Pyetje nga lexuesit
A mund të themi se shërbëtorët e sotëm të Perëndisë me shpresë tokësore, kanë po aq nga fryma e Perëndisë, sa edhe të krishterët e mirosur me frymë?
Kjo nuk është ndonjë pyetje e re. E njëjta çështje është trajtuar në «Pyetje nga lexuesit», në Kullën e Rojës të 15 prillit 1952, anglisht. Qysh prej asaj kohe shumë veta janë bërë Dëshmitarë, prandaj mund ta shqyrtojmë pyetjen përsëri dhe ndërkohë të rishikojmë se ç’thoshte ai material i hershëm.
Në thelb, përgjigjja është po, vëllezërit dhe motrat me besim nga klasa e deleve të tjera, mund të kenë pjesë të barabartë me të mirosurit në marrjen e frymës së shenjtë të Perëndisë.—Gjoni 10:16.
Natyrisht, kjo s’do të thotë se fryma vepron njësoj mbi të gjithë individët. Le të sjellim ndër mend shërbëtorët e besueshëm në kohët para krishterimit, të cilët sigurisht morën frymën e Perëndisë. Me fuqinë e frymës, disa prej tyre dëbuan bisha të egra, shëruan të sëmurët, madje ngritën edhe të vdekur. Gjithashtu, kishin nevojë për frymë që të shkruanin librat e frymëzuar të Biblës. (Gjykatësit 13:24, 25; 14:5, 6; 1. Mbretërve 17:17-24; 2. Mbretërve 4:17-37; 5:1-14) Kulla e Rojës thoshte: «Edhe pse nuk ishin nga klasa e të mirosurve, ata ishin të mbushur me frymë të shenjtë.»
Nga një këndvështrim tjetër, le të shqyrtojmë burrat dhe gratë e shekullit të parë, që ishin të mirosur me frymën e shenjtë, duke u bërë kështu bij frymorë të Perëndisë me shpresë qiellore. Të gjithë u mirosën, por kjo s’donte të thoshte se prej atij çasti fryma veproi në të njëjtën mënyrë mbi të gjithë. Kjo është e dukshme në 1. Korintasve, kreu 12. Atje, apostulli Pavël foli për dhuratat e frymës. Në vargjet 8, 9 dhe 11 lexojmë: «Dikujt, pra, i jepet, me anë të Frymës, fjalë diturie; një tjetri, sipas po asaj Fryme, fjalë njohurie; një tjetri besim, nga po ajo Frymë; një tjetri dhuntitë e shërimeve, nëpërmjet po asaj Fryme. . . . Dhe të gjitha këto i bën e njëjta dhe e vetmja Frymë, duke i ndarë gjithsecilit dhunti veç e veç ashtu si do vetë.»
Në mënyrë domethënëse, jo të gjithë të mirosurit e asaj kohe kishin dhuratat e mrekullueshme të frymës. Në 1. Korintasve, kreu 14, Pavli përmendi një mbledhje kongregacioni, në të cilën dikush kishte dhuratën e gjuhëve, por asnjë nga të pranishmit nuk kishte dhuratën e përkthimit. E megjithatë, në një rast më të hershëm, secili prej tyre kishte provuar mirosjen me frymë. A do të ishte e arsyeshme të thoshim se vëllai që kishte dhuratën e gjuhëve ka pasur më shumë frymë se të pranishmit e tjerë? Jo. Ata të mirosur të tjerë nuk ishin në disavantazh, sikur të mos ishin në gjendje të kuptonin Biblën aq mirë sa edhe ai apo të mos përballonin ndonjë sprovë siç duhet. Fryma vepronte në mënyrë të veçantë mbi vëllain që mund të fliste në gjuhë. Megjithatë, ai dhe të tjerët kishin nevojë të qëndronin ngushtë me Jehovain dhe ‘të mbusheshin me frymë’, siç shkroi Pavli.—Efesianëve 5:18.
Në lidhje me pjesëtarët e mbetjes sot, sigurisht që ata e kanë marrë frymën e Perëndisë. Në një rast, ajo veproi mbi ta në një mënyrë të veçantë: në kohën kur u mirosën dhe u adoptuan si bij frymorë. Prej asaj kohe, ata ‘vazhdojnë të jenë të mbushur me frymë’, duke pasur ndihmën e saj kur kërkojnë të kuptojnë Biblën më qartësisht, të marrin drejtimin në veprën e predikimit apo të përballojnë sprovat personale ose organizative.
Pjesëtarët e «deleve të tjera», edhe pse nuk kanë qenë të mirosur, e marrin frymën e shenjtë në fusha të tjera. Kulla e Rojës e 15 prillit 1952, vërente:
«‘Delet e tjera’ kryejnë sot të njëjtën vepër predikimi si edhe mbetja, nën të njëjtat kushte sprovuese dhe shfaqin të njëjtën besueshmëri dhe integritet. Ushqehen në të njëjtën tryezë frymore, hanë të njëjtin ushqim, përvetësojnë të njëjtat të vërteta. Pasi janë të klasës tokësore, me shpresë tokësore dhe me interes të sinqertë për gjërat tokësore, ata mund të merakosen më shumë në lidhje me shkrimet që kanë të bëjnë me kushtet e tokës në botën e re; ndërsa mbetja e mirosur, me shpresë qiellore dhe me interes të fortë personal në gjërat e frymës, mund t’i studiojë më me zell gjërat e frymës në Fjalën e Perëndisë. . . . Gjithsesi, është fakt se të njëjtat të vërteta dhe e njëjta kuptueshmëri është në dispozicion për të dyja klasat dhe është vetëm masa në të cilën individët jepen pas studimit, ajo që përcakton kuptueshmërinë e gjërave qiellore dhe tokësore që fitojnë. Fryma e Zotërisë është në dispozicion në sasi të barabartë për të dyja klasat dhe njohuria e kuptueshmëria janë ofruar njësoj për të dyja, me mundësi të barabarta për t’i përvetësuar.»