BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 1/4 f. 23-27
  • Në kërkim të Parajsës

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Në kërkim të Parajsës
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • I kthehem punimit të tokës
  • Zgjohet besimi te Perëndia
  • Përgjigjja ndaj lutjeve të mia
  • Bëj progres frymor
  • Ndihmë në kohë angështie
  • Synoj diçka më të mirë
  • Betheli: Një parajsë e veçantë frymore
  • A mund të jemi të gatshëm?
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—2001
  • Shërbimi në Bethel—Nevojiten më shumë vullnetarë
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—1995
  • A mund të jetë kjo karriera më e mirë për ty?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
  • S’kam reshtur kurrë së mësuari
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 1/4 f. 23-27

Në kërkim të Parajsës

TREGUAR NGA PASKAL STIZI

Nata kishte kohë që kishte rënë dhe rrugët e qytetit Bezier, në Francën Jugore, ishin të zbrazëta. Pasi gjetëm një mur të sapolyer të një librarie me libra fetarë, së bashku me shokun tim, shkarravitëm mbi të, me germa të mëdha të zeza, fjalët e filozofit gjerman Niçe: ‘Perënditë kanë vdekur. Rroftë Mbinjeriu!’ Por, çfarë më shtyu të bëja gjithë këtë?

LINDA në Francë në vitin 1951, në një familje katolike me origjinë italiane. Kur isha fëmijë, shkonim me pushime në jug të Italisë. Atje, çdo fshat kishte shëmbëlltyrën e vet të Virgjëreshës Mari. Duke ecur bashkë me gjyshin, i ndiqja këto statuja gjigande, të cilave u kishin veshur rroba, në procesione të pafundme përmes maleve, por fare pa bindje në vetvete. Arsimin e ulët dhe të mesëm e mbarova në një shkollë fetare të drejtuar nga Jezuitët. Megjithatë, nuk mbaj mend të kem dëgjuar ndonjë gjë që të më ndërtonte vërtet besimin te Perëndia.

Vetëm kur u regjistrova në një universitet në Monpelie, për të studiuar për mjekësi, fillova të meditoja mbi qëllimin e jetës. Babai im ishte dëmtuar gjatë luftës dhe i kishte gjithnjë mjekët te koka e krevatit. A nuk do të ishte më mirë t’i jepej fund luftës, sesa të harxhohej kaq shumë kohë dhe përpjekje për të shëruar njerëzit nga shkatërrimet që sillte ajo? E megjithatë, lufta e Vietnamit ishte në kulmin e saj. Për mua, për shembull, mënyra e vetme për të kuruar kancerin e mushkërive ishte të eliminohej shkaktari i tij kryesor, duhani. Po për sëmundjet që vinin nga të ushqyerit e keq në vendet në zhvillim dhe ato që vinin nga të ngrënët e tepërt në vendet e pasura? A nuk do të ishte më mirë të eliminoje shkaqet, sesa të përpiqeshe të kuroje pasojat e hidhura? Pse kishte kaq shumë vuajtje në tokë? Mendoja se në këtë shoqëri vetëvrasëse kishte diçka tmerrësisht të gabuar dhe përgjegjëse për këtë konsideroja qeveritë.

Libri im i preferuar ishte i një autori anarkist dhe unë merrja fjali të këtij libri e i kopjoja nëpër mure. Pak nga pak, edhe unë u bëra një anarkist, pa besim ose ligje morale, i cili nuk donte të kishte asnjë Perëndi ose padron. Për mua, Perëndia dhe feja ishin shpikje të të pasurve e të fuqishmëve, që të sundonin dhe të zhvatnin pjesën tjetër të njerëzimit. Më dukej sikur ata thoshin: ‘Punoni shumë për ne mbi tokë dhe shpërblimi juaj do të jetë i madh në parajsën në qiell.’ Por, koha e perëndive kishte mbaruar. Kjo gjë u duhej thënë njerëzve. Një mënyrë për t’ua thënë ishin shkarravinat nëpër mure.

Si rezultat, studimet në shkollë kaluan në vendin e dytë. Ndërkohë, isha regjistruar për të studiuar gjeografi dhe ekologji në një universitet tjetër në Monpelie, ku mbretëronte një gjendje rebelimi. Sa më shumë e studioja ekologjinë, aq më shumë e neverisja ndotjen e planetit tonë të bukur.

Çdo vit, gjatë pushimeve verore, udhëtoja me autostop, duke përshkuar mijëra kilometra nëpër Evropë. Gjatë udhëtimeve dhe bisedave me qindra shoferë, pashë me sytë e mi ligësinë dhe kalbjen që ka pllakosur shoqërinë njerëzore. Një herë, ndërsa po kërkoja një parajsë, u ndesha përballë me plazhet e mrekullueshme në ishullin e bukur të Kretës dhe pashë se ishin mbuluar me naftë. Më dhembi zemra. A kishte mbetur ndonjë cep parajse gjëkundi në tokë?

I kthehem punimit të tokës

Në Francë, ekologjistët po mbështetnin mendimin se zgjidhja për mjerimet e shoqërisë ishte t’i ktheheshin punimit të tokës. Doja të punoja me duart e mia. Për këtë arsye, bleva një shtëpi të vjetër, të ndërtuar me gurë, në një fshat të vogël, në kodrat rrëzë maleve Seven në Francën Jugore. Te dera e shtëpisë shkrova sloganin e hipive amerikanë: «Parajsa tani.» Një vajzë gjermane që po kalonte në zonën tonë, filloi të bashkëjetojë me mua. As që mund të diskutohej për t’u martuar para kryetarit të bashkisë, që ishte një përfaqësues i sistemit qeveritar. Po në kishë? As të mos e çoje nëpër mend!

Pjesën më të madhe të kohës ecnim këmbëzbathur dhe unë mbaja flokë të gjatë, si edhe një mjekër të çrregullt. Isha i magjepsur pas kultivimit të frutave dhe të perimeve. Në verë, qielli ishte i kaltër dhe gjinkallat këndonin. Lulet e fushave ishin kaq erëkëndshme dhe frutat mesdhetare që kultivonim, rrushi dhe fiqtë, ishin kaq të shijshme! Dukej se kishim gjetur qoshen tonë në parajsë.

Zgjohet besimi te Perëndia

Në universitet kisha studiuar biologji molekulare, embriologji e anatomi dhe më kishte lënë mbresa të thella kompleksiteti dhe harmonia e të gjithë këtyre mekanizmave. Tani që kisha mundësi të meditoja dhe të vëzhgoja krijimin nga afër çdo ditë, bukuria dhe potenciali i saj më mbushnin me admirim. Ditë pas dite, libri i krijimit më shfletohej faqe pas faqeje. Një ditë, gjatë një shëtitjeje të gjatë nëpër kodra dhe pasi kisha medituar thellë mbi jetën, arrita në përfundimin se duhet të kishte një Krijues. Në zemrën time vendosa të besoja te Perëndia. Më parë, kisha ndier një boshllëk në zemër, një vetmi që më turbullonte. Ditën kur fillova të besoja te Perëndia, i thashë vetes: ‘Paskal, tani nuk do të jesh më kurrë vetëm.’ Ishte një ndjesi e jashtëzakonshme.

Jo shumë kohë pas kësaj, unë dhe mikesha ime patëm një vajzë, Amandinën. Ajo ishte drita e syrit tim. Tani që besoja te Perëndia, fillova t’i respektoja ato pak ligje morale që njihja. Nuk vodha e nuk gënjeva më dhe shpejt e kuptova se kjo më ndihmoi të shmangia shumë probleme me ata që kisha përreth. Po, kishim edhe ne problemet tona dhe parajsa ime nuk ishte gjithçka që kisha shpresuar. Kultivuesit vendas të hardhive përdornin insekticide dhe herbicide që ndotnin edhe prodhimet e mia. Pyetja ime lidhur me shkakun e ligësisë, nuk kishte marrë ende përgjigje. Për më tepër, edhe pse kisha lexuar shumë mbi jetën familjare, kjo gjë nuk më pengoi të kisha debate gjaknxehta me mikeshën time. Kishim pak miq dhe ata që kishim nuk ishin miq të vërtetë. Disa madje u përpoqën ta shtynin mikeshën time që të më tradhtonte. Duhej të ekzistonte një parajsë më e mirë.

Përgjigjja ndaj lutjeve të mia

Me mënyrën time, i lutesha shpesh Perëndisë që të më udhëhiqte në jetë. Një të diel në mëngjes, një grua miqësore që quhej Irene Lopez, së bashku me djalin e saj të vogël, erdhën në shtëpinë tonë. Ajo ishte një Dëshmitare e Jehovait. E dëgjova atë që kishte për të thënë dhe pranova ofertën për një vizitë tjetër. Dy burra erdhën të më bënin vizitë. Nga biseda që bëmë, mbajta në mendje dy gjëra: Parajsën dhe Mbretërinë e Perëndisë. I mbajta me kujdes ato mendime në zemër dhe me kalimin e muajve e kuptova se një ditë do të më duhej t’i ndreqja gjërat për t’i sjellë në harmoni me standardet e Perëndisë, nëse doja të kisha një ndërgjegje të pastër dhe të gjeja lumturi të vërtetë.

Me qëllim që të sillnim jetën tonë në harmoni me Fjalën e Perëndisë, mikesha ime fillimisht ishte dakord që të martohej me mua. Por më pas, ajo hyri në shoqëri të keqe me njerëz që e tallnin Perëndinë dhe ligjet e tij. Kur erdha në shtëpi një mbrëmje pranvere, pësova një tronditje të tmerrshme. Shtëpia jonë ishte boshatisur. Mikesha ime ishte larguar, duke marrë me vete vajzën tonë trevjeçare. Për ditë me radhë prita që të ktheheshin, por më kot. Në vend se t’ia vija fajin Perëndisë, iu luta atij që të më ndihmonte.

Pak kohë pas kësaj, mora Biblën, u ula nën pemën time të fikut dhe fillova ta lexoja. Në fakt, i përpiva të gjitha fjalët e saj. Edhe pse kisha lexuar çdo lloj libri të shkruar nga psikoanalistë dhe psikologë, nuk kisha ndeshur kurrë një mençuri të tillë. Ky libër duhej të ishte frymëzuar hyjnisht. Mësimdhënia e Jezuit dhe kuptueshmëria që kishte ai për natyrën njerëzore më mahnitën. U ngushëllova nga Psalmet dhe u magjepsa nga mençuria praktike e Fjalëve të urta. E kuptova menjëherë se ndërkohë që krijimi është i shkëlqyer për ta tërhequr dikë drejt Perëndisë, ai mund të zbulojë vetëm «thekët e udhëve të tij».—Jobi 26:14, BR.

Dëshmitarët më kishin lënë edhe librat E vërteta që çon në jetën e përjetshme dhe Bëjeni të lumtur jetën familjare.a Kur i lexova. m’u hapën sytë. Libri E vërteta më ndihmoi të kuptoja se përse njeriu po ndeshej me ndotjen pandemike, me luftërat, me dhunën në rritje dhe me kërcënimin e shfarosjes bërthamore. E, ashtu si qielli i skuqur që shihja nga kopshti im, shënonte mot të mirë për të nesërmen, po ashtu këto ngjarje provonin se Mbretëria e Perëndisë është shumë afër. Sa për librin Jeta familjare, do të kisha dëshirë t’ia tregoja mikeshës sime dhe t’i thosha se mund të ishim të lumtur, duke vënë në praktikë këshillat e Biblës. Por kjo gjë nuk ishte më e mundur.

Bëj progres frymor

Doja të dija më shumë, kështu që i kërkova Robertit, një Dëshmitari, që të më vizitonte në shtëpi. Për habinë e tij të madhe, i thashë se doja të pagëzohesha, e prandaj u fillua një studim biblik. Nisa menjëherë t’u flitja të tjerëve për atë që po mësoja dhe fillova të shpërndaja botimet që merrja në Sallën e Mbretërisë.

Për të nxjerrë bukën e gojës, u regjistrova në një kurs për muratorë. Duke qenë i vetëdijshëm për të mirën që mund t’i bëjë një personi Fjala e Perëndisë, përfitoja nga çdo rast për t’u predikuar në mënyrë joformale studentëve të tjerë dhe mësuesve. Një mbrëmje, takova Serzhin në një korridor. Ai kishte në dorë disa revista. «E shoh se të pëlqen të lexosh»,—i thashë. «Po, më pëlqen, vetëm se u mërzita me këto.» «A dëshiron diçka vërtet të mirë për ta lexuar?»—e pyeta. Patëm një bisedë të shkëlqyer mbi Mbretërinë e Perëndisë, pas së cilës ai pranoi ca literaturë biblike. Javën që vijoi, erdhi në Sallën e Mbretërisë me mua dhe filloi një studim biblik edhe ai.

Një ditë, i kërkova Robertit nëse mund të predikoja shtëpi më shtëpi. Ai shkoi te dollapi i rrobave dhe gjeti një kostum për mua. Të dielën tjetër, bëra hapat e parë në shërbim me Robertin. Më në fund, më 7 mars 1981 e simbolizova publikisht dedikimin tim ndaj Perëndisë Jehova, me anë të pagëzimit.

Ndihmë në kohë angështie

Ndërkohë, kisha gjetur se ku po jetonin jashtë shtetit Amandina dhe nëna e saj. Mjerisht, nëna e saj, në mënyrë ligjore sipas ligjeve të vendit ku jetonte, më ndaloi ta takoja vajzën. Isha i dëshpëruar. Nëna e Amandinës u martua dhe dëshpërimi im arriti një nivel të ri të ulët kur mora një njoftim zyrtar se burri i saj kishte adoptuar vajzën time pa kërkuar fare miratimin tim. Nuk kisha më asnjë të drejtë mbi fëmijën tim. Pavarësisht nga veprimet ligjore, nuk pata mundësi të fitoja të drejta për vizita. U ndjeva sikur kisha mbi kurriz një peshë prej 50 kilogramësh, kaq e madhe ishte dhimbja ime.

Por Fjala e Jehovait më mbështeti në disa mënyra. Një ditë kur isha tepër i angështuar, përsërita vazhdimisht me vete fjalët që gjenden në Fjalët e urta 24:10: «A je treguar i shkurajuar në ditën e angështisë? Fuqia jote do të jetë e dobët.» (BR) Ky varg më ndihmoi për të mos u rrëzuar. Në një rast tjetër, pas një dështimi në përpjekjet për të takuar vajzën, shkova në shërbim dhe e kapa dorezën e çantës sa më fort që mundesha. Gjatë këtyre momenteve të vështira, munda të provoja vërtetësinë e Psalmit 126:6, ku thuhet: «Vërtet ecën duke qarë ai që mban farën që do të mbillet, por ai do të kthehet me këngë gëzimi, duke sjellë duajt e tij.» Një mësim i rëndësishëm që mora është se kur ke sprova të rënda, pasi ke bërë nga ana jote gjithçka që mundesh për t’i zgjidhur problemet, duhet t’i lësh ato prapa dhe të ngulmosh me vendosmëri në shërbim të Jehovait. Kjo është mënyra e vetme që të mbash gëzimin.

Synoj diçka më të mirë

Duke parë ndryshimet që kisha bërë, prindërit e mi të dashur më ofruan ndihmë që të vazhdoja studimet në universitet. I falënderova, por tani kisha një synim tjetër. E vërteta më kishte çliruar nga filozofitë njerëzore, misticizmi dhe astrologjia. Tani kisha miq të vërtetë, të cilët nuk do ta vritnin kurrë njëri-tjetrin në luftë. E më në fund kisha përgjigjen e pyetjeve të mia lidhur me faktin se përse kishte kaq shumë vuajtje mbi tokë. I shtyrë nga mirënjohja, doja t’i shërbeja Perëndisë me të gjithë forcën time. Jezui e kishte përkushtuar veten plotësisht në shërbimin e tij dhe unë doja të ndiqja shembullin e tij.

Në vitin 1983, e lashë punën si murator për t’u bërë një shërbëtor në kohë të plotë. Në përgjigje të lutjeve të mia, gjeta një punë gjysmëditore në një park, sa për të mbajtur veten. Çfarë gëzimi ishte pjesëmarrja në shkollën e pionierit bashkë me Serzhin, të riun të cilit i kisha dhënë dëshmi në kursin e muratorëve! Pas tre vjetësh si pionier i rregullt, ndjeva dëshirën për të bërë edhe më shumë në shërbim të Jehovait. Kështu, në vitin 1986, më emëruan pionier special në qytetin piktoresk të Provansës, jo larg Parisit. Shpesh, kur kthehesha në shtëpi në mbrëmje, gjunjëzohesha në lutje për të falënderuar Jehovain për ditën e mrekullueshme që kisha kaluar, duke u folur të tjerëve për të. Në fakt, dy kënaqësitë e mia më të mëdha në jetë janë: të flas me Perëndinë dhe të flas për Perëndinë.

Një gëzim tjetër i madh ishte pagëzimi i mamasë sime 68-vjeçare, që jetonte në Sebazo, një fshat i vogël në jug të Francës. Kur mamaja filloi të lexonte Biblën, i dërgova abonime në revistat Zgjohuni! dhe Kulla e Rojës. Ajo ishte një person i arsyeshëm dhe shumë shpejt arriti të dallonte tingullin e së vërtetës në atë që po lexonte.

Betheli: Një parajsë e veçantë frymore

Kur Shoqata Watch Tower vendosi të zvogëlonte numrin e pionierëve specialë, unë bëra kërkesën për Shkollën e Stërvitjes për Shërbim dhe kërkesën për në Bethel, në Zyrën e Degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Francë. Dëshiroja t’ia lija në dorë Jehovait të vendoste se si mund t’i shërbeja atij më mirë. Disa muaj më vonë, në dhjetor 1989, mora ftesën për në Bethel në Luvër, në Francën Veriperëndimore. Kjo doli me një rezultat të shkëlqyer, pasi vendndodhja më dha mundësi të ndihmoja vëllanë dhe kunatën time për t’u kujdesur për prindërit e mi, kur këta u sëmurën rëndë. Nuk do të kisha qenë në gjendje ta bëja këtë, po të kisha qenë në shërbimin misionar, mijëra kilometra larg.

Mamaja erdhi të më vizitonte disa herë në Bethel. Edhe pse për të ishte një sakrificë të jetonte larg meje, shpesh më thoshte: «Qëndro në Bethel, bir. Jam e lumtur që po i shërben Jehovait në këtë mënyrë.» Mjerisht, tani të dy prindërit e mi kanë vdekur. Sa me padurim e pres ditën kur do t’i shoh në një tokë të transformuar në një parajsë të vërtetë!

Me të vërtetë besoj se, nëse ka ndonjë shtëpi që meriton përshkrimin «Parajsa tani», kjo shtëpi është Betheli, «Shtëpia e Perëndisë», sepse parajsa e vërtetë, mbi gjithçka tjetër, është frymore dhe në Bethel mbretëron gjendja e mirë frymore. Ne kemi mundësi të kultivojmë frytet e frymës. (Galatasve 5:22, 23) Ushqimi i pasur frymor që marrim gjatë trajtimit të shkrimit të ditës nga Bibla dhe gjatë studimit familjar të Kullës së Rojës më ndihmon, duke më forcuar për shërbimin në Bethel. Për më tepër, mundësia për t’u shoqëruar me vëllezër e motra me mendje të drejtuar nga gjërat frymore, të cilët kanë qenë në shërbim të Jehovait besnikërisht për dekada, e bën Bethelin një vend unik, në të cilin mund të rritesh frymësisht. Edhe pse kanë kaluar 17 vjet që kur më kanë ndarë nga vajza ime, në Bethel kam gjetur shumë të rinj të zellshëm, të cilët i konsideroj si fëmijët e mi dhe kam gjetur kënaqësi në progresin e tyre frymor. Gjatë tetë vjetëve të kaluar, kam pasur shtatë caktime të ndryshme. Edhe pse këto ndryshime nuk kanë qenë gjithnjë të lehta, kjo stërvitje del e dobishme me kalimin e kohës.

Në kopshtin tim rritja një lloj bathe, e cila prodhonte njëqindfish. Në mënyrë të ngjashme, e kam provuar se kur mbjell atë që është e keqe, do të korrësh njëqind herë më keq, e jo një të korrë të vetme. Përvoja është një shkollë ku mësimet paguhen shumë shtrenjtë. Do të preferoja të mos isha regjistruar kurrë në atë shkollë, por, përkundrazi, të isha rritur në udhët e Jehovait. Sa privilegj të madh kanë ata të rinj që janë rritur nga prindër të krishterë! Pa asnjë dyshim, është më mirë të mbjellësh atë që është e mirë në shërbim të Jehovait dhe të korrësh njëqind herë më shumë paqe e kënaqësi.—Galatasve 6:7, 8.

Kur isha pionier, disa herë kaloja nga libraria me libra fetarë, mbi murin e së cilës kishim shkruar sloganin anarkist. Kam qenë madje edhe brenda saj dhe kam folur me pronarin lidhur me Perëndinë e gjallë dhe me qëllimin e Tij. Po, Perëndia është i gjallë! Për më tepër, Jehovai, Perëndia i vetëm i vërtetë, është një Atë besnik, i cili nuk i braktis kurrë bijtë e tij. (Zbulesa 15:4) Uroj që shumë njerëz të tjerë nga të gjitha kombet të gjejnë parajsën frymore tani dhe Parajsën e rivendosur që do të vijë, duke i shërbyer dhe duke lavdëruar Perëndinë e gjallë, Jehovain!

[Shënimi]

a Botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

[Figurat në faqen 26]

I prekur nga mrekullitë e krijimit, vendosa në zemrën time të besoja te Perëndia. (Djathtas) Në shërbimin në Bethel sot

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo