BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 1/9 f. 8-13
  • Të rinj: Rezistojini frymës së botës!

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Të rinj: Rezistojini frymës së botës!
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Të identifikojmë frymën e botës
  • Si shfaqet fryma e botës?
  • Të flakim tej frymën e botës
  • Të shfaqim ‘një frymë të ndryshme’
  • A po i reziston frymës së botës?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Të rinj​—Çfarë jeni duke ndjekur?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1993
  • Ruhuni nga muzika e dëmshme
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1993
  • Të marrim frymën e Perëndisë e jo të botës
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2011
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 1/9 f. 8-13

Të rinj: Rezistojini frymës së botës!

«Ne morëm, jo frymën e botës, por frymën që është nga Perëndia.»—1. KORINTASVE 2:12, BR.

1, 2. (a) Çfarë kontrasti mund të shihet mes të rinjve në botë dhe të rinjve në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait? (b) Çfarë lavdërimi të ngrohtë mund t’i japim shumicës së të rinjve Dëshmitarë?

«BREZI i ri është i shkurajuar, i refuzuar dhe rebel.» Kështu deklarohej në një gazetë australiane, The Sun-Herald. Aty shtohej: «Dokumentacionet gjyqësore tregojnë një rritje prej 22 për qind [në krahasim me vitin e kaluar] në numrin e të miturve që akuzohen për sulme të rënda . . . Vetëvrasjet e fëmijëve po ndodhin në një shkallë, e cila është trefishuar që nga mesi i viteve 60 . . . Po ashtu, hendeku mes brezave është bërë një humnerë e vërtetë, nëpër të cilën gjithnjë e më shumë të rinj po rrëshqasin duke u përhumbur pas drogës, alkoolit dhe vetëshfarosjes.» Por kjo situatë nuk kufizohet vetëm në një vend. Në mbarë botën, prindërit, mësuesit dhe punonjësit e shëndetit mendor ankohen për gjendjen e të rinjve.

2 Çfarë kontrasti i thellë që ekziston mes shumicës së të rinjve të sotëm dhe të rinjve me mendje të shëndoshë që gjenden në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait! Jo se ata janë të përsosur. Edhe atyre u duhet të luftojnë me «pasionet rinore». (2. Timoteut 2:22) Por si grup, këta të rinj kanë marrë një qëndrim të guximshëm për atë që është e drejtë dhe kanë refuzuar të jepen pas kënaqësive të botës. Ju lavdërojmë me gjithë zemër, të gjithë juve të rinj që po fitoni luftën kundër «veprimeve dinake» të Satanait! (Efesianëve 6:11, shënimi, BR) Ashtu si apostulli Gjon, ne nxitemi për t’u shprehur me fjalët: «Të rinj [dhe të reja], ju kam shkruar sepse jeni të fortë dhe fjala e Perëndisë qëndron në ju dhe sepse e mundët të ligun.»—1. Gjonit 2:14.

3. Çfarë mund të nënkuptojë fjala «frymë»?

3 Gjithsesi, që të vazhdoni të fitoni betejën tuaj kundër të ligut, ju duhet t’i rezistoni me forcë asaj që Bibla e quan ‘fryma e botës’. (1. Korintasve 2:12) Sipas një autoriteti në gjuhën greke, «fryma» mund të nënkuptojë «prirjen ose ndikimin që mbush dhe drejton shpirtin e një personi». Për shembull, nëse vërejmë që dikush ka një temperament të vrazhdë, mund të themi se ai shfaq një «frymë» të keqe. «Fryma», prirja ose tendenca mendore ndikon në zgjedhjet që bëjmë, si edhe në veprimet dhe të folurin tonë. Është interesante se një «frymë» të caktuar mund të shfaqin si individët, ashtu edhe grupet. Apostulli Pavël i shkroi një grupi të krishterësh: «Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me frymën tuaj.» (Filemonit 25) Atëherë, çfarë fryme shfaq kjo botë? Meqë «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut», Satana Djallit, fryma e botës nuk mund të jetë aspak e shëndetshme, apo jo?—1. Gjonit 5:19, BR.

Të identifikojmë frymën e botës

4, 5. (a) Cila frymë kishte ndikuar mbi pjesëtarët e kongregacionit efesian, para se të bëheshin të krishterë? (b) Cili është ‘sundimtari i autoritetit të ajrit’ dhe çfarë është ‘ajri’?

