A mund ta dallosh të drejtën nga e gabuara?
«Kam qenë personalisht përgjegjës për vrasjen e rreth 25 njerëzve. . . . E kam përpara syve përfytyrimin e asaj ngjarjeje çdo natë, çdo ditë. Kam makthe. . . . Mund të shkoj diku e të shoh një fytyrë që më rikujton njerëzit që kam vrarë. E shoh si të gjallë atë ngjarje, sikur të ketë ndodhur sot, pikërisht në këtë moment. . . . Nuk mund t’ia fal vetes për gjërat që kam bërë.»—V.S.
«Më urdhëruan të shkoja atje dhe ta eliminoja armikun. . . . Nuk e mendova gjatë se ai armik përbëhej nga burra, gra dhe fëmijë. . . . Atëherë mendova dhe e mendoj akoma, se veprova siç më kishin drejtuar, zbatova urdhrat që më ishin dhënë dhe nuk mendoj se kam gabuar që kam vepruar ashtu.»—U.K.
MË 16 mars, 1968, dy burrat e cituar më sipër morën pjesë në atë që më vonë do të shpallej si një krim i turpshëm lufte. Ata, bashkë me ushtarë të tjerë, hynë në një fshat të vogël vietnamez dhe masakruan qindra civilë, duke përfshirë edhe gra, fëmijë e burra të moshuar. Por, vëreni reagimet e kundërta të këtyre dy ushtarëve. Duket qartë se ushtarin e parë e torturon ajo që ka bërë. I dyti mendon se veprimet e tij ishin të justifikuara. Si ka mundësi që dy njerëz të reagojnë kaq ndryshe ndaj së njëjtës përvojë?
Përgjigjja ka të bëjë me ndërgjegjen, një aftësi të dhënë nga Perëndia që na ndihmon për ta parë ndershmërisht vetveten dhe për të gjykuar veprimet e qëllimet tona. Ndërgjegjja është ndjenja jonë e brendshme e së drejtës dhe e së gabuarës.
Kur marrin vendime, disa njerëz i drejtohen për ndihmë proverbit: «Lëre ndërgjegjen të jetë udhërrëfyesja jote.» Por, mjerisht, ndërgjegjja nuk është gjithnjë e besueshme. Në fakt, shumë njerëz kanë toleruar e madje kanë kryer mizori të tmerrshme dhe ndërgjegjja as që i ka turbulluar fare. (Gjoni 16:2; Veprat 8:1) Siç e vërejti një herë romancieri anglez Samuel Butler, ndërgjegjja «shpejt pushon t’u flasë atyre që nuk dëshirojnë ta dëgjojnë atë».
A mund t’i besosh ndërgjegjes sate? Përgjigjja varet shumë nga sa mirë është stërvitur ajo, siç do ta tregojë artikulli vijues.
[Burimi i figurës në faqen 3]
Skena e luftës sipër: Foto e U.S. Signal Corps