Të vlerësojmë shumë privilegjet e shërbimit të shenjtë
CAKTIMET në shërbimin e shenjtë nuk duhen nënvlerësuar. Kur priftërinjtë në Judën e lashtë treguan një qëndrim indiferent ndaj privilegjeve të tyre në lidhje me tempullin e Jehovait, ai i qortoi rëndë ata. (Malakia 1:6-14) E kur disa persona në Izrael i nxitën nazirejtë që t’i trajtonin pa seriozitet përgjegjësitë që kishin pranuar në lidhje me shërbimin e tyre të shenjtë, Jehovai i qortoi ata izraelitë mëkatarë. (Amosi 2:11-16) Edhe të krishterët e vërtetë angazhohen në shërbimin e shenjtë dhe e marrin seriozisht atë. (Romakëve 12:1) Ky shërbim i shenjtë ka shumë aspekte, e që të gjitha janë të rëndësishme.
Kur Jezui ishte ende në tokë me ithtarët e tij, ai i stërviti ata që të ishin lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë. Me kalimin e kohës, mesazhi i tyre do të arrinte deri në skajin e dheut. (Mateu 28:19, 20; Veprat 1:8) Ky predikim ka marrë një urgjencë edhe më të madhe gjatë ditëve përfundimtare të sistemit të tanishëm të gjërave.
Të gjithë Dëshmitarët e Jehovait marrin pjesë në këtë vepër. Qindra mijë gjejnë gëzim kur e bëjnë këtë duke shërbyer si pionierë. Për të përmbushur nevojat e rëndësishme në veprën mbarëbotërore, mijëra prej tyre janë vënë në dispozicion për shërbimin e plotëkohor në Bethel, në veprën udhëtuese si mbikëqyrës qarkorë e krahinorë ose në shërbimin misionar. Çfarë mund të përfshijë kjo gjë nga ana e atyre që duan të vazhdojnë në këtë shërbim special?
Kur ekzistojnë nevoja të ngutshme familjare
Para se të ndërmarrë shërbimin e plotëkohor, një person zakonisht duhet të bëjë disa rregullime në rrethanat e tij. Jo çdokush mund ta bëjë këtë vepër. Detyrimet biblike që një person tashmë i ka, mund ta bëjnë të pamundur ndërmarrjen e këtij shërbimi. Por, çfarë ndodh kur nevojat urgjente familjare, që ndoshta përfshijnë prindërit e moshuar, bien mbi ata që tashmë janë në shërbim special? Parimet dhe këshillat biblike si ato që vijojnë, japin drejtimin e nevojshëm.
E gjithë jeta jonë duhet të ndërtohet rreth marrëdhënies sonë me Jehovain. (Predikuesi 12:13; Marku 12:28-30) Gjërat e shenjta që na janë besuar për t’u kujdesur duhen vlerësuar shumë. (Luka 1:74, 75; Hebrenjve 12:16) Në një rast, Jezui i tha një burri që duhej të ndryshonte përparësitë e tij se nevojitej që të angazhohej plotësisht në shpalljen e Mbretërisë së Perëndisë. Me sa duket, ai burrë po mendonte ta shtynte për më vonë këtë aktivitet, deri sa t’i vdiste i ati. (Luka 9:59, 60) Nga ana tjetër, Jezui demaskoi mendimin e gabuar të kujtdo që pohonte se ia kishte dedikuar gjithçka Perëndisë e pastaj nuk ‘bënte asgjë për atin e vet ose për nënën e vet’. (Marku 7:9-13) Edhe apostulli Pavël tregoi përgjegjësinë serioze të sigurimit për ‘të vetët’, duke përfshirë edhe prindërit e gjyshërit.—1. Timoteut 5:3-8.
A do të thotë kjo se kur lindin nevoja urgjente, ata që janë në shërbim special duhet të lënë caktimet e tyre që të kujdesen për të tjerët? Mbi përgjigjen ndikojnë shumë faktorë. Vendimi është personal. (Galatasve 6:5) Jo pak veta kanë menduar se, edhe pse e donin shumë caktimin e tyre, do të ishte e mençur të rrinin me prindërit e tyre për t’u dhënë ndihmën e duhur. Pse? Nevoja mund të ketë qenë kritike, mund të mos ketë pasur asnjë pjesëtar tjetër të familjes për të ndihmuar ose kongregacioni lokal mund të mos ketë pasur mundësi të bënte atë që nevojitej. Disa kanë qenë në gjendje të shërbenin si pionierë edhe ndërkohë që jepnin këtë ndihmë. Të tjerë kanë qenë përsëri në gjendje të ndërmarrin shërbimin special në kohë të plotë, pasi ishte zgjidhur situata familjare. Megjithatë, në shumë raste, ka qenë e mundur të zgjidhet situata në mënyra të tjera.
Të mbështetim përgjegjësinë e tyre
Kur kanë lindur nevoja të ngutshme, disa në shërbimin special në kohë të plotë kanë qenë në gjendje t’u kushtojnë vëmendje këtyre nevojave pa lënë caktimet e tyre. Shqyrtoni vetëm disa nga shumë shembujt që ekzistojnë.
Një çift që shërbente në Qendrën Botërore të Dëshmitarëve të Jehovait kishte hyrë në shërbimin në Bethel në vitin 1978, pasi kishte marrë pjesë tashmë në veprën e qarkut dhe atë krahinore. Caktimi i vëllait përfshin një peshë të rëndë përgjegjësie në organizimin teokratik. Por edhe prindërit e tij kanë pasur nevojë për ndihmë. Ky çift bethelit ka bërë tri ose katër vizita çdo vit, një udhëtim vajtje-ardhje rreth 3.500 kilometra, për t’u kujdesur për prindërit. Ata personalisht ndërtuan një shtëpi për të plotësuar nevojat e prindërve. Ka pasur udhëtime edhe për t’u kujdesur për urgjencat mjekësore. Ata kanë përdorur gati-gati të gjitha pushimet e tyre për 20 vjet, me qëllim që të kujdeseshin për këtë përgjegjësi. Ata i duan e i nderojnë prindërit, por e çmojnë privilegjin e tyre të shërbimit të shenjtë.
Një vëlla tjetër kishte qenë në veprën udhëtuese për 36 vjet kur u ndesh me atë që e përshkruan si një nga situatat më sfiduese në jetën e tij. Vjehrra e tij 85-vjeçare, një shërbëtore besimplotë e Jehovait, duhej të jetonte me dikë që mund ta ndihmonte. Në atë kohë, pjesa më e madhe e fëmijëve të saj menduan se nuk do të ishte e volitshme që nëna e tyre të jetonte me ta. Një nga të afërmit i tha mbikëqyrësit udhëtues se ai dhe gruaja e tij duhet ta linin atë shërbim dhe, në dobi të familjes, të kujdeseshin për mamanë. Por çifti nuk hoqi dorë nga shërbimi i tij i çmuar, as nuk i mori shtruar nevojat e mamasë. Për nëntë vjetët që pasuan vjehrra ndenji me ta gati gjithmonë. Në fillim ata jetuan në një rulotë, pastaj në apartamente të ndryshme të siguruara nga qarqet. Për periudha të gjata, vëllai, i cili ishte atëherë mbikëqyrës krahinor, vazhdoi të udhëtonte për t’u kujdesur për caktimet e tij, kurse gruaja e tij qëndroi me nënën për të siguruar kujdes të plotë e të dashur. Çdo javë pas mbledhjeve ditën e dielë, burri bënte udhëtime të gjata për në shtëpi që t’i ndihmonte ato. Shumë nga ata që ishin në dijeni të situatës, shprehën çmueshmëri të thellë për atë që po bënte ky çift. Me kalimin e kohës, edhe anëtarë të tjerë të familjes u ndien të shtyrë për të siguruar ndihmë. Mijëra njerëz në popullin e Jehovait vazhdojnë të nxjerrin dobi nga ai çift vetësakrifikues, për faktin se ata u mbajtën fort pas privilegjit të tyre të shërbimit special në kohë të plotë.
Me bashkëpunimin e familjes
Kur pjesëtarë të ndryshëm të familjes e çmojnë vlerën e shërbimit special në kohë të plotë, ata mund të bashkëpunojnë që të paktën disa familjarë të mund të marrin pjesë në të.
Një frymë e tillë bashkëpunimi familjar ka qenë e dobishme për një çift kanadez që shërbejnë si misionarë në Afrikën Perëndimore. Ata nuk pritën derisa të lindte ndonjë urgjencë, thjesht duke shpresuar që të mos ndodhte asgjë. Para se të shkonin në Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit, duke u përgatitur për shërbimin në vend të huaj, burri diskutoi me vëllain e tij më të ri kujdesjen për nënën e tyre në rast se ajo do të sëmurej ose do të bëhej e paaftë. Duke treguar dashurinë për nënën e tyre si edhe çmueshmërinë për vlerën e veprës misionare, vëllai më i ri tha: «Unë tani kam familje dhe fëmijë. Nuk mund të shkoj shumë larg dhe të bëj gjërat që ti mund t’i bësh. Prandaj, po t’i ndodhë ndonjë gjë mamit, unë do të kujdesem për të.»
Një çift që shërben në Amerikën e Jugut mori shumë bashkëpunim nga familja e gruas në kujdesjen për nënën e saj të moshuar. Një nga motrat e misionares dhe burri i saj u kujdesën për nënën derisa ajo motër vdiq nga një sëmundje e rëndë. Çfarë ndodhi më pas? Për të hequr çdo shqetësim, kunati shkroi: «Për sa kohë që unë dhe fëmijët e mi do të jemi gjallë, ju nuk do t’ju duhet kurrë të lini shërbimin tuaj misionar.» Ndihmë e mëtejshme familjare erdhi kur një motër tjetër bashkë me burrin e shitën shtëpinë e tyre dhe u transferuan ku banonte mamaja që të kujdeseshin për të dhe e bënë këtë derisa ajo vdiq. Sa frymë e mirë bashkëpunimi! Të gjithë ata po ndihmonin për të mbështetur shërbimin misionar.
Prindër që i japin lirisht Jehovait
Një çmueshmëri e spikatshme për shërbimin e shenjtë tregohet shpesh nga prindërit. Mes zotërimeve të tyre më të vlefshme me të cilat ata mund të nderojnë Jehovain janë vetë fëmijët e tyre. (Fjalët e urta 3:9) Shumë prindër të krishterë i inkurajojnë fëmijët e tyre që të ndërmarrin shërbimin e plotëkohor. Dhe disa prej tyre ndihen si Ana, kur ia dha birin e saj, Samuelin, Jehovait në shërbimin e tij «për kohë të pacaktuar», domethënë, për «të gjitha ditët e jetës së tij».—1. Samuelit 1:22, 28, BR.
Një prind i tillë i shkroi vajzës së saj në Afrikë: «Ne e falënderojmë Jehovain për privilegjin e mrekullueshëm që ke. Nuk mund të shpresonim për ndonjë gjë më të mirë.» Dhe në një rast tjetër ajo tha: «Është e vërtetë se duhet të bëjmë disa sakrifica duke qenë të ndarë, por çfarë gëzimi ndiejmë kur shohin se si kujdeset Jehovai për ty!»
Pasi kishte rishikuar situatat e ndryshme që kishin lindur në lidhje me kujdesin e nevojshëm për prindërit e tij të moshuar, një misionar në Ekuador shkroi: «Mendoj se ndihma më e madhe që mund të kishim marrë ishin lutjet e babait tim. Pas vdekjes së tij, mamaja na tha: ‘Nuk kaloi kurrë një ditë që babai të mos i lutej Jehovait që t’ju lejonte ju të dyve të mbeteshit në caktimin tuaj.’ »
Një çift i moshuar në Kaliforni, SHBA, ishte i kënaqur që njëri nga bijtë e tyre ishte në shërbimin e plotëkohor. Ai bir dhe gruaja e tij ishin në Spanjë kur i vdiq e ëma. Pjesëtarë të tjerë të familjes menduan se duheshin bërë rregullime për t’u kujdesur për babain. Duke qenë se ata ishin të zënë me punën në botë dhe me rritjen e fëmijëve, nuk mendonin se mund ta merrnin mbi vete këtë përgjegjësi. Në vend të kësaj, ata e nxitën çiftin që ishte në shërbim special në kohë të plotë që të ktheheshin në shtëpi dhe të kujdeseshin për babain. Megjithatë, babai, edhe pse ishte 79 vjeç, kishte akoma një shëndet të mirë dhe kishte një pamje të qartë frymore. Në një mbledhje të familjes, pasi disa pjesëtarë ishin shprehur, babai u ngrit dhe tha prerë: «Unë dua që ata të kthehen në Spanjë dhe të vazhdojnë veprën.» Ata bënë kështu, por edhe ndihmuan në mënyra konkrete. Caktimi i tyre i tanishëm është në veprën e qarkut në Spanjë. Që nga ajo mbledhje e familjes, pjesëtarë të tjerë të familjes kanë treguar çmueshmëri për atë që po bën çifti në shërbimin në vend të huaj. Pas disa vitesh, një nga djemtë e tjerë e mori babain në shtëpinë e vet që të kujdesej për të derisa vdiq.
Në Pensilvani, SHBA, një vëlla i mirosur, i cili kishte shërbyer si pionier për rreth 40 vjet, ishte më shumë se 90 vjeç kur gruaja e tij u sëmur rëndë dhe vdiq. Ai kishte një djalë e tri vajza, përveç shumë fëmijëve frymorë. Një nga vajzat e tij kishte qenë në shërbimin e plotëkohor për më shumë se 40 vjet, duke shërbyer me burrin e saj si misionare, në veprën udhëtuese dhe në Bethel. Ajo ndihmoi në bërjen e rregullimeve që babait t’i jepej një kujdes i përshtatshëm. Edhe vëllezërit lokalë ndihmuan, duke e shoqëruar në mbledhje në Sallën e Mbretërisë. Më vonë, pasi i vdiq burri, vajza e pyeti babain nëse donte që ajo ta linte Bethelin që të kujdesej për të. Ai i vlerëson shumë gjërat e shenjta dhe mendoi se kishte mënyra të tjera për t’u kujdesur për nevojat e tij. Prandaj u përgjigj: «Kjo do të ishte gjëja më e keqe që mund të bëje, e do të ishte akoma më keq nëse unë do të të lejoja që të bëje një gjë të tillë.»
Kongregacione mbështetëse
Disa kongregacione janë treguar shumë të gatshme në kujdesjen për prindërit e moshuar të atyre në shërbimin special në kohë të plotë. Ato çmojnë veçanërisht ata që i kanë kushtuar shumë vite këtij shërbimi. Edhe pse nuk mund t’i çlirojnë nga përgjegjësitë biblike, këto kongregacione mund të bëjnë shumë për ta lehtësuar peshën e fëmijëve aq sa të mos jetë e nevojshme që ata të lënë caktimet e tyre speciale.
Një çift nga Gjermania kishte qenë në caktim në vend të huaj për rreth 17 vjet, kryesisht në veprën udhëtuese, kur nevojat e nënës së tij të moshuar u rritën. Çdo vit ata i përdornin pushimet e tyre për ta ndihmuar atë. Dëshmitarët fqinj siguruan, gjithashtu, ndihmë të dashur. Pastaj, kur ky çift në shërbim të plotëkohor ishte me nënën e tij gjatë një periudhe kritike, pleqtë e kongregacionit rregulluan që të takoheshin me ta. Ata ishin të vetëdijshëm për atë që ai çift po bënte rregullisht për nënën. E çmonin edhe vlerën e shërbimit special në të cilin po merrte pjesë ky çift. Kështu që pleqtë hartuan një program të propozuar kujdesjeje për nënën dhe pastaj thanë: «Ju nuk jeni në gjendje të kujdeseni për të më shumë sesa po bëni tani, ne do t’ju ndihmojmë që të mund të mbeteni në caktimin tuaj në Spanjë.» Për shtatë vitet e kaluara këta pleq kanë vazhduar të bëjnë kështu.
Ngjashëm, një vëlla, i cili ka shërbyer në Senegal që nga viti 1967, mori shumë mbështetje të dashur nga kongregacioni ku ndodhej babai i tij. Kur lindi një problem, me bashkëpunimin e gatshëm të gruas së tij të dashur, burri udhëtoi vetëm për në Shtetet e Bashkuara që të ndihmonte prindërit e tij. E pa të nevojshme të qëndronte atje për disa muaj. Situata ishte e vështirë, por kur ai kishte bërë atë që mundte, kongregacioni e mori situatën në dorë dhe ndihmoi që ai të mund të vazhdonte shërbimin e tij misionar. Për një periudhë 18-vjeçare, kongregacioni siguroi ndihmë të dashur në mënyra të panumërta, së pari për babain (edhe pse shumë prej tyre ai nuk i njihte më) dhe më pas për nënën. A e liroi kjo gjë djalin nga përgjegjësia? Jo, ai shpesh udhëtonte nga Senegali dhe i përdori pushimet e tij për të siguruar të gjithë ndihmën që mundte. Por shumë veta në atë kongregacion patën kënaqësinë e dijenisë se po merrnin pjesë në mbajtjen e një çifti të palodhur në shërbimin special në kohë të plotë në Senegal.
Jezui tha se ata që linin gjithçka për hir të lajmit të mirë do të kishin vëllezër, motra, nëna dhe fëmijë njëqindfish. (Marku 10:29, 30) Kjo është patjetër e vërtetë mes shërbëtorëve të Jehovait. Një çift që tani shërben në Benin, Afrika Perëndimore, e përjetoi këtë në një mënyrë të veçantë, kur dy Dëshmitarë në kongregacionin e prindërve të tyre u thanë atyre që të mos shqetësoheshin për prindërit. Ata shtuan: «Prindërit tuaj janë edhe prindërit tanë.»
Po, ka shumë mënyra në të cilat ne mund të tregojmë se i vlerësojmë shumë privilegjet e shërbimit të shenjtë. A ka mënyra në të cilat ju mund ta bëni këtë edhe më plotësisht?
[Figurat në faqen 26]
Ata e kanë vënë veten në dispozicion për shërbimin special në kohë të plotë