BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w97 1/2 f. 24-28
  • Vendi i muzikës në adhurimin modern

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Vendi i muzikës në adhurimin modern
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Vendi historik i muzikës në adhurim
  • Këndimi i këngëve nga të krishterët e shekullit të parë
  • Ndikimi i adhurimit të rremë
  • Ta vëmë muzikën në vendin që i takon në adhurim
  • ‘T’i këndojmë Jehovait në zemrën tonë’
  • T’i thurim melodi Jehovait
  • Ngrije zërin plot gëzim!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2017
  • Këndojini lavdi Jehovait
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Këndojini Jehovait!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2010
  • Këngëtar, këndim
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
w97 1/2 f. 24-28

Vendi i muzikës në adhurimin modern

KËNDIMI është një dhuratë nga Perëndia. Ngritja e zërave tanë në këngë, mund të na sjellë kënaqësi neve dhe Krijuesit tonë. Nëpërmjet këngës, ne mund të shprehim ndjenjat tona, si brengat ashtu edhe gëzimet. Por jo vetëm kaq. Nëpërmjet saj, ne mund të shprehim dashurinë, adhurimin dhe lavdërimin për Nismëtarin e këngës, Jehovain.

Në rreth treqind vargje biblike që i referohen muzikës, pjesa më e madhe e tyre ka të bëjë me adhurimin e Jehovait. Këndimi shoqërohet, gjithashtu, me gëzimin; jo vetëm me gëzimin e atyre që këndojnë, por edhe me gëzimin që provon Jehovai nga ana e vet. Psalmisti shkroi: «Le t’i thurin atij melodi. Sepse Jehovai gjen kënaqësi në popullin e tij.»​—Psalmi 149:3, 4, BR.

Por, sa i rëndësishëm është këndimi në adhurimin modern? Si mund t’i pëlqejë Jehovait populli i tij sot, duke e ngritur zërin në këngë? Çfarë vendi duhet të zërë muzika në adhurimin e vërtetë? Shqyrtimi i historisë së muzikës në adhurim, do të na ndihmojë t’u japim përgjigje këtyre pyetjeve.

Vendi historik i muzikës në adhurim

Referimi i parë biblik në lidhje me muzikën, nuk është shkruar në lidhje specifike me adhurimin e Jehovait. Në Zanafillën 4:21, Jubalit i jepet merita për atë që mund të quhet shpikja e instrumenteve të para muzikore apo ndoshta krijimin e ndonjë lloj profesioni muzikor. Gjithsesi, muzika ishte pjesë e adhurimit të Jehovait edhe shumë kohë përpara krijimit të njerëzve. Disa përkthime të Biblës i përshkruajnë engjëjt duke kënduar. Jobi 38:7 flet për engjëjt që bërtasin me gëzim dhe ‘lëshojnë britma brohoritjesh’. E pra, ekzistojnë arsye biblike për të besuar se këndimi në adhurimin e Jehovait ka qenë një zakon, shumë kohë para se të dilte në skenë njeriu.

Disa historianë kanë argumentuar se muzika e lashtë hebreje ishte e tëra melodi, pa kombinime zërash që i përforcojnë. Megjithatë, me harpë, që ishte një instrument i përmendur dukshëm në Bibël, mund të luhej më shumë se një notë njëkohësisht. Ata që i bien harpës duhet të kenë vërejtur harmoninë që mund të vijë nga kombinimet e toneve në instrument. Muzika e tyre nuk ishte aspak primitive, përkundrazi, ishte pa dyshim mjaft e avancuar. Gjithashtu, duke gjykuar për nga poezia dhe proza e Shkrimeve Hebraike, mund të dalim në përfundimin se muzika izraelite ishte e një cilësie të lartë. Sigurisht, frymëzimi për kompozime muzikore qëndronte shumë më lart se ai i kombeve fqinjë.

Organizimi në tempullin e lashtë bëri të mundur pasjen e arranxhimeve të përbëra të orkestrimeve dhe të zërave në adhurimin në tempull. (2. Kronikave 29:27, 28) Kishte «dirigjentë», «mjeshtra», «nxënës» dhe «drejtues këngëtarësh». (1. Kronikave 15:21, BR; 25:7, 8; Nehemia 12:46) Duke komentuar mbi aftësitë e tyre të avancuara muzikore, historiani Kërt Saç shkroi: «Koret dhe orkestrat e tempullit në Jerusalem, të sjellin ndër mend një normë të lartë të arsimimit, aftësisë dhe njohurisë muzikore. . . . Edhe pse nuk e dimë se si tingëllonte ajo muzikë e lashtë, kemi dëshmi të mjaftueshme të fuqisë, të dinjitetit dhe të mjeshtërisë së saj.» (The Rise of Music in the Ancient World: East and West, 1943, faqet 48, 101-102) Një shembull i krijimtarisë dhe i cilësisë së kompozimeve hebreje është Kënga e Solomonit. Ajo është një histori në këngë, e ngjashme me libretin apo tekstin e një opere. Në tekstin hebraik, kënga është quajtur «Kënga e këngëve», që do të thotë, kënga më e shkëlqyer. Për hebrenjtë e lashtë, këndimi i këngëve ishte një pjesë përbërëse e adhurimit. Gjithashtu, ai bënte të mundur shprehjen e ndjenjave pozitive në lavdërimin që i bënin Jehovait.

Këndimi i këngëve nga të krishterët e shekullit të parë

Muzika vazhdoi të ishte një pjesë e rregullt e adhurimit edhe mes të krishterëve të hershëm. Përveç Psalmeve të frymëzuara që kishin, ata me sa duket kompozuan muzikë origjinale dhe poezi lirike për adhurim, duke vënë bazën për kompozimin e këngëve të krishtere në ditët moderne. (Efesianëve 5:19) Një libër i Ualdo Selden Prat (The History of Music), shpjegon: «Këndimi në adhurimin publik dhe në atë privat ishte një zakon për të krishterët e hershëm. Për të kthyerit judenj kjo gjë ishte një vazhdim i zakoneve të sinagogës . . . Përveç Psalmeve Hebraike . . . , besimi i ri prirej vazhdimisht që të nxirrte himne të reja, që në shikim të parë dukeshin në formën e rapsodive.»a

Kur Jezui themeloi Darkën e Zotërisë, duke theksuar vlerën e këndimit, ka të ngjarë që ai dhe apostujt të kenë kënduar halelet. (Mateu 26:26-30) Këto ishin këngë lavdërimi për Jehovain, të cilat ishin shkruar në Psalme dhe këndoheshin në kremtimin e Pashkëve.​—Psalmet 113-118.

Ndikimi i adhurimit të rremë

Duke filluar nga e ashtuquajtura Epokë e Errët, muzika fetare u rrëgjua në këngë të trishtuara monotone. Rreth vitit 200 të e.s., Klementi i Aleksandrisë tha: «Një instrument na nevojitet: fjala paqësore e adhurimit dhe jo harpat, tamburët, fyelli apo trumpetat.» U imponuan kufizime, duke e kufizuar muzikën kishtare në vokale. Ky stil u bë i njohur si psalmet apo këngët kishtare. Një libër (Our Musical Heritage), thotë: «Më pak se dyzet vjet pas ngritjes së Konstandinopolit, Këshilli i Laodicesë (367 A.D.) ndaloi si pjesëmarrjen e instrumenteve, ashtu edhe atë të kongregacioneve në liturgji. Muzika ortodokse ka qenë tërësisht vokale.» (Kursivi është yni.) Këto kufizime nuk kishin asnjë bazë në krishterimin e hershëm.

Gjatë Epokës së Errët, Bibla ishte një libër përgjithësisht i panjohur dhe i padisponueshëm për njerëzit e zakonshëm. Të krishterët që guxonin të zotëronin apo të lexonin një Bibël, persekutoheshin dhe madje vriteshin. Nuk është çudi, pra, që praktika e këndimit të lavdeve për Perëndinë humbi në një masë të madhe gjatë asaj periudhe të zymtë. Në fund të fundit, nëse njerëzit e zakonshëm nuk kishin mundësinë për t’iu afruar Shkrimeve, si do të dinin se një e dhjeta e gjithë Biblës është këngë? Kush do t’i vinte ata në dijeni se Perëndia i urdhëroi adhuruesit e tij «t’i këndonin Jehovait një këngë të re, lavdërimin e tij në kongregacionin e besnikëve»?​—Psalmi 149:1, BR.

Ta vëmë muzikën në vendin që i takon në adhurim

Organizata e Jehovait ka bërë një punë të madhe për ta vënë muzikën dhe këndimin në vendin që i takon në adhurim. Për shembull, numri i 1 shkurtit 1896, i botimit Kulla e Rojës e Sionit (angl.) përbëhej vetëm nga këngë. Ajo titullohej «Këngët e gëzuara të agimit të Sionit».

Në vitin 1938, nga mbledhjet e kongregacionit u përjashtua këndimi i këngëve. Megjithatë, shpejt mbizotëroi mençuria e shembullit dhe e drejtimit të mëpasshëm apostolik. Në kongresin krahinor, që u mbajt në 1944-n, F. W. Franz mbajti fjalimin «Këngët e shërbimit të Mbretërisë». Ai tregoi se krijesat qiellore të Perëndisë, kishin ofruar këngë lavdërimi për Jehovain shumë kohë përpara se të krijohej njeriu dhe tha: «Është e përshtatshme dhe e pëlqyeshme për Perëndinë, që shërbëtorët e Tij tokësorë të ngrenë zërat e tyre në këngë të vërteta.» Pas zhvillimit të argumentit për këndimin në adhurim, ai njoftoi daljen e botimit Libri i këngëve për shërbimin e Mbretërisë (angl.), i cili do të përdorej në mbledhjet javore të shërbimit.b Më pas, në dhjetor të 1944-s, botimi Njoftues (që tani quhet Shërbimi ynë i Mbretërisë) njoftoi se edhe mbledhjet e tjera do të kishin këngët e hapjes dhe të mbylljes. Këndimi u bë përsëri pjesë e adhurimit të Jehovait.

‘T’i këndojmë Jehovait në zemrën tonë’

Vlera e këndimit me zemër është ilustruar nga vëllezërit tanë në Evropën Lindore dhe në Afrikë, të cilët kanë përjetuar vite armiqësie dhe persekutimi. Lotar Vagner, kaloi shtatë vjet në izolim. Si i shtyu ai orët? Ai thotë: «Për disa javë u përqendrova në kompletimin e kujtesës me këngët e Mbretërisë. Aty ku nuk e dija tekstin me saktësi, bëja thjesht një apo dy strofa. . . . Ç’bollëk inkurajimi dhe mendimesh ndërtuese përmbajnë këngët tona të Mbretërisë!»​—1974 Yearbook of Jehovah’s Witnesses, faqet 226-228, angl.

Gjatë pesë vjetëve të izolimit, për shkak të qëndrimit të tij besimplotë, Harold King gjeti ngushëllim në kompozimin dhe në këndimin e këngëve të lavdërimit për Jehovain. Disa prej kompozimeve të tij, përdoren tani nga Dëshmitarët e Jehovait në adhurimin e tyre. Gëzimi që lidhet me këndimin është një gëzim që të jep mbështetje. Megjithatë, nuk është e nevojshme që të përjetojmë persekutim, për t’u bindur për vlerën që ka këndimi i lavdeve për Perëndinë.

Të gjithë në popullin e Jehovait mund të gjejnë gëzim në këngë. Ndonëse mund të kemi druajtje për t’u shprehur me fjalë, ndjenjat tona për Jehovain mund të jenë të lira, kur i shprehim ato në këngë. Apostulli Pavël na tregoi se si mund të gjejmë gëzim, duke kënduar lavde, kur i këshilloi të krishterët që të vazhdonin ‘t’i flisnin vetvetes me psalme, dhe lavdërime për Perëndinë dhe me këngë frymore, duke u shoqëruar me muzikë në zemrat e tyre për Jehovain’. (Efesianëve 5:19, BR) Kur zemra jonë është e mbushur me gjëra frymore, ne shprehemi fuqishëm në këngë. Kështu, pra, çelësi për të përmirësuar mënyrën e të kënduarit është qëndrimi i drejtë në zemër.

Zotërimi i një marrëdhënieje të mirë me Jehovain i kontribuon frymës së gëzuar, duke na nxitur të flasim, të këndojmë dhe të brohorasim lavdërime për Jehovain. (Psalmi 146:2, 5) Ne këndojmë me gjithë zemër për gjërat që gëzojmë. Kështu, nëse na pëlqen kënga apo ndjenjat e këngës, ka shumë të ngjarë që këngën ta këndojmë me ndjenja të vërteta.

Për të kënduar me ndjenjë, nuk ka pse të këndohet me shumë volum. Këndimi me shumë volum nuk është medoemos sinonimik me një të kënduar të bukur; dhe as një e kënduar që nuk mund të dëgjohet. Disa zëra me kumbim të natyrshëm mund të bien në sy, edhe pse mund të këndojnë lehtë. Pjesë e sfidës për të kënduar mirë në grup, është të mësosh t’i shkosh pas. Qoftë që këndon me shumë zëra apo vetëm me një zë, harmonizimi i volumit me ata që ke pranë nxjerr një këngë të akorduar që të kënaq veshin. Modestia e krishterë dhe veshi dëgjues e ndihmon një person që të arrijë ekuilibrin e një të kënduari me gjallëri dhe prapëseprapë jo me zë tepër të lartë. Sidoqoftë, ata që këndojnë me mjeshtëri apo që kanë zë jashtëzakonisht të bukur, asnjëherë nuk duhet t’i shkurajojmë për këndimin që u del nga zemra. Një zë i bukur mund të mbështetë fuqishëm një kongregacion në këndimin e këngëve të lavdërimit për Jehovain.

Këndimi nëpër mbledhjet tona siguron, gjithashtu, një ambient të përshtatshëm për të kënduar melodi me shumë zëra. Ata që kanë vesh muzike për të kënduar me shumë zëra apo që mund të lexojnë rreshtat e notave në librin e këngëve dhe i këndojnë ato, janë të inkurajuar për të shkuar pas kongregacionit që këndon dhe për t’i shtuar bukuri muzikës.c

Disa mund të pohojnë: «Nuk mund ta kap muzikën.» «Kam një zë të shëmtuar; zëri im rrëshqet në notat e larta.» Në këtë mënyrë, ata janë të ndrojtur edhe kur këndojnë në Sallën e Mbretërisë. E vërteta është se asnjë zë që ngrihet për të lavdëruar Jehovain, nuk është «i shëmtuar» nga pikëpamja e tij. Ashtu sikurse zëri i të folurit të një personi mund të përmirësohet, duke u ushtruar dhe duke ndjekur sugjerimet e dobishme që jepen në Shkollën e Shërbimit Teokratik, po ashtu mund të përmirësohet edhe mënyra e tij e të kënduarit. Disa e kanë përmirësuar zërin e tyre, thjesht duke kënduar me vete, tek bëjnë punët e shtëpisë. Ky lloj këndimi ndihmon për të shtruar tonin e zërit. Veç kësaj, kur është koha e përshtatshme gjatë kohës që jemi vetëm apo kur punojmë në një vend që nuk i shqetësojmë të tjerët, këndimi i melodive të Mbretërisë është një ushtrim i mrekullueshëm për zërin dhe një mënyrë për ta futur personin në një gjendje shpirtërore të gëzuar e të çlodhur.

Gjithashtu, mund të inkurajojmë këndimin e pak këngëve të Mbretërisë nëpër grumbullime. Këndimi në këtë mënyrë i shoqëruar me një instrument si kitarë ose piano, apo i shoqëruar nga regjistrimet e Shoqatës për piano, u jep një ton frymor grumbullimeve tona. Përveç kësaj, këndimi ndihmon për mësimin e këngëve dhe këndimin e tyre mirë gjatë mbledhjeve të kongregacionit.

Për të ndihmuar kongregacionin që të entuziazmohet gjatë këndimit nëpër mbledhje, Shoqata ka siguruar orkestrime muzikore të regjistruara. Kur luhen ato, ai që merret me akustikën, duhet të jetë i kujdesshëm për volumin. Nëse zëri i muzikës nuk është i mjaftueshëm, kongregacioni mund të druhet për ta kënduar. Ndërsa vëllai që kontrollon sistemin e akustikës këndon bashkë me kongregacionin, ai do të jetë në gjendje të përcaktojë, nëse muzika po jep një drejtim mbështetës apo jo.

T’i thurim melodi Jehovait

Këndimi na jep mundësi për të shprehur ndjenjat që kemi për Krijuesin tonë. (Psalmi 149:1, 3) Nuk është vetëm një shpërthim emocional, por një shprehje e kontrolluar, e arsyeshme dhe e gëzuar e lavdërimit tonë. Këndimi me gjithë zemër në kongregacion mund të na krijojë një gjendje të përshtatshme shpirtërore dhe mendore për programin që vjen më pas dhe mund të na nxitë që të kemi një pjesëmarrje më të madhe në adhurimin e Jehovait. Ndonëse të kënduarit ka një ndikim emocional, fjalët e këngëve mund të shërbejnë, gjithashtu, për të na mësuar. Duke u shprehur në këtë mënyrë të bashkuar dhe në harmoni, ne e përgatisim zemrën tonë me butësi dhe përulësi, me qëllim që të mund të mësojmë së bashku si një popull i mbledhur.​—Krahaso Psalmin 10:17.

Këndimi do të jetë gjithmonë pjesë e adhurimit të Jehovait. Kështu, pra, ne kemi perspektivën për të përçuar gjithmonë ndjenjat e psalmistit: «Do të lavdëroj Jehovain gjatë gjithë jetës sime. Do t’i thur melodi Perëndisë tim deri sa të jem.»​—Psalmi 146:2, BR.

[Shënimet]

a Rapsodia është një pjesë muzikore që ndahet në sesione të ndryshme nga një frymë lirie. Shpesh, rapsoditë u thurin lavde ngjarjeve apo personazheve historikë.

b Letra e parë e Korintasve 14:15, duket se tregon që këndimi ishte një veçori e rregullt e adhurimit të krishterë, në shekullin e parë.

c Disa prej këngëve që gjenden në librin e fundit të këngëve që kemi, Këndojini lavdi Jehovait, përmbajnë pjesë me katër zëra, për dobinë e atyre, të cilëve u pëlqen të këndojnë me shumë zëra. Megjithatë, shumë prej këngëve janë arranxhuar për t’u shoqëruar me piano dhe u është bërë një interpretim muzikor, në përpjekje për të ruajtur origjinën ndërkombëtare të akordeve. Improvizimi i notave harmonike për këngët e shkruara pa harmoninë strikte me shumë zëra, mund t’i japë një rritje të kënaqshme mënyrës sonë të të kënduarit nëpër mbledhje.

[Kutia në faqen 27]

Disa sugjerime se si të këndojmë më mirë

1. Kur këndon, mbaje librin e këngëve lart. Kjo gjë ndihmon për të marrë frymë më natyrshëm.

2. Merr frymë thellë në fillim të çdo fraze.

3. Hapja e gojës pak më shumë sesa është e rehatshme, në fillim do të rrisë në mënyrë të natyrshme volumin dhe kumbimin e zërit.

4. Mbi të gjitha, mbaj në qendër të vëmendjes ndjenjën e këngës që këndohet.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo