BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w97 15/5 f. 4-8
  • A duhet të besosh në rimishërimin?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • A duhet të besosh në rimishërimin?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Të identifikojmë burimin dhe bazën
  • A është shpirti i pavdekshëm?
  • Përse vuajnë njerëzit?
  • Një e ardhme paqësore
  • A e mëson Bibla doktrinën e rimishërimit?
    Përgjigje për pyetje rreth Biblës
  • Jetë pas vdekjes: Çfarë thotë Bibla?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • A beson se ke jetuar më parë?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2012
  • Rimishërimi
    Të arsyetojmë nga Shkrimet
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
w97 15/5 f. 4-8

A duhet të besosh në rimishërimin?

FILOZOFI grek Platoni e lidhi rënien në dashuri me idenë e rimishërimit. Ai besonte se pas vdekjes së trupit, shpirti, duke qenë i pavdekshëm, emigron në «mbretërinë e formave të pastra». Pa një trup fizik, ai qëndron atje për disa kohë, duke soditur format. Kur më vonë rimishërohet në një trup tjetër, në mënyrë të pavetëdijshme shpirti kujton dhe ka mall për mbretërinë e formave. Sipas Platonit, njerëzit bien në dashuri, sepse në të dashurit e tyre ata shohin formën ideale të bukurisë, të cilën e kujtojnë në mënyrë të vagët dhe e kërkojnë.

Të identifikojmë burimin dhe bazën

Mësimi i rimishërimit kërkon që shpirti të jetë i pavdekshëm. Origjina e rimishërimit, pra, duhet gjurmuar pranë atyre njerëzve apo popujve që mbështetin një besim të tillë. Mbi këtë bazë, disa mendojnë se kjo teori e pati origjinën në Egjipt. Disa të tjerë besojnë se ajo nisi në Babiloninë e lashtë. Për t’i dhënë njëfarë prestigji fesë babilonase, priftërinjtë e saj hodhën doktrinën e transmigrimit të shpirtit. Në këtë mënyrë, ata mund të pohonin se heronjtë e tyre fetarë ishin rimishërime të paraardhësve të famshëm, edhe pse të vdekur shumë kohë më parë.

Megjithatë, zhvillimin e vet më të plotë besimi në rimishërimin e pati në Indi. Njerëzit e ditur të Indisë ishin mbërthyer pas problemeve universale të së keqes dhe të vuajtjeve mes njerëzve. Ata pyesnin: ‘Si mund të përputhet kjo me konceptin e një Krijuesi të drejtë?’ Ata u përpoqën të zgjidhnin konfliktin mes drejtësisë së Perëndisë dhe katastrofave të paparashikuara e pabarazive në botë. Me kalimin e kohës, shpikën «ligjin e karmas», ligji i shkakut dhe i pasojës: ‘njeriu do të korrë atë që ka mbjellë.’ Ata përpiluan një ‘listë’, sipas së cilës meritat dhe të metat në jetën e një personi, shpërblehen apo ndëshkohen në jetën që vjen.

«Karma» do të thotë thjesht «veprim». Thuhet se një hinduist ka një karma të mirë, nëse ai është në përputhje me normat shoqërore dhe fetare, ndërsa ka një karma të keqe, nëse nuk përputhet me to. Veprimi i tij, ose karma, përcakton të ardhmen e tij në secilën prej rilindjeve të mëpasme. «Të gjithë njerëzit lindin me një karakter të programuar, i përgatitur kryesisht nga veprimet e tyre në jetët e mëparshme, edhe pse aspektet e tyre fizike përcaktohen nga trashëgimia,​—thotë filozofi Nikilananda.​—Njeriu [pra] është një arkitekt i fatit të tij, ndërtuesi i fatit të vet.» Megjithatë, qëllimi përfundimtar është të lirohet nga ky cikël i transmigrimit dhe të bashkohet me Brahman, realiteti i fundit. Kjo, sipas besimit, arrihet duke luftuar për një sjellje të pranueshme nga shoqëria dhe për njohurinë e veçantë hindu.

Në këtë mënyrë, mësimi i rimishërimit përdor si bazë të vetën doktrinën e pavdekshmërisë së shpirtit dhe ndërton mbi të, duke përdorur ligjin e karmas. Le të shohim se çfarë thotë Bibla, Fjala e Perëndisë, në lidhje me këto ide.

A është shpirti i pavdekshëm?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, le t’i drejtohemi autoritetit më të lartë në këtë fushë: Fjalës së frymëzuar të Krijuesit. Që në librin e parë të Biblës, Zanafilla, mësojmë domethënien e saktë të «shpirtit». Në lidhje me krijimin e njeriut të parë, Adamit, Bibla thotë: «Jehova Perëndia vazhdoi të formonte njeriun nga pluhuri i dheut dhe t’i frynte në vrimat e tij të hundës frymën e jetës dhe njeriu u bë një shpirt i gjallë.» (Zanafilla 2:7, BR) Është e qartë se shpirti nuk është çfarë një njeri ka, por çfarë një njeri është. Fjala hebraike e përdorur këtu për shpirt është neʹphesh. Ajo ndodhet rreth 700 herë në Bibël dhe kurrë nuk i referohet ndonjë pjese të ndarë apo jomateriale të një njeriu, por gjithmonë diçkaje të prekshme dhe fizike.​—Jobi 6:7; Psalmi 35:13; 107:9; 119:28.

Çfarë ndodh me shpirtin pas vdekjes? Të shqyrtojmë çfarë ndodhi me Adamin kur vdiq. Kur ai mëkatoi, Perëndia i tha: «[Do] të rikthehesh në dhe, sepse nga ai ke dalë; sepse ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh.» (Zanafilla 3:19) Mendo se ç’do të thotë kjo. Përpara se Perëndia ta krijonte nga pluhuri, Adami nuk ekzistonte. Pas vdekjes, Adami u rikthye në të njëjtën gjendje mosekzistence.

E thënë thjesht, Bibla mëson se vdekja është e kundërta e jetës. Në Predikuesin 9:5, 10, lexojmë: «Të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur, por të vdekurit nuk dinë asgjë; për ta nuk ka më asnjë shpërblim, sepse kujtimi i tyre harrohet. Tërë ato që dora jote gjen për të bërë, bëji me gjithë forcën tënde, sepse në Sheol ku po shkon nuk ka më as punë, as mendim, as njohuri dhe as dituri.»

Kjo do të thotë se të vdekurit nuk janë në gjendje të bëjnë apo të ndiejnë asgjë. Ata nuk kanë më asnjë mendim, as kujtojnë më asgjë. Psalmisti pohon: «Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë. Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken.»​—Psalmi 146:3, 4.

Bibla tregon qartë se pas vdekjes shpirti nuk transferohet në ndonjë trup tjetër, por vdes. «Shpirti që mëkaton do të vdesë»,​—pohon me forcë Bibla. (Ezekieli 18:4, 20; Veprat 3:23; Zbulesa 16:3) Prandaj, doktrina e pavdekshmërisë së shpirtit, themeli i teorisë së rimishërimit, nuk gjen ndonjë mbështetje në Shkrimet. Pa të, teoria e rimishërimit shëmbet. Si shpjegohen, pra, vuajtjet që shohim në botë?

Përse vuajnë njerëzit?

Arsyeja që shtrihet në themel të vuajtjeve të njerëzve është papërsosmëria që të gjithë ne trashëgojmë nga Adami mëkatar. Bibla thotë: «Me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja u shtri te të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan.» (Romakëve 5:12) Të lindur nga Adami, të gjithë ne sëmuremi, plakemi dhe vdesim.​—Psalmi 41:1, 3; Filipianëve 2:25-27.

Më tej, ligji moral i pandryshueshëm i Krijuesit pohon: «Mos u gënjeni: Perëndia nuk vihet dot në lojë, sepse ç’të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë. Sepse ai që mbjell për mish të tij, do të korrë nga mishi i tij prishje.» (Galatasve 6:7, 8) Prandaj, një stil jetese i përzier mund të sjellë shqetësime emocionale, shtatzëni të padëshirueshme dhe sëmundje seksualisht të transmetuara. Një revistë thotë: «Një shifër e jashtëzakonshme prej 30 për qind e kancerëve vdekjeprurës [në Shtetet e Bashkuara] mund të bëjë me faj para së gjithash pirjen e duhanit, ndërsa një numër i barabartë mënyrën e jetesës, sidomos praktikat e dietave dhe mungesën e ushtrimeve.» (Scientific American) Disa katastrofa që shkaktojnë vuajtje janë rrjedhojë e keqadministrimit që njeriu u bënë burimeve të tokës.​—Krahaso Zbulesën 11:18.

Po, njeriu e ka vetë fajin për shumë nga mjerimet e tij. Megjithatë, meqë shpirti nuk është i pavdekshëm, ligji ‘ç’të mbjellësh do të korrësh’ nuk mund të përdoret për të lidhur vuajtjet e njerëzimit me një karma, veprat në një jetë të mëparshme të supozuar. «Ai që ka vdekur është shfajësuar nga mëkati»,​—thotë Bibla. (Romakëve 6:7, 23) Prandaj, frytet e mëkatit nuk transportohen në ndonjë jetë pas vdekjes.

Edhe Satana Djalli shkakton shumë vuajtje. Në fakt, kjo botë sundohet nga Satanai. (1. Gjonit 5:19) Siç paratha Jezu Krishti, dishepujt e tij do të ishin ‘të urryer për shkak të emrit të tij’. (Mateu 10:22) Si rrjedhojë, të drejtët hasin shpesh më shumë probleme, sesa të ligjtë.

Në këtë botë ndodhin disa ngjarje, për të cilat shkaqet nuk janë të njohura ende. Vrapuesi më i shpejtë mund të pengohet e të humbë garën. Një ushtri e fuqishme mund të shkatërrohet përpara forcave më të vogla. Një njeri i mençur mund të mos jetë në gjendje të gjejë një punë e për këtë arsye mund të vuajë nga uria. Për shkak të rrethanave, njerëz me kuptueshmëri të shkëlqyer në administrimin e biznesit, mund të mos jenë në gjendje ta vënë në përdorim njohurinë e tyre dhe kështu e shohin veten në varfëri. Njerëz të ditur mund të përballojnë zemërimin e atyre që kanë autoritet dhe të gjenden në disfavor. Përse ndodh kështu? «Të gjithëve gjërat u ndodhin sipas kohës dhe rastësisë»,​—përgjigjet mbreti i mençur Solomon.​—Predikuesi 9:11.

Vuajtjet kanë qenë risku i njerëzimit shumë kohë më parë, sesa njerëzit e ditur të Indisë të përpiqeshin për të shpjeguar ekzistencën e tyre. Por, a ka shpresë për një të ardhme më të mirë? Ç’premtim ka Bibla për të vdekurit?

Një e ardhme paqësore

Krijuesi ka premtuar se së shpejti do t’i japë fund shoqërisë së botës së tanishme, e cila është nën kontrollin e Satanait. (Fjalët e urta 2:21, 22; Danieli 2:44) Një shoqëri e re dhe e drejtë njerëzore, «një tokë e re», do të jetë atëherë një realitet. (2. Pjetrit 3:13) Në atë kohë «asnjë banor i qytetit nuk do të thotë: ‘Unë jam i sëmurë’». (Isaia 33:24) Edhe agonia e vdekjes do të ketë kaluar, sepse Perëndia «do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan».​—Zbulesa 21:4.

Në lidhje me banorët e botës së re të premtuar nga Perëndia, psalmisti paratha: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.» (Psalmi 37:29) Për më tepër, të butët «do të gëzojnë një paqe të madhe».​—Psalmi 37:11.

Mukandbai, i përmendur në artikullin e mëparshëm, ra në gjumin e vdekjes pa njohur premtimin e mrekullueshëm të Perëndisë. Por miliona persona që kanë vdekur pa njohur Perëndinë, kanë perspektivën që të zgjohen në një botë të re paqësore, sepse Bibla premton: «Do të ketë një ringjallje të të vdekurve, qoftë të të drejtëve, qoftë të të padrejtëve.»​—Veprat 24:15; Luka 23:43.

Fjala «ringjallje» është përkthyer këtu nga fjala greke a·naʹsta·sis, e cila fjalë për fjalë do të thotë «një ngritje në këmbë përsëri». Ringjallja, pra, përfshin një riaktivizim të modelit të jetës së një individi.

Krijuesi i qiellit dhe i tokës është i pasosur në mençuri. (Jobi 12:13) Mbajtja ndër mend e modeleve të jetës së të vdekurve, nuk është një problem për të. (Krahaso Isainë 40:26.) Perëndia Jehova është i bollshëm edhe në dashuri. (1. Gjonit 4:8) Prandaj, ai mund të përdorë kujtesën e tij të përsosur, jo për të ndëshkuar të vdekurit për të këqijat që kanë bërë, por për t’i sjellë sërish në jetë mbi një tokë parajsore, me personalitetin që kishin përpara se të vdisnin.

Për miliona njerëz si Mukandbai, ringjallja do të thotë që të jenë përsëri me të dashurit e tyre. Por përfytyro se ç’domethënie mund të ketë ajo për ata që tashmë jetojnë. Merr, për shembull, djalin e Mukandbait, i cili ka njohur të vërtetën e mrekullueshme në lidhje me Perëndinë dhe qëllimin e tij. Sa ngushëlluese është për të që të mësojë se i ati nuk është në grackën e një cikli rilindjesh pothuajse pa mbarim, secili i rrethuar me ligësi dhe vuajtje! Thjesht, ai është në gjumin e vdekjes, duke pritur ringjalljen. Sa rrëqethëse është për të që të sjellë ndër mend mundësinë se një ditë do të ndajë me babain atë që ai vetë ka mësuar nga Bibla!

Është vullneti i Perëndisë që «çdo lloj njerëzish të shpëtohen e të vijnë në një njohuri të saktë të së vërtetës». (1. Timoteut 2:3, 4, BR) Tani është koha për të mësuar se si ti, bashkë me miliona të tjerë që tashmë po bëjnë vullnetin e Perëndisë, mund të jetosh përgjithmonë mbi një tokë parajsore.​—Gjoni 17:3.

[Diçitura në faqen 7]

«Të gjithëve gjërat u ndodhin sipas kohës dhe rastësisë.»​—Predikuesi 9:11

[Kutia në faqen 6]

Personaliteti i Perëndisë dhe ligji i Karmas

«Ligji i Karmas,​—shpjegoi Mohandas K. Gandi,​—është i pazbutshëm dhe prej tij është e pamundur të iket. Prandaj, vështirë se ekziston nevoja e ndërhyrjes së Perëndisë. Ai e vendosi ligjin dhe, si të themi, u tërhoq.» Për Gandin ky shpjegim ishte shqetësues.

Nga ana tjetër, premtimi i ringjalljes zbulon se Perëndia ka një interes të madh për krijimin e tij. Për të sjellë një të vdekur përsëri në jetë mbi një tokë parajsore, Perëndia duhet të dijë e të kujtojë gjithçka mbi atë person. Në të vërtetë, Perëndia kujdeset për secilin prej nesh.​—1. Pjetrit 5:6, 7.

[Figura në faqen 5]

Cikli indian i jetës

[Figura në faqen 8]

Fjala e Perëndisë mëson ringjalljen

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo