Çmimi i krenarisë: Sa i lartë?
A KE pasur të bësh ndonjëherë me një person që është përpjekur qëllimisht të të bëjë të ndihesh i parëndësishëm? Ndoshta ke pasur të bësh me një administrator, një pronar, një përgjegjës ose madje me një të afërm që të ka parë me përçmim dhe të ka trajtuar me mospërfillje të plotë? Si je ndier për atë person? A të ka tërhequr personaliteti i tij? Patjetër që jo! Pse? Sepse krenaria krijon pengesa dhe i zë frymën komunikimit.
Krenaria e bën një person të nënvlerësojë këdo tjetër, kështu që ai ose ajo duket gjithnjë më lart se të tjerët. Personi me një qëndrim të tillë rrallë thotë ndonjë fjalë të mirë për të tjerët. Ka gjithnjë ndonjë shprehje cilësuese negative, si: «Po, mund të jetë e vërtetë, por ai ka këtë problem ose atë të metë.»
Në librin Mendime të arta në fjalë të argjendta (Thoughts of Gold in Words of Silver), krenaria përshkruhet si «një ves tejet shkatërrimtar. Ajo e përpin një person, duke lënë prej tij shumë pak për ta admiruar». A është për t’u çuditur që asnjë njeri nuk ndihet rehat kur ka pranë një person krenar? Në fakt, çmimi që paguhet për krenarinë shpesh është mungesa e miqve të vërtetë. «Në kontrast,—vazhdon të thotë libri,—bota pëlqen të përulurit, jo ata të përulur që janë krenarë për këtë fakt, por ata që janë vërtet të përulur.» Në mënyrë të përshtatshme, Bibla pohon: «Krenaria e një njeriu i sjell atij poshtërim, ai që e përul veten do të fitojë nder.»—Fjalët e urta 29:23, The Jerusalem Bible.
Por, më e rëndësishme se miqësia ose nderimi nga njerëzit, si ndikon krenaria në marrëdhënien e një personi me Perëndinë? Si i konsideron Perëndia krenarët, fodullët dhe mendjemëdhenjtë? Krenaria ose përulësia, a kanë rëndësi për të?
Një mësim mbi përulësinë
Shkrimtari i frymëzuar i librit të Fjalëve të urta pohon: «Krenaria është para rrëzimit dhe një frymë fodullëku para pengimit. Më mirë është të jesh i përulur në frymë me zemërbutët, sesa të ndash plaçkë me ata që lartësojnë veten.» (Fjalët e urta 16:18, 19, BR) Mençuria e këtyre fjalëve vërtetohet mirë në rastin e gjeneralit sirian Naamanit, i cili jetoi në kohën e profetit izraelit Elise.
Naamani ishte i lebrosur. Në kërkim të një kure, ai udhëtoi për në Samari, duke menduar se do të pritej personalisht nga Eliseu. Por në vend të kësaj, profeti dërgoi shërbëtorin e tij me udhëzimet që Naamani të lahej shtatë herë në lumin Jordan. Naamani u fye nga trajtimi që iu bë dhe nga këshilla që iu dha. Pse nuk erdhi personalisht profeti dhe t’i fliste në vend që të dërgonte një shërbëtor? E patjetër që çdo lumë i Sirisë ishte po aq i mirë sa edhe Jordani! Problemi i tij ishte krenaria. Rezultati? Lumturisht për të, këshilla e mençur mbizotëroi. «Atëherë ai zbriti dhe u zhyt shtatë herë në Jordan, sipas fjalës së njeriut të Perëndisë, mishi i tij u bë si mishi i një fëmije të vogël dhe ai u pastrua.»—2. Mbretërve 5:14.
Disa herë, vetëm pak përulësi, të sjell dobi të mëdha.
Çmimi i arrogancës
Megjithatë, çmimi që duhet të paguajmë për krenarinë mund të jetë shumë më i lartë se thjesht mosarritja e disa dobive ose fitimeve. Ekziston edhe një shkallë tjetër e krenarisë që bëhet e qartë në fjalën greke hybris. Sipas dijetarit të greqishtes Uiliam Barklei, «hybris është krenari e përzier me mizori . . . , një shpërfillje arrogante që e bën [një njeri] të marrë nëpër këmbë të tjerët».
Një shembull i qartë i kësaj lloj krenarie të tepruar shfaqet në Bibël. Bëhet fjalë për rastin e Hanunit, mbretit të Amonit. Libri Mendjehollësi mbi Shkrimet shpjegon: «Për shkak të dashamirësisë së dashur që Nahashi kishte treguar ndaj Davidit, ky dërgoi lajmëtarë që ta ngushëllonin Hanunin për humbjen e të atit. Por Hanuni, i bindur nga princat e tij se kjo ishte thjesht një dredhi nga ana e Davidit për të vëzhguar qytetin, i çnderoi shërbëtorët e Davidit, duke u rruajtur gjysmën e mjekrës dhe duke i prerë veshjet e tyre përgjysmë deri te vithet e i dëboi.»a Në lidhje me këtë incident, Barklei vëren: «Ky trajtim ishte hybris. Ishte fyerje, ofendim e poshtërim publik, të kombinuara së bashku.»—2. Samuelit 10:1-5, BR.
Po, personi krenar arrin të jetë fyes, t’u shkaktojë poshtërim të tjerëve. Ai kënaqet kur e lëndon dikë në mënyrë të pandjeshme e të tërthortë dhe pastaj ngazëllehet me parehatinë dhe turpërimin e personit tjetër. Por rrënimi ose shkatërrimi i respektit që ka një person për vetveten është një shpatë me dy tehe. Pasojat janë humbja e një miku që ka shumë të ngjarë të bëhet një armik.
Si mundet që një i krishterë të shfaqë krenari të tillë të dëmshme, kur Zotëria i tij urdhëroi që ‘ta dojë të afërmin e tij porsi vetveten’? (Mateu 7:12; 22:39) Kjo është thjesht kontradiktore me gjithçka që personifikojnë Perëndia dhe Krishti. Për këtë arsye, Barklei bën një koment të rëndësishëm: «Hybris është krenaria që e bën një njeri të sfidojë Perëndinë.» Është krenaria që thotë: «Nuk ka Jehova.» (Psalmi 14:1, BR) Ose siç e gjejmë të shprehur në Psalmin 10:4: «I ligu, në përputhje me arrogancën e tij, nuk bën asnjë kërkim; të gjitha mendimet e tij janë: ‘Nuk ka asnjë Perëndi.’» (BR) Një krenari ose fodullëk i tillë e largon një person jo vetëm nga miqtë dhe nga të afërmit, por edhe nga Perëndia. Sa çmim i lartë për t’u paguar!
Mos e lër krenarinë të të gërryejë
Krenaria mund të ketë shumë fytyra: krenari që buron nga nacionalizmi, nga racizmi, nga dallimet klasore dhe fisnore, nga arsimimi, pasuria, prestigji dhe fuqia. Në një mënyrë ose në një tjetër, krenaria mund ta pushtojë dhe ta gërryejë personalitetin tënd.
Shumë njerëz duken se janë të përulur kur kanë të bëjnë me eprorët ose edhe me bashkëmoshatarët e tyre. Por çfarë ndodh kur një person në dukje i përulur zë një pozitë autoriteti? Menjëherë ai bëhet despot, duke ua nxirë jetën atyre që mendon se janë më të ulët se ai! Kjo mund t’u ndodhë disave kur veshin një uniformë ose mbajnë një distinktiv që tregon njëfarë pushteti. Edhe nëpunësit qeveritarë mund të bëhen krenarë kur kanë të bëjnë me popullin, duke menduar se populli duhet t’u shërbejë atyre e jo anasjelltas. Krenaria mund të të bëjë të ashpër, të pandjeshëm, kurse përulësia mund të të bëjë të butë.
Jezui mund të kishte qenë krenar dhe i ashpër me dishepujt e tij. Ai ishte një njeri i përsosur, Biri i Perëndisë dhe kishte të bënte me ithtarë të papërsosur, impulsivë dhe të rrëmbyer. Megjithatë, cilën ftesë u dha ai atyre që e dëgjonin? «Ejani tek unë, të gjithë ju që jeni të munduar e të rënduar dhe unë do t’ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse jam i butë në karakter dhe i përulur në zemër e do të gjeni freski për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e këndshme dhe pesha ime është e lehtë.»—Mateu 11:28-30, BR.
A përpiqemi gjithnjë të ndjekim shembullin e Jezuit? Ose zbulojmë që jemi të ashpër, të sertë, despotikë, të pamëshirshëm, krenarë? Ngjashëm Jezuit, përpiqu të freskosh, jo të shtypësh. Rezistoji efektit gërryes të krenarisë.
Duke pasur parasysh gjithë sa thamë më lart, a është e gabuar çdo lloj krenarie?
Respekti për veten kundër mendjemadhësisë
Krenaria është edhe «një respekt i arsyeshëm ose i përligjshëm për veten». Respekt për veten do të thotë të kesh respekt për personin tënd. Do të thotë se të intereson ajo që njerëzit e tjerë mendojnë për ty. Kujdesesh për pamjen tënde të jashtme dhe për reputacionin tënd. Proverbi spanjoll është me vend: «Më thuaj me cilin rri, të të them se cili je.» Nëse parapëlqen të shoqërohesh me njerëz që janë shkatarraqë, dembelë, të pagdhendur dhe të ndyrë nga goja, do të bëhesh si ata. Qëndrimet e tyre do të kalojnë te ti dhe, ashtu si ata, do të të mungojë respekti për veten.
Sigurisht, ekziston edhe ekstremi tjetër: krenaria që çon në mendjemadhësi ose në sqimë për veten. Skribët dhe farisenjtë në ditët e Jezuit ishin krenarë për traditat e tyre dhe për pamjen e tyre të jashtme tej mase fetare. Jezui paralajmëroi në lidhje me ta: «Të gjitha veprat që bëjnë, ata i bëjnë për t’u parë nga njerëzit, sepse ata i zgjerojnë kutitë që përmbajnë shkrimin, të cilat i veshin si mbrojtje dhe i zgjatin thekët e veshjeve të tyre [për t’u dukur më të devotshëm]. Ata pëlqejnë vendin më të rëndësishëm në vaktet e mbrëmjeve, vendet e para në sinagoga, përshëndetjet në sheshet e tregut dhe të quhen Rabi nga njerëzit.»—Mateu 23:5-7, BR.
Pra, ajo që nevojitet është një qëndrim i ekuilibruar. Kujto, gjithashtu, se Jehovai sheh zemrën e jo thjesht dukjen e jashtme. (1. Samuelit 16:7; Jeremia 17:10) Drejtësia ‘e tepërt’ nuk është drejtësia e Perëndisë. Megjithatë, pyetja tani është: Si mund të kultivojmë përulësi të vërtetë dhe të shmangim pagimin e çmimit të lartë të krenarisë?
[Shënimi]
a Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc, anglisht.
[Figura në faqen 4]
Pak përulësi i solli dobi të mëdha Naamanit