Një regjent krenar humbet një perandori
«PËR sa i përket Belshazarit, mbretit,—shkroi profeti Daniel,—ai bëri një gosti të madhe për një mijë të mëdhenj të tij dhe përballë të njëmijëve piu verë.» Por ndërsa banketi vazhdonte, «çehrja e tij ndryshoi në të dhe vetë mendimet e tij filluan ta frikësonin, kyçet e ijeve të tij u liruan dhe vetë gjunjët e tij përpiqeshin me njëri-tjetrin». Pa kaluar nata, «Belshazarin, mbretin kaldeas, e vranë dhe vetë Dari, medasi, mori mbretërinë».—Danieli 5:1, 6, 30, 31, BR.
Kush ishte Belshazari? Si ndodhi që u quajt «mbreti i kaldeasve»? Cila qe saktësisht pozita e tij në Perandorinë Neo-Babilonase? Si e humbi mbretërinë?
Bashkëregjent apo mbret?
Danieli i referohet Nabukodonosorit si të atit të Belshazarit. (Danieli 5:2, 11, 18, 22) Megjithatë, kjo marrëdhënie nuk është e mirëfilltë. Libri Nabonidi dhe Belshazari, nga Raimond P. Dauërti, sugjeron se Nabukodonosori ishte ndoshta gjyshi i tij nga e ëma, Nitokris. Ka mundësi edhe që Nabukodonosori, si pararendës mbretëror, të ishte thjesht «i ati» i Belshazarit për sa i përket fronit. (Krahaso Zanafillën 28:10, 13.) Sidoqoftë, mbishkrimet kuneiforme në disa cilindra argjile të zbuluara në Irakun jugor gjatë shekullit të 19-të, e identifikojnë Belshazarin si birin e madh të Nabonidit, mbreti i Babilonisë.
Meqenëse tregimi në kapitullin 5 të Danielit përqendrohet te ngjarjet që ndodhën natën e rënies së Babilonisë në vitin 539 p.e.s., në të nuk thuhet se si arriti Belshazari të kishte autoritet mbretëror. Por burimet arkeologjike japin njëfarë ideje mbi marrëdhënien që ekzistonte mes Nabonidit dhe Belshazarit. «Tekstet babilonase zbulojnë se Nabonidi ishte një sundimtar i çuditshëm»,—thotë Alen Milard, arkeolog dhe autoritet në fushën e gjuhëve të lashta semitike. Ai shton: «Megjithëse nuk i shpërfillte perënditë e Babilonisë, ai . . . i kushtonte një vëmendje të konsiderueshme perëndisë hënë në dy qytete të tjera, Ur dhe Haran. Për disa vjet gjatë mbretërimit të tij, Nabonidi as që jetoi fare në Babiloni; përkundrazi, qëndroi në oazin e largët të Teimës [apo Tema] në Arabinë veriore.» Duket se një pjesë të madhe të kohës së mbretërimit të tij Nabonidi e kaloi larg kryeqytetit, Babilonisë. Gjatë mungesës së tij, Belshazarit i ishte dhënë autoriteti administrativ.
Duke hedhur më shumë dritë mbi pozitën e vërtetë të Belshazarit, një dokument kuneiform i përshkruar si «Tregimi në vargje i Nabonidit», pohon: «Ai [Nabonidi] ia besoi ‘kampin ushtarak’ (birit) të tij të madh, të parëlindurit; urdhëroi që trupat ushtarake, kudo që ndodheshin në atë vend, të viheshin nën (komandën) e Belshazarit. I la në dorë çdo gjë, [ai] ia besoi mbretërinë Belshazarit.» Pra, Belshazari ishte një bashkëregjent.
Por, a mund të konsiderohet mbret një bashkëregjent? Statuja e një sundimtari të lashtë e gjetur në Sirinë veriore në vitet 70, tregon se nuk ishte diçka e panjohur që një sundimtar të quhej mbret, kur titulli që mbante në fakt, ishte më i ulët. Statuja ishte ajo e një sundimtari të Gozanit dhe mbishkrimi i saj ishte në gjuhën asiriane dhe aramaike. Mbishkrimi aramaik e quante atë burrë, qeveritar të Gozanit, por mbishkrimi paralel aramaik e quante mbret. Kështu që nuk ishte rast pa precedent që në mbishkrimet zyrtare babilonase Belshazari të quhej princ trashëgimtar, ndërkohë që në shkrimin aramaik të Danielit quhej mbret.
Rregullimi për bashkësundim mes Nabonidit dhe Belshazarit vazhdoi deri në ditët e fundit të Perandorisë Neo-Babilonase. Prandaj, pikërisht natën e rënies së Babilonisë, Belshazari i ofroi Danielit që të bëhej sundimtari i tretë në mbretëri, jo i dyti.—Danieli 5:16.
Një regjent me vetëbesim të tepruar dhe krenar
Ngjarjet e fundit të mbretërimit të Belshazarit tregojnë se princi kishte vetëbesim të tepruar dhe ishte krenar. Kur më 5 tetor të vitit 539 p.e.s. sundimit të tij i erdhi fundi, Nabonidi ishte strehuar në Borsipa, sepse ishte mundur nga forcat medo-perse. Vetë Babilonia ishte e rrethuar. Por Belshazari ndihej kaq i sigurt në qytetin e rrethuar nga mure masive, saqë po atë natë «bëri një gosti të madhe për një mijë të mëdhenj të tij». Herodoti, historian grek i shekullit të pestë p.e.s., thotë se brenda qytetit, njerëzit «në atë kohë kërcenin dhe gëzonin».
Por jashtë mureve të Babilonisë, ushtria medo-perse vigjilonte. Nën drejtimin e Kirit, ata kishin devijuar ujërat e lumit Eufrat, i cili kalonte përmes qendrës së qytetit. Luftëtarët e tij ishin gati të kalonin shtratin e lumit duke u llapashitur, sapo niveli i ujit të ulej mjaftueshëm. Ata do të ngjiteshin nëpër pjerrësirë dhe do të hynin në qytet nga dyert e hapura prej bakri që ndodheshin në murin përgjatë lumit.
Nëse Belshazari do ta kishte vënë re se ç’po bëhej jashtë qytetit, mund t’i kishte mbyllur portat prej bakri, të kishte ngjitur burrat e fuqishëm mbi muret përgjatë lumit dhe ta kishte zënë në grackë armikun. Por në vend të kësaj, nën efektin e verës, Belshazari arrogant kërkoi që të silleshin enët e tempullit të Jehovait. Pastaj ai, mysafirët, gratë dhe konkubinat e tij, me një qëndrim sfidues pinë me to, ndërsa lavdëronin perënditë babilonase. Befas, në mënyrë të mrekullueshme u shfaq një dorë dhe nisi të shkruante në murin e pallatit. I tmerruar, Belshazari thirri të mençurit e tij që të interpretonin mesazhin. Por ata «nuk ishin mjaft kompetentë për të lexuar vetë shkrimin ose për t’i bërë të njohur interpretimin mbretit». Së fundi, ‘përpara mbretit çuan’ Danielin. Nën frymëzimin hyjnor, profeti i guximshëm i Jehovait zbuloi domethënien e mesazhit të shfaqur në mënyrë të mrekullueshme, i cili parathoshte rënien e Babilonisë nga medët dhe persët.—Danieli 5:2-28, BR.
Medët dhe persët e morën me lehtësi qytetin dhe Belshazari nuk u gdhi i gjallë. Me vdekjen e tij dhe me dorëzimin, me sa duket, të Nabonidit te Kiri, Perandoria Neo-Babilonase mori fund.
[Figura në faqen 8]
Danieli interpreton mesazhin e dënimit për Perandorinë Babilonase