«Na mëso të lutemi»
“ZOT, na mëso të lutemi.» Kjo kërkesë u bë nga një prej dishepujve të Jezu Krishtit. (Luka 11:1) Me sa duket, dishepulli anonim ishte një njeri që kishte çmueshmëri të thellë për lutjen. Në të njëjtën mënyrë sot, adhuruesit e vërtetë e pranojnë rëndësinë e saj. Në fund të fundit, lutja është një mënyrë përmes së cilës mund të dëgjohemi nga Personazhi Më i Lartë në univers. Mendo pak! «Dëgjuesi i lutjes» u kushton vëmendje personale shqetësimeve dhe anktheve tona. (Psalmi 65:2) Më e rëndësishme është se përmes lutjes ne i japim falënderime dhe lavdi Perëndisë.—Filipianëve 4:6.
Megjithatë, fjalët «na mëso të lutemi», ngrenë disa çështje serioze. Në të gjithë botën, fetë e ndryshme përdorin shumë metoda për t’iu afruar Perëndisë. Por, a ekziston një mënyrë e drejtë dhe një tjetër e gabuar për t’u lutur? Për t’u përgjigjur, le t’i hedhim së pari një shikim disa prej zakoneve të feve më të njohura, për sa i përket lutjes. Do të përqendrohemi në ato që praktikohen në Amerikën Latine.
Shëmbëlltyrat dhe «shenjtorët mbrojtës»
Kryesisht vendet e Amerikës Latine janë shumë fetare. Për shembull, në mbarë Meksikën, një person mund të ruajë praktikën e njohur të lutjes drejtuar «shenjtorëve mbrojtës». Në fakt, për qytetet meksikane është zakon të kenë «shenjtorët mbrojtës», për të cilët zhvillohen festa në ditë të caktuara. Përveç kësaj, katolikët meksikanë i luten një shumëllojshmërie të madhe shëmbëlltyrash. Megjithatë, përcaktimi se kujt «shenjtori» i drejtohet lutja, varet nga fakti se çfarë kërkese dëshiron të bëjë adhuruesi. Nëse dikush kërkon një njeri për t’u martuar, ai mund t’i ndezë një qiri «shenjtorit» Anton. Dikush që duhet të bëjë ndonjë udhëtim, mund t’ia besojë veten «shenjtorit» Kristofor, mbrojtës i udhëtarëve, veçanërisht i atyre që janë në makinë.
Megjithatë, nga vijnë këto zakone? Historia tregon se kur spanjollët shkuan në Meksikë, gjetën një popullsi që i ishte përkushtuar adhurimit të perëndive pagane. Në një libër të tij, Viktor Volfgang fon Hagen thotë: «Ekzistonin perënditë personale, çdo bimë kishte perëndinë e saj, çdo aktivitet kishte perëndinë apo perëndeshën e vet, madje edhe vetëvrasjet kishin një. Yakatekutli ishte hyjnia e biznesmenëve. Në këtë botë me shumë hyjni, të gjitha perënditë i kishin përcaktuar qartë prirjet dhe funksionet.»—Los Aztecas, Hombre y Tribu.
Ngjashmëria e këtyre perëndive me «shenjtorët» katolikë, ishte kaq e spikatshme, sa kur pushtuesit spanjollë u përpoqën «të krishterizonin» vendasit, ata thjesht e kthyen besnikërinë e tyre nga idhujt në «shenjtorët» e kishës. Një artikull i një gazete (The Wall Street Journal), vërtetoi rrënjët pagane të katolicizmit të praktikuar në disa pjesë të Meksikës. Ky artikull vërente se në një zonë, nderoheshin nga popullsia më shumë se 64 «shenjtorë», që i përkisnin «perëndive të veçanta majane».
Një enciklopedi argumenton se «ndërmjet shenjtorëve dhe njerëzve që u luten është vendosur një lidhje intimiteti e besueshme, . . . një lidhje që në vend se të heqë një pjesë nga marrëdhënia me Krishtin dhe me Perëndinë, e pasuron dhe e thellon atë». (New Catholic Encyclopedia) Por si një lidhje që është e qartë se përbën një gjurmë të paganizmit, mund të thellojë marrëdhënien me Perëndinë e vërtetë? A mund t’i pëlqejnë me të vërtetë Perëndisë, lutjet që u ofrohen këtyre «shenjtorëve»?
Origjina e rruzareve
Një zakon tjetër i njohur përfshin përdorimin e rruzareve. Një fjalor i përshkruan rruzaret si një «varg me pesëdhjetë apo njëqind e pesëdhjetë rruaza të ndara në dhjetëra nga rruaza të tjera me përmasa më të mëdha dhe të bashkuara në fund nga një kryq, të cilit tani për tani i paraprijnë tri rruaza».—Diccionario Enciclopédico Hispano-Americano.
Duke shpjeguar se si përdoren rruzaret, një botim katolik thotë: «Rruzaret e shenjta janë një formë e lutjes me gojë dhe me mend për Misteret e shpengimit tonë. Ato përbëhen nga pesëmbëdhjetë dhjetëshe. Çdo dhjetëshe konsiston një herë në recitimin e Lutjes së Zotërisë, dhjetë herë Të falemi Mari dhe një herë Qoftë i lavdëruar Ati. Gjatë çdo ndarjeje meditohet për një mister.» Misteret janë doktrina apo mësime që katolikët duhet t’i njohin dhe në këtë rast i referohen jetës, vuajtjes dhe vdekjes së Krishtit Jezu.
Një enciklopedi botërore thotë: «Format e hershme të lujtes me rruzare filluan në krishterim gjatë Mesjetës, por u përhapën vetëm në 1400-n dhe 1500-n.» (The World Book Encyclopedia) A është kufizuar përdorimi i rruzareve vetëm në katolicizëm? Jo. Një fjalor enciklopedik thotë: «Rruaza të ngjashme përdoren në adhurimin islamik, lamaist dhe budist.» (Enciclopédico Hispano-Americano) Në fakt, një enciklopedi vëren: «Mendohet se muhamedanët i morën rruzaret nga budistët dhe të krishterët nga muhamedanët, gjatë kohës së kryqëzatave.»—Encyclopedia of Religion and Religions.
Disa argumentojnë se rruzaret shërbejnë thjesht si një ndihmë për t’u kujtuar, kur kërkohet një numër i madh lutjesh. Por, a i pëlqen Perëndisë përdorimi i tyre?
Nuk duhet të spekulojmë apo të debatojmë se sa i përshtatshëm apo i vlefshëm është ky zakon. Jezui i dha një përgjigje autoritare kërkesës për t’i mësuar ithtarët e tij se si të luteshin. Ajo që tha, do t’i ndriçojë dhe ndoshta do t’i habisë disa lexues.
[Figurat në faqen 3]
Katolikët i përdorin gjerësisht rruazat e rruzareve. Cila është origjina e tyre?