Besimi në Perëndinë: A ka nevojë për një mrekulli?
ALBERTI ishte rreth moshës 20-25 vjeç, kur filloi të kërkonte Perëndinë. Shqyrtoi disa fe, por mbeti i pakënaqur. Duke lexuar pjesë nga Bibla, ai mësoi se si ishte sjellë Perëndia me individë të tillë si Noeja, Abrahami, Sara dhe Moisiu. Perëndia i Biblës e bëri për vete Albertin. Megjithatë, a mund të ishte i sigurt ai se Perëndia ekziston vërtet?
Një mbrëmje, Alberti shkoi me makinë në një vend të izoluar, ku u lut: «Të lutem, o Perëndi, më jep një shenjë, diçka që të më provojë se ti ekziston.» Alberti priti e priti. Ai sjell ndër mend se kur nuk ndodhi asgjë, pritja e tij «u kthye në zhgënjim, në zbrazëti, në zemërim».
Ashtu si Alberti, shumë njerëz mendojnë se e kanë kërkuar më kot Perëndinë. Ata mund të jenë të pështjelluar nga predikimet e klerikëve apo të zhgënjyer nga mjeshtëria e tregtisë së ungjillëzuesve të televizorit. Të goditur nga hipokrizia e dukshme mes shumë prej fqinjëve të tyre të ashtuquajtur të krishterë, disa nuk janë të sigurt se çfarë të besojnë. Megjithatë, Davidi, mbret i Izraelit të lashtë, e siguroi të birin, Solomonin: «Në rast se ti e kërkon [Perëndinë], ai do të të lërë ta gjesh.»—1. Kronikave 28:9.
Po atëherë, si e zbulon Perëndia veten? A duhet të presësh një shenjë, ndonjë përvojë të mbinatyrshme që do të të provojë se Perëndia ekziston? Sipas një ankete të fundit, të raportuar në revistën Time, më shumë se dy të tretat e amerikanëve besojnë tek mrekullitë. Artikulli vërente, gjithashtu, se «kishat me rritje më të shpejtë në Amerikë, janë kongregacionet karizmatike dhe pentekostale, adhurimi i të cilave vërtitet rreth ‘shenjave dhe mrekullive’».
A ka vërtet nevojë për ‘shenja dhe mrekulli’ për të besuar në Perëndinë? Ai i ka përdorur mrekullitë në të kaluarën. Sa për të bërë një shembull: Sauli nga Tarsa, i cili persekutonte ithtarët e Birit të Perëndisë, të Jezu Krishtit, pati një përvojë të jashtëzakonshme në rrugën nga Jerusalemi për në Damask. Ky takim i mrekullueshëm me Jezuin e ringjallur, çoi në kthimin e Saulit. (Veprat 9:1-22) Kështu, një ish-persekutues u bë apostulli Pavël, një nga mbrojtësit më të shquar të krishterimit.
Por, a ngjallin gjithmonë mrekullitë një reagim të tillë të favorshëm? A varet besimi i vërtetë në Perëndinë nga pasja e ndonjë përvoje të mrekullueshme?
[Figura në faqen 3]
Biri i Perëndisë i foli në mënyrë të mrekullueshme Saulit nga Tarsa. A duhet të presësh edhe ti një mrekulli?