Fjala e Perëndisë bën «mrekulli»
TREGUAR NGA TEREZA HEON
Një ditë, në vitin 1965, hyra në një firmë tregtare
dhe u ofrova shitësve disa kopje të revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Ndërsa po bëja për të ikur, dëgjova një krismë. Një plumb goditi dyshemenë pranë këmbëve të mia. «Ja, si i trajtojmë Dëshmitarët e Jehovait»,—u tall një nga shitësit.
AJO përvojë më frikësoi, por jo aq sa të dorëzoja shërbimin e plotë kohor. Të vërtetat e Biblës që kisha mësuar ishin aq të çmuara, sa për të mos lejuar asgjë që të më bënte të braktisja shërbimin tim. Le t’ju shpjegoj përse them kështu.
Pas lindjes sime, në korrik të 1918-s, prindërit e mi u vendosën në Kepin e Madalenës, një fshat i vogël në Kuebek, Kanada, i njohur si Vendi i Mrekullive. Vizitorët mblidheshin këtu për të nderuar vendin e shenjtë të Virgjëreshës Mari. Edhe pse mrekullitë që thuhet se i ka bërë Maria s’mund të provohen, Fjala e Perëndisë ka bërë atë që është vërtet e mrekullueshme në jetën e shumë prej banorëve, ndërkohë që fshati është rritur dhe është bërë një qytet prej 30.000 vetash.
Kur isha pak a shumë 20 vjeçe, im atë vërejti interesin tim për çështjet fetare dhe më dha Biblën e tij. Kur fillova të lexoja, u trondita tek mësova nga kreu 20 i Daljes se adhurimi i shëmbëlltyrave është fare qartë i dënueshëm. E humba menjëherë besimin në mësimet e Kishës Katolike dhe nuk i ndoqa më meshat. Nuk doja të adhuroja statujat. Ende më tingëllojnë në vesh fjalët e babait: «Tereza, s’po shkon në kishë?» «Jo,—ia ktheva.—Po lexoj Biblën.»
Leximi i Biblës vazhdoi të ishte pjesë e jetës sime edhe pasi u martova, në shtator 1938. Meqë im shoq, Rozheri, punonte shpesh natën, e bëra zakon që të lexoja Biblën kur ai ishte në punë. Shpejt, arrita në përfundimin se Perëndia duhej të kishte një popull e kështu nisa ta kërkoja.
Në kërkim të popullit të Perëndisë
Për shkak të asaj që kisha mësuar në kishë, kur isha e re, trembesha të shkoja në gjumë nga frika se mos kur të zgjohesha e gjeja veten në ferr. Për të luftuar një frikë të tillë, i thosha vetes se një Perëndi i dashurisë nuk do të lejojë që të ndodhë diçka kaq e tmerrshme. Me besim, vazhdoja leximin e Biblës, duke kërkuar të vërtetën. Isha si eunuku etiopas, që lexonte, por nuk kuptonte.—Veprat 8:26-39.
Vëllai im, Andrea dhe gruaja e tij, të cilët jetonin në një apartament në katin sipër nesh, filluan të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, rreth vitit 1957. I thashë kunatës të më lajmëronte, duke i rënë tavanit, kur Dëshmitarët të vinin për të predikuar në pallat. Në këtë mënyrë, nuk do të përgjigjesha. Por një ditë ajo harroi të më lajmëronte.
Atë ditë e hapa derën dhe takova Kei Mandein, një pioniere, siç quhen Dëshmitarët e Jehovait në shërbim të plotë kohor. Ajo më foli për emrin e Perëndisë, duke shpjeguar se Perëndia ka një emër personal, Jehova. Pasi ajo iku, kërkova në Biblën time për të vërtetuar nëse fjalët e saj kishin mbështetjen e teksteve të Biblës. Kërkimi që bëra më lumturoi.—Dalja 6:3, Douay Version, shënimi; Mateu 6:9, 10; Gjoni 17:6.
Kur Kei erdhi përsëri, diskutuam për doktrinën katolike të Trinitetit, e cila pohon se Perëndia është tre persona në një Perëndi. Më vonë, shqyrtova me kujdes në Biblën time personale, për t’i treguar vetes se ajo nuk mëson Trinitetin. (Veprat 17:11) Studimi më vërtetoi se Jezui nuk është aq i madh sa Perëndia. Ai ishte i krijuar. Kishte një fillim, ndërsa Jehovai nuk kishte. (Psalmi 90:1, 2; Gjoni 14:28; Kolosianëve 1:15-17; Zbulesa 3:14) E kënaqur me ato që kisha mësuar, isha e lumtur të vazhdoja bisedat biblike.
Një ditë, në 1958-n, gjatë një stuhie nëntori me dëborë, Kei më ftoi të ndiqja një asamble qarkore, e cila mbahej po atë mbrëmje në një sallë që ishte marrë me qira. E pranova ftesën dhe programi më pëlqeu. Më pas, gjatë një bisede me një Dëshmitar që m’u afrua, unë pyeta: «A duhet të predikojë një i krishterë i vërtetë nga shtëpia në shtëpi?»
«Po,—tha ai,—lajmi i mirë duhet shpallur dhe Bibla zbulon se vajtja nëpër shtëpitë e njerëzve është një metodë e rëndësishme predikimi.»—Veprat 20:20.
Sa më pëlqeu kjo përgjigje! Ajo më bindi se kisha gjetur popullin e Perëndisë. Sikur të më kishte thënë: «Jo, nuk është e nevojshme», do të kisha dyshuar se kisha gjetur të vërtetën, pasi e dija ç’thoshte Bibla në lidhje me predikimin shtëpi më shtëpi. Qysh prej asaj kohe, bëra një përparim të shpejtë frymor.
Pas asaj asambleje qarkore, fillova të ndjek mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait, të cilat mbaheshin në qytetin fqinj Trua-Rivier. Kei dhe shoqja e saj pioniere, Florens Bouman, ishin Dëshmitaret e vetme që jetonin në Kepin e Madalenës. Një ditë u thashë: «Unë do të vij nesër me ju për të predikuar.» Ato ishin të lumtura që unë t’i shoqëroja.
Predikoj në qytetin e lindjes
Mendoja se të gjithë do ta pranonin mesazhin e Biblës, por shpejt e mësova që nuk ishte kështu. Në kohën që Kein dhe Florensën i caktuan gjetkë, unë isha e vetmja që predikoja të vërtetat e Biblës nga shtëpia në shtëpi në atë qytet. Pa m’u dridhur qerpiku, vazhdova të predikoja e vetme për gati dy vjet, derisa u pagëzova, më 8 qershor 1963. Po atë ditë u futa në atë që tani quhet shërbimi si pionier ndihmës.
Vazhdova kështu për një vit. Më vonë, Delvina SanLoren, më premtoi se do të vinte në Kepin e Madalenës dhe do të punonte me mua një herë në javë, po të bëhesha pioniere e rregullt. Kështu që plotësova kërkesën për pioniere. Por, mjerisht, vetëm dy javë përpara se unë të filloja shërbimin e plotë kohor, Delvina vdiq. Ç’do të bëja? E pra, e kisha plotësuar kërkesën dhe s’kisha ndër mend të tërhiqesha. Prandaj, në tetor 1964, fillova karrierën time në shërbimin e plotë kohor. Gjatë katër vjetëve që pasuan, shkova nga shtëpia në shtëpi vetëm.
Katolikët e devotshëm të Kepit të Madalenës, shpeshherë ishin armiqësorë. Disa prej tyre thirrën edhe policinë, duke u përpjekur që të më ndalonin të predikoja. Një ditë, siç e përmenda edhe në fillim, një shitës u përpoq të më trembte, duke më qëlluar para këmbëve. Mirëpo kjo shkaktoi një potere të madhe në qytet. Stacioni lokal televiziv e quajti një kryqëzatë kundër Dëshmitarëve të Jehovait. E gjithë ngjarja doli një dëshmi e favorshme. Rastësisht, dhjetë vjet më vonë, një i afërm i shitësit që më qëlloi, u bë vetë Dëshmitar.
«Mrekullitë» i bën Fjala e Perëndisë
Gjatë viteve, kam parë se si është shkërrmoqur muri i kundërshtimit ndaj të vërtetave të Biblës në Kepin e Madalenës. Aty nga viti 1968, në qytet u transferuan Dëshmitarë të tjerë dhe banorët vendas filluan t’u përgjigjeshin të vërtetave biblike. Në fakt, në fillimet e viteve ’70 pati një shpërthim në numrin e studimeve biblike. Unë kisha aq shumë studime, saqë u kërkova Dëshmitarëve të tjerë që të drejtonin ata disa prej studimeve të mia, në mënyrë që të kisha ca kohë për shërbimin shtëpi më shtëpi.
Një ditë, një grua e re pranoi nga unë një studim biblik me librin ndihmës E vërteta që të çon në jetë të përhershme. (angl.) Shoku i saj i atëhershëm ishte një i ri me emrin Andrea, një kriminel me pamje shumë të ashpër, i cili mori pjesë në bisedë. Biseda me Andrean ngjalli interesin e tij dhe kështu filluam një studim biblik. Shumë shpejt pas kësaj, ai filloi t’u fliste shokëve të tij për ato që kishte mësuar.
Në atë kohë, unë studioja Biblën me katër gangsterë, njëri prej të cilëve nuk fliste shumë, por dëgjonte tepër. Quhej Pier. Një mëngjes, aty nga ora dy, im shoq dhe unë dëgjuam një trokitje në derë. Përfytyroni skenën: katër gangsterë qëndronin në prag me pyetje për mua. Shyqyr që Rozheri nuk ankohej kurrë për vizita të tilla të papërshtatshme!
Fillimisht, të katër burrat merrnin pjesë në mbledhje. Megjithatë, vetëm Andrea dhe Pieri ngulmuan. Ata e vunë jetën në përputhje me normat e Perëndisë dhe u pagëzuan. Tashmë po bëhen më shumë se 20 vjet që ata dy burra i shërbejnë Jehovait me besim. Kur ata nisën të studionin, ishin të mirënjohur për aktivitetin e tyre kriminal dhe vëzhgoheshin nga policia. Disa herë, policia vinte dhe i kërkonte pas ndonjë studimi biblik që bënim apo gjatë mbledhjeve të kongregacionit. Jam e lumtur që i kam predikuar «çdo lloj njeriu» e në këtë mënyrë pashë me sytë e mi se si Fjala e Perëndisë kryen ndryshime, që ngjajnë me të vërtetë si mrekulli.—1. Timoteut 2:4, BR.
Sikur në fillimet e shërbimit tim të më kishin thënë se në Kepin e Madalenës do të kishte një Sallë Mbretërie, e cila do të mbushej me popullin e Jehovait, nuk do ta kisha besuar. Për kënaqësinë time, ish-kongregacioni i vogël në qytetin fqinj Trua-Rivier është rritur në gjashtë kongregacione që lulëzojnë, të cilët i bëjnë mbledhjet në tri Salla Mbretërie, duke përfshirë edhe atë të Kepit të Madalenës.
Personalisht kam pasur gëzimin të ndihmoj rreth 30 persona që të arrijnë deri në dedikim dhe pagëzim. Tani, në moshën 78 vjeçe, mund të them vërtet se jam e lumtur që jetën time ia kam dedikuar Jehovait. Megjithatë, më duhet të pranoj se kam pasur çaste shkurajimi. Për t’iu kundërvënë gjithnjë me sukses këtyre çasteve, hapja Biblën dhe lexoja disa fragmente që më freskonin shumë. Është e pamendueshme për mua që të më kalojë një ditë pa lexuar Fjalën e Perëndisë. Veçanërisht inkurajues është Gjoni 15:7, ku thuhet: «Në qoftë se qëndroni në mua dhe fjalët e mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet.»
Shpresa ime është të shikoj Rozherin në botën e re, e cila është kaq pranë. (2. Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:3, 4) Tamam përpara se të vdiste në vitin 1975, ai kishte përparuar shumë drejt pagëzimit. Për tani, jam e vendosur të ngulmoj në shërbimin e plotë kohor dhe të vazhdoj të gëzoj në veprën e Jehovait.