BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 1/11 f. 4-6
  • Kur fillon mijëvjeçari i tretë?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Kur fillon mijëvjeçari i tretë?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Kur lindi Jezui?
  • A do të thërrmohen shpresat e tyre për Mijëvjeçarin?
  • Tepër herët apo tepër vonë?
    Zgjohuni!—1999
  • 2000: Vit i shënuar?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Mijëvjeçari i ri—Çfarë ruan e ardhmja për ju?
    Mijëvjeçari i ri—Çfarë ruan e ardhmja për ju?
  • Tabela kronologjike për pjesën 3
    Ec me Perëndinë plot guxim
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 1/11 f. 4-6

Kur fillon mijëvjeçari i tretë?

A E KE dëgjuar pohimin se mijëvjeçari i tretë nuk do të fillojë në vitin 2000 por në vitin 2001? Ky pohim është deri në njëfarë pike i saktë. Po të mendojmë se Jezu Krishti lindi në atë që tani njihet si viti 1 p.e.s., siç kanë supozuar më parë disa, atëherë faktikisht përfundimin e mijëvjeçarit të dytë e shënon 31 dhjetori 2000 (jo 1999) dhe fillimin e mijëvjeçarit të tretë e shënon 1 janari 2001.a Megjithatë, sot pothuajse të gjithë studiuesit janë dakord se Jezu Krishti nuk lindi në vitin 1 p.e.s. Mirë, atëherë, kur ka lindur?

Kur lindi Jezui?

Bibla nuk e zbulon datën e saktë të lindjes së Jezuit. Megjithatë, ajo thotë se Jezui lindi «në kohën e mbretit Herod». (Mateu 2:1) Shumë studiues biblikë besojnë se Herodi vdiq në vitin 4 p.e.s. dhe se Jezui lindi para asaj date, ndoshta rreth vitit 5 ose 6 p.e.s. Ata i bazojnë përfundimet e tyre për vdekjen e Herodit në pohimet e bëra nga historiani jude i shekullit të parë, Jozef Flavio.b

Sipas Jozefit, pak para se të vdiste mbreti Herod, ndodhi një eklips i hënës. Studiuesit biblikë tregojnë një eklips të pjesshëm të hënës më 11 mars të vitit 4 p.e.s., si provë se Herodi duhet të ketë vdekur në atë vit. Megjithatë, në vitin 1 p.e.s. pati një eklips të plotë të hënës më 8 janar dhe një eklips të pjesshëm më 27 dhjetor. Askush nuk mund të thotë nëse Jozefi po i referohej njërit prej eklipseve të vitit 1 p.e.s. ose atij të vitit 4 p.e.s. Rrjedhimisht, nuk mund të përdorim fjalët e Jozefit për të përcaktuar vitin e saktë të vdekjes së Herodit. Edhe po të mund t’i përdornim, prapëseprapë nuk do të mund ta përcaktonim dot kur ka lindur Jezui, pa pasur informacione të tjera.

Dëshmia më e fortë që kemi mbi datën e lindjes së Jezuit vjen nga Bibla. Dokumentimi i frymëzuar thotë se kushëriri i Jezuit, Gjon Pagëzori, e filloi shërbimin e tij si profet në vitin e 15-të të perandorit romak Tiber Cezari. (Luka 3:1, 2) Historia botërore e vërteton se Tiberi u bë perandor më 15 shtator të vitit 14 të e.s., kështu që viti i 15-të do të ishte nga pjesa e fundit e vitit 28 të e.s. deri në pjesën e fundit të vitit 29 të e.s. Gjoni e filloi shërbimin e tij gjatë asaj kohe dhe me sa duket, Jezui e filloi shërbimin e tij gjashtë muaj më vonë. (Luka 1:24-31) Kjo, e kombinuar me dëshmi të tjera, e përcakton fillimin e shërbimit të Jezuit në vjeshtën e vitit 29 të e.s.c Bibla thotë se Jezui ishte «rreth tridhjetë vjeç» kur filloi shërbimin e tij. (Luka 3:23) Nëse në vjeshtën e vitit 29 të e.s. ai ishte 30 vjeç, domethënë që duhet të ketë lindur në vjeshtën e vitit 2 p.e.s. Tani, po të llogaritim dymijë vjet nga fundi i vitit 2 p.e.s. (duke mbajtur ndër mend se nuk ka pasur vit zero, kështu që nga viti 2 p.e.s. deri në vitin 1 e.s. janë dy vjet), kuptojmë se në fund të vitit 1999 mbaron mijëvjeçari i dytë dhe fillon mijëvjeçari i tretë.

A ka rëndësi kjo? Për shembull, a do të shënonte fillimi i mijëvjeçarit të tretë fillimin e Mbretërimit Mijëvjeçar të Jezu Krishtit, për të cilin flitet në librin e Zbulesës? Jo. Në asnjë vend Bibla nuk tregon ndonjë lidhje mes mijëvjeçarit të tretë dhe Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit.

Jezui i paralajmëroi ithtarët e tij kundër hamendjes lidhur me datat. Ai u tha dishepujve të tij: «Nuk ju takon juve të dini kohët dhe momentet e përshtatshme që ka përcaktuar Ati me autoritetin e vet.» (Veprat 1:7) Më përpara, Jezui kishte zbuluar që, në atë kohë, as ai vetë nuk e dinte se kur do ta ekzekutonte Perëndia gjykimin mbi këtë sistem të lig, duke hapur rrugën për Mbretërimin Mijëvjeçar të Krishtit. Ai tha: «Lidhur me atë ditë dhe atë orë, askush nuk e di, as engjëjt e qiejve, as Biri, por vetëm Ati.»—Mateu 24:36, BR.

A është e arsyeshme të presim që Krishti të kthehet pikërisht 2.000 vjet pas datës së lindjes së tij si njeri? Jo, nuk është e arsyeshme. Jezui duhet ta ketë ditur datën e lindjes së tij. Veç kësaj, patjetër që dinte të numëronte 2.000 vjet nga ajo datë. Megjithatë, nuk e dinte ditën dhe orën e ardhjes së tij. Është e qartë se nuk do të ketë qenë kaq e thjeshtë të përcaktohej data e kthimit të tij! ‘Kohët dhe momentet’ ishin në autoritetin e Atit të tij dhe orarin e dinte vetëm ai.

Për më tepër, Jezui nuk i urdhëroi ithtarët e tij ta prisnin në një vend gjeografik specifik. Ai u tha, jo që të mblidheshin bashkë e të prisnin, por të shpërndaheshin «deri në skajin e dheut» dhe të bënin dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve. Ai nuk e ka anuluar kurrë këtë urdhër.—Veprat 1:8; Mateu 28:19, 20.

A do të thërrmohen shpresat e tyre për Mijëvjeçarin?

Megjithatë, disa fondamentalistë fetarë kanë shpresa të mëdha për vitin 2000. Ata besojnë se gjatë pak muajve të ardhshëm, do të kenë një përmbushje të mirëfilltë disa pjesë të librit të Zbulesës. Në fakt, ata mendojnë se do të marrin pjesë vetë në atë përmbushje. Për shembull, ata theksojnë profecinë e dokumentuar në Zbulesën 11:3, 7, 8, e cila flet për dy dëshmitarë që profetizojnë në një ‘qytet të madh, i cili frymësisht quhet Sodomë dhe Egjipt, ku është kryqëzuar [vënë në shtyllë] edhe Zoti i tyre’. Kur mbarojnë dëshminë, dy dëshmitarët vriten nga një bishë e egër mizore që del nga një humnerë.

Sipas një raporti në The New York Times Magazine, 27 dhjetor 1998, udhëheqësi i një grupi fetar «u ka thënë ithtarëve të tij se ai është njëri nga të dy dëshmitarët, i cili është paracaktuar për të njoftuar shkatërrimin e tokës dhe ardhjen e Zotërisë, e pastaj të vritet nga Satanai në rrugët e Jerusalemit». Autoritetet e Izraelit janë me të drejtë të shqetësuar. Ata kanë frikë se disa ekstremistë mund të përpiqen ta «përmbushin» vetë profecinë, madje edhe nëse kjo do të thotë të provokojnë një konflikt të armatosur! Megjithatë, Perëndisë nuk i duhet «ndihma» e njerëzve për të përmbushur qëllimin e tij. Që të gjitha profecitë e Biblës do të përmbushen në kohën e caktuar prej Perëndisë dhe në mënyrën e caktuar prej tij.

Libri i Zbulesës u shkrua «në shenja». Sipas Zbulesës 1:1, BR, Jezui donte t’i zbulonte «shërbëtorëve të tij» (jo botës në përgjithësi) atë që do të ndodhte pas pak kohe. Për të kuptuar librin e Zbulesës, shërbëtorëve ose ithtarëve të Krishtit do t’u duhej fryma e shenjtë e Perëndisë, të cilën Jehovai ua jep atyre që i pëlqen. Nëse libri i Zbulesës duhet kuptuar fjalë për fjalë, edhe njerëzit pa besim mund ta lexonin dhe ta kuptonin atë. Atëherë nuk do të kishte nevojë që të krishterët të luteshin për frymën e shenjtë që ta kuptonin këtë libër.—Mateu 13:10-15.

Kemi parë se, sipas dëshmive biblike, mijëvjeçari i tretë që nga lindja e Jezuit fillon në fund të vitit 1999 dhe që as ajo datë, as 1 janari 2000 ose 1 janari 2001 nuk kanë ndonjë domethënie të veçantë. Megjithatë, ekziston një mijëvjeçar që u intereson shumë të krishterëve. Nëse nuk është mijëvjeçari i tretë, cili është? Artikulli i fundit i kësaj serie do të japë përgjigjen për këtë pyetje.

[Shënimet]

a Shiko kutinë me titull «Viti 2000 apo viti 2001?» në faqen 5.

b Sipas kronologjisë së këtyre studiuesve, mijëvjeçari i tretë do të kishte filluar në vitin 1995 ose 1996.

c Për hollësi të mëtejshme, të lutemi shiko Mendjehollësi mbi Shkrimet, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., Vëllimi 1, faqet 1094-1095, anglisht.

[Kutia në faqen 5]

Viti 2000 apo viti 2001?

Për të kuptuar se përse disa pohojnë që mijëvjeçari i tretë që nga lindja e Jezuit do të fillojë më 1 janar 2001, shqyrto këtë ilustrim. Imagjino sikur je duke lexuar një libër me 200 faqe. Kur ke arritur në fillim të faqes 200 ke mbaruar së lexuari 199 faqe dhe të mbetet akoma një faqe për të lexuar. Librin do ta përfundosh kur të kesh arritur në fund të faqes 200. Në mënyrë të ngjashme, më 31 dhjetor 1999, do të kenë kaluar 999 vjet të mijëvjeçarit të tanishëm, siç konsiderohet në përgjithësi dhe do të mbetet akoma një vit deri në fund të mijëvjeçarit. Me anë të kësaj llogarie, mijëvjeçari i tretë fillon më 1 janar 2001. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se në atë datë do të kenë kaluar saktësisht 2.000 vjet që nga lindja e Jezuit, siç e tregon ky artikull.

[Kutia në faqen 6]

Si u zhvillua sistemi i datimit P.K.—A.D.?

Në fillim të shekullit të gjashtë të e.s., papa Gjoni I ngarkoi një murg me emrin Dionis Eksigus për të zhvilluar një sistem llogaritjeje që do t’u jepte mundësi kishave të vendosnin një datë zyrtare për Pashkën.

Dionisi iu vu punës. Ai llogariti në drejtim të kundërt kohën që kishte kaluar nga vdekja e Jezuit e deri në vitin që ai mendoi se ishte viti i lindjes së Jezuit. Pastaj i vuri numrin çdo viti duke u nisur nga ai vit. Dionisi e quajti periudhën pas lindjes së Jezuit «A.D.» (që do të thotë Anno Domini, «në vitin e Zotërisë sonë»). Edhe pse kishte ndër mend vetëm që të përcaktonte një mënyrë të besueshme për të llogaritur Pashkën çdo vit, Dionisi pa dashje futi konceptin e numërimit të viteve që nga lindja e Krishtit e më tej.

Edhe pse shumica e studiuesve janë dakord se Jezui nuk lindi në vitin që përdori Dionisi si bazë të llogaritjeve të tij, sistemi i tij i kronologjisë na lejon t’i vendosim ngjarjet në rrjedhën e kohës dhe të kuptojmë lidhjen e tyre me njëra-tjetrën.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo