BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w97 1/4 f. 9-13
  • Merr zemër ndërsa afrohet çlirimi

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Merr zemër ndërsa afrohet çlirimi
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • «Kohë kritike të vështira për t’u trajtuar»
  • Nuk ka çlirim nga njerëzit
  • Çlirimi është afër: Për cilët?
  • Çlirimtari kryesor
  • Çlirime në të kaluarën
  • Po afron çlirimi me anë të Mbretërisë së Perëndisë!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2008
  • A E vlerëson atë që Jehovai ka bërë për të të çliruar?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2009
  • Çlirim në një botë të re të drejtë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Fjala e Jehovait plotësohet gjithnjë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2007
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
w97 1/4 f. 9-13

Merr zemër ndërsa afrohet çlirimi

«‘Unë jam me ty,​—është thënia e Jehovait,​—për të të çliruar.’»​—JEREMIA 1:19, BR.

1, 2. Përse familja njerëzore ka nevojë për çlirim?

ÇLIRIM! Ç’fjalë ngushëlluese! Të çlirohesh do të thotë të shpëtosh, të lirohesh nga një situatë e keqe e palumtur. Kjo përfshin mendimin e kalimit në një gjendje shumë më të mirë dhe më të lumtur.

2 Sa dëshpërueshëm ka nevojë familja njerëzore në këtë kohë për një çlirim të tillë! Kudo, njerëzit janë të rënduar dhe të shkurajuar nga probleme të vështira ekonomike, shoqërore, fizike, mendore dhe emocionale. Pjesa më e madhe e tyre janë të pakënaqur dhe të zhgënjyer nga mënyra në të cilën po ecën bota dhe do të dëshironin një ndryshim për më mirë.​—Isaia 60:2; Mateu 9:36.

«Kohë kritike të vështira për t’u trajtuar»

3, 4. Përse tani ka një nevojë më të madhe për çlirim?

3 Meqenëse ky shekull i 20-të ka përjetuar vuajtje më të mëdha se cilido tjetër, nevoja për çlirim tani është më e madhe se kurrë më parë. Sot, shumë më tepër se një miliard njerëz jetojnë në një varfëri të tmerrshme dhe ky numër rritet çdo vit afërsisht me 25 milionë. Çdo vit, rreth 13 milionë fëmijë vdesin për shkak të të ushqyerit të keq apo nga shkaqe të tjera të lidhura me varfërinë, pra, më shumë se 35.000 në ditë. Me miliona njerëz të moshuar vdesin para kohe nga sëmundje të ndryshme.​—Luka 21:11; Zbulesa 6:8.

4 Luftërat dhe çrregullimet civile kanë shkaktuar vuajtje të patregueshme. Libri Vdekje prej qeverisë (Death by Government), thotë se luftërat, vrasjet në masë të shtetasve nga qeveritë e tyre, si dhe konfliktet etnike dhe fetare, kanë «vrarë në këtë shekull mbi 203 milionë njerëz». Më tej, ai thotë: «Numri i të vrarëve ka të ngjarë që të jetë afërsisht 360 milionë njerëz. Është njësoj sikur lloji ynë të jetë shkretuar nga një murtajë e zezë moderne. Dhe në fakt ashtu ka ndodhur, veçse nga një murtajë pushteti, jo mikrobesh.» Shkrimtari Riçard Haruod vërejti: «Luftërat barbare të shekujve të kaluar, në krahasim me këto të sotmet, ishin përleshje mes bandave të rrugëve.»​—Mateu 24:6, 7; Zbulesa 6:4.

5, 6. Çfarë e bën kohën tonë kaq të pikëllueshme?

5 Përveç kushteve të pikëllueshme të viteve të fundit, ekziston edhe një rritje e madhe e krimit të dhunshëm, imoralitetit dhe prishjes së familjes. Ish-sekretari për arsimin, i Shteteve të Bashkuara, Uilliam Benet, vërejti se brenda 30 vjetëve popullsia e Shteteve të Bashkuara u rrit me 41 për qind, por krimi i dhunshëm u rrit me 560 për qind, lindjet e paligjshme me 400 për qind, divorcet me 300 për qind dhe numri i vetëvrasjeve të adoleshentëve me 200 për qind. Profesori i Universitetit të Prinstonit, Xhon DiJulio i Riu., paralajmëroi për radhët në rritje të «supergrabitqarëve» të rinj, të cilët «vrasin, sulmojnë, përdhunojnë, plaçkitin, vjedhin dhe krijojnë çrregullime serioze në zonë. Ata nuk kanë frikë nga damka e arrestimit, mundimet e burgimit apo nga brejtja e ndërgjegjes». Tani në këtë vend, vrasja është shkaku i dytë i vdekjeve mes të rinjve të moshës 15-19 vjeç. Nga fëmijët e moshës nën katër vjeç, janë më të shumtë ata që vdesin nga abuzimi sesa nga sëmundja.

6 Një krim dhe një dhunë e tillë, nuk kufizohen në një komb. Pjesa më e madhe e vendeve raportojnë prirje të ngjashme. Ajo që i kontribuon kësaj është dhe vala e përdorimit të paligjshëm të drogës, që korrupton me miliona njerëz. Një gazetë e Australisë (Sydney Morning Herald) thoshte: «Trafiku ndërkombëtar i drogës është bërë biznesi i dytë më fitimprurës në botë, pas tregtisë së armëve.» Një faktor tjetër është dhuna dhe imoraliteti, që tani ngopin televizionin. Në shumë vende, derisa një fëmijë arrin moshën 18 vjeç, ka parë në televizion me dhjetëra mijëra akte të dhunshme, si dhe akte të panumërta imorale. Ky është një ndikim korruptues domethënës, përderisa personaliteti ynë formohet nga ajo me të cilën e ushqejmë rregullisht mendjen tonë.​—Romakëve 12:2; Efesianëve 5:3, 4.

7. Si i parathanë profecitë biblike kushtet e këqija të tanishme?

7 Profecitë biblike e parathanë saktësisht këtë prirje të tmerrshme të ngjarjeve në shekullin tonë. Ato thanë se do të kishte luftëra globale, epidemi sëmundjesh, mungesa ushqimi dhe rritje të paligjshmërisë. (Mateu 24:7-12; Luka 21:10, 11) Kur marrim në shqyrtim profecinë që ndodhet në 2. Timoteut 3:1-5, është njësoj si të dëgjonim njoftimet e përditshme të lajmeve. Ajo e identifikon epokën tonë si «ditët e fundit» dhe i përshkruan njerëzit si ‘dashurues të vetvetes, dashurues të parasë, të pabindur ndaj prindërve, të pabesë, që nuk kanë dashuri të përzemërt natyrore, pa vetëkontroll, mizorë, të krekosur nga krenaria, dashurues të kënaqësive në vend se dashurues të Perëndisë’. (BR) Kjo është saktësisht, ashtu si është bota sot. Siç pranoi Uilliam Benet: «Ka vërtet shumë shenja . . . të kalbëzimit të qytetërimit.» Madje është thënë se me Luftën e Parë Botërore, qytetërimi mori fund.

8. Përse Perëndia solli Përmbytjen në ditët e Noes dhe si lidhet kjo me ditët tona?

8 Situata tani është edhe më keq se përpara Përmbytjes së ditëve të Noes, kur «toka ishte . . . plot e përplot me dhunë». Në atë kohë, njerëzit në përgjithësi refuzuan të pendoheshin për rrugët e tyre të këqija. Prandaj, Perëndia tha: «Toka është plot me dhunë për shkak të tyre; dhe ja, unë do t’i çoj ata në rrënim.» Përmbytja i dha fund asaj bote të dhunshme.​—Zanafilla 6:11, 13, BR; 7:17-24.

Nuk ka çlirim nga njerëzit

9, 10. Përse nuk duhet t’u drejtohemi njerëzve për të siguruar çlirim?

9 A mundet që përpjekjet e njeriut të na çlirojnë nga këto kushte të këqija? Fjala e Perëndisë përgjigjet: «Mos e vendosni besimin tuaj tek fisnikët, as tek biri i njeriut tokësor, të cilit nuk i përket asnjë shpëtim.» «Nuk i përket njeriut që ecën as ta drejtojë hapin e tij.» (Psalmi 146:3, BR; Jeremia 10:23, BR) Mijëra vjet të historisë kanë pohuar këto të vërteta. Njerëzit kanë provuar çdo sistem të imagjinueshëm politik, ekonomik dhe shoqëror, por kushtet janë keqësuar. Nëse do të kishte ekzistuar një zgjidhje njerëzore, deri tani ajo do të ishte bërë e dukshme. Përkundrazi, realiteti është që «një njeri sundon mbi një tjetër për ta dëmtuar».​—Eklisiastiu 8:9; Proverbat 29:2; Jeremia 17:5, 6.

10 Disa vite më parë, ish-këshilltari për sigurinë kombëtare i SHBA-së, Zbignjev Brazhinski, tha: «Përfundimi i pashmangshëm i çdo analize të paanshme në lidhje me prirjet globale, është se trazira sociale, çrregullimi politik, kriza ekonomike dhe fërkimet ndërkombëtare, ka të ngjarë që të bëhen më të përhapura.» Ai shtoi: «Kërcënimi që ndodhet përballë njerëzimit [është] anarkia globale.» Ky vlerësim për kushtet botërore, është edhe më i vlefshëm sot. Duke komentuar për këtë epokë të shtimit të dhunës, një kryeartikull në një gazetë të Nju Hevën, Konektikat, deklaronte: «Duket se kemi shkuar tepër larg për ta ndalur atë.» (Register) Jo, nuk do të ketë një ndalim të keqësimit të kësaj bote, sepse profecia për «ditët e fundit» thoshte, gjithashtu: «Njerëzit e këqij dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq, duke gënjyer dhe duke u gënjyer vetë.»​—2. Timoteut 3:13.

11. Përse kushtet në keqësim nuk mund të prapësohen me anë të përpjekjeve njerëzore?

11 Njerëzit nuk mund t’i prapësojnë këto prirje, sepse Satanai është «perëndia i këtij sistemi gjërash». (2. Korintasve 4:4, BR) Po, «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut». (1. Gjonit 5:19, BR; shiko, gjithashtu, Gjonin 14:30.) Me të drejtë Bibla thotë për ditët tona: «Mjerë ju banorë të tokës e të detit, sepse zbriti Djalli drejt jush duke pasur zemërim të madh, duke ditur se ka pak kohë.» (Zbulesa 12:12) Satanai e di se sundimit dhe botës së tij po i vjen fundi, prandaj ai është «si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë».​—1. Pjetrit 5:8.

Çlirimi është afër: Për cilët?

12. Për cilët po afrohet çlirimi?

12 Kushtet e vështira gjithnjë në rritje në tokë, janë një dëshmi e dukshme se një ndryshim i madh, në të vërtetë, një çlirim i madh, është shumë afër! Për cilët? Çlirimi po afrohet për ata që i kushtojnë vëmendje sinjaleve paralajmërues dhe që ndërmarrin veprime të përshtatshme. Letra e parë e Gjonit 2:17, tregon se çfarë duhet bërë: «Bota [sistemi satanik i gjërave] po kalon dhe po kështu edhe dëshira e saj, por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përgjithmonë.» (BR)​—Shiko, gjithashtu, 2. Pjetrit 3:10-13.

13, 14. Si e theksoi Jezui nevojën për të ndenjur zgjuar?

13 Jezui paratha se shoqëria e sotme e korruptuar, së shpejti do të fshihet tej në një kohë trazimi «që nuk ka ndodhur kurrë që nga krijimi i botës e deri më sot dhe as nuk do të ketë më kurrë». (Mateu 24:21) Ja, përse ai paralajmëroi: «Kini kujdes që zemrat tuaja të mos rëndohen nga të llupurit, nga të dehurit dhe nga preokupimet e kësaj jete; që ajo ditë të mos ju zërë në befasi. Sepse do të vijë si një lak mbi të gjithë ata që banojnë mbi faqen e mbarë dheut. Prandaj, rrini zgjuar dhe lutuni kurdoherë që të çmoheni të denjë të shpëtoni nga të gjitha ato që do të ngjasin.»​—Luka 21:34-36.

14 Ata që «kanë kujdes» dhe «rrinë zgjuar», do ta kërkojnë vullnetin e Perëndisë dhe do ta kryejnë atë. (Proverbat 2:1-5; Romakëve 12:2) Këta janë ata që do t’i «shpëtojnë» shkatërrimit që do të vijë së shpejti mbi sistemin e Satanait. Ata mund të kenë besim të plotë se do të çlirohen.​—Psalmi 34;15; Proverbat 10:28-30.

Çlirimtari kryesor

15, 16. Cili është Çlirimtari kryesor dhe përse jemi të sigurt se gjykimet e tij do të jenë të drejta?

15 Që të çlirohen shërbëtorët e Perëndisë, duhet që Satanai dhe krejt sistemi i tij mbarëbotëror i gjërave, të zhduken. Kjo kërkon një burim çlirimi shumë më të fuqishëm sesa njerëzit. Ky burim është Perëndia Jehova, Sovrani Suprem, Krijuesi i plotfuqishëm i universit të mahnitshëm. Ai është Çlirimtari kryesor: «Unë, unë jam Jehovai dhe përveç meje nuk ka asnjë shpëtimtar.»​—Isaia 43:11, BR; Proverbat 18:10.

16 Tek Jehovai gjendet shkalla më e lartë e fuqisë, mençurisë, drejtësisë dhe dashurisë. (Psalmi 147:5; Proverbat 2:6; Isaia 61:8; 1. Gjonit 4:8) Prandaj, kur ai ekzekuton gjykimet e tij, mund të jemi të sigurt se veprimet e tij do të jenë të drejta. Abrahami pyeti: «Gjykatësi i tërë tokës, a nuk ka për të bërë drejtësi?» (Zanafilla 18:24-33) Pavli u shpreh me habi: «Mos ka padrejtësi te Perëndia? Aspak!» (Romakëve 9:14) Gjoni shkroi: «Po, Perëndia Jehova, i Plotfuqishmi, të vërteta dhe të drejta janë vendimet e tua gjyqësore.»​—Zbulesa 16:7, BR.

17. Si kanë shprehur shërbëtorët e Jehovait në të kaluarën besim në premtimet e tij?

17 Kur Jehovai premton çlirim, ai do ta kryejë patjetër atë. Josiu tha: «Asnjë premtim nuk mbeti pa u realizuar nga të gjitha premtimet e mira që kishte bërë Jehovai.» (Josiu 24:15, BR) Solomoni tha: «As edhe një fjalë e vetme nuk mbeti pa u zbatuar nga të gjtha premtimet e bëra prej tij.» (1. Mbretërve 8:56) Apostulli Pavël vërejti se Abrahami «nuk u lëkund në një mungesë besimi, . . . duke qenë plotësisht i bindur se atë që [Perëndia] ka premtuar është, gjithashtu, në gjendje ta bëjë». Ngjashëm, Sara «e konsideroi besnik atë [Perëndinë] që i kishte bërë premtimin».​—Romakëve 4:20, 21, BR; Hebrenjve 11:11.

18. Përse shërbëtorët e Jehovait sot mund të jenë të sigurt se do të çlirohen?

18 Ndryshe nga njerëzit, Jehovai është plotësisht i denjë për besim, besnik ndaj fjalës së tij. «Jehovai i ushtrive është betuar, duke thënë: ‘Sigurisht, që tamam siç e kam përfytyruar, kështu duhet të ndodhë; dhe pikërisht siç kam këshilluar, kjo do të jetë që do të dalë e vërtetë.’» (Isaia 14:24, BR) Pra, kur Bibla thotë se «Jehovai di se si t’i çlirojë njerëzit me devotshmëri hyjnore nga sprova, por edhe t’i rezervojë njerëzit e padrejtë për ditën e gjykimit, që të priten», ne mund të jemi plotësisht të sigurt se kjo do të ndodhë. (2. Pjetrit 2:9, BR) Madje dhe kur kërcënohen prej shkatërrimit nga armiq të fuqishëm, shërbëtorët e Jehovait marrin zemër për shkak të qëndrimit të tij të pasqyruar në premtimin që i ka bërë njërit prej profetëve të tij: «Sigurisht që ata do të luftojnë kundër teje, por nuk do të mbizotërojnë mbi ty, sepse ‘unë jam me ty,​—është thënia e Jehovait,​—për të të çliruar’.»​—Jeremia 1:19, BR; Psalmi 33:18, 19; Titit 1:2.

Çlirime në të kaluarën

19. Si e çliroi Jehovai Lotin dhe çfarë paralelizmi ka me kohën tonë?

19 Ne mund të inkurajohemi shumë, duke treguar disa prej veprave të mëparshme shpëtuese të Jehovait. Për shembull, Loti ishte «i helmuar» nga ligësia e Sodomës dhe Gomorrës. Por Jehovai ia vuri veshin «britmës së ankimit» kundër atyre qyteteve. Në kohën e duhur, ai dërgoi lajmëtarë për ta nxitur Lotin dhe familjen e tij që të largoheshin menjëherë nga ajo zonë. Rezultati? Jehovai «liroi të drejtin Lot» dhe ‘i bëri hi qytetet e Sodomës dhe Gomorës’. (2. Pjetrit 2:6-8; Zanafilla 18:20, 21, BR) Edhe sot, Jehovai ia vë veshin britmës së ankimit në lidhje me ligësinë e madhe të kësaj bote. Kur lajmëtarët e tij të ditëve moderne ta kenë përfunduar veprën e tyre urgjente të dëshmisë, në masën që ai dëshiron, ai do të veprojë kundër kësaj bote dhe do të çlirojë shërbëtorët e tij, ashtu siç çliroi Lotin.​—Mateu 24:14.

20. Përshkruaj çlirimin, me anë të Jehovait, të Izraelit të lashtë nga Egjipti.

20 Në Egjiptin e lashtë, ishin skllavëruar me miliona pjesëtarë të popullit të Jehovait. Jehovai tha për ta: «E kam dëgjuar britmën e tyre . . . i njoh mirë dhimbjet që ata vuajnë. Dhe jam duke vepruar që të zbres për t’i çliruar.» (Dalja 3:7, 8, BR) Megjithatë, pasi e la të shkonte popullin e Perëndisë, Faraoni ndryshoi mendje dhe e ndoqi me ushtrinë e tij të fuqishme. U duk sikur në Detin e Kuq, izraelitët u kapën në grackë. Por Moisiu tha: «Mos kini frikë. Qëndroni pa lëvizur dhe shikoni shpëtimin e Jehovait, që ai do të kryejë sot për ju.» (Dalja 14:8-14, BR) Jehovai e ndau Detin e Kuq dhe izraelitët ia mbathën. Ushtritë e Faraonit u sulën pas tyre, por Jehovai e përdori fuqinë e tij në mënyrë të tillë që «deti i mbuloi; ata u fundosën si plumbi në ujërat e madhërishëm». Pas kësaj, Moisiu u ngazëllye në një këngë për Jehovain: «Kush është si ty, që e tregon veten të fuqishëm në shenjtëri? Ai për të cilin duhet pasur frikë me këngë lavdie, Ai që bën mrekulli.»​—Dalja 15:4-12, 19, BR.

21. Si u shpëtuan pjesëtarët e popullit të Jehovait nga Amoni, Moabi dhe Seiri?

21 Në një rast tjetër, kombet armike të Amonit, Moabit dhe Seirit (Edomit), e kërcënuan me shkatërrim popullin e Jehovait. Jehovai tha: «Mos u frikësoni dhe mos u tmerroni për shkak të kësaj turme të madhe [armiqsh]; sepse beteja nuk është juaja, por e Perëndisë. . . . Nuk do t’ju duhet të luftoni . . . Qëndroni pa lëvizur dhe shikoni shpëtimin e Jehovait në favorin tuaj.» Jehovai e çliroi popullin e tij, duke vepruar në atë mënyrë që krijoi rrëmujë në radhët e armiqve, kështu që ata u therën me njëri-tjetrin.​—2. Kronikave 20:15-23, BR.

22. Çfarë çlirimi të mrekullueshëm nga Asiria siguroi Jehovai për Izraelin?

22 Kur fuqia botërore asiriane erdhi kundër Jerusalemit, mbreti Senakerib e talli Jehovain, duke i thënë popullit mbi mur: «Kush prej tërë perëndive të këtyre vendeve [që kam pushtuar] ka çliruar vendin e vet nga duart e mia, që Zoti të mund të çlirojë Jerusalemin nga duart e mia?» Shërbëtorëve të Perëndisë ai u tha: «Mos t’ju bëjë Ezekia që të vendosni besimin tuaj tek Zoti, duke thënë: ‘Me siguri Zoti do të na çlirojë.’» Atëherë Ezekia u lut me zjarr për çlirim, «që të gjitha mbretëritë e tokës ta dinë se ti, o Jehova, je Perëndi i vetëm». (BR) Jehovai shtriu përtokë 185.000 ushtarë asirianë dhe shërbëtorët e Perëndisë u çliruan. Më vonë, kur Senakeribi adhuronte perënditë e tij të rreme, bijtë e tij e vranë.​—Isaia, kapitujt 36 dhe 37.

23. Cilat pyetje kanë nevojë për përgjigje në lidhje me çlirimin sot?

23 Sigurisht që ne mund të marrim zemër kur shohim se si në të kaluarën Jehovai e ka çliruar popullin e tij, në mënyrë të mrekullueshme. Po sot? Në çfarë situate të rrezikshme do të gjenden së shpejti shërbëtorët e tij besimplotë, që do të kërkojnë çlirimin e tij të mrekullueshëm? Përse ka pritur deri tani për të sjellë çlirimin e tyre? Ç’përmbushje do të kenë fjalët e Jezuit, «kur këto gjëra të fillojnë të ndodhin, ngrihuni dhe ngrini kokat lart, sepse çlirimi juaj po afrohet»? (Luka 21:28, BR) Si do të vijë çlirimi për shërbëtorët e Perëndisë, që tashmë kanë vdekur? Artikulli vijues do të shqyrtojë këto pyetje.

Pyetje për rishikim

◻ Përse ka një nevojë të madhe për çlirim?

◻ Përse nuk duhet t’u drejtohemi njerëzve për çlirim?

◻ Për cilët është afër çlirimi?

◻ Përse mund të jemi të sigurt për çlirimin e Jehovait?

◻ Cilët shembuj të çlirimeve të kaluara janë inkurajues?

[Figura në faqen 10]

Abrahami ishte ndër ata që patën besim të plotë tek Jehovai

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo