Rruga e ngushtë drejt lirisë
PAK njerëz me mend dyshojnë se universi qeveriset nga ligje natyrore. Këto ligje kontrollojnë gjithçka, nga atomet e vogla deri te galaktikat e fuqishme me miliarda yje. Sikur të mos kishte ligje natyrore, nuk do të ishte e mundur të bëheshin planifikime dhe të kuptoheshin gjërat; vetë jeta nuk do të ekzistonte. Duke kuptuar ligjet natyrore dhe duke vepruar në përputhje me to, njeriu ka qenë në gjendje të plotësojë arritje të jashtëzakonshme, siç janë ecja mbi hënë dhe dërgimi i pamjeve me ngjyra nga çdo cep i tokës apo edhe përtej atmosferës së tokës, deri në ekranet e shtëpive tona.
Por, ç’të themi për ligjet morale? A është po kaq i dobishëm dhe frytdhënës respektimi i tyre? Shumë duket se mendojnë që nuk ka ligje morale dhe zgjedhin një filozofi toleruese apo ndonjë fe që u shkon për shtat dëshirave të tyre.
Megjithatë, ka edhe nga ata që zgjedhin një rrugë tjetër, ‘rrugën e ngushtë që të çon në jetë’, për të cilën flet Bibla. Nuk duhet të habitemi që këtë zgjedhje e bëjnë vetëm pak veta, sepse Jezui tha për rrugën e ngushtë: «Pak janë ata që e gjejnë.» (Mateu 7:14) Përse vetëm pak?
Sepse rruga e ngushtë është e kufizuar nga ligjet dhe parimet e Perëndisë. Ajo është tërheqëse vetëm për dikë që sinqerisht dëshiron ta përputhë jetën e tij me normat e Perëndisë. Në kontrast të plotë me rrugën e gjerë, e cila të jep imazhin e lirisë, por në të vërtetë të skllavëron, rruga e ngushtë, e cila ngjan si e kufizuar, e liron një person në të gjitha aspektet e rëndësishme. Kufijtë e saj janë të vendosur nga ‘ligji i përsosur, i cili është ligji i lirisë’.—Jakovit 1:25.
Si të liron rruga e ngushtë?
Vërtet, nuk është gjithmonë e lehtë të qëndrosh në rrugën e ngushtë. Të gjithë njerëzit e gjallë janë të papërsosur dhe kanë të trashëguar prirjen drejt gabimeve. Prandaj, një person mund të jetë i prirë për t’u shmangur pak nga rruga. Megjithatë, dobitë që vijnë nga mbajtja pas ‘rrugës së vështirë’ ia vlejnë për çdo vetëdisiplinim dhe rregullim të nevojshëm, pasi Perëndia na ‘mëson për të mirën tonë’.—Isaia 48:17; Romakëve 3:23.
Le ta ilustrojmë. Prindërit e mençur u tregojnë fëmijëve të tyre një ‘rrugë të vështirë’ për mbajtjen e dietës. Disa herë, kjo do të thotë të jesh strikt në të ngrënë. Por, kur fëmijët rriten, ata do ta vlerësojnë disiplinën e dashur të prindërve të tyre. Si të rritur, do të kenë zhvilluar vlerësim për ushqimin e shëndetshëm. Për shkak të llojllojshmërisë së ushqimeve të ushqyeshme, ata nuk do të ndihen kurrë të kufizuar.
Në mënyrë frymore, Perëndia vepron njësoj me ata që ecin në rrugën e ngushtë që të çon në jetë. Ai ushqen tek të butët dëshira të shëndetshme që të çojnë në lumturi dhe në lirinë e vërtetë. Këtë e bën me anë të Fjalës së tij, Biblës. Përveç kësaj, ai na fton të lutemi që fryma e tij të na ndihmojë dhe na urdhëron të shoqërohemi me shokët tanë të krishterë, të cilët mund të na inkurajojnë që të vazhdojmë në shtegun e ngushtë. (Hebrenjve 10:24, 25) Po, Perëndia është dashuri dhe kjo cilësi supreme është në bazë të objektivave të tij dhe të të gjitha metodave të tij.—1. Gjonit 4:8.
Kur dashuria, paqja, mirësia, vetëkontrolli dhe frytet e tjera të frymës së Perëndisë mbizotërojnë, rruga e ngushtë nuk duket më kufizuese. Siç thotë shkrimi: «Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj.» (Galatasve 5:22, 23) «Atje ku është Fryma e Zotit, atje është liria.» (2. Korintasve 3:17) Qysh tani, të krishterët e sinqertë gëzojnë një provë të kësaj lirie. Janë të lirë nga shumë lloje frikash që pikëllojnë njerëzit sot, si frika nga e ardhmja dhe frika bestytnore nga vdekja. Sa emocionuese është të mendosh për të ardhmen, kur «vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin»! (Isaia 11:9) Atëherë, as frika nga krimet nuk do të ekzistojë më. Drynat dhe hekurat do të jenë zhdukur përgjithmonë. Të gjithë do të ndihen të lirë e të sigurt, ditën dhe natën, në shtëpi dhe jashtë saj. Ajo do të jetë liri e vërtetë!
Jemi të sigurt për ndihmën e Perëndisë
Vërtet, të jetosh sipas normave të Perëndisë kërkon përpjekje, megjithatë «urdhërimet e tij nuk janë të rënda», madje edhe për njerëzit e papërsosur. (1. Gjonit 5:3) Ndërsa mësohemi me rrugën e ngushtë dhe ndiejmë dobitë e ecjes në të, zhvillojmë një mospëlqim të madh për veprimet dhe mendimet që karakterizojnë ata që ecin në rrugën e gjerë. (Psalmi 97:10) Bindja ndaj ligjeve të Perëndisë tërheq pjesën më të mirë të gjithsecilit prej nesh. Në vend të ‘ankthit të zemrës’ dhe ‘vuajtjes së frymës’ që karakterizojnë shumë veta, Perëndia premton: «Ja, shërbëtorët e mi do të këndojnë për gëzimin e zemrës së tyre.» Po, një zemër e mësuar nga Jehovai është e gëzuar dhe e lirë.—Isaia 65:14.
Jezui vdiq që ta bënte të mundur për ne lirinë e vërtetë. Bibla thotë: «Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.» (Gjoni 3:16) Tani, si Mbret i Mbretërisë qiellore të Perëndisë, po përdor dobitë e atij flijimi. Së shpejti, pas ‘mjerimit të madh’, kur rruga e gjerë dhe ata që ecin në të, të jenë shkatërruar, ai do të fillojë me durim të drejtojë njerëzimin e bindur gjatë pjesës së mbetur të rrugës së ngushtë, drejt fundit të saj: përsosmërisë njerëzore. (Zbulesa [Apokalipsi] 7:14-17; Mateu 24:21, 29-31) Së fundi, do të provojmë realizimin e premtimit të madh: «Krijesa të çlirohet nga skllavëria e prishjes, për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë.» Kjo liri që do të na japë Perëndia është e pakrahasueshme. Edhe vdekja do të jetë eliminuar.—Romakëve 8:21; Zbulesa 21:3, 4.
Duke parë e kuptuar qartësisht se ku të çon rruga e ngushtë, një person është më mirë në gjendje të zgjedhë këtë shteg e të vazhdojë të ecë në të. Sidomos të rinjtë janë të ndihmuar që të mos tregohen dritëshkurtër e të mos mërziten me ato që mund t’u duken si kufizime të vëna nga normat e Perëndisë. Ata mësojnë ta konsiderojnë këtë si provë të dashurisë së Perëndisë dhe si një mburojë kundër ligësive të rrugës së gjerë. (Hebrenjve 12:5, 6) Natyrisht, duhet të jemi të durueshëm, duke mos harruar se duhet kohë për të zhvilluar cilësi dhe dëshira hyjnore, ashtu siç duhet kohë që një pemë të lëshojë fruta të mira. Por pema do të prodhojë, nëse kultivohet dhe ujitet.
Prandaj, studio Fjalën e Perëndisë, shoqërohu me të krishterët e tjerë dhe «lutuni pa pushim» për frymën e shenjtë! (1. Selanikasve 5:17) Ki besim te ndihma e Perëndisë ‘për të drejtuar shtigjet e tua’! (Proverbat 3:5, 6) Por, a janë praktike të gjitha këto? A funksionojnë? Po, për Tomin dhe Merin që u përmendën në artikullin paraprak, funksionuan.
Nuk ecin më në rrugën e gjerë
Tomi shkruan: «Në mes të viteve ’70 ramë në kontakt me Dëshmitarët e Jehovait, kur njëri prej tyre erdhi në shtëpinë tonë. Biseda i hapi rrugën një studimi biblik. Hap pas hapi, fillova të pastroja jetën time. U pagëzova në vitin 1982 dhe tani shërbej në kongregacionin lokal. Tani, edhe djali ynë është pagëzuar. Falënderoj time shoqe që më ka duruar gjatë gjithë këtyre viteve, para se të njihja të vërtetën. Mbi gjithçka, falënderoj Jehovain dhe Birin e tij, Jezu Krishtin për gjithçka që na kanë dhënë dhe për shpresën që kemi tani për të ardhmen.»
Po Meri? E pra, ajo mendonte se Perëndia nuk do ta falte kurrë, por donte të mësonte mbi të, për hatrin e fëmijëve. Kur dëgjoi se Dëshmitarët e Jehovait po i mësonin Biblën komshijes së saj, edhe ajo kërkoi ndihmë. Megjithatë, zakonet e këqija të rrënjosura tek ajo, ia vështirësonin përparimin. Studimi shkonte me batica dhe zbatica. Por vajza e saj e vogël tetë vjeçare e inkurajonte, duke i thënë: «Jepi mami, mund t’ia dalësh!» Atëherë Meri përpiqej edhe më me forcë.
Kur burri me të cilin bashkëjetonte, i cili e përdorte edhe ai drogën, u kthye në shtëpi, filloi edhe ai studimin. Më në fund, të dy i mposhtën zakonet e këqija. Më vonë, pasi legalizuan martesën dhe u pagëzuan, provuan një lumturi të madhe dhe për herë të parë u ndien vërtet si një familje. Mjerisht, SIDA i shkaktoi vdekjen Merit, por ajo vdiq me zemrën e ngulitur në premtimin e Biblës për një ringjallje dhe për një jetë mbi tokën parajsore, të pastruar nga çdo gjurmë e rrugës së gjerë shkatërrimtare.
Po, është e mundur të braktiset rruga e gjerë dhe e hapur që të çon në shkatërrim. Krishti Jezu tha: «Kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar.» (Gjoni 17:3) Përse, pra, atëherë të mos i hedhësh hapat në shtegun e ngushtë që të çon në jetë? Duke marrë për zemër dhe duke zbatuar ato që mëson nga Fjala e Perëndisë, personalisht mund të përjetosh premtimin shpresëdhënës të Biblës: «Do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë.»—Gjoni 8:32.