BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w98 15/7 f. 9-14
  • Të ruhemi nga mungesa e besimit

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Të ruhemi nga mungesa e besimit
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Pse një këshillë kaq e fortë?
  • Një më i madh se Moisiu
  • «Mos i ngurtësoni zemrat tuaja»
  • Mësim për ne
  • Mos u dorëzo në garën për jetë!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Libri biblik numër 58​—Hebrenjve
    «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
  • Një letër për të qëndruar besnikë deri në fund
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • Le të jemi lloji që ka besim!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
w98 15/7 f. 9-14

Të ruhemi nga mungesa e besimit

«Ruhuni, vëllezër, nga frika se mos zhvillohet te ndonjëri prej jush një zemër e ligë, së cilës i mungon besimi, duke u larguar nga Perëndia i gjallë.»—HEBRENJVE 3:12, BR.

1. Te cili realitet tronditës e tërheqin vëmendjen tonë fjalët e Pavlit drejtuar të krishterëve hebrenj?

Ç’MENDIM i frikshëm: njerëz që dikur gëzonin një marrëdhënie personale me Jehovain, mund të zhvillonin një «zemër të ligë» dhe të ‘largoheshin nga Perëndia i gjallë’! Dhe ç’paralajmërim është ky! Këto fjalë të apostullit Pavël nuk iu drejtuan jobesimtarëve, por njerëzve që ia kishin dedikuar jetën e tyre Jehovait, mbi bazën e besimit në flijimin shpërblerës të Jezu Krishtit.

2. Cilat pyetje duhet të shqyrtojmë?

2 Si mundej dikush, në një gjendje të tillë të bekuar frymore, të zhvillonte «një zemër të ligë, së cilës i mungon besimi»? Si, në fakt, mundte dikush që kishte shijuar dashurinë dhe dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë, të largohej me dashje prej tij? Gjithashtu, a mund t’i ndodhë kjo ndonjërit prej nesh? Këto janë mendime që të zhytin në meditim dhe na takon neve të shqyrtojmë arsyen që ndodhet pas këtij paralajmërimi.—1. Korintasve 10:11.

Pse një këshillë kaq e fortë?

3. Përshkruaj rrethanat që ndikonin te të krishterët e shekullit të parë në Jerusalem dhe përreth tij.

3 Duket se Pavli ua drejtoi letrën e tij të krishterëve hebrenj në Jude, në vitin 61 të e.s. Një historian vërejti se kjo ishte koha kur «nuk kishte paqe ose siguri për asnjë njeri serioz dhe të ndershëm, as në qytetin e Jerusalemit dhe as kudo gjetkë në mbarë provincën». Ishte një kohë paligjshmërie dhe dhune, të nxitura nga një përzierje e pranisë shtypëse ushtarake romake me kapadaillëkun e zelotëve hebrenj antiromakë dhe me veprimtarinë kriminale të hajdutëve, të cilët përfitonin nga kohërat kaotike. E gjithë kjo i bënte shumë të vështira gjërat për të krishterët, të cilët përpiqeshin shumë për të mos u ngatërruar në çështje të tilla. (1. Timoteut 2:1, 2) Në fakt, për shkak të qëndrimit të tyre asnjanës, ata konsideroheshin nga disa si persona të papërshtatshëm për shoqërinë, madje kryengritës. Shpesh, të krishterët keqtrajtoheshin dhe pësonin humbje personale.—Hebrenjve 10:32-34.

4. Cilit presion me natyrë fetare i ishin nënshtruar të krishterët hebrenj?

4 Të krishterët hebrenj ishin edhe nën presionin e madh të një natyre fetare. Zelli i dishepujve besimplotë të Jezuit dhe, si rezultat, rritja e shpejtë e kongregacionit të krishterë, provokoi xhelozinë dhe zemërimin e judenjve, sidomos të krerëve të tyre fetarë. Ata nuk i ndalte asgjë, kur ishte fjala për të mos lënë të qetë dhe për të persekutuar ithtarët e Jezu Krishtit.a (Veprat 6:8-14; 21:27-30; 23:12, 13; 24:1-9) Edhe nëse disa të krishterë i kishin shpëtuar persekutimit të hapur, gjithsesi përçmoheshin dhe talleshin nga judenjtë. Krishterimi përbuzej si një fe në hapat e parë, së cilës i mungonte madhështia e judaizmit, sepse s’kishte as tempull, as priftëri, as festa, as flijime formale e kështu me radhë. Edhe kreu i tyre, Jezui, ishte dënuar me vdekje si kriminel. Për të praktikuar fenë e tyre, të krishterëve u duhej besim, kurajë dhe qëndrueshmëri.

5. Pse për të krishterët në Jude ishte thelbësore të qëndronin syçelur frymësisht?

5 Mbi të gjitha, të krishterët hebrenj në Jude jetonin në një periudhë kritike të historisë së atij kombi. Shumë gjëra, për të cilat Zotëria i tyre Jezu Krisht tha se do të shënonin fundin e sistemit judaik, tashmë kishin ndodhur. Fundi nuk mund të ishte shumë larg. Për të mbijetuar, të krishterëve u duhej të qëndronin syçelur frymësisht dhe të ishin gati për të ‘ikur drejt maleve’. (Mateu 24:6, 15, 16, BR) A do ta kishin besimin dhe qëndresën frymore që nevojitej për të ndërmarrë veprime të menjëhershme, siç kishte udhëzuar Jezui? Dukej se ekzistonte njëfarë dyshimi.

6. Për çfarë kishin urgjentisht nevojë të krishterët në Jude?

6 Gjatë dekadës së fundit përpara shpërbërjes së krejt sistemit judaik të gjërave, të krishterët hebrenj ishin qartësisht nën presion të fortë nga brenda dhe nga jashtë kongregacionit. Ata kishin nevojë për inkurajim. Por kishin nevojë edhe për këshilla dhe drejtim, që t’i ndihmonin të kuptonin se rruga që kishin zgjedhur ishte e drejtë dhe se nuk kishin vuajtur dhe duruar më kot. Lumturisht, Pavli u tregua në lartësinë e situatës dhe u erdhi në ndihmë.

7. Pse duhet të na interesojë ajo që u shkroi Pavli të krishterëve hebrenj?

7 Ajo që u shkroi Pavli të krishterëve hebrenj duhet të jetë e një interesi tejet të madh për ne. Pse? Sepse jetojmë në një kohë paralele me të tyren. Përditë ndiejmë presionet e botës së kontrolluar nga Satanai. (1. Gjonit 5:19) Para syve tanë po përmbushen profecitë e Jezuit dhe të apostujve në lidhje me ditët e fundit dhe me «përfundimin e sistemit të gjërave». (Mateu 24:3-14; 2. Timoteut 3:1-5; 2. Pjetrit 3:3, 4; Zbulesa 6:1-8) Mbi të gjitha, duhet të qëndrojmë syçelur frymësisht, që ‘t’ia dalim t’u ikim këtyre gjërave që janë paracaktuar të ndodhin’.—Luka 21:36, BR.

Një më i madh se Moisiu

8. Duke thënë atë që gjendet në Hebrenjve 3:1, çfarë po i nxiste Pavli të bënin bashkë të krishterët e tij?

8 Duke përmendur një pikë jetësore, Pavli shkroi: «Shqyrtoni apostullin dhe kryepriftin që rrëfejmë: Jezuin.» (Hebrenjve 3:1, BR) Të «shqyrtosh» do të thotë «të perceptosh qartë . . . , të kuptosh plotësisht, të shqyrtosh nga afër». (Vine’s Expository Dictionary of Old and New Testament Words) Në këtë mënyrë, Pavli po i nxiste bashkëbesimtarët e tij të bënin një përpjekje të zellshme, që të arrinin në një çmueshmëri të vërtetë për rolin që luante Jezui në besimin dhe në shpëtimin e tyre. Bërja e kësaj do të forconte vendosmërinë e tyre për të qëndruar të patundur në besim. Cili, pra, ishte roli i Jezuit dhe pse duhet ta «shqyrtojmë» atë?

9. Pse Pavli iu referua Jezuit si «apostull» dhe «kryeprift»?

9 Pavli i aplikoi Jezuit termat «apostull» dhe «kryeprift». «Apostull» është dikush i dërguar dhe këtu ka të bëjë me mjetin e Perëndisë për të komunikuar me njerëzimin. «Kryeprift» është ai nëpërmjet të cilit njerëzit mund t’i afrohen Perëndisë. Këto dy masa janë thelbësore për adhurimin e vërtetë dhe Jezui është trupëzimi i të dyjave. Ai është i dërguari nga qielli për t’i mësuar njerëzimit të vërtetën rreth Perëndisë. (Gjoni 1:18; 3:16; 14:6) Jezui është edhe i emëruari si Kryeprifti antitipik në rregullimin e tempullit frymor të Jehovait për faljen e mëkatit. (Hebrenjve 4:14, 15; 1. Gjonit 2:1, 2) Nëse çmojmë me të vërtetë bekimet që mund të fitojmë nëpërmjet Jezuit, do të kemi kurajën dhe vendosmërinë për të mbetur të patundur në besim.

10. (a) Si i ndihmoi Pavli të krishterët hebrenj të çmonin epërsinë e krishterimit mbi judaizmin? (b) Cilën të vërtetë universale citoi Pavli për të përforcuar pikën që donte?

10 Për të theksuar vlerën e besimit të krishterë, Pavli e krahasoi Jezuin me Moisiun, të cilin judenjtë e konsideronin si profetin më të madh mes paraardhësve të tyre. Nëse të krishterët hebrenj mund ta kapnin me gjithë zemër faktin që Jezui është më i madh se Moisiu, nuk do të kishin arsye ta vinin në dyshim epërsinë e krishterimit mbi judaizmin. Pavli vuri në dukje se ndonëse Moisiu u llogarit i denjë për t’iu besuar «shtëpia» e Perëndisë, kombi apo kongregacioni i Izraelit, ai qe vetëm një shërbyes apo shërbëtor besimplotë. (Numrat 12:7) Nga ana tjetër, Jezui ishte Biri, zotëria mbi shtëpinë. (1. Korintasve 11:3; Hebrenjve 3:2, 3, 5) Për ta përforcuar pikën që donte, Pavli citoi këtë të vërtetë universale: «Sigurisht, çdo shtëpi ndërtohet nga dikush, por ai që ndërtoi të gjitha gjërat është Perëndia.» (Hebrenjve 3:4, BR) Askush nuk do ta vinte në diskutim se Perëndia është më i madh se kushdo, sepse ai është Ndërtuesi apo Krijuesi i gjithçkaje. Logjikisht, pra, përderisa Jezui ishte bashkëpunëtori i Perëndisë, duhet të jetë më i madh se çdo krijesë tjetër, përfshirë edhe Moisiun.—Proverbat (Fjalët e urta) 8:30; Kolosianëve 1:15-17.

11, 12. Çfarë i nxiti Pavli të krishterët hebrenj të mbanin «të patundur deri në fund» dhe si mund ta aplikojmë këshillën e tij?

11 Vërtet, të krishterët hebrenj ishin në një pozitë shumë të favorizuar. Pavli u kujtoi se ishin «pjesëmarrës të thirrjes qiellore», një privilegj që duhej vlerësuar mbi çdo gjë që mund të ofronte sistemi judaik. (Hebrenjve 3:1) Fjalët e Pavlit duhet t’i kenë bërë ata të krishterë të mirosur të ndiheshin mirënjohës që ishin në radhën për një trashëgimi të re, në vend se t’u vinte keq që kishin hequr dorë nga gjëra, të cilat kishin të bënin me trashëgiminë e tyre judaike. (Filipianëve 3:8) Duke i nxitur të mbaheshin pas privilegjit të tyre dhe të mos e konsideronin atë si diçka të zakonshme, Pavli tha: «Krishti ishte besimplotë si Bir mbi shtëpinë e [Perëndisë]. Ne jemi shtëpia e Tij, nëse e mbajmë të patundur deri në fund lirinë tonë të fjalës dhe mburrjen tonë për shpresën.»—Hebrenjve 3:6, BR.

12 Po, nëse donin ta mbijetonin përfundimin që po afrohej të sistemit judaik të gjërave, të krishterët hebrenj duhej të mbanin «të patundur deri në fund» shpresën që u kishte dhënë Perëndia. Sot, ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë, nëse duam ta mbijetojmë fundin e këtij sistemi. (Mateu 24:13, BR) Nuk duhet të lejojmë që ankthet e jetës, apatia e njerëzve ose vetë prirjet tona të papërsosura, të na bëjnë të lëkundemi në besimin tonë te premtimet e Perëndisë. (Luka 21:16-19) Për të kuptuar se si mund të forcohemi, le t’u kushtojmë vëmendje fjalëve të mëtejshme të Pavlit.

«Mos i ngurtësoni zemrat tuaja»

13. Cilin paralajmërim dha Pavli dhe si e aplikoi ai Psalmin 95?

13 Pasi shqyrtoi pozitën e favorizuar të të krishterëve hebrenj, Pavli dha këtë paralajmërim: «Siç thotë fryma e shenjtë: ‘Sot, nëse ju njerëz dëgjoni zërin e tij, mos i ngurtësoni zemrat tuaja si në rastin kur u shkaktua zemërim i hidhur, si në ditën kur u bë sprova në shkretëtirë.’» (Hebrenjve 3:7, 8, BR) Pavli po citonte nga Psalmi 95 dhe prandaj mundi të thoshte «thotë fryma e shenjtë».b (Psalmi 95:7, 8; Dalja [Eksodi] 17:1-7) Shkrimet janë frymëzuar nga Perëndia me anë të frymës së tij të shenjtë.—2. Timoteut 3:16.

14. Si reaguan izraelitët ndaj asaj që kishte bërë për ta Jehovai dhe pse?

14 Pasi u çliruan nga skllavëria në Egjipt, izraelitëve iu dha nderi i madh të hynin në një marrëdhënie besëlidhjeje me Jehovain. (Dalja 19:4, 5; 24:7, 8) Megjithatë, në vend që të tregonin çmueshmëri për atë që Perëndia kishte bërë për ta, shpejt filluan të vepronin në mënyrë rebele. (Numrat 13:25–14:10) Si mund të ketë ndodhur kjo? Pavli e tregoi qartë arsyen: ngurtësimi i zemrave të tyre. Por si ngurtësohen zemrat që janë të ndjeshme dhe që reagojnë ndaj Fjalës së Perëndisë? Gjithashtu, çfarë duhet të bëjmë për ta parandaluar këtë?

15. (a) Si është dëgjuar ‘vetë zëri i Perëndisë’ në të kaluarën dhe në të tashmen? (b) Cilat pyetje duhet t’i bëjmë vetes në lidhje me ‘zërin e Perëndisë’?

15 Pavli e nisi paralajmërimin e tij me frazën kushtore «nëse ju njerëz dëgjoni zërin e tij». Perëndia i foli popullit të tij nëpërmjet Moisiut dhe profetëve të tjerë. Më pas, Jehovai i foli nëpërmjet Birit të tij, Jezu Krishtit. (Hebrenjve 1:1, 2) Sot, ne kemi Fjalën e plotë të frymëzuar të Perëndisë, Biblën e Shenjtë. Kemi edhe «skllavin e besueshëm dhe të matur» të emëruar nga Jezui, për të siguruar ‘ushqim frymor në kohën e duhur’. (Mateu 24:45-47, BR) Në këtë mënyrë, Perëndia është ende duke folur. Por, a po dëgjojmë? Për shembull, si reagojmë ndaj këshillave në lidhje me veshjen dhe krehjen ose në lidhje me zgjedhjen e zbavitjes dhe të muzikës? A «dëgjojmë», domethënë a i kushtojmë vëmendje dhe a i bindemi asaj që dëgjohet? Nëse kemi zakonin të justifikohemi ose të protestojmë kundër këshillave, ekspozohemi ndaj rrezikut të hollë të ngurtësimit të zemrave tona.

16. Cila është një mënyrë në të cilën mund të ngurtësohen zemrat tona?

16 Zemrat tona mund të ngurtësohen edhe nëse i bëjmë bisht asaj që mund dhe duhet të bëjmë. (Jakovit 4:17) Pavarësisht nga të gjitha ato që bëri Jehovai për izraelitët, ata nuk arritën të ushtronin besim, u rebeluan kundër Moisiut, zgjodhën t’i besonin një raporti të keq për Kanaanin dhe refuzuan të hynin në Tokën e Premtuar. (Numrat 14:1-4) Prandaj, Jehovai dekretoi se ata do të kalonin 40 vjet në shkretëtirë, një kohë mjaft e gjatë që pjesëtarët pa besim të atij brezi të vdisnin. Me neveri për ta, Perëndia tha: «‘Gjithmonë humbasin rrugën në zemrën e tyre dhe ata vetë nuk kanë arritur të njohin rrugët e mia.’ Kështu, u betova në zemërimin tim: ‘Ata nuk do të hyjnë në pushimin tim.’» (Hebrenjve 3:9-11, BR) A nxjerrim një mësim nga kjo?

Mësim për ne

17. Pse izraelitëve u mungoi besimi, megjithëse panë veprat e fuqishme të Jehovait dhe dëgjuan shpalljet e tij?

17 Brezi i izraelitëve që doli nga Egjipti pa me sytë e vet dhe dëgjoi me veshët e vet veprat dhe shpalljet e fuqishme të Jehovait. Megjithatë, nuk patën besim se Perëndia mund t’i udhëhiqte shëndoshë e mirë për në Tokën e Premtuar. Pse? «Ata vetë nuk kanë arritur të njohin rrugët e mia»,—tha Jehovai. Ata e dinin çfarë kishte thënë dhe kishte bërë Jehovai, por nuk patën zhvilluar sigurinë dhe besimin në aftësinë e tij për t’u kujdesur për ta. Ishin kaq të fiksuar te nevojat dhe dëshirat e tyre personale, saqë nuk mendonin për rrugët dhe qëllimin e Perëndisë. Po, atyre u mungonte besimi te premtimi i tij.

18. Sipas Pavlit, cila rrugë veprimi do të rezultojë në «një zemër të ligë, së cilës i mungon besimi»?

18 Këto fjalë të mëtejshme drejtuar hebrenjve na aplikohen edhe ne me po të njëjtën forcë: «Ruhuni, vëllezër, nga frika se mos zhvillohet te ndonjëri prej jush një zemër e ligë, së cilës i mungon besimi, duke u larguar nga Perëndia i gjallë.» (Hebrenjve 3:12, BR) Pavli shkoi në zemër të problemeve, duke vënë në dukje se «një zemër e ligë, së cilës i mungon besimi» është rezultat i «largimit prej Perëndisë së gjallë». Në këtë letër, më përpara ai foli për ‘largimin’ për shkak të mosvëmendjes. (Hebrenjve 2:1) Megjithatë, termi grek i përkthyer «larguar», do të thotë «të qëndrosh larg» dhe ka të bëjë me fjalën «apostazi». Ai tregon rezistencë, tërheqje prapa dhe dezertim me dashje dhe me vetëdije, me një notë përbuzjeje brenda.

19. Si mund të çojë në pasoja të rënda mosdëgjimi i këshillave? Ilustro.

19 Prandaj, mësimi është që nëse biem në zakonin e ‘mosdëgjimit të zërit të tij’, duke shpërfillur këshillat nga Jehovai nëpërmjet Fjalës së tij dhe klasës së skllavit të besueshëm, s’do kalojë shumë kohë dhe zemrat tona do të zënë kallo, do të ngurtësohen. Për shembull, një çift i pamartuar mund të bëhet pak tepër intim. Ç’të themi nëse ata thjesht e shpërfillin këtë gjë? A do t’i mbronte kjo nga përsëritja e asaj që bënë apo vetëm do t’ua bënte më të lehtë ta bënin përsëri? Ngjashëm, kur klasa e skllavit ofron këshilla mbi nevojën për të qenë përzgjedhës në zgjedhjen e muzikës, të zbavitjes dhe kështu me radhë, a i pranojmë ato me mirënjohje dhe a bëjmë rregullimet e duhura, kur është e nevojshme? Pavli na nxiti të ‘mos braktisim të mbledhurin tonë së bashku’. (Hebrenjve 10:24, 25, BR) Megjithëkëtë këshillë, disa i shohin me indiferencë mbledhjet e krishtere. Ata mund të mendojnë se të mungosh në ndonjë mbledhje ose madje të mos shkosh fare në disa prej tyre, nuk ka rëndësi.

20. Pse është thelbësore që të reagojmë në mënyrë pozitive ndaj këshillave biblike?

20 Nëse nuk reagojmë pozitivisht ndaj «zërit» të Jehovait të shprehur qartë në Shkrimet dhe në botimet e bazuara në Bibël, shpejt do ta shohim veten ‘të larguar nga Perëndia i gjallë’. Shpërfillja pasive e këshillave mund të bëhet lehtë një nënvlerësim, kritikim dhe kundërshtim aktiv i tyre. Nëse lihet pa u ndrequr, rezultati është «një zemër e ligë, së cilës i mungon besimi» dhe shërimi prej një rruge të tillë zakonisht është shumë i vështirë. (Krahaso Efesianëve 4:19.) Jeremia shkroi me vend: «Zemra është më tradhtare se çdo gjë tjetër dhe është e dëshpëruar. Kush mund ta njohë?» (Jeremia 17:9, BR) Për këtë arsye, Pavli i nxiti bashkëbesimtarët e tij hebrenj: «Vazhdoni të nxitni njëri-tjetrin çdo ditë, derisa ajo të quhet ‘Sot’, nga frika se mos ndonjë nga ju ngurtësohet prej fuqisë mashtruese të mëkatit.»—Hebrenjve 3:13, BR.

21. Çfarë jemi të nxitur të bëjmë të gjithë ne dhe cilën perspektivë kemi?

21 Sa të lumtur jemi që sot Jehovai është ende duke na folur nëpërmjet Fjalës dhe organizatës së tij! Jemi mirënjohës që «skllavi i besueshëm dhe i matur» vazhdon të na ndihmojë ‘ta mbajmë të patundur deri në fund sigurinë që patëm në fillim’. (Hebrenjve 3:14, BR) Tani është koha t’i përgjigjemi dashurisë dhe drejtimit të Perëndisë. Ndërsa bëjmë kështu, mund të gëzojmë një premtim tjetër të mrekullueshëm të Jehovait: atë të ‘hyrjes në’ pushimin e tij. (Hebrenjve 4:3, 10, BR) Ky është subjekti që trajtoi më pas Pavli me të krishterët hebrenj dhe, gjithashtu, ai që do të shqyrtojmë në artikullin vijues.

[Shënimet]

a Jozefi raportonte se pak pas vdekjes së Festit, kryeprift u bë Ananu (Anania) i sektit të saducenjve. Ai e çoi Jakovin, gjysmëvëllain e Jezuit, dhe dishepujt e tjerë përpara Sinedrit dhe për ta u dha dënimi me vdekje e u gjuajtën me gurë.

b Me sa duket, Pavli citoi nga Septuaginta greke, e cila fjalën hebraike për «Meriba» dhe «Masa» e përkthen përkatësisht si «grindje» dhe «sprovim». Shiko faqet 350 dhe 379 në vëllimin 2 të Mendjehollësi mbi Shkrimet, botuar nga Shoqata Watchtower Bible and Tract of New York, Inc, anglisht.

A mund të shpjegosh?

◻ Pse Pavli u shkroi një këshillë kaq të fortë të krishterëve hebrenj?

◻ Si i ndihmoi Pavli të krishterët hebrenj të çmonin faktin se kishin diçka më të mirë sesa jeta nën judaizëm?

◻ Si ngurtësohet zemra e dikujt?

◻ Çfarë duhet të bëjmë që të shmangim zhvillimin e «një zemre të ligë, së cilës i mungon besimi»?

[Figura në faqen 10]

A po ushtron besim në Jezuin, Moisiun më të Madh?

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo