Kriza e besimit: Pse?
‘A MUND t’i zësh besë njeriu sot?’ Ndoshta e ke dëgjuar këtë pyetje nga ndonjë individ i zhgënjyer. Ose ndoshta e ke bërë ti vetë, kur ke qenë emocionalisht i shqetësuar për diçka që ka ndodhur në jetën tënde.
Nuk mund të mohohet se në mbarë botën ekziston një mungesë besimi tek institucionet dhe te njerëzit e tjerë. Shpeshherë, kjo mungesë besimi është e justifikuar. A pret me të vërtetë ndokush që shumica e politikanëve t’i mbajnë të gjitha premtimet e bëra përpara zgjedhjeve? Një anketë e vitit 1990 me 1.000 studentë në Gjermani, tregoi se ndërsa 16,5 për qind e tyre kishin besim se politikanët mund t’i zgjidhnin problemet e botës, dyfishi i tyre shprehu dyshime të mëdha. Gjithashtu, pjesa më e madhe tha se u mungonte besimi në aftësinë e politikanëve për të zgjidhur problemet, si edhe në gatishmërinë e tyre për ta bërë këtë.
Gazeta Stuttgarter Nachrichten ankohej: «Tepër politikanë, në mendjen e tyre kanë në radhë të parë interesat e veta dhe pastaj, ndoshta, ato të zgjedhësve të tyre.» Njerëz në vende të tjera janë të të njëjtit mendim. Gazeta The European tha për një shtet: «Cinizmi i rinisë ndaj politikanëve është më se i bazuar dhe këtë cinizëm e kanë edhe të rriturit.» Ajo vërente se ‘elektorati ua heq rregullisht pushtetin partive politike’. Më tej, gazeta thoshte: «Kujtdo që kalon njëfarë kohe mes të rinjve [atje], i bën menjëherë përshtypje mungesa e besimit dhe ndjenja e çrregullimit.» Por, pa besimin e publikut, arritjet e një qeverie demokratike janë të pakta. Ish-presidenti i SHBA-së, Xhon Kenedi, vërejti: «Baza e një qeverie të efektshme është besimi i publikut.»
Për sa i përket besimit në fushën financiare, ndryshimet e papritura ekonomike dhe projektet e dështuara për t’u pasuruar shpejt, kanë bërë mëdyshës shumë persona. Në tetor të vitit 1997, kur tregu botëror u luhat shumë, një revistë foli rreth «një mungese të shfrenuar besimi dhe hera-herës të paarsyeshme», si dhe për «ngjitjen e mosbesimit». Ajo thoshte, gjithashtu, se «[në një vend aziatik], besimi ka shteruar kaq shumë, saqë vetë ekzistenca e regjimit . . . duket e kërcënuar». Duke përmbledhur, ajo pohonte atë që është e qartë: «Ekonomitë mbështeten te besimi.»
Edhe feja po dështon në ngjalljen e besimit. Gazeta gjermane fetare Christ in der Gegenwart, mjerisht komenton: «Niveli i besimit të popullsisë te kisha vazhdon të bjerë.» Mes viteve 1986 dhe 1992, numri i gjermanëve me shumë ose të paktën me një masë të konsiderueshme besimi te kisha, ra nga 40 në 33 për qind. Në fakt, në ish-Gjermaninë Lindore, ky numër ra nën 20 për qind. Në të kundërt, në ish-Gjermaninë Perëndimore, numri i njerëzve që kishin pak ose aspak besim te kisha u rrit nga 56 në 66 për qind dhe në ish-Gjermaninë Lindore, 71 për qind.
Rënia e besimit është bërë e dukshme edhe në fusha të tjera veç politikës, financës dhe fesë, tri shtyllave të shoqërisë njerëzore. Një shembull tjetër është zbatimi i ligjit. Të çarat në kodet penale, vështirësitë në administrimin me drejtësi të ligjit dhe vendimet e dyshimta gjyqësore, e kanë tronditur fort besimin e njerëzve. Sipas revistës Time, «zhgënjimet e qytetarëve dhe të policisë kanë arritur një pikë mosbesimi ndaj një sistemi që herë pas here i liron kriminelët e rrezikshëm». Për shkak të akuzave për korruptim dhe brutalitet të policisë, edhe besimi te policia ka rënë shumë.
Në lidhje me politikën ndërkombëtare, bisedimet e dështuara për paqen dhe armëpushimet e shkelura nxjerrin në pah mungesën e besimit. Bill Riçardson, ambasador i SHBA-së në Kombet e Bashkuara, ia vë gishtin pengesës kryesore për arritjen e paqes në Lindjen e Mesme, duke thënë thjesht: «Ka mungesë besimi.»
Ndërkohë, në një shkallë më personale, shumë njerëzve u mungon besimi edhe te të afërmit dhe miqtë e ngushtë, pikërisht tek ata të cilëve normalisht njerëzit u drejtohen që t’i kuptojnë dhe të ngushëllohen kur kanë probleme. Kjo ngjan shumë me situatën e përshkruar nga profeti hebre, Mikea: «Mos e besoni shokun, mos i zini besë mikut të ngushtë; ruaji portat e gojës sate nga ajo që prehet mbi gjirin tënd.»—Mikea 7:5.
Shenjë e kohëve
Kohët e fundit u citua ajo që kishte thënë psikologu gjerman Artur Fisher: «Besimi në zhvillimin e shoqërisë dhe tek e ardhmja e vetë individit ka rënë në fakt dramatikisht në të gjitha fushat. Të rinjtë dyshojnë se mund të ndihmohen nga institucionet e shoqërisë. Besimi i tyre, qoftë ai politik ose fetar, qoftë në çdo organizatë tjetër, arrin deri aty sa të mos ekzistojë.» S’është për t’u çuditur që sociologu Ulrik Bek flet për një «kulturë dyshimi» kundrejt autoriteteve, institucioneve dhe ekspertëve që ekzistojnë prej shumë kohësh.
Në një kulturë të tillë, njerëzit kanë prirjen të tërhiqen, të hedhin poshtë çdo autoritet dhe të jetojnë sipas standardeve personale, të marrin vendime të pavarura nga këshillat apo udhëzimet e të tjerëve. Disa bëhen tepër dyshues, madje ndoshta as që duan t’ia dinë për ata, të cilëve mendojnë se s’mund t’u zënë më besë. Ky qëndrim nxit një klimë të dëmshme, si ajo e përshkruar në Bibël: «Në ditët e fundit do të ketë kohë kritike të vështira. Sepse njerëzit do të jenë dashurues të vetvetes, dashurues të parasë, mburravecë, fodullë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pabesë, pa përzemërsi të natyrshme, të mbyllur për çdo marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për të mirën, tradhtarë, kokëfortë, të fryrë nga krenaria, dashurues të kënaqësive, në vend se dashurues të Perëndisë, që kanë një formë të devocionit hyjnor, por që dalin të rremë ndaj fuqisë së saj.» (2. Timoteut 3:1-5, BR; Fjalët e urta 18:1) Vërtet, kriza e sotme e besimit është një shenjë e kohëve, shenjë e «ditëve të fundit».
Në një botë që vuan nga kriza e besimit dhe që është plot e përplot me njerëz si ata të përshkruar më sipër, jeta nuk mund të gëzohet me të vërtetë tërësisht. Por a është realiste të mendojmë se gjërat do të ndryshojnë? A mund të kapërcehet kriza e sotme e besimit? Nëse po, si dhe kur?