4 Pavli shkroi: «Ai [Perëndia] ju dha jetë edhe juve, që ishit të vdekur në faje dhe në mëkate, në të cilat keni ecur dikur, sipas ecjes së kësaj bote, sipas prijësit të pushtetit të erës [sundimtarit të autoritetit të ajrit, BR], sipas frymës që vepron tani në bijtë e mosbindjes, ndërmjet të cilëve edhe ne dikur jetuam në lakmitë e mishit tonë duke i plotësuar dëshirat e mishit dhe të mendjes dhe ishim prej natyre bij të zemërimit, ashtu si edhe të tjerët.»—Efesianëve 2:1-3.

5 Para se të mësonin udhën e krishterë, të krishterët në Efes kishin qenë pa e ditur ndjekës të «sundimtarit të autoritetit të ajrit», Satana Djallit. Ky ‘ajër’ nuk është ndonjë vend i mirëfilltë ku banojnë Satanai dhe demonët e tij. Kur Pavli shkroi këto fjalë, Satana Djalli dhe demonët kishin akoma mundësi për të hyrë në qiell. (Krahaso Jobin 1:6; Zbulesën 12:7-12.) Fjala ‘ajër’ nënkupton frymën ose qëndrimin mendor që sundon botën e Satanait. (Krahaso Zbulesën 16:17-21.) Ashtu si ajri përreth nesh, kjo frymë gjendet kudo.

6. Çfarë është ‘autoriteti i ajrit’ dhe si ushtrohet ai mbi shumë të rinj?

6 Por, çfarë është ‘autoriteti i ajrit’? Me sa duket, kjo i referohet ndikimit të thellë që ka ky ‘ajër’ mbi njerëzit. Pavli tha se kjo frymë «vepron në bijtë e mosbindjes». Pra, fryma e botës nxit një frymë mosbindjeje e rebelimi dhe një mënyrë në të cilën ushtrohet ky autoritet është me anë të presionit të bashkëmoshatarëve. «Kur je në shkollë,—thotë një Dëshmitare në moshë të re,—të gjithë të inkurajojnë vazhdimisht për të qenë pak rebele. Fëmijët të respektojnë më shumë, nëse bën diçka të parregullt.»

Si shfaqet fryma e botës?

7-9. (a) Përmendni disa shfaqje të frymës së botës mes të rinjve të sotëm. (b) A keni vënë re ndonjë nga këto gjëra në vendin ku banoni?

7 Cilat janë disa shfaqje të frymës së botës mes të rinjve të sotëm? Pandershmëria dhe rebelimi. Në një revistë raportohej se mbi 70 për qind e studentëve në vitin e parafundit dhe e maturantëve thanë se kishin kopjuar gjatë shkollës së mesme. Gjithashtu, mbizotëron i foluri pa respekt, sarkastik dhe i papastër. Është e vërtetë se në disa raste Jobi dhe apostulli Pavël përdorën shprehje që disa mund t’i konsiderojnë si sarkazëm, për të shprehur indinjatën e tyre të drejtë. (Jobi 12:2; 2. Korintasve 12:13) Megjithatë, sarkazma mizore që dëgjohet sot nga goja e shumë të rinjve, shpesh është e barabartë me abuzimin gojor.

8 Një shfaqje tjetër e frymës së botës është edhe teprimi në zbavitje. Klubet e natës për të rinj, reiva dhe forma të tjera argëtimi të shfrenuar janë të përhapura mes të rinjve. Mbizotërojnë edhe ekstremet në veshje dhe krehje. Që nga stilet ‘hip-hop’ të rrobave të varura si thes e deri te modat tronditëse, si shpuarja e trupit në vende të ndryshme për të vënë vathë, shumë të rinj të sotëm identifikohen me frymën rebele të botës. (Krahaso Romakëve 6:16.) Një shfaqje tjetër e kësaj fryme është interesimi i tepërt për gjërat materiale. Sipas një gazete arsimore, «tregtarët po i bombardojnë vazhdimisht fëmijët me një arsenal të frikshëm metodash reklamuese dhe me një takëm [një sërë] produktesh». Deri në mbarim të shkollës së mesme, të rinjtë e Shteteve të Bashkuara ekspozohen ndaj 360.000 reklamave televizive. Edhe bashkëmoshatarët mund të të bëjnë presione që të blesh. Një vajzë 14-vjeçare thotë: «Të gjithë të pyesin vazhdimisht: ‘Të çfarë marke e ke pulovrën, xhaketën ose xhinset?’»

9 Që nga kohët biblike, muzika jo e shëndetshme ka qenë një mjet i Satanait për të nxitur sjelljen e papastër. (Krahaso Eksodin [Daljen] 32:17-19; Psalmin 69:12; Isainë 23:16.) Nuk habitemi, pra, që muzika me tekste seksuale joshëse, në mos të qarta, me blasfemi dhe me ritme të larta e të shfrenuara, është e përhapur. Një shfaqje tjetër e frymës së papastër të kësaj bote është imoraliteti seksual. (1. Korintasve 6:9-11) Në një gazetë, The New York Times, raportohet: «Për shumë adoleshentë, seksi është bërë pothuajse një kërkesë për t’u pranuar nga bashkëmoshatarët . . . Më shumë se dy të tretat e maturantëve të shkollave të mesme kanë pasur marrëdhënie seksuale.» Një artikull në një gazetë tjetër, The Wall Street Journal, citonte dëshmi që tregonin se fëmijët e moshave 8 deri në 12 vjeç po «bëhen më aktivë seksualisht». Një këshilltare shkolle që ka dalë në pension kohët e fundit, thotë: «Po fillojmë të shohim nxënëse shtatzëna që në klasën e gjashtë.»b

Të flakim tej frymën e botës

10. Si i janë nënshtruar frymës së botës disa të rinj prej familjeve të krishtere?

10 Mjerisht, disa të rinj të krishterë i janë nënshtruar frymës së botës. «Kur isha me prindërit dhe të bashkëkrishterët, shfaqja një qëndrim të shkëlqyer,—pranon një vajzë japoneze.—Por, gjithashtu, bëja një jetë të dyfishtë.» Një vajzë e re nga Kenia thotë: «Për ca kohë bëra një jetë të dyfishtë, ku përfshiheshin festat, muzika rok dhe shoqëria me miqtë e gabuar. E dija se kjo ishte e gabuar, por përpiqesha ta shpërfillja këtë, duke shpresuar se me kalimin e kohës kjo ndjenjë thjesht do të ikte. Por jo. Gjërat vetëm sa shkuan më keq.» Një tjetër vajzë e re nga Gjermania, thotë: «Gjithçka filloi kur zura miq të papërshtatshëm. Pastaj, fillova të pija duhan. Doja të lëndoja prindërit e mi, por vetëm sa lëndova veten.»

11. Si pati mundësi Kalebi t’i rezistonte presionit për të ndjekur turmën, kur dhjetë zbuluesit sollën raport negativ?

11 Megjithatë, është e mundur t’i rezistojmë dhe faktikisht ta refuzojmë frymën e botës. Shqyrtoni shembullin e lashtë të Kalebit. Kur dhjetë zbuluesit frikacakë sollën raport negativ për Tokën e Premtuar, ai dhe Josiu refuzuan të frikësoheshin dhe të ndiqnin turmën. Ata deklaruan me guxim: «Vendi që kemi përshkuar për ta vëzhguar është një vend i mirë, shumë i mirë. Në rast se Zoti kënaqet me ne, do të na çojë në këtë vend dhe do të na e japë neve, një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë.» (Numrat 14:7, 8) Çfarë i dha mundësi Kalebit që t’i bënte ballë gjithë atij presioni? Jehovai tha për Kalebin: «[Ai] vepron i shtyrë nga një frymë tjetër [e ndryshme, BR].»—Numrat 14:24.

Të shfaqim ‘një frymë të ndryshme’

12. Pse është e rëndësishme të shfaqim ‘një frymë të ndryshme’, për sa i përket të folurit tonë?

12 Sot duhet guxim dhe forcë për të shfaqur ‘një frymë të ndryshme’ ose një qëndrim mendor të ndryshëm nga ai i botës. Një mënyrë në të cilën mund ta bëjmë këtë, është duke shmangur të folurin sarkastik dhe pa respekt. Është interesante se fjala shqipe «sarkazëm» vjen nga një folje greke që fjalë për fjalë do të thotë «të shqyesh mishin si qentë». (Krahaso Galatasve 5:15.) Ashtu si dhëmbët e qenve që mund të shqyejnë mishin nga një kockë, «humori» sarkastik mund t’u heqë të tjerëve dinjitetin. Por në Kolosianëve 3:8, bëhet thirrja: «Hiqni të gjitha këto gjëra: zemërim, zemëratë, ligësi, e të mos dalë sharje e asnjë i folur i pandershëm nga goja juaj.» Po ashtu, në Fjalët e urta [Proverbat] 10:19 thuhet: «Në fjalët e shumta, faji nuk mungon, por ai që i frenon buzët e tij është i urtë.» Nëse dikush ju fyen, kini vetëkontrollin për t’i ‘kthyer faqen tjetër’, ndoshta duke e marrë mënjanë atë që ju ka sharë, për t’i folur në mënyrë të qetë e paqësore.—Mateu 5:39; Fjalët e urta 15:1.

13. Si mund të tregojnë të rinjtë një pikëpamje të ekuilibruar për gjërat materiale?

13 Një mënyrë tjetër për të shfaqur një ‘frymë të ndryshme’ është të mbajmë pikëpamjen e ekuilibruar për gjërat materiale. Sigurisht, është krejt e natyrshme të dëshirojmë të kemi gjëra të bukura. Vetë Jezu Krishti me sa duket kishte të paktën një veshje me cilësi. (Gjoni 19:23, 24) Megjithatë, kur zotërimi i gjërave bëhet një fiksim dhe i lutemi gjithnjë prindërve që të na blejnë gjëra, për të cilat ata nuk kanë mundësi financiare ose kur thjesht dëshirojmë të imitojmë të rinjtë e tjerë, atëherë fryma e botës mund të ketë më shumë autoritet mbi ne sesa mendojmë. Bibla thotë: «Gjithçka që është në botë, lakmia e mishit, lakmia e syve dhe krenaria e jetës [shfaqja për t’u dukur e mjeteve të jetës, BR], nuk vjen nga Ati, por nga bota.» Por ju mos iu nënshtroni autoritetit të frymës materialiste të botës! Mësohuni të jeni të kënaqur me atë që keni!—1. Gjonit 2:16; 1. Timoteut 6:8-10.

14. (a) Si tregoi populli i Perëndisë në ditët e Isaisë një pikëpamje jo të ekuilibruar për zbavitjet? (b) Çfarë rreziqesh kanë hasur disa të rinj të krishterë nëpër klubet e natës dhe festat e shfrenuara?

14 Gjithashtu, është e rëndësishme që zbavitja të mbahet në vendin e duhur. Profeti Isaia deklaroi: «Mjerë ata që ngrihen herët në mëngjes për t’u turrur pas pijeve dehëse dhe vonohen deri në mbrëmje sa të flakërohen nga vera! Në banketet e tyre ka qeste, harpa, dajre, fyell dhe verë, por ata nuk i kushtojnë kujdes veprës së Zotit dhe nuk marrin parasysh atë që ai ka bërë me duart e tij.» (Isaia 5:11, 12) Është për të ardhur keq, por disa të rinj të krishterë kanë marrë pjesë në festa të ngjashme të shfrenuara. Kur një grupi të rinjsh të krishterë iu kërkua që të përshkruanin se çfarë ndodh në klubet e natës për të rinj, një motër në moshë të re tha: «Gjatë gjithë kohës ka përleshje. Jam gjendur vetë në mes të tyre.» Një tjetër vëlla i ri shtoi: «Pihet alkool, duhan dhe gjëra si këto.» Një tjetër vëlla i ri pranoi: «Njerëzit dehen dhe veprojnë si idiotë! Qarkullon edhe drogë. Ndodhin shumë gjëra të këqija. Nëse shkon atje dhe mendon se nuk do të ndikohesh, e ke gabim.» Me arsye të vlefshme, pra, Bibla i radhit dehjet ose «festat e shfrenuara» si një nga «veprat e mishit».—Galatasve 5:19-21, Byington; Romakëve 13:13.

15. Cilën pikëpamje të ekuilibruar na jep Bibla për zbavitjen?

15 Shmangia e zbavitjeve të dëmshme nuk do t’ju dënojë të bëni një jetë pa gëzim. Ne adhurojmë një ‘Perëndi të lumtur’, i cili dëshiron që ta gëzojmë rininë! (1. Timoteut 1:11, BR; Predikuesi [Eklisiastiu] 11:9) Por Bibla paralajmëron: «Ai që i do qejfet [«argëtimin», Lamsa] do të jetë në varfëri.» (Fjalët e urta 21:17) Po, nëse e bëni zbavitjen gjënë më të rëndësishme në jetë, do të vuani nga varfëria frymore. Prandaj, ndiqni parimet e Biblës kur të zgjidhni zbavitjen. Ka shumë mënyra për t’u kënaqur, të cilat ndërtojnë e nuk rrënojnë.c—Predikuesi 11:10.

16. Si mund të tregojnë të rinjtë e krishterë se janë të ndryshëm?

16 Gjithashtu, shfaqja e modestisë në veshje dhe në krehje, duke flakur tej modat e botës, do t’ju dallojë si të ndryshëm nga të tjerët. (Romakëve 12:2; 1. Timoteut 2:9) Po kështu do të jetë nëse jeni seleksionues në zgjedhjen e muzikës. (Filipianëve 4:8, 9) «Kam disa lloje muzike në kaseta që e di se duhet t’i hedh,—pranoi një e krishterë në moshë të re,—por duken kaq të bukura!» Një tjetër djalë i ri shtoi në mënyrë të ngjashme: «Për mua muzika është një grackë, pasi e dua shumë. Nëse gjej që në të ka diçka të gabuar ose nëse prindërit ma vënë në dukje këtë, më duhet me të vërtetë ta detyroj mendjen që të urdhërojë zemrën, pasi në zemër e dua atë lloj muzike.» Të rinj, mos jini «në padije të planeve të [Satanait]»! (2. Korintasve 2:11, BR) Ai po e përdor muzikën, duke u përpjekur t’i largojë të rinjtë e krishterë nga Jehovai! Në botimet e Watch Tower-it kanë dalë artikuj që flasin për muzikën rep, hevi metal dhe rokun alternativ.d Megjithatë, nuk është e mundur që botimet e Watch Tower-it të komentojnë për çdo formë dhe stil të ri muzike që mund të dalë. Pra, ju duhet të përdorni «aftësi të menduari» dhe «aftësi shquese», kur zgjidhni muzikën.—Proverbat (Fjalët e urta) 2:11, BR.

17. (a) Çfarë është porneia dhe çfarë veprimesh përfshin? (b) Cili është vullneti i Perëndisë kur bëhet fjalë për çështjet e moralit?

17 Së fundi, duhet të mbaheni të pastër nga ana morale. Bibla bën thirrje: «Largohuni nga kurvëria!» (1. Korintasve 6:18) Fjala origjinale greke e përkthyer kurvëri, porneia, i referohet të gjitha veprimeve të paligjshme seksuale jashtë lidhjes martesore, që kanë të bëjnë me përdorimin e organeve seksuale. Kjo përfshin seksin gojor dhe përkëdheljen e vullnetshme të organeve seksuale. Një numër të rinjsh të krishterë kanë bërë veprime të tilla, duke menduar se nuk po kryenin në të vërtetë kurvëri. Gjithsesi, Fjala e Perëndisë thotë qartë: «Sepse ky është vullneti i Perëndisë: shenjtërimi juaj, të hiqni dorë nga kurvëria, që secili prej jush të dijë ta mbajë enën e vet në shenjtëri dhe me nder.»—1. Thesalonikasve [Selanikasve] 4:3, 4.

18. (a) Si mund ta shmangë një i ri ndotjen nga fryma e botës? (b) Çfarë do të trajtohet në artikullin vijues?

18 Po, me ndihmën e Jehovait, ju mund të shmangni ndotjen nga fryma e botës. (1. Pjetrit 5:10) Megjithatë, Satanai shpesh i maskon kurthet e tij vdekjeprurëse dhe disa herë mund të duhet vërtet aftësi shquese për të kuptuar rrezikun. Artikulli vijues ka për qëllim t’i ndihmojë të rinjtë që të zhvillojnë aftësitë e tyre perceptuese.

[Shënimet]

a Këto janë festa vallëzimi që zakonisht zgjatin gjithë natën. Për më shumë informacion, shiko «Të rinjtë pyesin . . . A janë reiv argëtim i padëmshëm?» në Zgjohuni!, 22 dhjetor 1997, anglisht.

b Fëmijë rreth moshës 11-vjeçare.

c Për sugjerime, shikoni faqet 296-303, në librin Të rinjtë pyesin: Përgjigje praktike.

d Shikoni Kullën e Rojës, 1 shtator 1993.

Pyetje për rishikim

◻ Çfarë është ‘fryma e botës’ dhe si ka ‘autoritet’ ajo mbi njerëzit?

◻ Cilat janë disa shfaqje të frymës së botës mes të rinjve të sotëm?

◻ Si mund të shfaqin të rinjtë e krishterë ‘një frymë të ndryshme’, për sa i përket të folurit dhe zbavitjes?

◻ Si mund të shfaqin të rinjtë e krishterë ‘një frymë të ndryshme’, për sa i përket moralit dhe muzikës?

[Figura në faqen 9]

Shumë të rinj tregojnë me sjelljen e tyre se janë nën ‘autoritetin’ e frymës së botës

[Figura në faqen 10]

Jini seleksionues në zgjedhjen e muzikës

[Figura në faqen 11]

Duhet guxim për t’i rezistuar frymës së botës

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo