Ata bënë vullnetin e Jehovait
Një at që është i gatshëm të falë
ËSHTË quajtur novela më e madhe e shkruar ndonjëherë dhe me të drejtë. Shëmbëlltyra e Jezuit për dashurinë e një ati ndaj birit të tij të humbur, është si një dritare përmes së cilës mund të arijmë të kemi një pamje të mrekullueshme të dhembshurisë së Perëndisë për mëkatarët e penduar.
I humbur dhe i gjetur
Një burrë kishte dy bij. Më i riu i tha: ‘Trashëgiminë time e dua tani, në vend se të pres derisa të vdesësh.’ Babai ia plotësoi kërkesën, ka të ngjarë duke i dhënë një të tretën e gjithë asaj që zotëronte, pjesën që i takonte me ligj më të riut prej dy bijve. (Ligji i përtërirë 21:17) I riu grumbulloi me ngut të gjitha zotërimet e tij dhe udhëtoi për në një vend të largët, ku i shpenzoi të gjitha paratë, duke bërë një jetë të shthurur.—Luka 15:11-13.
Më pas, ra një zi e madhe buke. Në dëshpërimin e tij, i riu pranoi një punë si bari derrash, një punë e përbuzshme për një hebre. (Levitiku 11:7, 8) Ushqimi ishte kaq i rrallë, sa ai nisi të dëshironte me gjithë shpirt çiçibanozin, që shërbente si ushqim për derrat! Më në fund, ky i ri erdhi në vete. ‘Shërbëtorët e atit tim ushqehen më mirë se mua!,—mendoi ai.—Do të kthehem në shtëpi, do të rrëfej mëkatet e mia dhe do të kërkoj të bëhem si njëri prej mëditësve të atit tim.’a—Luka 15:14-19.
I riu u çapit drejt shtëpisë. Pa dyshim që pamja e tij kishte ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme. Megjithatë, i ati e njohu «kur ishte ende larg». I mallëngjyer ai rendi drejt të birit, e përqafoi dhe «e puthi me dhembshuri».—Luka 15:20, BR.
Kjo pritje e ngrohtë, ia bëri më të lehtë të riut shkarkimin e barrës. «At,—i tha ai,—kam mëkatuar kundër qiellit dhe kundër teje. Unë nuk jam më i denjë të quhem biri yt. Më bëj si njërin prej mëditësve të tu.» I ati mblodhi skllevërit e tij. «Shpejt!—urdhëroi ai.—Nxirrni një veshje, atë më të mirën, visheni me të, vendosini një unazë në dorë dhe sandale në këmbë. Sillni demin e ri të majmë, thereni dhe le ta hamë e të gëzohemi, sepse ky biri im ishte i vdekur dhe erdhi përsëri në jetë; ishte i humbur dhe u gjet.»—Luka 15:21-24, BR.
U bë një gosti me gjëra të shijshme, që përfshinte dhe muzikë e valle. Ndërsa kthehej nga fusha, biri më i madh dëgjoi zhurmën që po bëhej. Kur mori vesh se vëllai i tij kishte ardhur në shtëpi dhe se ky qe shkaku i atij festimi, u indinjua. ‘Ja u bënë kaq vite që unë të shërbej dhe kurrë s’kam shkelur asnjë nga urdhërat e tua e megjithatë kurrë s’më dhe një kec për të bërë një festë me miqtë e mi,—iu ankua të atit.—Por, kur u kthye ky djali yt, që prishi pasurinë tënde, ti there për të viçin [demin, BR] e majmur.’ ‘O bir,—ia ktheu me dhembshuri i ati,—ti ke qenë gjithmonë me mua dhe çdo gjë që kam është jotja. Por duhet të festojmë dhe të gëzohemi sepse ky vëllai yt kishte vdekur dhe u kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjet përsëri.’—Luka 15:25-32.
Mësime për ne
Ati në shëmbëlltyrën e Jezuit, përfaqëson Perëndinë tonë të mëshirshëm, Jehovain. Ashtu si biri i humbur, për njëfarë kohe disa njerëz e lanë sigurinë e shtëpisë së Perëndisë, por më vonë u kthyen. Si i konsideron Jehovai njerëz të tillë? Ata që kthehen tek Jehovai me një pendim të sinqertë, mund të jenë të sigurt se «ai nuk do të vazhdojë të gjejë të meta në çdo kohë, as nuk do ta mbajë inatin në kohë të pacaktuar». (Psalmi 103:9) Në shëmbëlltyrë, ati rendi për ta mirëpritur të birin. Ngjashëm, Jehovai jo vetëm që është i gatshëm, por edhe mezi pret të falë mëkatarët e penduar. Ai është «i gatshëm të falë» dhe e bën këtë «në një masë të madhe».—Psalmi 86:5, BR; Isaia 55:7, BR; Zaharia 1:3.
Në shëmbëlltyrën e Jezuit, dashuria e vërtetë e atit ia bëri më të lehtë të birit marrjen e guximit për t’u kthyer. Por shqyrto këtë: Ç’do të kishte ndodhur nëse i ati do ta kishte bërë hasha djalin ose në shpërthimin e zemërimit do t’i kishte thënë të mos kthehej kurrë më? Një qëndrim i tillë ka të ngjarë që ta kishte ftohur përgjithmonë djalin.—Krahaso 2. Korintasve 2:6, 7.
Pra, në njëfarë kuptimi, i ati hodhi themelin për kthimin e birit të tij në kohën që ky u largua. Sot, ndonjëherë pleqtë e krishterë duhet t’i heqin mëkatarët e papenduar nga kongregacioni. (1. Korintasve 5:11, 13) Duke vepruar kështu, ata mund të fillojnë të shtrojnë udhën për kthimin e mëkatarit, duke i treguar me dashuri hapat që mund të ndërmarrë për t’u rivendosur në të ardhmen. Kujtimi i një trajtimi të tillë të përzemërt, i ka nxitur më vonë shumë nga ata që nga pikëpamja frymore kishin humbur, të pendoheshin dhe i ka shtyrë të kthehen në shtëpinë e Perëndisë.—2. Timoteut 4:2.
Edhe i ati tregoi dhembshuri kur u kthye i biri. Atij nuk iu desh shumë kohë për të kuptuar pendimin e sinqertë të djalit. Më pas, në vend që të këmbëngulte për t’i nxjerrë të birit çdo hollësi mbi shkeljet e tij, u mor me organizimin e punëve për t’i dhënë mirëseardhjen dhe shprehu një kënaqësi të madhe në bërjen e një gjëje të tillë. Të krishterët mund ta imitojnë këtë shembull. Ata duhet të gëzohen që një i humbur është gjetur.—Luka 15:10.
Qëndrimi i të atit nuk lë për të dyshuar mbi faktin se ai e kishte paraprirë prej shumë kohësh kthimin e birit të tij rebel. Sigurisht, kjo është vetëm një hije e dëshirës së zjarrtë që ka Jehovai për të gjithë ata që janë larguar nga shtëpia e tij. Ai «nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim». (2. Pjetrit 3:9) Prandaj, ata që pendohen për mëkatet e tyre, mund të jenë të sigurt se do të bekohen me «kohët e flladit nga prania e Zotit».—Veprat 3:19.
[Shënimi]
a Ndërkohë që një skllav konsiderohej si pjesë e familjes, një shërbëtor me mëditje ishte një punëtor që punonte me ditë, i cili mund të dëbohej nga puna në çfarëdo kohe. I riu arsyetoi se do të ishte i gatshëm të pranonte qoftë edhe pozitën më të ulët në shtëpinë e atit të tij.