BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 15/5 f. 25-28
  • Kongregacioni i krishterë: Një burim ndihme forcuese

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Kongregacioni i krishterë: Një burim ndihme forcuese
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Mbështetje dhe ndihmë
  • Ndihmë nga mbikëqyrësit e dashur
  • Ndihmë e vërtetë në kohën e duhur
  • Mençuri nga lart
  • Të forcojmë njëri-tjetrin
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2004
  • Le të ndërtohet kongregacioni!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2007
  • Le ta lëvdojë Jehovain kongregacioni!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2007
  • Gjej siguri mes popullit të Perëndisë
    Njohuria që të çon në jetën e përhershme
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 15/5 f. 25-28

Kongregacioni i krishterë: Një burim ndihme forcuese

POPI, një vajzë që sapo kishte mbushur të njëzetat, ishte e shkurajuar për shkak të situatës së dhimbshme familjare që ishte krijuar nga mungesa e komunikimit të hapur me prindërit e saj.a Pasi ia kishte hapur zemrën një plaku të krishterë dhe gruas së tij, ajo u shkroi atyre: «Ju falënderoj shumë që gjetët kohë për të folur me mua. Nuk e dini se sa shumë rëndësi ka për mua fakti që ju tregoni interes. Falënderoj Jehovain që më ka dhënë njerëz, të cilëve mund t’u besoj dhe t’u flas.»

Toula, një grua me dy fëmijë, e cila kohët e fundit mbeti e ve, e pa veten në një batak vështirësish trazuese financiare dhe emocionale. Një çift i krishterë nga kongregacioni i bëri vizita forcuese rregullisht asaj dhe fëmijëve. Pasi e përballoi me sukses situatën e saj, ajo u dërgoi një kartolinë, duke u shkruar: «Ju kujtoj gjithnjë në lutjet e mia. Sjell ndër mend se sa shpesh më keni qëndruar pranë e më keni mbështetur.»

A ndihesh ndonjëherë «i rënduar» nga presionet gjithnjë në rritje të kësaj bote? (Mateu 11:28) A kanë lënë vraga në jetën tënde përvojat e dhimbshme nga «koha dhe ngjarja e paparashikuar»? (Eklisiastiu [Predikuesi] 9:11, BR) Atëherë nuk je i vetëm. Por, ashtu si mijëra të angështuar kanë gjetur tashmë ndihmë, edhe ti mund të gjesh ndihmë domethënëse në kongregacionin e krishterë të Dëshmitarëve të Jehovait. Në shekullin e parë të e.s., apostulli Pavël e provoi vetë se si disa bashkëbesimtarë ishin një «ndihmë forcuese» e veçantë për të. (Kolosianëve 4:10, 11, BR) Edhe ti mund të kesh një përvojë të ngjashme.

Mbështetje dhe ndihmë

Në Shkrimet e Krishtere Greke, fjala «kongregacion» është përkthyer nga termi grek eklesiʹa, që do të thotë një grup njerëzish të mbledhur së bashku. Të pandara nga kjo fjalë janë ideja e solidaritetit dhe e mbështetjes reciproke.

Kongregacioni i krishterë mbështet të vërtetën e Fjalës së Perëndisë dhe shpall lajmin e mirë të Mbretërisë së tij. (1. Timoteut 3:15; 1. Pjetrit 2:9) Megjithatë, kongregacioni siguron edhe mbështetje e ndihmë frymore për ata që shoqërohen me të. Në atë vend, një person mund të gjejë një grup miqsh të dashur, të kujdesshëm e që interesohen, të cilët janë të gatshëm dhe plot dëshirë për të ndihmuar e për të ngushëlluar të tjerët në kohë angështie.—2. Korintasve 7:5-7.

Adhuruesit e Jehovait kanë gjetur gjithnjë siguri dhe mbrojtje në kongregacionin e tij. Psalmisti tregoi se si ai vetë provoi gëzim dhe një ndjenjë sigurie mes popullit të mbledhur të Perëndisë. (Psalmi 27:4, 5; 55:14; 122:1) Sot në mënyrë të ngjashme, kongregacioni i krishterë është një shoqëri bashkëbesimtarësh që ndërtojnë dhe inkurajojnë njëri-tjetrin.—Fjalët e urta 13:20; Romakëve 1:11, 12.

Pjesëtarëve të kongregacionit u mësohet të ‘bëjnë të mirën ndaj të gjithëve, por veçanërisht ndaj atyre që janë të lidhur [me ta] në besim’. (Galatasve 6:10, BR) Arsimi që marrin, i bazuar në Bibël, i shtyn të shfaqin dashuri vëllazërore dhe përzemërsi të butë për njëri-tjetrin. (Romakëve 12:10; 1. Pjetrit 3:8) Vëllezërit tanë dhe motrat tona frymore në kongregacion nxiten të jenë dashamirës, paqësorë dhe me dhembshuri të butë. (Efesianëve 4:3) Në vend se të jenë thjesht adhurues formalë, ata tregojnë interesim të dashur për të tjerët.—Jakovit 1:27.

Për këtë arsye të shtypurit gjejnë në kongregacion atmosferën e ngrohtë të një ambienti familjar. (Marku 10:29, 30) Ndjenja se i përkasin një grupi njerëzish të lidhur ngushtë e që duan njëri-tjetrin, i forcon ata. (Psalmi 133:1-3) Nëpërmjet kongregacionit, «skllavi i besueshëm dhe i matur» siguron ushqim të shëndetshëm frymor, «ushqim në kohën e duhur».—Mateu 24:45, BR.

Ndihmë nga mbikëqyrësit e dashur

Pjesëtarët e kongregacionit të krishterë mund të presin që në kongregacion të gjejnë barinj të dashur, të kualifikuar e që i kuptojnë, të cilët sigurojnë mbështetje dhe inkurajim frymor. Barinjtë me cilësi të tilla janë si «një mbrojtje nga era dhe një strehë kundër uraganit». (Isaia 32:1, 2) Pleqtë e emëruar nga fryma ose ndryshe mbikëqyrësit, kujdesen për popullin e Perëndisë ngjashëm deleve, inkurajojnë të sëmurët dhe të dëshpëruarit, si edhe përpiqen të rivendosin ata që kanë gabuar.—Psalmi 100:3; 1. Pjetrit 5:2, 3.

Sigurisht, trupi i pleqve i kongregacionit nuk është një ekip terapistësh profesionistë ose praktikuesish të shërimit, në gjendje për të shëruar problemet shëndetësore fizike ose mendore që përballojnë bashkëbesimtarët. Në këtë sistem gjërash, të sëmurët «kanë [ende] nevojë për mjek». (Luka 5:31) Gjithsesi, këta barinj mund të ndihmojnë ata që janë në nevojë nga ana frymore. (Jakovit 5:14, 15) Sa herë që është e mundur, pleqtë bëjnë rregullime edhe për lloje të tjera ndihme.—Jakovit 2:15, 16.

Kush qëndron pas këtij rregullimi të dashur? Vetë Perëndia Jehova! Profeti Ezekiel e paraqet Jehovain si duke thënë: «Unë vetë do të shkoj të kërkoj delet e mia dhe do të kujdesem. . . . Do t’i heq nga të gjitha vendet ku janë shpërndarë . . . Unë vetë do t’i kullot delet e mia dhe do t’i bëj të pushojnë.» Perëndia interesohet edhe për delet e dobëta e të pafuqishme.—Ezekieli 34:11, 12, 15, 16.

Ndihmë e vërtetë në kohën e duhur

A ka faktikisht ndihmë reale në dispozicion në kongregacionin e krishterë? Po ka, dhe shembujt vijues ilustrojnë llojshmërinë e rrethanave në të cilat kongregacioni provon se është një ndihmë.

◆ Humbja e një njeriu të dashur. Bashkëshorti i Anës vdiq nga një sëmundje kronike. «Që nga ajo kohë kam marrë shumë dashuri të ngrohtë nga vëllazëria e krishterë,—thotë ajo.—Fjalët e vazhdueshme dashamirëse si mbështetje dhe inkurajim nga bashkëbesimtarët e mi, duke përfshirë edhe përqafimet e ndjera nga zemra, më kanë mbajtur gjallë në vend se të më linin të dëshpërohesha krejtësisht dhe për këtë falënderoj Jehovain. Dashuria e tyre më ka bërë të ndiej se kam shumë mbështetje, më ka bërë të ndihem e rigjallëruar dhe të ndiej se të tjerët kujdesen me butësi për mua.» Edhe ti mund të kesh pasur përvojën traumatike të vdekjes së një njeriu të dashur. Në periudha të tilla, pjesëtarët e kongregacionit mund të sigurojnë ngushëllimin kaq të nevojshëm dhe mbështetjen emocionale.

◆ Sëmundjet. Arturi, një mbikëqyrës udhëtues nga Polonia, i vizitonte rregullisht kongregacionet e Azisë Qendrore, me qëllim që t’i forconte frymësisht. Gjatë njërës prej këtyre vizitave, ai u sëmur rëndë dhe shërimi ishte i vështirë për shkak të ndërlikimeve të rënda. «Dua t’ju tregoj se si u kujdesën për mua vëllezërit e motrat në [një qytet në Kazakistan],—sjell ndër mend Arturi me çmueshmëri të thellë.—Vëllezër e motra, shumë prej të cilëve nuk i njoh, madje edhe njerëz të interesuar, sollën para, sende ushqimore dhe ilaçe. . . . Këtë e bënë me gëzim të madh.

Imagjinoni se si u ndjeva kur mora një zarf me ca para dhe këtë letër: ‘I dashur vëlla, të dërgoj përshëndetje të ngrohta. Mami më dha paratë për të blerë akullore, por unë vendosa të t’i jap ty për ilaçe. Të lutem shërohu shpejt. Jehovai ka nevojë për ne për shumë kohë. Të shkuara. Na trego prapë ca histori të mira e ndërtuese. Vova.’» Po, ashtu siç e tregoi ky rast, të rinj e të moshuar në kongregacion mund të sigurojnë ndihmë forcuese në kohë sëmundjeje.—Filipianëve 2:25-29.

◆ Depresioni. Teri kishte një dëshirë të zjarrtë për të shërbyer si pioniere ose lajmëtare e Mbretërisë në kohë të plotë. Por për shkak të vështirësive iu desh ta ndërpriste këtë shërbim. «U ndjeva tmerrësisht fajtore që u përpoqa të shërbeja si pioniere dhe nuk mbusha dot as një vit të plotë»,—thotë ajo. Në mënyrë të gabuar, Teri mendonte se miratimi i Jehovait varej vetëm nga sasia e shërbimit që i bënte atij. (Vër në kontrast Markun 12:41-44.) Shumë e dëshpëruar ajo u izolua nga të tjerët. Por në atë kohë i erdhi një ndihmë gjallëruese nga kongregacioni.

Teri sjell ndër mend: «Një motër e moshuar pioniere më erdhi me gatishmëri në ndihmë dhe më dëgjoi ndërsa i shprehja hapur ndjenjat e mia. Kur dola nga shtëpia e saj, u ndjeva sikur më ishte hequr një barrë. Që nga ai moment e më tej, kjo pioniere dhe bashkëshorti i saj, një plak kongregacioni, më kanë siguruar një ndihmë të vlefshme. Çdo ditë më telefononin për të më pyetur se si po ia çoja. . . . Ata më kanë dhënë mundësi disa herë për të ndenjur në studimin e tyre familjar, gjë që më ka ngulitur në mendje rëndësinë e familjeve ku pjesëtarët qëndrojnë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin.»

Nuk është e pazakontë që shumë veta, madje edhe të krishterë të dedikuar, të dëshpërohen, të shkurajohen e të ndihen të vetmuar. Sa mirënjohës mund të jemi që kemi në dispozicion ndihmë të dashur e altruiste nga kongregacioni i Perëndisë!—1. Thesalonikasve 5:14.

◆ Katastrofat dhe aksidentet. Vëre veten në vend të një familjeje prej katër personash që humbën gjithçka kishin kur shtëpia e tyre u dogj nga zjarri. Shumë shpejt ata patën atë që e quajtën «një përvojë inkurajuese që do të na prekë përgjithmonë e që na nguliti dashurinë e vërtetë që ekziston mes popullit të Jehovait». Ata shpjegojnë: «Pothuajse menjëherë na pushtuan telefonatat e sinqerta nga vëllezërit tanë dhe motrat tona frymore që na mbështetën dhe u solidarizuan me ne. Telefoni binte vazhdimisht. Shqetësimi dhe dashuria e sinqertë e gjithsecilit ishin kaq prekëse, saqë na bënë të qanim nga mirënjohja.»

S’kaloi shumë dhe pleqtë e kongregacionit organizuan një grup të madh vëllezërish e motrash që në pak ditë i ndërtuan kësaj familjeje një shtëpi të re. Një fqinj i tyre thirri: «Pa shikoni! Këtu punon çdo lloj njeriu: burra, gra, të zinj e të bardhë!» Kjo ishte një dëshmi e qartë e dashurisë vëllazërore.—Gjoni 13:35.

Të bashkëkrishterët, gjithashtu, i dhanë familjes rroba, ushqime dhe para. Babai komenton: «Kjo ndodhi gjatë periudhës së Krishtlindjeve kur të gjithë japin dhurata, por ne mund ta themi me ndershmëri se askush tjetër nuk e gëzoi atë lloj bujarie të sinqertë e vërshuese që gëzuam ne.» Pastaj, si familje shtojnë: «Kujtimet e zjarrit dalëngadalë po zhduken dhe po zëvendësohen nga kujtimet e vyera të veprave dashamirëse dhe të miqve të mirë. Falënderimet tona i shkojnë Atit tonë të dashur qiellor, Jehovait, për faktin që kemi një familje të tillë të mrekullueshme e të bashkuar vëllezërish në tokë dhe jemi kaq mirënjohës që bëjmë pjesë në të!»

Sigurisht, një ndërhyrje e tillë nuk është gjithnjë e mundur dhe as nuk pritet në çdo tragjedi që ndodh. Por ky rast tregon patjetër mbështetjen që mund të sigurojë kongregacioni.

Mençuri nga lart

Shumë njerëz kanë gjetur në kongregacionin e krishterë një burim tjetër ndihme e force. Çfarë është ky burim? Botimet që përgatiten nga «skllavi i besueshëm dhe i matur». Mes tyre dallohen revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Me qëllim që të sigurojnë këshilla me mendjehollësi dhe udhëzime praktike, këto botime mbështeten kryesisht mbi mençurinë hyjnore që gjendet në Bibël. (Psalmi 119:105) Informacioni nga Shkrimet merret duke bërë kërkime të përgjegjshme dhe serioze mbi subjekte të tilla, si: depresioni mendor, marrja e vetes nga abuzimet, probleme të ndryshme ekonomike dhe shoqërore, sfida që hasin të rinjtë dhe vështirësi që janë të veçanta për vendet në zhvillim. Mbi të gjitha, këto botime mbështetin udhën e Perëndisë si udhën më të mirë të jetës.—Isaia 30:20, 21.

Çdo vit, Shoqata Watch Tower merr mijëra letra vlerësimi. Për shembull, lidhur me një artikull të Zgjohuni! që fliste mbi vetëvrasjen, një i ri nga Rusia shkroi: «Duke qenë se kam prirje ndaj depresionit . . . shumë herë kam menduar për vetëvrasjen. Ky artikull ma forcoi besimin se Perëndia do të më ndihmojë t’u bëj ballë problemeve të mia. Ai do që unë të jetoj. E falënderoj për ndihmën që më dha me anë të këtij artikulli.»

Në qoftë se dallgët e tërbuara të trazirave në këtë botë duken tepër të dhunshme për t’u kaluar, mund të jesh i sigurt se ekziston një liman i sigurt në kongregacionin e krishterë. Pastaj, nëse shkretëtira e thatë e këtij sistemi pa dashuri po e than forcën tënde, mund të gjesh një oaz rigjallërues në organizatën e Jehovait. Pasi të përjetosh një ndihmë të tillë, edhe ti mund të provosh po ato ndjenja që provoi një grua e krishterë, e cila e përballoi me sukses sëmundjen e rëndë të bashkëshortit të saj dhe shkroi: «Për shkak të dashurisë dhe të kujdesit që na u tregua, ndihem sikur gjatë kësaj krize Jehovai na mbajti në pëllëmbë të dorës. Sa mirënjohëse jam që bëj pjesë në organizatën e mrekullueshme të Jehovait!»

[Shënimi]

a Emrat janë ndryshuar.

[Figurat në faqen 26]

Ne mund t’u japim mbështetje të sëmurëve, të pikëlluarve dhe të tjerëve

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo