Jehovai është një Perëndi me dashamirësi të dashur ndaj meje
TREGUAR NGA JANIS ANDRONIKOS
Ishte viti 1956. Kishin kaluar vetëm nëntë ditë nga dasma dhe ja ku po qëndroja para një gjykate të apelit në Komotiní të Greqisë Veriore. Shpresoja që dënimi prej 12 muajsh, i cili më ishte dhënë ngaqë predikoja Mbretërinë e Perëndisë, do të anulohej. Vendimi i gjykatës së apelit, gjashtë muaj burgim, e bëri copë-copë atë shpresë dhe tregoi se ishte thjesht fillimi i një serie të gjatë sprovash. Megjithatë, gjatë gjithë këtyre sprovave, Jehovai provoi se ishte një Perëndi me dashamirësi të dashur ndaj meje.
KUR linda unë, më 1 tetor 1931, familja jetonte në qytetin Kavála, i cili është Neapolisi i lashtë i Maqedonisë që u vizitua nga apostulli Pavël gjatë udhëtimit të tij të dytë misionar. Mamaja u bë Dëshmitare e Jehovait kur isha pesë vjeç dhe, ndonëse ishte pothuajse analfabete, ajo bëri më të mirën për të më ngulitur dashurinë për Perëndinë dhe druajtjen ndaj tij. Babai ishte një njeri tepër fanatik, i cili mbahej fort me kryeneçësi pas traditës ortodokse greke. Ai nuk ishte i interesuar për të vërtetën biblike dhe e kundërshtonte nënën, shpesh duke kaluar deri në dhunë.
Kështu, u rrita në një shtëpi të ndarë, ku babai e rrihte dhe abuzonte me mamanë e madje na braktisi. Që nga fëmijëria, mamaja na merrte mua dhe motrën time më të vogël, në mbledhjet e krishtere. Megjithatë, kur arrita në moshën 15-vjeçare, dëshirat rinore dhe fryma e pavarësisë më larguan nga Dëshmitarët e Jehovait. Megjithatë, mamaja ime besnike u përpoq shumë dhe derdhi shumë lot në përpjekje për të më ndihmuar.
Për shkak të varfërisë dhe të jetës së shthurur që bëja, u sëmura rëndë dhe m’u desh të qëndroja në shtrat më shumë se tre muaj. Pikërisht atëherë, një vëlla shumë i përulur, i cili kishte ndihmuar mamanë time për të njohur të vërtetën, dalloi tek unë një dashuri të sinqertë për Perëndinë. Ai mendonte se unë mund të ndihmohesha për t’u shëruar nga ana frymore. Të tjerët i thoshin: «Po humbet kohë duke u përpjekur të ndihmosh Janisin, pasi ai nuk do ta mbledhë kurrë veten.» Por durimi i këtij vëllai dhe këmbëngulja e tij në ndihmën që më dha, sollën fryt. Më 15 gusht 1952, në moshën 21-vjeçare, e simbolizova dedikimin tim ndaj Jehovait me anë të pagëzimit në ujë.
I sapomartuar dhe në burg
Tre vjet më vonë u njoha me Martën, një motër me mendje frymore e me cilësi të veçanta dhe shpejt u fejuam. Një ditë, u zura vërtet në befasi kur Marta më tha: «Sot kam në plan të predikoj shtëpi më shtëpi. A dëshiron të vish me mua?» Deri në atë moment nuk kisha marrë pjesë kurrë në këtë aspekt të veprës, pasi kisha predikuar kryesisht në mënyrë joformale. Në atë kohë, vepra e predikimit në Greqi ishte në ndalim dhe na duhej ta vazhdonim aktivitetin e predikimit fshehurazi. Për pasojë, pati arrestime të shumta, çështje gjyqësore dhe dënime të rënda me burgim. Por nuk mund t’i thosha jo të fejuarës sime.
Marta u bë gruaja ime në vitin 1956. Pikërisht atëherë, nëntë ditë pas dasmës, gjykata e apelit në Komotiní më dënoi me gjashtë muaj burgim. Kjo më solli në mendje pyetjen që i kisha bërë ca kohë më parë një motre të krishterë, e cila ishte shoqe e mamasë sime: «Si do të mund ta tregoj se jam një Dëshmitar i vërtetë i Jehovait? Nuk kam pasur kurrë mundësinë ta provoj besimin tim.» Kur kjo motër erdhi të më bëjë vizitë në burg, më rikujtoi atë pyetje dhe më tha: «Tani mund t’i tregosh Jehovait sa shumë e do. Ky është caktimi yt.»
Kur mësova se avokati im ishte përpjekur të jepte para për të më nxjerrë para kohe nga burgu, i thashë se do të më pëlqente më shumë ta mbaroja të gjithë dënimin. Sa i gëzuar isha që në fund të gjashtë muajve të burgimit, kisha parë dy nga të burgosurit e qelisë sime të pranonin të vërtetën! Gjatë viteve që pasuan, u përfshiva në shumë çështje gjyqësore për hir të lajmit të mirë.
Zgjedhje për të cilat nuk na ka ardhur kurrë keq
Në vitin 1959, nja dy vjet pas lirimit, po shërbeja si shërbëtor kongregacioni ose mbikëqyrës drejtues dhe më ftuan të merrja pjesë në Shkollën e Shërbimit të Mbretërisë, një kurs stërvitjeje për pleqtë e kongregacionit. Por, në të njëjtën kohë, m’u ofrua një punë e përhershme në një spital shtetëror, punë që do të na jepte, mua dhe familjes sime, një siguri financiare për jetën. Çfarë duhej të zgjidhja? Tashmë kisha punuar përkohësisht në spital për tre muaj dhe drejtori ishte shumë i kënaqur me punën që bëja, por kur më erdhi ftesa për shkollën, ai nuk më lejoi të merrja as edhe një ditë leje pa të drejtë page. Pasi meditova me lutje për këtë dilemë, vendosa të vija interesat e Mbretërisë në vend të parë dhe të refuzoja ofertën e punës.—Mateu 6:33.
Pothuajse në të njëjtën kohë, mbikëqyrësi qarkor dhe ai krahinor erdhën për të shërbyer në kongregacionin tonë. Na duhej t’i mbanim mbledhjet fshehurazi, në shtëpi private, për shkak të kundërshtimit të fortë të klerit ortodoks grek dhe të autoriteteve. Pas njërës prej mbledhjeve, mbikëqyrësi krahinor m’u afrua dhe më pyeti nëse kisha menduar të ndërmerrja shërbimin e plotkohor. Sugjerimi i tij preku një tel në zemrën time, sepse kjo kishte qenë ëndrra ime që kur isha pagëzuar. U përgjigja: «Do të dëshiroja shumë.» Megjithatë, tashmë kisha edhe përgjegjësinë e rritjes së një vajze që na kishte lindur. Vëllai më tha: «Beso në Jehovain dhe ai do të të ndihmojë të realizosh planet e tua.» Kështu, pa lënë pas dore përgjegjësitë e familjes, së bashku me gruan qemë në gjendje të rregullonim rrethanat tona dhe në dhjetor të vitit 1960 fillova të shërbej në Maqedoninë lindore si pionier special, një nga pesë pionierët e vetëm specialë në vend.
Pasi kisha punuar si pionier special për një vit, Zyra e Degës në Athinë më ftoi të shërbeja si mbikëqyrës udhëtues. Kur u ktheva në shtëpi pas një muaji stërvitjeje në këtë formë shërbimi dhe ndërsa isha ende duke i treguar Martës përvojat e mia, drejtori i një miniere të madhe magnezi më vizitoi dhe më ftoi të bëhesha administratori i repartit të rafinimit, duke më ofruar një kontratë bujare për pesë vjet, një shtëpi të mirë dhe një automobil. Më dha dy ditë afat për t’u përgjigjur. Edhe një herë, pa ngurruar aspak, iu luta Jehovait: «Ja ku jam, dërgomë mua!» (Isaia 6:8) Gruaja ime ishte plotësisht dakord me mua. Duke besuar në Perëndinë, filluam veprën udhëtuese dhe Jehovai, me dashamirësinë e tij të dashur, nuk na zhgënjeu kurrë.
Shërbejmë përmes gjithfarë vështirësish
Edhe pse kishim probleme ekonomike, ne vazhduam përpara dhe Jehovai siguroi gjërat e nevojshme. Në fillim, i vizitoja kongregacionet me një motoçikletë të vogël, duke përshkuar largësi deri në 500 kilometra. Shumë herë kisha vështirësi dhe pata edhe disa aksidente. Gjatë një dimri, ndërsa kthehesha nga një kongregacion, po kapërceja një përrua të rrëmbyer kur motori u prish dhe unë u bëra qull deri te gjunjët. Pastaj motoçikletës iu shpua një gomë. Një kalimtar i cili kishte me vete pompë me ajër, më ndihmoi dhe në këtë mënyrë pata mundësi të arrija në fshatin më të afërt, ku riparova gomën. Më në fund mbërrita në shtëpi në orën tre të mëngjesit, i ngrirë dhe i sfilitur.
Një herë tjetër, ndërsa po shkoja nga një kongregacion në një tjetër, motori rrëshqiti dhe më ra mbi njërin gju. Për pasojë, pantallonat u grisën dhe u njollosën me gjak. Nuk kisha pantallona të tjera, kështu që atë mbrëmje, kur mbajta fjalimin, kisha veshur pantallonat e një vëllai tjetër, të cilat ishin tepër të mëdha për mua. Megjithatë, asnjë vështirësi nuk mund të ma zvogëlonte dëshirën për t’i shërbyer Jehovait dhe vëllezërve të dashur.
Në një aksident tjetër u dëmtova rëndë, duke thyer një krah dhe dhëmbin e parë. Në atë kohë erdhi të më vizitonte motra ime, që nuk ishte Dëshmitare, e cila jetonte në Shtetet e Bashkuara. Çfarë lehtësimi qe kur ajo më ndihmoi të blija një automobil! Kur vëllezërit në Degën e Athinës morën vesh për aksidentin që kisha pasur, më dërguan një letër inkurajuese dhe mes të tjerave, kishin përfshirë fjalët e Romakëve 8:28, ku pjesërisht thuhet: «Perëndia bën që të gjitha veprat e tij të bashkëpunojnë së bashku për të mirën e atyre që e duan Perëndinë.» (BR) Kjo siguri ka dalë vazhdimisht shumë e vërtetë në jetën time.
Një surprizë e këndshme
Në vitin 1963 po punoja me një pionier special në një fshat ku njerëzit nuk reagonin. Vendosëm të punonim të ndarë, duke shkuar secili në një anë të rrugës. Në një shtëpi, sapo trokita në derë, një grua më tërhoqi brenda me shpejtësi dhe e kyçi derën pas meje. Isha shumë i habitur dhe pyetja veten se çfarë po ndodhte. Pak pas kësaj, ajo e thirri me nxitim në shtëpi edhe pionierin tjetër special. Pastaj zonja na tha: «Shsht! Mos lëvizni fare!» Pas pak, dëgjuam zëra të egërsuar përjashta. Disa njerëz po na kërkonin. Kur gjërat u qetësuan, zonja na tha: «E bëra këtë për t’ju mbrojtur. Unë ju respektoj sepse besoj që jeni të krishterë të vërtetë.» E falënderuam nga zemra dhe u nisëm, duke i lënë shumë literaturë.
Katërmbëdhjetë vjet më vonë, ndërsa po ndiqja një kongres krahinor në Greqi, një grua m’u afrua dhe më tha: «Vëlla, a më mban mend? Jam ajo gruaja që ju fshehu nga kundërshtarët kur erdhët në fshatin tonë për të dhënë dëshmi.» Ajo kishte imigruar në Gjermani, kishte studiuar Biblën dhe ishte shoqëruar me popullin e Jehovait. Tani, e gjithë familja e saj ishte në të vërtetën.
Në fakt, gjatë gjithë këtyre viteve kemi qenë të bekuar me shumë «letra rekomandimi». (2. Korintasve 3:1) Një numër prej atyre që patëm privilegjin t’i ndihmonim të fitonin njohurinë e së vërtetës biblike, tani po shërbejnë si pleq, shërbëtorë ndihmës dhe pionierë. Sa rrëqethëse është kur shoh që ai grusht lajmëtarësh në qarqet ku shërbeva në vitet 60, është rritur në më shumë se 10.000 adhurues të Jehovait! E gjithë merita i shkon Perëndisë tonë me dashamirësi të dashur, i cili na përdor sipas mënyrës së vet.
«Në shtratin e sëmundjes»
Gjatë viteve që kaluam në veprën udhëtuese, Marta ishte një ndihmëse e jashtëzakonshme, duke pasur gjithnjë një qëndrim të gëzuar. Megjithatë, në tetor të vitit 1976 ajo u sëmur rëndë dhe bëri një operacion të dhimbshëm. Për pasojë mbeti e paralizuar në gjymtyrët e poshtme dhe lëvizte me karrocë invalidësh. Si do të mund t’i përballonim tani shpenzimet dhe dhimbjen emocionale? Edhe një herë, duke besuar në Jehovain, përjetuam dorën e tij të dashur e bujare. Kur u nisa për të shërbyer në Maqedoni, Marta ndenji në Athinë, në shtëpinë e një vëllai, për terapi fizike. Më telefononte duke më thënë fjalë inkurajuese: «Jam shumë mirë. Ti vazhdo dhe kur të mund të lëviz prapë, do të të shoqëroj në karrocën time.» Ajo veproi pikërisht kështu. Vëllezërit tanë të dashur nga Betheli na dërguan shumë letra inkurajuese. Martës i kujtonin vazhdimisht fjalët e Psalmit 41:3: «Zoti do ta ndihmojë në shtratin e sëmundjes; gjatë sëmundjes së tij, o Zot, ti do ta transformosh plotësisht shtratin e tij.»
Për shkak të këtyre problemeve të rënda me shëndetin, në vitin 1986 u vendos se do të ishte e përshtatshme që unë të shërbeja si pionier special në Kavála, duke jetuar afër familjes së vajzës sonë të dashur. Marsin që shkoi Marta ime e dashur vdiq, duke mbetur besimplotë deri në fund. Para se të vdiste, kur vëllezërit e pyetnin «Si je?», ajo zakonisht përgjigjej: «Duke qenë afër Jehovait, jam shumë mirë!» Kur përgatiteshim për mbledhje ose merrnim ftesa tërheqëse për të shërbyer në zona ku korrja ishte e madhe, Marta thoshte: «Janis, le të shkojmë të shërbejmë atje ku nevoja është më e madhe.» Ajo nuk e humbi kurrë frymën e saj të zellshme.
Disa vjet më parë, edhe mua m’u desh të përballoja një problem të rëndë shëndetësor. Në mars të vitit 1994, më diagnostikuan me një problem zemre, kërcënues për jetën dhe nevojitej medoemos operacioni. Akoma një herë, ndjeva dorën e dashur të Jehovait të më mbështeste në një periudhë kritike. Nuk do ta harroj kurrë lutjen që bëri një mbikëqyrës qarkor afër shtratit tim, kur dola nga salla e reanimacionit, si edhe kremtimin e Përkujtimit që drejtova atje, në dhomën time të spitalit, me katër pacientë që kishin treguar interes për të vërtetën.
Jehovai ka qenë Ndihmuesi ynë
Koha fluturon dhe mishi ynë dobësohet, por fryma përtërihet me anë të studimit dhe të shërbimit. (2. Korintasve 4:16) Kanë kaluar 39 vjet që nga koha kur thashë: «Ja ku jam, dërgomë mua!» Ka qenë një jetë e plotë, e lumtur dhe shpërblyese. Po, disa herë ndiej se «jam i varfër dhe nevojtar», por atëherë mund t’i them i sigurt Jehovait: «Ti je mbështetja ime dhe çlirimtari im.» (Psalmi 40:17) Ai ka qenë, në fakt, një Perëndi me dashamirësi të dashur ndaj meje.
[Figura në faqen 25]
Me Martën në vitin 1956
[Figura në faqen 26]
Limani në Kavála
[Figura në faqen 26]
Me Martën në vitin 1997