Ata bënë vullnetin e Jehovait
Jezui harxhoi kohë me fëmijët
SHËRBIMIT prej tre vjet e gjysmë të Jezuit po i afrohej fundi. Shpejt ai do të hynte në Jerusalem dhe do të vuante një vdekje agonike. Ai e dinte mirë se çfarë e priste përpara, sepse ai u kishte thënë dishepujve të tij: «Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve dhe ata do ta vrasin.»—Marku 9:31.
Sigurisht, Jezui do të donte ta shfrytëzonte deri në fund çdo ditë, çdo orë, çdo minutë që i mbetej. Dishepujt e tij kishin akoma nevojë për kujdes. Jezui e kuptoi se ata kishin akoma nevojë për këshillë paralajmëruese të fortë për sa i përket nevojës për përulësi dhe rrezikut të kudondodhur për t’u penguar. (Marku 9:35-37, 42-48) Ata kishin nevojë edhe për udhëzime lidhur me martesën, divorcin dhe beqarinë. (Mateu 19:3-12) Duke e ditur se shpejt do të vdiste, padyshim Jezui u foli dishepujve të tij në mënyrë të përmbledhur dhe me një sens urgjence. Koha ishte e çmuar—një fakt që e bëri atë ç’ka kreu Jezui shumë më tepër të rëndësishme.
Jezui mirëpret fëmijët
Tregimi i Biblës thotë: «Atëherë i prunë disa fëmijë të vegjël që ai t’i prekte ata.» Kur dishepujt e panë këtë gjë, menjëherë shprehën mosaprovimin e tyre. Ndoshta arsyetonin se Jezui ishte tepër i rëndësishëm ose tepër i zënë për t’u marrë me fëmijët. Imagjinoni habinë e dishepujve kur Jezui u indinjua me ta! «I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë,—u tha ai atyre. Mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë.» Pastaj Jezui shtoi: «Në të vërtetë po ju them, se kushdo që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk do të hyjë në të.»—Marku 10:13-15.
Jezui shihte te fëmijët cilësi të admirueshme. Ata zakonisht janë kureshtarë dhe gati për të besuar. Ata do të pranojnë fjalët e prindërve të tyre dhe madje do t’i mbrojnë ata përpara fëmijëve të tjerë. Natyra e tyre e mprehtë dhe e gatshme për të mësuar, është e denjë për t’u imituar nga të gjithë ata që duan të hyjnë në Mbretërinë e Perëndisë. Siç tha Jezui, «sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë».—Krahaso Mateu 18:1-5.
Jezui nuk po i përdorte thjesht këta fëmijë vetëm sa për ilustrim. Tregimi tregon qartë se Jezuit i pëlqente me të vërtetë të rrinte pranë tyre. Marku raporton se Jezui «i mori në krahë, i bekoi duke vënë duart mbi ta». (Marku 10:16) Vetëm tregimi i Markut përfshin detajin e ngrohtë që Jezui «i mori në krahë».a Jezui e tejkaloi, kështu, shpresën e të rriturve, të cilët i sollën këta fëmijë te Jezui që të paktën të mund t’i «prekte» ata.
Çfarë kuptimi ka që Jezui «vuri duart» mbi fëmijët? Këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë ceremoni fetare, të tillë si pagëzimi. Ndërsa në disa raste vënia e duarve nënkuptonte dhënien e një caktimi, në të tjera nënkuptonte thjesht dhënien e një bekimi. (Zanafilla 48:14; Veprat 6:6) Kështu, Jezui mund t’i ketë dhënë thjesht një bekim fëmijëve.
Sidoqoftë, Marku përdor një fjalë të fuqishme për «bekim» (kateulogeʹo), që tregon një forcë intensive. Kjo na tregon se Jezui i bekoi fëmijët në mënyrë të zjarrtë, të butë dhe të ngrohtë. Sigurisht, ai nuk i konsideroi fëmijët si një barrë që i harxhonte kohën.
Një mësim për ne
Qëndrimi i Jezuit në marrëdhëniet me fëmijët, si edhe me të rriturit, nuk ishte as frikësues dhe as kërkues. «Ai duhet të ketë buzëqeshur lirshëm dhe qeshur i gëzuar»,—thotë një vepër referimi. Pa dyshim, njerëzit nga të gjitha moshat ndjeheshin rehat pranë tij. Duke reflektuar mbi shembullin e Jezuit, mund të pyesim veten: «A më shohin të tjerët si një njeri të afrueshëm?», «A dukem tepër i zënë për të mos u merakosur për aktivitetet dhe shqetësimet e të tjerëve?» Kultivimi i një interesi të sinqertë për njerëzit do të na nxitë të japim nga vetja, ashtu si bëri Jezui. Të tjerët do ta kuptojnë interesin tonë të vërtetë dhe do të afrohen.—Fjalët e urta 11:25.
Siç thuhet në tregimin e Markut, Jezui kënaqej kur ishte me fëmijët. Ka të ngjarë që të ketë gjetur kohë për t’i vëzhguar ndërsa luanin, sepse në një prej ilustrimeve të tij ai iu referua lojrave të tyre. (Mateu 11:16-19) Ndoshta disa prej fëmijëve që Jezui bekoi ishin tepër të vegjël për të çmuar se kush ishte ai dhe çfarë mësonte. Por kjo nuk e bëri të ndihej se po humbte kohën kot. Ai harxhoi kohë me fëmijët sepse i donte ata. Ka mundësi që disa prej fëmijëve, të cilët Jezui i takoi gjatë shërbimit, më vonë kanë qenë të nxitur t’i përgjigjeshin dashurisë së tij duke u bërë dishepujt e tij.
Nëse Jezui harxhoi kohë me fëmijët gjatë javëve të fundit më kritike të jetës së tij, sigurisht edhe ne mund të gjejmë kohë për ta në programin tonë të ngarkuar. Duhet të kemi parasysh veçanërisht ata që kanë nevoja të veçanta, si për shembull djemtë e vajzat jetimë. Vërtet, të gjithë fëmijët shkojnë mbarë kur u kushtohet kujdes dhe është dëshira e Jehovait që ne t’u japim atyre të gjithë dashurinë dhe ndihmën që mundemi.—Psalmi 10:14.
[Shënimi]
a Një përkthim thotë se Jezui «i përqafoi ata». Një tjetër thotë se «i mori hopa ata».