuajse një përkushtim ndaj kompanisë, duke humbur rregullisht mbledhjet e krishtere ose duke sakrifikuar nga koha e vlefshme që një person kalon me familjen.

Në Australi, një burrë i martuar dhe plak i krishterë, që ishte edhe biznesmen shumë i suksesshëm, «e kishte të gjithë botën para tij», siç thotë një shprehje. Megjithatë, ai e refuzoi tundimin për të qenë i suksesshëm në këtë sistem. «Doja të kaloja më shumë kohë me familjen dhe në shërbimin e krishterë,—tha ai.—Kështu, së bashku me gruan ramë dakord që me maturi ta zvogëloja sasinë e kohës që i dedikoja punës në botë.» Ai shtoi: «Përse duhej të punoja pesë ditë në javë, kur nuk kisha nevojë?» Duke bërë disa rregullime të menduara mirë në jetën e tij, ky plak zbuloi se mund t’i plotësonte nevojat e familjes, edhe po të punonte tri ose katër ditë në javë. Pas disa kohësh, e ftuan të merrte pjesë në privilegje të tjera shërbimi, si: të shërbente në Komitetin lokal të Sallës së Asambleve dhe në administrimin e kongresit krahinor. Kur u drejtuan me mençuri, pikat e tij të forta që kishte i sollën gëzim dhe kënaqësi atij dhe familjes.

Qëndrimi i ekuilibruar ndaj privilegjeve

Burrat e krishterë inkurajohen që të synojnë privilegje shërbimi në kongregacion. «Nëse ndonjë burrë ka si synim pozitën si mbikëqyrës [ose si shërbëtor ndihmës], ai dëshiron një punë të shkëlqyer.» (1. Timoteut 3:1, BR) Ashtu si me pikat e forta që sapo përmendëm, gatishmëria për të pranuar përgjegjësitë duhet ekuilibruar me gjykimin e shëndoshë. Asnjë nuk duhet të marrë përsipër aq shumë caktime, sa të humbasë gëzimin në shërbimin e Jehovait. Qartë, fryma e gatshme është për t’u lavdëruar dhe vërtet e nevojshme, pasi Jehovai nuk e miraton qëndrimin e një personi që e kursen veten. Por gatishmëria duhet të pasqyrojë, gjithashtu, modesti dhe «mendje të shëndoshë».—Titit 2:12, BR; Zbulesa 3:15, 16.

Butësia, mendjehollësia dhe ndjeshmëria e Jezuit e bënin edhe personin më të thjeshtë të ndihej rehat kur ishte pranë tij. Në mënyrë të ngjashme sot, njerëzit ndihen rehat me ata persona që kanë si një pikë të fortë të personalitetit të tyre tregimin e empatisë dhe kujdesin për të tjerët. Në kongregacionin e krishterë këta pleq të përzemërt e të afrueshëm janë vërtet «dhurata në njerëz» me vlerë. Ata janë «një mbrojtje nga era dhe një strehë kundër uraganit, si rrëke uji në një vend të thatë, si hija e një shkëmbi të madh në një tokë të zhuritur».—Efesianëve 4:8, BR; Isaia 32:2.

Por, pleqtë duhet ta ekuilibrojnë kohën që kalojnë duke ndihmuar të tjerët me nevojën e tyre për studim personal, për të medituar, për t’u lutur dhe për të dalë në shërbimin publik. Natyrisht, pleqtë e martuar duhet të gjejnë kohë edhe për familjen e tyre, ndaj së cilës duhet të jenë veçanërisht të afrueshëm.

Gra të afta​—një bekim i mrekullueshëm

Ashtu si pleqtë e aftë, gratë me mendje frymore janë të dobishme në organizatën e Jehovait. Në përgjithësi, gratë kanë dhuntinë e interesimit për të tjerët, një cilësi që Jehovai e vlerëson dhe e inkurajon. Apostulli Pavël shkroi që të mbajmë ‘një sy, jo në interesin personal vetëm për çështjet tona, por edhe në interesin personal për ato të të tjerëve’. (Filipianëve 2:4, BR) Gjithsesi, ky «interes personal» ka kufijtë e vet, sepse asnjë i krishterë nuk do të dojë të jetë «një që fut hundët në çështjet e njerëzve të tjerë» dhe as nuk duhet të jetë thashethemexhi.—1. Pjetrit 4:15, BR; 1. Timoteut 5:13.

Gratë kanë shumë dhunti të tjera. Për shembull, një bashkëshorte e krishterë mund të ketë më shumë dhunti mendore sesa burri i saj. Megjithatë, si «një grua e aftë» që i druhet Jehovait, ajo e respekton burrin e saj dhe i përdor dhuntitë për ta plotësuar atë, jo për t’i bërë konkurrencë. Pastaj, në vend që ta ketë zili ose mëri, një burrë i mençur e i përulur i vlerëson pikat e forta të gruas së tij dhe gëzohet për to. E inkurajon atë që t’i përdorë talentet plotësisht për të ndërtuar familjen e saj dhe për t’i ndihmuar fëmijët që ‘t’i druhen Jehovait’, ashtu siç bën vetë ajo. (Fjalët e urta 31:10, 28-30, BR; Zanafilla 2:18) Gra dhe burra të tillë modestë e të përulur kanë martesa të suksesshme që e nderojnë vërtet Jehovain.

Të zbutim një personalitet të fortë

Një personalitet i fortë i ngulitur te drejtësia dhe që bën vullnetin e Jehovait me gjithë shpirt mund të jetë një gjë e shkëlqyer, kur zbutet me modestinë dhe përulësinë. Gjithsesi, ky personalitet mund të jetë një dobësi, nëse e bën një person që të sundojë ose t’i frikësojë të tjerët. Kjo është veçanërisht e vërtetë brenda kongregacionit të krishterë. Të krishterët duhet të ndihen rehat me njëri-tjetrin, duke përfshirë edhe rastet kur janë në shoqërinë e pleqve të kongregacionit.—Mateu 20:25-27.

Nga ana e tyre, pleqtë duhet të ndihen rehat në shoqërinë e njëri-tjetrit. Dhe kur mblidhen bashkë, është fryma e shenjtë e jo forca e personalitetit ajo që duhet të ndikojë në vendimet e tyre. Në fakt, fryma e shenjtë mund të ndikojë te çdo plak në trupin e pleqve, duke përfshirë edhe pleqtë më të rinj ose ata me natyrë më të mbyllur. Prandaj, ata që kanë një personalitet më të fortë, edhe kur mendojnë se kanë të drejtë, duhet ta ekuilibrojnë këtë pikë të fortë, duke mësuar të nënshtrohen, pra, ‘duke u treguar nderim’ pleqve të tjerë. (Romakëve 12:10, BR) Te Predikuesi 7:16, paralajmërohemi me dashamirësi: «Mos ji tepër i drejtë, as i urtë jashtë mase. Pse kërkon të shkatërrohesh?»

Jehovai, Burimi i ‘çdo dhurate të mirë’, i përdor me përsosmëri cilësitë e tij madhështore. (Jakobit 1:17, BR; Ligji i përtërirë 32:4) Ai është, gjithashtu, Mësuesi ynë. Prandaj, le të mësojmë prej tij dhe të punojmë fort për të zhvilluar dhuntitë tona natyrore ose pikat tona të forta dhe për t’i përdorur ato me mençuri, me modesti dhe me dashuri! Çfarë bekimi do të jemi atëherë për të tjerët!

[Figurat në faqen 27]

Përparimi frymor varet nga studimi me lutje dhe nga mbështetja te Jehovai

[Figura në faqen 29]

Interesi personal, i shoqëruar me modestinë, është një bekim

[Burimi i figurës në faqen 26]

Me mirësjelljen e Muzeut të Marinarëve, Njuport Njuz, VA

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo