BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w96 15/12 f. 5-8
  • E vërteta mbi Jezuin

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • E vërteta mbi Jezuin
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Çfarë thotë Bibla
  • Baza për të qenë të bindur
  • Përse nuk besojnë
  • Të gjejmë Jezuin e vërtetë
  • «Besëlidhja e Re»​—Histori apo mit?
    Bibla—Fjala e Perëndisë apo e njerëzve?
  • Jezui i vërtetë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
  • Jezu Krishti: Pyetjet marrin përgjigje
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2012
  • A ka ndodhur vërtet?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për publikun)—2016
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
w96 15/12 f. 5-8

E vërteta mbi Jezuin

DUKET se teoritë dhe spekulimet mbi faktin se kush ishte Jezui dhe se çfarë bëri ai, s’kanë të sosur. Por, ç’mund të themi për vetë Biblën? Çfarë na tregon ajo për Jezu Krishtin?

Çfarë thotë Bibla

Duke lexuar Biblën me kujdes, do të vëresh këto fakte kryesore:

◻ Jezui është Biri i vetëmlindur i Perëndisë, i parëlinduri i gjithë krijimit.​—Gjoni 3:16; Kolosianëve 1:15.

◻ Rreth dy mijë vjet më parë, Perëndia e transferoi jetën e Jezuit në barkun e një virgjëreshe judeje, që të lindte si njeri.​—Mateu 1:18; Gjoni 1:14.

◻ Jezui nuk ishte thjesht një njeri i mirë. Në çdo aspekt, ai ishte një pasqyrim i besueshëm i personalitetit të bukur të të Atit, Perëndisë Jehova.​—Gjoni 14:9, 10; Hebrenjve 1:3.

◻ Gjatë shërbimit të tij në tokë, Jezui u kujdes me dashuri për nevojat e të shtypurve. Ai shëroi në mënyrë të mrekullueshme të sëmurin dhe madje ngriti të vdekurin.​—Mateu 11:4-6; Gjoni 11:5-45.

◻ Jezui shpalli Mbretërinë e Perëndisë si të vetmen shpresë për njerëzimin e brengosur dhe i stërviti dishepujt e tij që të vazhdonin këtë vepër predikimi.​—Mateu 4:17; 10:5-7; 28:19, 20.

◻ Më 14 nisan (rreth 1 prillit) të vitit 33 të e.s., Jezui u arrestua, u gjykua, u dënua dhe u ekzekutua nën akuzën e rremë të rebelimit.​—Mateu 26:18-20, Mt 26:48-27:50.

◻ Vdekja e Jezuit shërben si një shpërblerje, e cila i çliron njerëzit që besojnë nga gjendja e tyre mëkatare dhe kështu u hap rrugën drejt jetës së përhershme të gjithë atyre që ushtrojnë besim në të.​—Romakëve 3:23, 24; 1. Gjonit 2:2.

◻ Më 16 nisan, Jezui u ringjall dhe pak më pas u ngjit përsëri në qiell për të dorëzuar para Atit vlerën shpërblerëse të jetës së tij të përsosur njerëzore.​—Marku 16:1-8; Luka 24:50-53; Veprat 1:6-9.

◻ Si Mbret i caktuar prej Jehovait, Jezui i ringjallur ka autoritet të plotë në plotësimin e qëllimit origjinal të Perëndisë për njeriun.​—Isaia 9:6, 7; Luka 1:32, 33.

Kështu, Bibla e paraqet Jezuin si figurën kryesore për plotësimin e qëllimeve të Perëndisë. Por si mund të jemi të sigurt, se ky është Jezui i vërtetë, Jezui i historisë, sipas së cilës lindi në Betlehem dhe ka shëtitur në këtë tokë rreth 2.000 vjet më parë?

Baza për të qenë të bindur

Shumë dyshime mund të shuhen thjesht duke lexuar Shkrimet e Krishtere Greke me një mendje të hapur pa paragjykime. Duke bërë kështu, do të shohësh se tregimi i Biblës nuk është një tregim i paqartë ngjarjesh, gjë që ndodh me mitologjinë. Përkundrazi, aty deklarohen emrat, periudhat specifike dhe vendet e sakta. (Për shembull, shiko Lukën 3:1, 2.) Për më tepër, dishepujt e Jezuit janë portretizuar me një ndershmëri të jashtëzakonshme, me një sinqeritet që ngulit bindje tek lexuesi. Shkrimtarët nuk maskuan asnjë, madje as vetveten, vetëm për të bërë një tregim të besueshëm. Po, do të shikosh se Bibla përmban tingullin e së vërtetës.​—Mateu 14:28-31; 16:21-23; 26:56, 69-75; Marku 9:33, 34; Galatasve 2:11-14; 2. Pjetrit 1:16.

Por jo vetëm kaq. Zbulimet arkeologjike kanë konfirmuar vazhdimisht tregimin e Biblës. Për shembull, nëse viziton Muzeun e Izraelit në Jerusalem, mund të shohësh një gur që ka mbishkrimin, i cili përmend emrin e Ponc Pilatit. Zbulimet e tjera arkeologjike vërtetojnë Lisanian dhe Serxh Paolon, të cilët Bibla i përmend si persona të vërtetë dhe jo si krijime të trilluara nga të krishterët e hershëm. Ngjarjet e raportuara në Shkrimet e Krishtere Greke (Besëlidhja e Re) vërtetohen gjerësisht në referimet e bëra nga shkrimtarë të lashtë, duke përfshirë Juvenalin, Tacitusin, Senekën, Suetoniun, Plinin e Ri, Lucianin, Celsusin dhe historianin jude, Jozefin.a

Tregimet e paraqitura në Shkrimet e Krishtere Greke u pranuan pa vështirësi nga mijëra njerëz në shekullin e parë. Edhe armiqtë e krishterimit nuk e mohuan vërtetësinë e raportit mbi atë se çfarë kishte thënë dhe bërë Jezui. Sa për mundësinë që karakteri i Jezuit të ishte zbukuruar nga dishepujt e tij pas vdekjes, profesori F. F. Brus komenton: «Nuk mund të ketë qenë në asnjë mënyrë kaq e lehtë sa ç’duket se mendojnë disa shkrimtarë për të shpikur fjalët dhe veprat e Jezuit në ato vite të hershme, kur një numër i madh i dishepujve të Tij ishin akoma gjallë dhe mund të kujtonin se çfarë kishte dhe s’kishte ndodhur. . . . Dishepujt nuk mund t’ia lejonin vetes të rrezikonin pasaktësinë (për të mos folur për manipulimin e vullnetshëm të fakteve), gjë që do të nxirrej menjëherë në shesh nga ata që do të kishin qenë shumë të kënaqur duke e bërë.»

Përse nuk besojnë

Megjithatë, disa dijetarë mbeten skeptikë. Ndërkohë që pranojnë se tregimi i Biblës është një trill, ata kërkojnë të ethshëm shkrime apokrife dhe i pranojnë ato si të besueshme. Përse? Siç duket, tregimi i Biblës përmban gjëra, të cilat shumë intelektualë modernë nuk duan t’i besojnë.

Në një vepër të tij, (Union Bible Companion), S. Austin Alibone u paraqiti skeptikëve një sfidë. Ai shkroi: «Pyet këdo që thotë se dyshon në vërtetësinë e historisë së Ungjijve, ç’arsye ka për të besuar se Cezari vdiq në Kampidolio, apo se Perandori Karli i Madh u kurorëzua Perandor i Perëndimit nga Papa Leo III në 800-n? . . . Ne besojmë të gjitha pohimet . . . e bëra në lidhje me këta njerëz; u besojmë sepse kemi dëshmi historike të vërtetësisë së tyre. . . . Nëse dikush, përballë provave të këtij lloji nuk do të besonte akoma, do ta linim, duke e gjykuar si një njeri marrëzisht këmbëngulës dhe injorant të pandreqshëm. Ç’duhet të themi, pra, për ata që me gjithë provat e bollshme që janë paraqitur tashmë mbi vërtetësinë e Shkrimeve të Shenjta, shpallin se nuk janë bindur? . . . Ata nuk duan t’i besojnë asaj që poshtëron krenarinë e tyre dhe që do t’i detyronte të bënin një jetë të ndryshme.»

Po, disa skeptikë kanë arsye të mëtejshme për të hedhur poshtë Shkrimet e Krishtere Greke. Problemi për ta nuk qëndron në besueshmërinë e saj, por në normat që përmban. Për shembull, Jezui tha për ithtarët e tij: «Ata nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës.» (Gjoni 17:14) Megjithatë, shumë nga ata që e quajnë veten të krishterë, janë përzier keqas me çështjet politike të kësaj bote, madje duke u përfshirë edhe në luftëra gjakatare. Në vend se t’u përshtaten normave biblike, shumë njerëz do të preferonin që Bibla t’u përshtatej normave të tyre.

Le të shohim, gjithashtu, edhe normën e moralit. Jezui i dha këshilla të forta kongregacionit në Tiatira, për faktin se toleronte praktikën e kurvërisë. «Unë jam ai që heton mendjet [veshkat, BR] dhe zemrat,—u tha ai atyre,—dhe do t’i jap gjithsecilit nga ju sipas veprave të veta.»b (Zbulesa 2:18-23) Megjithatë, a nuk është e vërtetë se shumë nga ata që pohojnë se janë të krishterë i hedhin tej normat morale? Do të preferonin më mirë të hidhnin poshtë atë që tha Jezui, sesa të hidhnin poshtë sjelljen e tyre imorale.

Duke qenë të prirur për të mos pranuar Jezuin e Biblës, dijetarët kanë krijuar Jezuin e imagjinatës së tyre. Bëhen fajtorë për trille, për të cilat akuzojnë në mënyrë të rremë shkrimtarët e Ungjijve. Ata mbajnë ato pjesë nga jeta e Jezuit që duan të pranojnë, hedhin poshtë pjesën tjetër dhe i shtojnë pak hollësira nga vetja. Në të vërtetë, i mençuri endacak apo revolucionari i shoqërisë i krijuar prej tyre, nuk është Jezui i historisë, të cilin ata pohojnë se po kërkojnë; përkundrazi, ai është thjesht një sajim i imagjinatës krenare të dijetarëve.

Të gjejmë Jezuin e vërtetë

Jezui u përpoq të zgjonte zemrat e atyre që ishin sinqerisht të etur për të vërtetën dhe për drejtësinë. (Mateu 5:3, 6; 13:10-15) Njerëz të tillë iu përgjigjën ftesës së Jezuit: «Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar dhe unë do t’ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë.»​—Mateu 11:28-30.

Jezui i vërtetë nuk gjendet nëpër librat e shkruar nga dijetarët modernë, nuk gjendet as nëpër kishat e të ashtuquajturit krishterim, të cilat janë bërë vatra për shtimin e traditave të bëra nga njeriu. Jezuin historik mund ta gjesh në kopjen tënde të Biblës. A do të dëshiroje të mësoje më shumë rreth tij? Dëshmitarët e Jehovait do të të ndihmonin me kënaqësi.

[Shënimet]

a Për më shumë informacion, shiko librin Bibla: Fjala e Perëndisë apo e njeriut?, kapitulli 5, faqet 55-70, botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

b Në Bibël, veshkat paraqesin nganjëherë mendimet dhe emocionet më të thella tek personi.

[Kutia në faqen 6]

SHEKUJ KRITIKASH

Kritikimi i Shkrimeve të Krishtere Greke zuri fill më shumë se 200 vjet më parë, kur filozofi gjerman Herman Samuel Reimarus (1694-1768), bëri këtë pohim: «Jemi të justifikuar që të bëjmë një dallim të qartë ndërmjet mësimit të apostujve në shkrimet e tyre dhe asaj që shpalli dhe mësoi Vetë Jezui gjatë jetës së Tij.» Që nga koha e Reimarusit, shumë dijetarë janë mësuar të kenë po të njëjtin mendim.

Një libër (The Real Jesus), vëren se shumë kritikë të së kaluarës, nuk e quajnë veten apostatë. Përkundrazi, «ata e shquajnë veten si të krishterët më të vërtetë, për faktin se janë liruar nga vargonjtë e dogmës dhe të bestytnisë». Sipas mendimit të tyre, kritika më e lartë ishte një «formë e pastruar e krishterimit».

Fakt i hidhur është se i ashtuquajturi krishterim është kthyer në një vatër për shtimin e traditave të bëra nga njerëzit. Doktrinat e shpirtit të pavdekshëm, e Trinitetit dhe e ferrit të zjarrtë janë vetëm disa nga mësimet që bien në kundërshtim me Biblën. Dhe për këtë korruptim të së vërtetës nuk ishin përgjegjës shkrimtarët e Shkrimeve të Krishtere Greke. Përkundrazi, ata luftuan gjurmët e para të mësimeve të rreme në mesin e shekullit të parë, kur Pavli shkroi se mes atyre që pohonin se ishin të krishterë kishte hyrë «tashmë në veprim» apostazia. (2. Selanikasve 2:3, 7) Mund të jemi të sigurt se ajo që përmbajnë Shkrimet e Krishtere Greke është një tregim i vërtetësisë historike dhe doktrinale.

[Kutia në faqen 7]

KUR U SHKRUAN UNGJIJTË?

Shumë kritikë të Besëlidhjes së Re insistojnë se Ungjijtë u shkruan shumë kohë pas ngjarjeve që përshkruhen në to dhe për këtë arsye është gati e sigurt se përmbajnë pasaktësi.

Megjithatë, dëshmitë sugjerojnë një datë të hershme për shkrimin e Ungjijve të Mateut, Markut dhe Lukës. Mbishkrimet në disa kopje dorëshkrimesh të Mateut tregojnë se shkrimi origjinal ndodhi në vitin 41 të e.s. Ka mundësi që Luka të jetë shkruar mes viteve 56 dhe 58 të e.s., pasi libri i Veprave (që ka të ngjarë të jetë përfunduar nga viti 61 i e.s.) tregon se shkrimtari Luka e kishte bërë tashmë «tregimin e parë» të tij, d.m.th., Ungjillin. (Veprat 1:1) Mendohet se Ungjilli i Markut është bërë në Romë, gjatë burgimit të parë apo të dytë të apostullit Pavël, ndoshta mes viteve 60 dhe 65 të e.s.

Profesor Kreg L. Blomberg pajtohet me një datë më të hershme të këtyre Ungjijve. Ai vëren se edhe kur shtojmë Ungjillin e Gjonit, i cili u bë në fund të shekullit të parë, «përsëri jemi shumë afër ngjarjeve origjinale të krahasuara me shumë biografi të hershme. Për shembull, dy biografët më të hershëm të Aleksandrit të Madh, Arriani dhe Plutarku, shkruan më shumë se katërqind vjet pas vdekjes së Aleksandrit, në vitin 323 të e.s., e prapëseprapë, historianët në përgjithësi i konsiderojnë ata të denjë për besim. Legjendat e pabesueshme mbi jetën e Aleksandrit u zhvilluan me kalimin e kohës, por pjesa më e madhe e tyre u zhvillua disa shekuj pas këtyre dy shkrimtarëve». Pjesët historike të Shkrimeve të Krishtere Greke janë me siguri të denja të paktën për aq besim sa edhe historitë e botës.

[Figura në faqen 8]

Në parajsën tokësore që po vjen, do të mbretërojë për të gjithë gëzimi në mënyrë supreme

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo