BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 1/12 f. 20-24
  • Prindërit na mësuan ta duam Perëndinë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Prindërit na mësuan ta duam Perëndinë
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Mësojmë të vërtetën biblike
  • Veprojnë sipas asaj që mësuan
  • Na stërvitin në të vërtetën
  • Veprimet e turmave në Selmë
  • Në Shkollën Misionare të Galaadit
  • Shërbimi misionar me prindërit
  • Kujdesemi për prindërit
  • Një trashëgimi e rrallë e krishterë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Trashëgimia jonë e pasur frymore
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Ç’të bëj nëse kam një prind të sëmurë?
    Të rinjtë pyesin
  • Më në fund, në paqe me Perëndinë dhe me mamanë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2015
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 1/12 f. 20-24

Prindërit na mësuan ta duam Perëndinë

TREGUAR NGA ELIZABET TREJSI

Disa burra të armatosur, të cilët pak orë më parë kishin udhëhequr një turmë kundër nesh, e detyruan mamanë dhe babanë të dilnin nga makina. Unë dhe motra më e madhe, që mbetëm vetëm në ndenjësen e pasme, pyetnim veten nëse do t’i shihnim më prindërit. Cili ishte shkaku i kësaj përvoje frikësuese afër Selmës në Alabama, SHBA, në vitin 1941? Përveç kësaj, ç’kishin të bënin me këtë ngjarje mësimet që morëm nga prindërit tanë?

BABANË, Djui Fauntënin, e rriti motra e vet më e madhe dhe burri i saj në një fermë të Teksasit, pasi prindërit vdiqën kur ai ishte ende fëmijë. Më vonë shkoi të punonte në zonat naftëmbajtëse. Në vitin 1922, kur ishte 23 vjeç, u martua me Uinin, një vajzë të bukur nga Teksasi dhe filloi të bënte plane për t’u vendosur diku dhe për të ngritur familje.

E ndërtoi shtëpinë në një vend të pyllëzuar të Teksasit Lindor, afër qytetit të vogël Gerrison. Atje, kultivoi një shumëllojshmëri prodhimesh, duke përfshirë edhe pambukun e misrin. Gjithashtu, mbante të gjitha llojet e kafshëve të fermës. Me kalimin e kohës, lindëm ne fëmijët: në maj të vitit 1924 Djui i riu, në dhjetor të vitit 1925 Edvina dhe në qershor të vitit 1929 linda unë.

Mësojmë të vërtetën biblike

Mamaja dhe babai mendonin se e kuptonin Biblën, meqë i përkitnin Kishës së Krishtit. Por në vitin 1932, G. U. Kuk i la xhaxhait tonë, Monro Fauntënit, librat Çlirim dhe Qeveria, të botuar nga Watch Tower Society. Me shumë zell për ta ndarë me prindërit tanë atë që po mësonte, Monroi vinte shpesh te ne në mëngjes, na lexonte një artikull nga Kulla e Rojës dhe pastaj e harronte «pa dashje» revistën. Më pas mamaja dhe babai e merrnin për ta lexuar.

Një të diel në mëngjes, xhaxha Monroi e ftoi babanë të shkonin në shtëpinë e një fqinji për studim biblik. Ai e siguroi se zoti Kuk mund t’i jepte përgjigje nga Bibla për të gjitha pyetjet e tij. Kur u kthye nga studimi, babai i tha i entuziazmuar familjes: «Mora përgjigje për të gjitha pyetjet e mia, si edhe disa informacione të tjera. Mendoja se i dija të gjitha, por kur zoti Kuk filloi të shpjegonte për ferrin, për shpirtin, për qëllimin e Perëndisë në lidhje me tokën dhe se si do ta plotësojë këtë qëllim Mbretëria e Perëndisë, fillova ta ndiej se faktikisht s’dija asgjë për Biblën.»

Shtëpia jonë i ngjante një qendre shoqërore. Të afërm dhe miq na vinin për vizitë, bënin krem karamel e toptha me kokoshka dhe këndonin bashkë, ndërsa mamaja i binte pianos. Dalëngadalë, këto aktivitete ia lanë vendin diskutimeve rreth temave biblike. Edhe pse ne fëmijët nuk i kuptonim dot të gjitha gjërat që trajtoheshin, dashuria e madhe e prindërve tanë për Perëndinë dhe për Biblën ishte kaq e dukshme, saqë secili nga ne fëmijët zhvilloi një dashuri të ngjashme për Perëndinë dhe për Fjalën e tij.

Edhe familje të tjera i hapën shtëpitë e tyre për diskutime javore biblike, të cilat në përgjithësi përqendroheshin rreth një teme nga revista më e fundit e Kullës së Rojës. Kur disa familje në qytetet fqinje Apëlbaj dhe Nakëdoçëz, ofronin shtëpitë e tyre për mbledhjet, ne ngjisheshim në makinën tonë Ford model A dhe udhëtonim për atje, sido që të ishte moti.

Veprojnë sipas asaj që mësuan

Prindërve tanë nuk iu desh shumë kohë para se ta kuptonin nevojën për të vepruar. Dashuria për Perëndinë kërkonte që gjërat e mësuara të ndaheshin me të tjerët. (Veprat 20:35) Por ky hap për ta bërë publik besimin ishte një sfidë, veçanërisht meqë prindërit tanë nga natyra ishin njerëz të ndrojtur e modestë. Megjithatë, ata motivoheshin nga dashuria për Perëndinë dhe kjo gjë nga ana e vet i ndihmonte që të na mësonin të besonim thellësisht te Jehovai. Babai shprehej në këtë mënyrë: «Jehovai po bën predikues nga fermerët!» Në vitin 1933, mamaja dhe babai e simbolizuan dedikimin e tyre ndaj Jehovait me pagëzimin në ujë, në një rezervuar peshku afër Hendersonit, në Teksas.

Në fillim të vitit 1935, babai i shkroi Shoqatës Watch Tower dhe bëri disa pyetje lidhur me shpresën e krishterë për jetën e përhershme. (Gjoni 14:2; 2. Timoteut 2:11, 12; Zbulesa 14:1, 3; 20:6) Përgjigjen e mori drejtpërdrejt nga Joseph F. Rutherford, në atë kohë president i Shoqatës. Në vend që t’i përgjigjej pyetjeve të babait, vëllai Rutherford e ftonte për të marrë pjesë në kongresin e Dëshmitarëve të Jehovait që do të mbahej në muajin maj, në Uashington D.C.

‘E pamundur!—mendoi babai.—Ne jemi fermerë dhe kemi 26 hektarë tokë të mbjellë me perime. Të gjitha këto duhen korrur dhe duhen çuar në treg në atë periudhë.’ Jo shumë kohë pas kësaj, ndodhi një përmbytje, e cila i fshiu të gjitha justifikimet e tij: të korrat, gardhet dhe urat. Kështu, u bashkuam me Dëshmitarë të tjerë në një autobus shkolle të marrë me qira, i cili na çoi 1.600 kilometra në verilindje, në vendin e kongresit.

Në kongres, babai dhe mamaja u rrëqethën kur dëgjuan shpjegimin e qartë të identitetit të ‘turmës së madhe’ e cila do të mbijetojë ‘mjerimin e madh’. (Zbulesa 7:9, 14, King James Version) Shpresa e jetës së përhershme në një tokë parajsore i motivoi mamanë dhe babanë për pjesën tjetër të jetës dhe ata na inkurajuan ne fëmijëve që ‘të kapemi fort pas jetës së vërtetë’, e cila nënkuptonte për ne jetën e përhershme në tokë, të cilën e ofron Jehovai. (1. Timoteut 6:19, BR; Psalmi 37:29; Zbulesa 21:3, 4) Edhe pse isha vetëm 5 vjeçe, u kënaqa vërtet që isha së bashku me familjen në këtë ngjarje të lumtur.

Pasi u kthyem nga kongresi, familja i mbolli përsëri prodhimet dhe më vonë patëm të korrat më të mira nga të gjitha ato që kishim pasur më parë. Kjo gjë patjetër që ndihmoi për t’i bindur mamanë dhe babanë se vendosja e besimit plotësisht në Jehovain nuk del asnjëherë e pashpërblyer. Ata ndërmorën një formë të veçantë të veprës së predikimit, duke pranuar që secili të dedikonte 52 orë në muaj në shërbim. Pastaj, kur erdhi stina tjetër e mbjelljeve, shitën gjithçka, me laçkë e me plaçkë. Babai ndërtoi një dhomë-rimorkio 6 x 2,4 metra ku të jetonim që të pestë dhe bleu një makinë të re e të madhe tip Ford, me dy dyer, për ta tërhequr dhomën-rimorkio. Edhe xhaxha Monroi bëri të njëjtën gjë, duke u transferuar në një dhomë-rimorkio së bashku me familjen.

Na stërvitin në të vërtetën

Babai dhe mamaja e filluan shërbimin e pionierit, siç quhet shërbimi i plotkohor, në tetor të vitit 1936. Si familje, filluam të predikonim në qarqet e Teksasit Lindor që rrallëherë ishin predikuar me mesazhin e Mbretërisë. Për gati një vit, u transferuam nga një vend në tjetrin, por në përgjithësi na pëlqente vërtet kjo jetë. Mamaja dhe babai na mësonin me fjalë dhe me shembullin e tyre që të ishim si të krishterët e hershëm, të cilët nuk e kursyen veten për t’u dhënë të vërtetën biblike të tjerëve.

Ne fëmijët admironim në veçanti mamanë tonë për sakrificat që bëri duke hequr dorë nga shtëpia. Megjithatë, kishte një gjë të cilën ajo nuk e hiqte dot dhe kjo ishte makina qepëse. Gjithsesi, vendimi i saj qe i mençur. Me aftësinë e saj si rrobaqepëse, ajo na mbante gjithnjë të veshur mirë. Në çdo kongres, vishnim rroba të reja e tërheqëse.

Më kujtohet mirë kur Herman G. Henschel erdhi së bashku me familjen e tij në zonën tonë, me një kamion me altoparlant të Shoqatës Watch Tower. Ata e parkonin kamionin në një vend me popullsi të dendur, vinin një fjalim të shkurtër të regjistruar dhe pastaj i vizitonin personalisht njerëzit, për t’u dhënë informacione të mëtejshme. Djui i riu u miqësua me djalin e Hermanit, Miltonin, i cili në atë kohë ishte në vitet e adoleshencës. Tani, Milton është presidenti i Shoqatës Watch Tower.

Gjatë kongresit të vitit 1937 në Kolumbus, Ohajo, Edvina u pagëzua dhe mamasë e babait iu ofrua privilegji për të shërbyer si pionierë specialë. Në atë kohë, kjo vepër përfshinte që të kushtoje të paktën 200 orë në muaj në veprën e predikimit. Kur shoh prapa, e kuptoj se sa shumë më ka ndihmuar shembulli i shkëlqyer i mamasë për të mbështetur burrin tim në caktimet e tij të krishtere.

Kur babai fillonte studim biblik me një familje, na merrte ne fëmijëve me vete që të ishim një shembull pozitiv për fëmijët e tyre. Ai na caktonte që të kërkonim dhe të lexonim shkrimet biblike e t’u përgjigjeshim disa prej pyetjeve themelore. Si rezultat, shumë nga këta të rinj me të cilët studiuam, po i shërbejnë Jehovait me besnikëri edhe sot e kësaj dite. Në fakt, edhe për ne u hodh një themel i fortë që të vazhdonim ta donim Perëndinë.

Ndërsa rritej, Djui i riu e kishte të vështirë të jetonte në një vend kaq të ngushtë me ne dy motrat e tij më të vogla. Kështu, në vitin 1940 ai zgjodhi të largohej dhe të ndërmerrte shërbimin e pionierit me një Dëshmitar tjetër. Pas ca kohësh u martua me Odri Barënin. Kështu, edhe Odri mësoi shumë gjëra nga prindërit tanë dhe ajo arriti t’i donte shumë mamanë dhe babanë. Pasi Djui i riu u burgos në vitin 1944 për asnjanësinë e krishterë, ajo erdhi të jetonte me ne për njëfarë kohe, në dhomën-rimorkio të vogël.

Në kongresin e madh në Sent-Luis, Misuri, në vitin 1941, vëllai Rutherford u foli drejtpërdrejt fëmijëve të moshës nga 5 deri në 18 vjeç, të cilët ishin ulur në një pjesë të veçantë përballë podiumit. Edvina dhe unë dëgjonim zërin e tij të qetë e të qartë dhe na dukej si një atë i dashur që po mësonte fëmijët e tij në shtëpi. Ai i inkurajoi prindërit: «Sot, Krishti Jezu ka mbledhur përpara tij popullin e besëlidhjes së tij dhe në mënyrën më të vendosur u thotë atyre që t’i mësojnë fëmijët në udhën e drejtësisë.» Ai shtoi: «Mbajini në shtëpi dhe mësojuni të vërtetën!» Lumturisht, prindërit tanë vepruan ashtu.

Në atë kongres, morëm broshurën e re Në mbrojtje të Dëshmitarëve të Jehovait, ku rishikoheshin rastet gjyqësore që kishin fituar Dëshmitarët e Jehovait, duke përfshirë edhe ato raste në Gjykatën Supreme të Shteteve të Bashkuara. Babai e studioi së bashku me ne si familje. Nuk e imagjinonim se po përgatiteshim për atë që do të ndodhte disa javë më vonë në Selmë, Alabama.

Veprimet e turmave në Selmë

Mëngjesin e asaj përvoje frikësuese, babai i kishte shpërndarë sherifit, kryetarit të bashkisë dhe shefit të policisë në Selmë kopje të një letre që përshkruante të drejtën tonë kushtetuese për të zhvilluar shërbimin tonë nën mbrojtjen e ligjit. Megjithatë, ata vendosën të na detyronin të largoheshim nga qyteti.

Pasdite vonë, pesë burra të armatosur mbërritën te dhoma-rimorkio dhe morën peng, mamanë, motrën dhe mua. Pastaj, kontrolluan me hollësi çdo gjë brenda, duke kërkuar ndonjë gjë që tregonte veprimtari armiqësore. Babai ishte përjashta dhe ata e urdhëruan ta lidhte dhomën-rimorkio me makinën, duke i drejtuar gjatë gjithë kohës pistoletat. Në atë moment, nuk ndihesha e frikësuar. Dukej kaq qesharake që këta burra mendonin se ishim të rrezikshëm, saqë mua së bashku me motrën na zuri e qeshura. Por, u bëmë menjëherë serioze pas një vështrimi të babait.

Kur ishim gati për t’u larguar, burrat donin që Edvina dhe unë të shkonim me ta në makinën e tyre. Babai qëndroi në të tijën. «Vetëm kur të kaloni mbi trupin tim!»—tha ai. Pas njëfarë diskutimi, na u lejua të udhëtonim së bashku si familje, kurse burrat e armatosur na ndiqnin me makinën e tyre. Rreth 25 kilometra larg qytetit, na bënë me shenjë të ndalonim anash autostradës dhe morën mamanë e babanë. Burrat përpiqeshin njëri pas tjetrit t’i bindnin prindërit tanë: «Hiqni dorë nga ajo fe. Kthehuni në fermë dhe rritini si duhet vajzat tuaja!» Babai u përpoq të arsyetonte me ta, por më kot.

Më në fund, njëri nga burrat tha: «Shkoni dhe po u kthyet më në krahinën e Dallasit, do t’ju vrasim të gjithëve!»

Të lehtësuar dhe përsëri së bashku, vazhduam të udhëtonim për disa orë dhe pastaj parkuam për të kaluar natën. Kishim mbajtur mend numrin e targës së makinës të atyre burrave. Babai ia raportoi menjëherë çdo gjë Shoqatës Watch Tower dhe disa muaj më vonë, burrat u identifikuan dhe u arrestuan.

Në Shkollën Misionare të Galaadit

Në vitin 1946, Edvina mori një ftesë për të ndjekur klasën e 7-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit në Lansingun Jugor, Nju Jork. Albert Schroeder, njëri nga instruktorët, ia përmendi cilësitë e saj të shkëlqyera ish-shokut të tij pionier Bill Elrodit, i cili në atë kohë shërbente në Bethel, në Qendrën Botërore të Dëshmitarëve të Jehovait, në Bruklin, Nju Jork.a Edvina u prezantua me Billin dhe gati një vit pas diplomimit të saj nga Galaadi, ata u martuan. Për shumë vjet qëndruan në shërbimin e plotkohor, duke përfshirë shërbimin së bashku për pesë vjet në Bethel. Pastaj, një ditë në vitin 1959, vëllai Schroeder e njoftoi klasën e 34-t të Galaadit se miku i tij i dashur ishte bërë baba i dy binjakëve, djalë e vajzë.

Ndërsa shërbeja së bashku me prindërit në Meridian, Misisipi, në fund të vitit 1947, që të tre morëm një ftesë për të ndjekur klasën e 11-të të Galaadit. U habitëm sepse, sipas kërkesave, unë isha tepër e re dhe mamaja e babai ishin tepër të moshuar. Por në këtë rast ishte bërë një përjashtim dhe morëm këtë privilegj të pamerituar të mësimit të avancuar biblik.

Shërbimi misionar me prindërit

Caktimi ynë misionar ishte Kolumbia, në Amerikën e Jugut. Megjithatë, vetëm në dhjetor të vitit 1949, më shumë se një vit pas diplomimit tonë, mundëm të shkonim në Bogotá, në një shtëpi misionare ku jetonin tashmë tre të tjerë. Në fillim, babai gati nxori përfundimin se do të ishte më e lehtë t’u mësoje njerëzve anglishten, sesa ai të mësonte spanjishten. Kuptohet, kishte sprova, por kishte edhe shumë bekime të mëdha. Në vitin 1949, në Kolumbi kishte më pak se njëqind Dëshmitarë, por tani ka shumë më tepër se 100.000.

Pasi shërbyem në Bogotá për pesë vjet, mamaja dhe babai u dërguan në qytetin Kali. Ndërkohë, në vitin 1952 unë isha martuar me Robert Trejsin, një misionar tjetër në Kolumbi.b Qëndruam në Kolumbi deri në vitin 1982, kohë kur u caktuam në Meksikë, ku kemi shërbyer gjithë këto vite. Pas njëfarë kohe, në vitin 1968, prindërve të mi iu desh të ktheheshin në Shtetet e Bashkuara për trajtim mjekësor. Pasi u bënë përsëri mirë me shëndet, ata vazhduan si pionierë specialë afër qytetit Mobil, Alabama.

Kujdesemi për prindërit

Me kalimin e viteve, mamaja dhe babai filluan të ngadalësonin veprën dhe kishin nevojë për më shumë mbështetje dhe vëmendje. Me kërkesën e tyre, u caktuan të shërbenin afër Edvinës dhe Billit, në Athinë, Alabama. Më vonë, vëllai ynë, Djui i riu, mendoi se do të ishte e mençur që familja të jetonte së bashku në Karolinën e Jugut. Kështu, Billi e transferoi familjen në Grinud, bashkë me mamanë dhe babanë. Ky rregullim i dashur bëri të mundur që unë dhe Roberti të vazhdonim shërbimin misionar në Kolumbi, duke ditur se dikush po kujdesej shumë për prindërit.

Pastaj, në vitin 1985, babai pësoi një apopleksi që e la të pagojë dhe në shtrat. U mblodhëm së bashku për një mbledhje familjare, që të shqyrtonim se si mund të kujdeseshim më mirë për prindërit tanë. U vendos që personi kryesor i cili do të kujdesej për babanë të ishte Odri dhe se ndihma më e mirë që mund të jepnim unë e Roberti do të ishte duke dërguar çdo javë një letër me përvoja inkurajuese, si edhe duke shkuar për t’i vizituar sa më shpesh të ishte e mundur.

Vizitën e fundit që i bëra babait e kam ende të gjallë në mendje. Ai në përgjithësi nuk i shqiptonte dot fjalët, por pasi i thamë se po ktheheshim në Meksikë, ia doli mbanë, me shumë përpjekje dhe emocione, të thoshte një fjalë: «Adios!» Nga kjo e kuptuam se, në zemrën e tij, ai po e mbështeste vendimin tonë për të vazhduar në caktimin misionar. Babai vdiq në korrik të vitit 1987 dhe mamaja vdiq nëntë muaj më vonë.

Një letër që mora nga motra ime, tani e mbetur e ve, e përmbledh mirë çmueshmërinë që ndien secili prej nesh për prindërit tanë. «E çmoj si një thesar trashëgiminë time të pasur të krishterë dhe kurrë, as edhe për një moment të vetëm, nuk kam menduar se do të isha më e lumtur nëse prindërit do të kishin zgjedhur të na rritnin ndryshe. Shembulli i tyre i një besimi të fortë, i vetësakrificës dhe i sigurisë së plotë te Jehovai, më ka ndihmuar për të kaluar disa momente dëshpërimi në jetën time.» Edvina e mbyllte kështu letrën: «Falënderoj Jehovain për këta prindër që, me fjalë dhe me shembullin e tyre, na treguan lumturinë që mund të kemi nëse e ndërtojmë jetën përreth shërbimit të Perëndisë tonë të dashur, Jehovait.»

[Shënimet]

a Shiko Kullën e Rojës, 1 mars 1988, faqet 11-12, anglisht.

b Shiko Kullën e Rojës, 15 mars 1960, faqet 189-191, anglisht.

[Figurat në faqet 22, 23]

Familja Fauntën: (nga e majta në të djathtë) Djui, Edvina, Uini, Elizabeta, Djui i riu; djathtas: Elizabeta dhe Djui i riu afër parafangove të kamionit me altoparlant të familjes Henschel (1937); djathtas, poshtë: Elizabeta në moshën 16-vjeçare, duke bërë veprën me afishe

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo