Si shërbejnë mbikëqyrësit udhëtues si kujdestarë të besueshëm?
«Në përpjestim, sipas dhuratës që ka marrë gjithsecili, përdoreni atë duke i shërbyer njëri-tjetrit, si kujdestarë të shkëlqyer të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë, të shprehur në mënyra të ndryshme.»—1. PJETRIT 4:10, BR.
1, 2. (a) Si do ta përcaktoje fjalën «kujdestar»? (b) Cilët janë përfshirë mes kujdestarëve të përdorur nga Perëndia?
JEHOVAI i përdor të gjithë të krishterët e besueshëm si kujdestarë. Shpesh, kujdestari është një shërbëtor që ka përgjegjësinë për kujdesjen e një shtëpie. Gjithashtu, ai mund të mbarështojë punët e biznesit të zotërisë së tij. (Luka 16:1-3; Galatasve 4:1, 2) Jezui e quajti trupin e shërbëtorëve të tij të mirosur besnikë mbi tokë «kujdestari i besueshëm». Këtij kujdestari ai i ka ngarkuar «të gjitha pasuritë e tij», duke përfshirë edhe aktivitetet e predikimit të Mbretërisë.—Luka 12:42-44, BR; Mateu 24:14, 45.
2 Apostulli Pjetër tha se të gjithë të krishterët janë kujdestarë të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë, të shprehur në mënyra të ndryshme. Çdo i krishterë ka një vend, në të cilin mund të kryejë një kujdestari të besueshme. (1. Pjetrit 4:10) Pleqtë e krishterë të emëruar janë kudestarë e mes tyre gjenden edhe mbikëqyrësit udhëtues. (Titit 1:7) Si duhen konsideruar këta pleq udhëtues? Çfarë cilësish dhe objektivash duhet të kenë ata? Si mund të kryejnë ata sa më shumë të mira?
Mirënjohës ndaj shërbimit të tyre
3. Përse mbikëqyrësit udhëtues mund të quhen «kujdestarë të shkëlqyer»?
3 Duke i shkruar një mbikëqyrësi dhe gruas së tij, një çift i martuar i krishterë thoshte: «Donim t’ju shprehnim mirënjohjen tonë për gjithë kohën dhe dashurinë që na keni dhënë. Si familje, kemi përfituar shumë nga i gjithë inkurajimi dhe këshillat tuaja. E dimë që duhet të vazhdojmë të rritemi frymësisht, por me ndihmën e Jehovait dhe me vëllezër e motra si ju, dhembjet e rritjes bëhen më të lehta.» Shprehje si këto janë të shpeshta, sepse mbikëqyrësit udhëtues tregojnë një interes personal për bashkëbesimtarët, ashtu sikurse një kujdestar i mbarë kujdeset mirë për nevojat e shtëpisë. Disa janë oratorë të shquar. Shumë shkëlqejnë në veprën e predikimit, ndërsa të tjerët janë të njohur për ngrohtësinë dhe dhembshurinë e tyre. Por, duke kultivuar dhe përdorur dhurata të tilla në shërbim të të tjerëve, mbikëqyrësit udhëtues mund të quhen me të drejtë «kujdestarë të shkëlqyer».
4. Cila pyetje do të shqyrtohet tani?
4 «Ajo që kërkohet nga kujdestarët, është që secili të gjendet i besueshëm»,—shkroi apostulli Pavël. (1. Korintasve 4:2, BR) T’u shërbesh bashkë të krishterëve në kongregacione të ndryshme javë pas jave, është një privilegj i veçantë dhe i gëzueshëm. Gjithsesi, është edhe një përgjegjësi e rëndë. Në ç’mënyrë, pra, mbikëqyrësit udhëtues mund ta kryejnë në mënyrë të besueshme e të suksesshme kujdestarinë e tyre?
Kryejnë me sukses kujdestarinë e tyre
5, 6. Përse mbështetja në Jehovain është kaq e rëndësishme në jetën e një mbikëqyrësi udhëtues?
5 Mbështetja në lutje mbi Jehovain është thelbësore, nëse mbikëqyrësit udhëtues duan të jenë kujdestarë të suksesshëm. Për shkak të programit të tyre dhe të përgjegjësive të shumta, disa herë ata mund të ndihen të rënduar. (Krahaso 2. Korintasve 5:4.) Prandaj, ata duhet të veprojnë në përputhje me këngën e psalmistit David: «Hidh mbi Zotin [Jehovain, BR] barrën tënde dhe ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.» (Psalmi 55:22) Gjithashtu, janë ngushëlluese edhe fjalët e Davidit: «I bekuar qoftë Zoti [Jehovai, BR], që përditë mbart barrat tona.»—Psalmi 68:19.
6 Nga e mori Pavli forcën për t’u kujdesur për përgjegjësitë e tij frymore? Ai shkroi: «Për çdo gjë kam forcën me anë të atij që më jep fuqi.» (Filipianëve 4:13, BR) Po, Perëndia Jehova ishte Burimi i forcës së Pavlit. Në mënyrë të ngjashme, Pjetri këshilloi: «Kush bën një shërbim, le të bëjë në forcën që i jep Perëndia, që në gjithçka të përlëvdohet Perëndia nëpërmjet Jezu Krishtit.» (1. Pjetrit 4:11) Një vëlla, që ishte mbikëqyrës udhëtues për shumë vite, theksoi nevojën për t’u mbështetur në Perëndinë, duke thënë: «Kur të trajtoni problemet, shpresoni gjithmonë në Jehovain dhe kërkoni ndihmën e organizatës së tij.»
7. Në ç’mënyrë ekuilibri luan rol në veprën e një mbikëqyrësi udhëtues?
7 Ekuilibri është i nevojshëm për një mbikëqyrës udhëtues të suksesshëm. Si edhe të krishterët e tjerë, ai përpiqet ‘të sigurohet për gjërat më të rëndësishme’. (Filipianëve 1:10, BR)a Kur pleqtë lokalë kanë pyetje mbi ndonjë çështje, është e mençur nga ana e tyre që të konsultohen me mbikëqyrësin qarkor që i viziton. (Proverbat 11:14; 15:22) Ka të ngjarë që vërejtjet e tij të ekuilibruara dhe këshillat nga Shkrimet të dalin shumë të dobishme, ndërsa pleqtë vazhdojnë të trajtojnë çështjen pasi ai të ketë ikur nga kongregacioni. Në linjë pak a shumë të ngjashme mendimi, Pavli i tha Timoteut: «Ato që dëgjove nga unë përpara shumë dëshmitarëve, jepua njerëzve besnikë që do të jenë të aftë të mësojnë edhe të tjerë.»—2. Timoteut 2:2.
8. Përse janë thelbësore studimi i Biblës, kërkimi dhe meditimi?
8 Studimi i Shkrimeve, kërkimi dhe meditimi, janë kërkesa për të dhënë këshilla të shëndosha. (Proverbat 15:28) Një mbikëqyrës krahinor tha: «Kur mblidhemi me pleqtë, ne s’duhet të kemi frikë për të pranuar se nuk e dimë përgjigjen e ndonjë pyetjeje të veçantë.» Duke bërë përpjekje për të pasur «mendjen e Krishtit» për ndonjë çështje, mundëson dhënien e këshillave të bazuara në Bibël, të cilat do t’i ndihmojnë të tjerët për t’u përshtatur me vullnetin e Perëndisë. (1. Korintasve 2:16) Disa herë, një mbikëqyrës udhëtues ka nevojë t’i shkruajë Shoqatës Watch Tower për drejtim. Sidoqoftë, besimi në Jehovain dhe dashuria për të vërtetën, janë shumë më të rëndësishme, se përshtypja para të tjerëve apo elokuenca. Në vend se të shkonte «me shkëlqim fjalësh a diturie», Pavli e nisi shërbimin e tij në Korint «me dobësi, me frikë dhe drithërimë të madhe». A e bëri kjo të pafrytshëm? Përkundrazi, kjo i ndihmoi korintasit që të mos kishin besim «mbi diturinë e njerëzve, po mbi fuqinë e Perëndisë».—1. Korintasve 2:1-5.
Cilësi të tjera jetësore
9. Përse empatia është e nevojshme për pleqtë udhëtues?
9 Empatia i ndihmon mbikëqyrësit udhëtues të arrijnë rezultate të mira. Pjetri i nxiti të gjithë të krishterët ‘të shfaqnin ndjenja të përbashkëta’ apo të ishin «të dhembshur». (1. Pjetrit 3:8, shënimi BR) Një mbikëqyrës qarkor ndjen nevojën për ‘t’u interesuar për cilindo në kongregacion e të jetë sinqerisht i vëmendshëm’. Me një frymë të ngjashme, Pavli shkroi: «Gëzohuni me ata që gëzohen dhe qani me ata që qajnë.» (Romakëve 12:15) Një qëndrim i tillë, i nxit mbikëqyrësit udhëtues të bëjnë përpjekje më të sinqerta për të kuptuar problemet dhe rrethanat e bashkëbesimtarëve. Pastaj, ata mund të japin këshilla ndërtuese nga Shkrimet, të cilat mund të bëjnë vërtet mirë, nëse zbatohen. Një mbikëqyrës qarkor që shkëlqen në shfaqjen e empatisë, mori këtë letër nga një kongregacion pranë Torinos, Itali: «Nëse dëshiron të të tregojnë interes, trego interes; nëse dëshiron të të pëlqejnë, ji i pëlqyeshëm; nëse dëshiron të të duan, ji i dashur; nëse dëshiron të të ndihmojnë, ji i gatshëm për të ndihmuar. Ja, çfarë kemi mësuar prej teje!»
10. Ç’kanë thënë mbikëqyrësit qarkorë dhe krahinorë mbi përulësinë dhe çfarë shembulli la Jezui në këtë aspekt?
10 Përulësia dhe afrueshmëria i ndihmon mbikëqyrësit udhëtues të punojnë më mirë. Një mbikëqyrës qarkor vërejti: «Është shumë e rëndësishme të mbash një qëndrim të përulur.» Ai do t’i paralajmëronte mbikëqyrësit e rinj udhëtues: «Mos ia lejoni vetes që të ndikoheni së tepërmi nga vëllezërit më të pasur, për shkak të gjërave që mund të bëjnë për ju, as mos e kufizoni shoqërinë e tyre vetëm me të tillët, por përpiquni gjithmonë që të silleni me të tjerët me paanësi.» (2. Kronikave 19:6, 7) Po kështu, një mbikëqyrës udhëtues vërtet i përulur, nuk do të ketë një pikëpamje të tepruar mbi rëndësinë e tij si përfaqësues i Shoqatës. Një mbikëqyrës krahinor komentoi në mënyrë të përshtatshme: «Jini të përulur dhe të gatshëm për të dëgjuar vëllezërit. Gjithmonë jini të afrueshëm.» Si njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë, Jezu Krishti mund të kishte bërë që njerëzit të mos ndiheshin rehat, por ai ishte kaq i përulur dhe i afrueshëm, saqë edhe fëmijët ndiheshin për bukuri në praninë e tij. (Mateu 18:5; Marku 10:13-16) Mbikëqyrësit udhëtues dëshirojnë që fëmijët, adoleshentët, të moshuarit, në fakt kushdo në kongregacion, të ndihet i lirë për t’iu afruar atyre.
11. Kur është e nevojshme, ç’ndikim mund të sjellim, duke kërkuar të falur?
11 Natyrisht, «të gjithë gabojmë në shumë gjëra» dhe asnjë mbikëqyrës udhëtues nuk përjashtohet nga kryerja e gabimeve. (Jakovit 3:2) Kur ata gabojnë, duke kërkuar sinqerisht të falur, mbikëqyrësi u jep pleqve të tjerë një shembull përulësie. Sipas Proverbave 22:4, «rezultati i përulësisë dhe frika [plot nderim] e Jehovait, është pasuri, lavdi dhe jetë». (BR) A nuk duhet që të gjithë shërbëtorët e Perëndisë ‘të ecin përulësisht me Perëndinë e tyre’? (Mikea 6:8) Kur e pyetën se ç’këshillë do t’i jepte një plaku të ri udhëtues, një mbikëqyrës qarkor komentoi: «Të kesh respekt dhe konsideratë të madhe për të gjithë vëllezërit dhe t’i konsiderosh ata si më të mirë se veten. Ke për të mësuar shumë prej vëllezërve. Qëndro i përulur. Ji i natyrshëm. Mos u shtir.»—Filipianëve 2:3.
12. Përse është kaq domethënës zelli për shërbimin e krishterë?
12 Zelli për shërbimin e krishterë u jep peshë fjalëve të një mbikëqyrësi udhëtues. Në fakt, kur ai dhe gruaja e tij lënë një shembull të zellshëm në veprën e ungjillëzimit, pleqtë, gratë e tyre dhe pjesa tjetër e kongregacionit do të jenë të inkurajuar për të shfaqur zell në shërbimin e tyre. «Jini të zellshëm në shërbim»,—nxiti një mbikëqyrës qarkor. Pastaj shtoi: «Zakonisht, kam parë se sa më i zellshëm të jetë kongregacioni në shërbim, aq më pak probleme kalojnë.» Një tjetër mbikëqyrës qarkor vërejti: «Unë besoj se nëse pleqtë punojnë në fushë me vëllezërit dhe motrat dhe i ndihmojnë ata të gëzojnë në shërbimin e tyre, kjo do të sjellë si rezultat paqen mendore dhe kënaqësinë më të madhe në shërbim të Jehovait.» Apostulli Pavël ‘mori guxim t’u shpallte selanikasve lajmin e mirë të Perëndisë midis kaq përpjekjesh’. S’habitemi që ata kishin kujtime të përzemërta nga vizita dhe aktiviteti i tij i predikimit dhe mezi prisnin ta shihnin përsëri!—1. Selanikasve 2:1, 2; 3:6.
13. Çfarë mban parasysh një mbikëqyrës udhëtues, kur punon me një bashkë të krishterë në shërbimin në fushë?
13 Ndërsa punon me bashkë të krishterët në shërbimin në fushë, mbikëqyrësi udhëtues mban parasysh rrethanat dhe kufizimet e tyre. Edhe pse sugjerimet e tij mund të jenë të dobishme, ai e di se disa mund të jenë nervozë kur predikojnë me një plak me përvojë. Prandaj, në raste të tilla inkurajimi mund të jetë më i dobishëm se këshillat. Kur ai shoqëron lajmëtarë apo pionierë në ndonjë studim biblik, ata mund të parapëlqejnë që ai të drejtojë studimin. Këtë e bëjnë me qëllim që të mësojnë disa mënyra për të përmirësuar metodat e tyre të të mësuarit.
14. Përse mund të themi se mbikëqyrësit e zellshëm udhëtues nxitin zellin te të tjerët?
14 Mbikëqyrësit e zellshëm udhëtues nxitin zellin te të tjerët. Një mbikëqyrës udhëtues në Uganda eci përmes pyllit të dendur për një orë, me qëllim që të shoqëronte një vëlla në një studim biblik, i cili nuk po bënte shumë përpara. Gjatë rrugës ra një shi kaq i fortë, sa u lagën deri në palcë. Kur gjashtë anëtarët e familjes morën vesh se vizitori ishte një mbikëqyrës udhëtues, u prekën shumë. Ata e dinin se shërbëtorët e kishës së tyre s’do të kishin treguar kurrë një interes të tillë për kopenë. Të dielën tjetër, ata morën pjesë për herë të parë në mbledhje dhe shprehën dëshirën për t’u bërë Dëshmitarë të Jehovait.
15. Çfarë përvoje të shkëlqyer gëzoi një mbikëqyrës qarkor në Meksikë?
15 Në shtetin meksikan të Oaksakës, një mbikëqyrës qarkor bëri një përpjekje që në të vërtetë nuk pritej prej tij. Ai e rregulloi që të qëndronte në një qeli burgu për katër netë, me qëllim që të vizitonte një grup prej shtatë të burgosurish, të cilët ishin bërë lajmëtarë të Mbretërisë. Për disa ditë, ai i shoqëroi ata të burgosur në predikimin nga qelia në qeli dhe në drejtimin e studimeve biblike. Për shkak të interesit të treguar, disa prej këtyre studimeve vazhduan deri natën vonë. «Në fund të vizitës,—shkruan ky mbikëqyrës i zellshëm qarkor,—të burgosurit dhe unë ndiheshim plot gëzim, si rrjedhojë e inkurajimit reciprok.»
16. Përse është kaq e dobishme, nëse mbikëqyrësit udhëtues dhe gratë e tyre sigurojnë inkurajim?
16 Mbikëqyrësit udhëtues përpiqen të jenë inkurajues. Kur Pavli vizitoi kongregacionet në Maqedoni, ‘i inkurajoi me shumë fjalë’. (Veprat 20:1, 2, BR) Fjalët inkurajuese mund të jenë shumë të dobishme për të drejtuar të rinj e të vjetër drejt synimeve frymore. Në një nga degët e mëdha të Shoqatës Watch Tower, një anketë joformale zbuloi se mbikëqyrësit udhëtues kishin inkurajuar afërsisht 20 për qind të vullnetarëve për të filluar shërbimin e plotë kohor. Me shembullin e tyre të shkëlqyer si lajmëtare të Mbretërisë në shërbim të plotë kohor, edhe gratë e mbikëqyrësve udhëtues janë një burim i madh inkurajimi.
17. Çfarë ndjen një mbikëqyrës i moshuar qarkor në lidhje me privilegjin e tij për të ndihmuar të tjerët?
17 Të moshuarit dhe të dëshpëruarit kanë veçanërisht nevojë për inkurajim. Një mbikëqyrës i moshuar qarkor shkruan: «Aspekti i punës sime që më jep një gëzim të brendshëm të papërshkrueshëm, është privilegji për të ndihmuar joaktivët dhe të dobëtit mes kopesë së Perëndisë. Fjalët e Romakëve 1:11, 12 kanë domethënie të veçantë për mua, pasi nxjerr një inkurajim dhe forcë të pamasë, ndërsa ‘u jap ndonjë dhuratë frymore, me qëllim që t’i bëj të vendosur’.»
Shpërblimet e punës së tyre të gëzuar
18. Çfarë objektivash biblike kanë mbikëqyrësit udhëtues?
18 Mbikëqyrësit udhëtues i kanë për zemër interesat më të mira të bashkëbesimtarëve të tyre. Ata dëshirojnë t’i forcojnë kongregacionet dhe t’i ndërtojnë ato frymësisht. (Veprat 15:41) Një mbikëqyrës udhëtues punon shumë «që të japë inkurajim, të sigurojë freskim dhe të nxitë dëshirën për të plotësuar shërbimin dhe për të vazhduar jetesën sipas së vërtetës». (3. Gjoni 3) Një tjetër përpiqet që t’i bëjë besimtarët të patundur në besim. (Kolosianëve 2:6, 7) Mos harro se mbikëqyrësi udhëtues është një «shok i vërtetë zgjedhe» dhe jo zotëri mbi besimin e të tjerëve. (Filipianëve 4:3, BR; 2. Korintasve 1:24) Vizita e tij është një rast për inkurajim dhe aktivitete më të shumta, si edhe një rast për trupin e pleqve që të rishikojnë përparimet e bëra dhe të shqyrtojnë synimet e ardhshme. Me fjalët dhe me shembullin e tij, lajmëtarët e kongregacionit, pionierët, shërbëtorët ndihmës dhe pleqtë, mund të presin që të ndërtohen e të nxiten për punën që kanë përpara. (Krahaso 1. Selanikasve 5:11.) Kështu, pra, mbështetni me gjithë zemër vizitat e mbikëqyrësve qarkorë dhe përfitoni plotësisht nga shërbimi që bën mbikëqyrësi krahinor.
19, 20. Si janë shpërblyer mbikëqyrësit udhëtues dhe gratë e tyre për shërbimin e besueshëm?
19 Mbikëqyrësit udhëtues dhe gratë e tyre janë shpërblyer së tepërmi për shërbimin e tyre të besueshëm dhe mund të jenë të sigurt se Jehovai do t’i bekojë për të mirën që po bëjnë. (Proverbat 19:17; Efesianëve 6:8) Georgu dhe Magdalena janë një çift i moshuar, të cilët kanë shërbyer për shumë vite në veprën e udhëtimit. Gjatë një kongresi në Luksenburg, Magdalenës iu afrua një person, të cilit ajo i kishte dhënë dëshmi më se 20 vjet të shkuara. Interesi i asaj gruaje hebreje për të vërtetën ishte zgjuar nga literatura biblike që i kishte lënë Magdalena dhe me kalimin e kohës ajo ishte pagëzuar. Georgut iu afrua një motër frymore, e cila kujtonte vizitën e tij në shtëpinë e saj pothuajse 40 vjet më parë. Prezantimi entuziast që i bëri ai së vërtetës, e çoi më në fund atë dhe burrin e saj që të pranonin të vërtetën. S’ka nevojë të themi se Georgu dhe Magdalena ishin tejet të gëzuar.
20 Shërbimi i frytshëm i Pavlit në Efes, i dha atij gëzim dhe mund ta ketë shtyrë të citonte fjalët e Jezuit: «Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh!» (Veprat 20:35) Meqë vepra udhëtuese përfshin vazhdimisht dhënien, ata që merren me të provojnë lumturi, sidomos kur bëhen të vetëdijshëm për rezultatet e mira të punës së tyre. Një mbikëqyrës qarkor, i cili ndihmoi një plak të shkurajuar, mori një letër ku thuhej: «Ti ke qenë një ‘ndihmë forcëdhënëse’ në jetën time frymore, më shumë nga sa mund ta dish. . . . Ti s’ke për ta ditur kurrë plotësisht se sa shumë e ke ndihmuar një Asaf të ditëve moderne, ‘këmbët [e të cilit] pothuajse ishin penguar’.»—Kolosianëve 4:11; Psalmi 73:2.
21. Përse do të thoshe se 1. Korintasve 15:58 gjen zbatim në aktivitetet e mbikëqyrësve udhëtues?
21 Një të krishteri të moshuar, i cili ka qenë në veprën qarkore për vite me radhë, i pëlqen të mendojë për 1. Korintasve 15:58, ku Pavli nxiti: «Qëndroni të fortë e të patundur, duke tepruar përherë në veprën e Zotit, duke e ditur se mundi juaj nuk është i kotë në Zotin.» Sigurisht, mbikëqyrësit udhëtues kanë shumë për të bërë në veprën e Zotërisë. Sa mirënjohës jemi ne që ata shërbejnë me kaq gëzim, si kujdestarë të besueshëm të dashamirësisë së pamerituar të Jehovait!
[Shënimi]
a Shiko artikullin “Can You Be Happy With Much to Do?”, në Kullën e Rojës 15 maj 1991, faqe 28-31, angl.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Përse mbikëqyrësit udhëtues duhen konsideruar si «kujdestarë të shkëlqyer»?
◻ Cilët janë disa faktorë që i ndihmojnë mbikëqyrësit qarkorë dhe krahinorë për të punuar më mirë?
◻ Përse përulësia dhe zelli janë kaq të rëndësishme për ata që gjenden në veprën udhëtuese?
◻ Çfarë objektivash të shkëlqyera kanë mbikëqyrësit udhëtues?
[Figura në faqen 16]
Mbikëqyrësit udhëtues përpiqen të inkurajojnë të tjerët
[Figurat në faqen 17]
Të rinj e të moshuar mund të përfitojnë nga shoqëria me mbikëqyrësit udhëtues dhe gratë e tyre
[Figura në faqen 18]
Shërbimi i zellshëm i mbikëqyrësit udhëtues nxit zellin e të tjerëve