BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w97 15/9 f. 16-20
  • Kush do ta mbijetojë «ditën e Jehovait»?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Kush do ta mbijetojë «ditën e Jehovait»?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Cilësitë hyjnore janë thelbësore
  • «Kush është me mua? Kush?»
  • Mbështetja nga zemra e adhurimit të vërtetë
  • Ngjarje dramatike shtrihen pikërisht përpara!
  • Të shërbejmë me zellin e Eliseut
  • Eliseu
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Libri biblik numër 12​—2 Mbretërve
    «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
  • Pyetje nga lexuesit
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2003
  • Eliseu i pa karrocat e zjarrta—Po ti?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2013
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
w97 15/9 f. 16-20

Kush do ta mbijetojë «ditën e Jehovait»?

«Ç’lloj personash duhet të jeni ju në vepra të shenjta sjelljeje dhe veprime të devotshmërisë hyjnore, duke pritur dhe duke mbajtur mirë në mend praninë e ditës së Jehovait!»​—2. PJETRIT 3:11, 12, BR.

1. Kush ka punuar me frymën dhe fuqinë e Elijas?

PERËNDIA JEHOVA ka zgjedhur nga mesi i njerëzimit individë që do të bëhen bashkëtrashëgimtarë me Birin e tij, Jezu Krishtin, në Mbretërinë qiellore. (Romakëve 8:16, 17) Edhe pse janë ende në tokë, të krishterët e mirosur kanë punuar me frymën dhe fuqinë e Elijas. (Luka 1:17) Në artikullin e mëparshëm, ne vumë re disa paralele ndërmjet aktiviteteve të tyre dhe atyre të profetit Elija. Por, ç’mund të themi për veprën e pasuesit të Elijas, profetit Elise?​—1. Mbretërve 19:15, 16.

2. (a) Cila ishte mrekullia e fundit e Elijas dhe e para e Eliseut? (b) Çfarë prove ka se Elija nuk shkoi në qiell?

2 Mrekullia e fundit e kryer nga Elija ishte ajo e ndarjes së ujërave të lumit Jordan, duke i goditur me veshjen e tij zyrtare. Kjo i lejoi Elijas dhe Eliseut të kalonin në tokë të thatë. Ndërsa ecnin në anën lindore të lumit, një vorbull e çoi tutje Elijan në një tjetër vend mbi tokë. (Shiko kutinë në faqen 15, të titulluar: «Në cilët qiej u ngjit Elija?») Veshja zyrtare e Elijas u la pas. Kur Eliseu e përdori për të goditur ujërat, ujërat e tij u ndanë përsëri, duke i mundësuar atij kthimin nëpër një tokë të thatë. Kjo mrekulli e bëri të qartë se Eliseu ishte bërë pasuesi i Elijas në nxitjen e adhurimit të vërtetë në Izrael.​—2. Mbretërve 2:6-15.

Cilësitë hyjnore janë thelbësore

3. Çfarë thanë Pavli dhe Pjetri në lidhje me praninë e Jezuit dhe «ditën e Jehovait»?

3 Shekuj më vonë pas kohës së Elijas dhe Eliseut, apostulli Pavël dhe apostulli Pjetër e lidhën një «ditë të Jehovait» që po vjen, me praninë e Jezu Krishtit e me «qiejtë e rinj dhe tokën e re» që i përkisnin ende së ardhmes. (2. Selanikasve [Thesalonikasve] 2:1, 2, BR; 2. Pjetrit 3:10-13, BR) Për ta mbijetuar ditën e madhe të Jehovait, kur Perëndia të shkatërrojë armiqtë e tij dhe të shpëtojë popullin e tij, ne duhet ta kërkojmë Jehovain e të shfaqim zemërbutësi dhe drejtësi. (Sofonia 2:1-3, BR) Por ndërsa marrim në shqyrtim ngjarjet që kanë të bëjnë me profetin Elise, dalin në dritë disa cilësi shtesë.

4. Çfarë roli luan zelli në shërbimin e Jehovait?

4 Zelli për shërbimin e Perëndisë është jetësor, nëse duam ta mbijetojmë «ditën e Jehovait». Elija dhe Eliseu ishin të zellshëm në shërbimin e Jehovait. Me një zell të ngjashëm, sot mbetja e të krishterëve të mirosur i bën shërbim të shenjtë Jehovait dhe merr drejtimin në predikimin e lajmit të mirë.a Që nga mesi i viteve ’30, ata i kanë inkurajuar të gjithë ata që e pranojnë mesazhin e Mbretërisë dhe që shpresojnë të jetojnë përgjithmonë në tokë, që t’ia dedikojnë veten Jehovait dhe të pagëzohen. (Marku 8:34; 1. Pjetrit 3:21) Me miliona janë ata që i janë përgjigjur në mënyrë të favorshme këtij inkurajimi. Dikur ata ishin në errësirë frymore dhe të vdekur në mëkat, por tani kanë mësuar të vërtetën e Perëndisë, kanë përqafuar shpresën e jetës së përhershme në një parajsë tokësore dhe janë të zellshëm në shërbimin e Jehovait. (Psalmi 37:29; Zbulesa 21:3-5) Me anë të zellit, bashkëpunimit, mikpritjes dhe veprave të tjera të mira të tyre, ata i sjellin freski të madhe vëllezërve frymorë të Krishtit, që janë ende në tokë.​—Mateu 25:31-46.

5. Përse është kaq e rëndësishme të bësh gjëra të mira për «vëllezërit» e Jezuit dhe çfarë shembulli kemi nga koha e Eliseut?

5 Ata që bëjnë gjëra të mira për «vëllezërit» e Jezuit, sepse këta të mirosur janë ithtarët e tij, kanë shpresën për ta mbijetuar «ditën e Jehovait». Një çift i martuar në fshatin Shunem u bekua shumë, sepse kishte qenë i përzemërt dhe mikpritës ndaj Eliseut dhe shërbëtorit të tij. Ky çift nuk kishte asnjë fëmijë dhe burri ishte i moshuar. Por Eliseu i premtoi gruas shunamite se ajo do të sillte në jetë një djalë dhe kështu ndodhi. Kur ky bir i vetëm vdiq disa vite më vonë, Eliseu shkoi në Shunem dhe e ringjalli. (2. Mbretërve 4:8-17, 32-37) Ç’shpërblime të pasura, sepse kishte treguar mikpritje ndaj Eliseut!

6, 7. Çfarë shembulli la Naamani dhe çfarë ndikimi ka kjo në mbijetimin e «ditës së Jehovait»?

6 Përulësia është e nevojshme që të pranohet drejtimi i bazuar në Bibël nga «vëllezërit» e Krishtit, me shpresën për ta mbijetuar ditën e Jehovait. Naamanit, komandantit me lebër të ushtrisë siriane, iu desh të tregonte përulësi për të ndjekur sugjerimin e një vajze robinjë izraelite dhe të kërkonte mjekim, duke shkuar në Izrael për të gjetur Eliseun. Në vend që të dilte nga shtëpia e tij, për të takuar Naamanin, Eliseu i dërgoi atij këtë mesazh: «Duhet të lahesh shtatë herë në Jordan, që të të kthehet mishi yt dhe ji i pastër.» (2. Mbretërve 5:10, BR) Naamani u fye në sedër dhe u zemërua, por pasi përulësisht shkoi dhe u zhyt në Jordan shtatë herë, «mishi i tij u kthye si mishi i një djali të vogël dhe u bë i pastër». (2. Mbretërve 5:14, BR) Përpara se të kthehej në shtëpi, bëri gjithë rrugën për t’u kthyer në Samari që të falënderonte profetin e Jehovait. I vendosur për të mos nxjerrë asnjë përfitim material nga fuqitë që i kishte dhënë Perëndia, Eliseu doli për të takuar Naamanin, por nuk pranoi asnjë dhuratë. Naamani i tha me përulësi Eliseut: «Shërbëtori yt nuk do t’i bëjë më asnjë ofertë të djegur apo flijim asnjë perëndie tjetër, përveç Jehovait.»​—2. Mbretërve 5:17, BR.

7 Duke ndjekur me përulësi këshillat biblike të të mirosurve, me miliona persona janë bekuar sot në mënyrë të pasur. Për më tepër, duke ushtruar besim në sakrificën shpërblerëse të Jezu Krishtit, këta persona me zemër të ndershme janë pastruar frymësisht. Tani ata gëzojnë privilegjin për të qenë miq të Perëndisë Jehova dhe të Jezu Krishtit. (Psalmi 15:1, 2; Luka 16:9) Devotshmëria e tyre ndaj Perëndisë dhe shërbimit të tij, do të shpërblehet duke u kursyer nga shkatërrimi i përjetshëm që do të bjerë mbi mëkatarët krenarë dhe të papenduar, në «ditën e Jehovait» që po afrohet me të shpejtë.​—Luka 13:24; 1. Gjonit 1:7.

«Kush është me mua? Kush?»

8. (a) Çfarë qëndrimi kanë ndaj kryerjes së vullnetit hyjnor, ata që do të mbijetojnë «ditën e Jehovait»? (b) Çfarë detyre iu dha Jehut? (c) Çfarë do t’i ndodhte Jezabelës?

8 Ata që shpresojnë ta mbijetojnë «ditën e Jehovait» duhet të jenë, gjithashtu, të vendosur në kryerjen e vullnetit hyjnor. Elija e paratha me guxim shkatërrimin e familjes së mbretit Akab, që ishte vrasëse dhe adhuronte Baalin. (1. Mbretërve 21:17-26) Megjithatë, përpara se të kryhej ky ekzekutim, pasuesit të Elijas, Eliseut, iu desh të plotësonte njëfarë vepre të papërfunduar. (1. Mbretërve 19:15-17) Kur erdhi koha e duhur e Jehovait, Eliseu udhëzoi një shërbëtor që të shkonte e të miroste komandantin e ushtrisë, Jehun, si mbretin e ri të Izraelit. Pasi derdhi vajin në kokën e Jehut, lajmëtari i tha: «Kjo është ajo që Jehovai, Perëndia i Izraelit, ka thënë: ‘Unë të miros si mbret mbi popullin e Jehovait, domethënë mbi Izraelin. Ti duhet të rrëzosh shtëpinë e Akabit, zotërisë tënd dhe unë duhet të hakmerrem për gjakun e shërbëtorëve dhe profetëve të mi dhe për gjakun e të gjithë shërbëtorëve të Jehovait nga dora e Jezabelës. E gjithë shtëpia e Akabit duhet të zhduket.’» Mbretëresha e ligë Jezabela do t’u hidhej qenve dhe nuk do të kishte një varrim të rregullt.​—2. Mbretërve 9:1-10, BR.

9, 10. Si u përmbush fjala e Elijas në rastin e Jezabelës?

9 Njerëzit e Jehut e pranuan vlefshmërinë e mirosjes së tij dhe e shpallën mbret të ri të Izraelit. Duke vepruar me vendosmëri, Jehu rendi drejt Jezreelit për të filluar veprën e tij të ekzekutimit të kryebanditëve apostatë të adhurimit të Baalit. I pari që ndjeu shigjetën e ekzekutimit të Jehut, ishte biri i Akabit, mbreti Joram. Ai doli jashtë qytetit duke ngarë kalin, për të pyetur nëse Jehu kishte ardhur me një mision paqeje. «Çfarë paqeje mund të ketë përderisa ekzistojnë kurvëritë e Jezabelës, nënës sate dhe magjitë e saj të shumta?»​—ia ktheu Jehu. Në këto fjalë e sipër, shigjeta e Jehut shpoi zemrën e Joramit.​—2. Mbretërve 9:22-24, BR.

10 Gratë e perëndishme e shmangin të qenët si Jezabela apo si kushdo e llojit të saj. (Zbulesa 2:18-23) Deri në momentin që Jehu arriti në Jezreel, ajo ishte përpjekur të bëhej tërheqëse. Duke parë poshtë nga një dritare, ajo e përshëndeti me një kërcënim të maskuar. Ai pyeti shërbëtorët e saj: «Kush është me mua? Kush?» Menjëherë dy apo tre zyrtarë të oborrit panë poshtë. A ishin në anën e Jehut? «Le të bjerë!»,​—i nxiti ai. Me të dëgjuar këtë, ata vepruan me vendosmëri, duke e hedhur Jezabelën e ligë nga dritarja. Ajo u shkel, me sa duket nën thundrat e kuajve. Kur erdhën njerëzit për ta varrosur, ‘s’gjetën gjë tjetër veç kafkës, këmbëve dhe pëllëmbëve të duarve të saj’. Ç’përmbushje dramatike e fjalës së Elijas: «Qentë do ta hanë mishin e Jezabelës»!​—2. Mbretërve 9:30-37, BR.

Mbështetja nga zemra e adhurimit të vërtetë

11. Kush ishte Jehonadabi dhe si e tregoi mbështetjen e tij për adhurimin e vërtetë?

11 Ata që shpresojnë ta mbijetojnë «ditën e Jehovait» dhe të jetojnë përgjithmonë në tokë, duhet ta mbështetin me gjithë zemër adhurimin e vërtetë. Ata duhet të jenë si Jehonadabi apo Jonadabi, një adhurues joizraelit i Jehovait. Ndërsa Jehu vazhdonte të përmbushte detyrën e tij me zell, Jehonadabi dëshironte të tregonte miratimin dhe mbështetjen e tij. Ai u nis për të takuar mbretin e ri të Izraelit, i cili ishte drejtuar për në Samari, që të ekzekutonte të mbeturit nga shtëpia e Akabit. Duke parë Jehonadabin, Jehu e pyeti: «A është zemra jote e drejtë ndaj meje, ashtu siç është zemra ime ndaj zemrës sate?» Përgjigjja pozitive e Jehonadabit e shtyu Jehun që t’i shtrinte dorën dhe ta ftonte Jehonadabin në qerren e tij të luftës, duke i thënë: «Eja bashkë me mua dhe shiko mostolerimin tim të asnjë rivaliteti ndaj Jehovait.» Pa e bërë të gjatë, Jehonadabi pranoi privilegjin që të tregonte mbështetjen e tij për ekzekutuesin e mirosur të Jehovait.​—2. Mbretërve 10:15-17, BR.

12. Përse Jehovai kërkon me të drejtë devotshmëri ekskluzive?

12 Mbështetja nga zemra e adhurimit të vërtetë është sigurisht e përshtatshme, sepse Jehovai është Krijuesi dhe Sovrani Universal, i cili me të drejtë kërkon dhe meriton devotshmërinë tonë ekskluzive. Ai i urdhëroi izraelitët: «Nuk duhet të bëni për vete shëmbëlltyrë të gdhendur apo një formë të asgjëje që është në qiejtë sipër, në tokën poshtë apo në ujërat nën tokë. Nuk duhet t’u përkuleni, as t’ju shtyjnë për t’u shërbyer, sepse unë, Jehovai, Perëndia juaj, jam një Perëndi që kërkoj me rreptësi devotshmëri ekskluzive.» (Dalja [Eksodi] 20:4, 5, BR) Ata që shpresojnë ta mbijetojnë «ditën e Jehovait», duhet ta adhurojnë atë në mënyrë ekskluzive, duke e bërë këtë «në frymë dhe në të vërtetë». (Gjoni 4:23, 24) Ata duhet të jenë të vendosur për adhurimin e vërtetë, ashtu si Elija, Eliseu dhe Jehonadabi.

13. Ashtu si zemra e Jehonadabit ishte ndaj Jehut, cilët janë ata që pranojnë Mbretin Mesianik dhe si e tregojnë këtë?

13 Pas ekzekutimit të shtëpisë së Akabit, mbreti Jehu ndërmori hapa të tjerë për të identifikuar adhuruesit e Baalit dhe për të eliminuar këtë fe të rreme në Izrael. (2. Mbretërve 10:18-28) Sot, Mbreti qiellor Jezu Krishti, është emëruar për të ekzekutuar armiqtë e Jehovait dhe për të shfajësuar sovranitetin e tij. Ashtu si zemra e Jehonadabit ishte me Jehun, «shumica e madhe» e «deleve të tjera» të Jezuit, sot e pranon me gjithë zemër Krishtin si Mbretin Mesianik dhe bashkëpunon me vëllezërit e tij frymorë në tokë. (Zbulesa 7:9, 10; Gjoni 10:16) Dëshminë për këtë, ata e japin duke praktikuar fenë e vërtetë dhe duke marrë pjesë me zell në shërbimin e krishterë, duke i paralajmëruar kështu armiqtë e Perëndisë për «ditën e Jehovait» që po afrohet me shpejtësi.​—Mateu 10:32, 33; Romakëve 10:9, 10.

Ngjarje dramatike shtrihen pikërisht përpara!

14. Çfarë shtrihet përpara për fenë e rreme?

14 Jehu ndërmori veprime për t’i dhënë fund adhurimit të Baalit në Izrael. Në ditët tona, me anë të Jehut më të Madh, Jezu Krishtit, Perëndia do të sjellë shkatërrimin e Babilonisë së Madhe, perandorisë botërore të fesë së rreme. Së shpejti do të shohim përmbushjen e fjalëve të engjëllit, drejtuar apostullit Gjon: «Dhjetë brirët që pe dhe bisha e egër, këta do ta urrejnë laviren [Babiloninë e Madhe] dhe do ta bëjnë të shkretuar dhe lakuriq, do të përlajnë pjesët e saj mishore dhe do ta djegin plotësisht me zjarr. Sepse Perëndia e vuri në zemrën e tyre të kryejnë mendimin e tij, madje të kryejnë të vetmin mendim të tyre, duke ia dhënë mbretërinë e tyre bishës së egër, derisa fjalët e Perëndisë të jenë përmbushur.» (Zbulesa 17:16, 17, BR; Zb 18:2-5) «Dhjetë brirët» portretizojnë fuqitë e militarizuara politike, që sundojnë mbi tokën. Megjithëse ato kanë tani një marrëdhënie tradhtie bashkëshortore me Babiloninë e Madhe, koha e saj është e shkurtër. Ky element politik i botës do të shkatërrojë fenë e rreme dhe «bisha e egër», Kombet e Bashkuara, me «dhjetë brirët» do të ketë një rol kryesor në shkretimin e saj.b Çfarë rasti për të lavdëruar Jehovain!​—Zbulesa 19:1-6.

15. Çfarë do të ndodhë, kur të bëhet një orvatje për të shkatërruar organizatën tokësore të Perëndisë?

15 Pas sulmit të tërbuar të Jehut kundër adhurimit të Baalit, shtëpia e tij mbretërore e drejtoi vëmendjen nga armiqtë politikë të Izraelit. Mbreti Jezu Krisht do të ndërmarrë një veprim të ngjashëm. Pas shkatërrimit të fesë së rreme të ngjashme me atë të Baalit, fuqitë politike do të mbeten. Nën ndikimin e Satana Djallit, këta armiq të sovranitetit të Jehovait, do të bëjnë një sulm me të gjitha forcat, në orvatje për të shkatërruar organizatën tokësore të Perëndisë. (Ezekieli 38:14-16) Por Jehovai me anë të Mbretit Jezu Krisht do t’i rrëzojë ata, duke i shkatërruar në Harmagedon, «lufta e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm», duke plotësuar kështu shfajësimin e sovranitetit të Jehovait!​—Zbulesa 16:14, 16, BR; Zb 19:11-21; Ezekieli 38:18-23.

Të shërbejmë me zellin e Eliseut

16, 17. (a) Si e dimë se Eliseu ishte i zellshëm deri në fund të jetës së tij? (b) Çfarë duhet të bëjmë me shigjetat e së vërtetës?

16 Derisa «dita e Jehovait» t’i japë fund krejt sistemit të lig të gjërave të Satanait, shërbëtorët e Perëndisë duhet të jenë po aq të guximshëm dhe me zell, sa dhe Eliseu. Përveç punës së tij si shërbëtor i Elijas, për 50 vjet Eliseu shërbeu i vetëm si profet i Jehovait! Eliseu qe i zellshëm deri në momentin e fundit të jetës së tij të gjatë. Pikërisht para vdekjes së tij, ai u vizitua nga nipi i Jehut, mbreti Joas. Eliseu i tha atij të gjuante me një shigjetë nga dritarja. Shigjeta goditi në shenjë dhe Eliseu thirri: «Shigjeta e shpëtimit e Jehovait, po, shigjeta e shpëtimit kundër Sirisë! Sigurisht që ti do ta rrëzosh Sirinë në Afak, deri në atë pikë që ajo do të marrë fund.» Me kërkesën e Eliseut, Joasi goditi pastaj tokën me shigjetat e tij. Por e bëri këtë gjë me mungesë zelli, duke gjuajtur vetëm tri herë. Atëherë Eliseu tha se si rezultat, Joasit do t’i jepeshin vetëm tri fitore mbi Sirinë dhe kështu ndodhi. (2. Mbretërve 13:14-19, 25, BR) Mbreti Joas nuk e rrëzoi plotësisht Sirinë, «deri në atë që ajo do të merrte fund».

17 Megjithatë, me zellin si ai i Eliseut, mbetja e mirosur vazhdon ofensivën kundër adhurimit të rremë. Shokët e tyre me shpresë tokësore po bëjnë të njëjtën gjë. Për më tepër, të gjithë ata që shpresojnë ta mbijetojnë «ditën e Jehovait», bëjnë mirë të sjellin ndër mend fjalët e Eliseut të zellshëm rreth gjuajtjes së tokës. Le të marrim shigjetat e së vërtetës dhe të godasim me to me zell, përsëri e përsëri, po, derisa Jehovai të thotë se puna jonë me to është plotësuar.

18. Si duhet t’u përgjigjemi fjalëve në 2. Pjetrit 3:11, 12?

18 «Dita e Jehovait» së shpejti do t’i japë fund sistemit të tanishëm të lig të gjërave. Le ta lejojmë, pra, veten tonë të shtyhet nga fjalët e apostullit Pjetër, që të japin zemër: «Përderisa të gjitha këto gjëra, pra, duhet të shpërbëhen,​—shprehet me forcë Pjetri,​—ç’lloj personash duhet të jeni ju në vepra të shenjta sjelljeje dhe në veprime të devotshmërisë hyjnore, duke pritur dhe duke mbajtur mirë në mend praninë e ditës së Jehovait!» (2. Pjetrit 3:11, 12, BR) Kur çdo pjesë e këtij sistemi të jetë shpërbërë me anë të zjarrit të zemërimit të Perëndisë, të shprehur nëpërmjet Jezu Krishtit, vetëm ata që kanë dhënë dëshmi të sjelljes së drejtë dhe të devotshmërisë hyjnore, do të shpëtojnë. Pastërtia morale dhe frymore janë thelbësore. Po kështu është edhe dashuria për njerëzit e tjerë, e treguar duke iu përgjigjur nevojave të tyre, veçanërisht në një mënyrë frymore, me anë të shërbimit tonë të krishterë.

19. Çfarë duhet të bëjmë për të mbijetuar «ditën e Jehovait»?

19 A të identifikojnë fjalët dhe veprimet e tua si një shërbëtor besimplotë dhe të zellshëm të Perëndisë? Nëse po, mund të ushqesh shpresën për ta mbijetuar «ditën e Jehovait» për në botën e re të premtuar të Perëndisë. Po, mbijetesa mund të jetë përvoja jote, nëse i bën mirë vëllezërve frymorë të Krishtit, sepse janë ithtarë të tij, ashtu si çifti shunamit qe mikpritës ndaj Eliseut. Që të mbijetosh duhet të jesh, gjithashtu, si Naamani, i cili pranoi me përulësi udhëzimin hyjnor dhe u bë një adhurues i Jehovait. Nëse dëshiron me zjarr të jetosh përgjithmonë në një tokë parajsore, duhet të demonstrosh mbështetjen nga zemra për adhurimin e vërtetë, ashtu siç bëri Jehonadabi. Atëherë mund të jesh mes shërbëtorëve besimplotë të Jehovait, që së shpejti do të përjetojnë përmbushjen e fjalëve të Jezuit: «Ejani, ju që keni qenë të bekuar nga Ati im, trashëgoni mbretërinë e përgatitur për ju që nga themelimi i botës.»​—Mateu 25:34, BR.

[Shënimet]

a Shiko kapitujt 18 dhe 19 të librit «U shenjtëroftë emri yt», botuar nga Shoqata Watchtower Bible and Tract of New York, Inc, anglisht.

b Shiko faqet 254-256 të Zbulesa: Kulmi i saj madhështor është afër!, botuar nga Shoqata Watchtower Bible and Tract of New York, Inc, anglisht.

Si do të përgjigjeshe?

◻ Cilat janë disa cilësi të nevojshme për të mbijetuar «ditën e Jehovait»?

◻ Çfarë shembulli u la nga çifti shunamit në kohën e Eliseut?

◻ Çfarë mësimi mund të nxjerrim nga Naamani?

◻ Si mund ta ndjekim shembullin e Jehonadabit?

◻ Si duhet të ndikojë mbi ne 2. Pjetrit 3:11, 12?

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo