Përse ta kërkojmë të vërtetën?
SHUMË organizata fetare pohojnë se kanë të vërtetën dhe me zell ua ofrojnë atë edhe të tjerëve. Megjithatë, midis tyre ata ofrojnë një shumicë marramendëse me «të vërteta». A mos është kjo vetëm një tjetër dëshmi se të gjitha të vërtetat janë relative, se nuk ka të vërteta absolute? Jo.
Në librin e tij Arti i të menduarit, profesori V. R. Ruxhero, shpreh habinë e tij që madje edhe njerëz inteligjentë disa herë thonë se e vërteta është relative. Ai arsyeton: «Nëse kushdo përcakton të vërtetën personale, atëherë asnjë ide e ndonjë personi nuk do të ishte më e mirë se e ndonjë tjetri. Të gjitha do të ishin njësoj. E nëse të gjitha idetë janë njësoj, cila është arsyeja e kërkimit të ndonjë subjekti? Përse të gërmojmë dheun, për të gjetur përgjigjet e pyetjeve arkeologjike? Përse të kërkojmë shkaqet e tensionit në Lindjen e Mesme? Përse të kërkojmë ilaçe për të kuruar kancerin? Përse të eksplorojmë galaktikat? Këto aktivitete kanë kuptim vetëm kur disa përgjigje janë më të mira se të tjerat, vetëm nëse e vërteta është diçka e ndarë dhe e ndikueshme nga perspektivat individuale.»—The Art of Thinking.
Në fakt, askush nuk beson me të vërtetë se nuk ekziston e vërteta. Kur bëhet fjalë për realitete fizike, të tilla si mjekësia, matematika ose ligjet e fizikës, edhe relativistët më të vendosur besojnë se disa gjëra janë të vërteta. Kush prej nesh do të merrte guximin të fluturonte me aeroplan, nëse nuk mendon se ligjet e aerodinamikës nuk janë absolutisht të vërteta? Të vërtetat e verifikueshme ekzistojnë; ato janë përreth nesh dhe ne mbështesim jetën tonë mbi to.
Çmimi i relativizmit
Megjithatë, gabimet e relativizmit janë më të dukshme në fushën morale, pasi këtu mendime të tilla kanë bërë edhe dëmin më të madh. Një enciklopedi thekson: «Është dyshuar seriozisht nëse është e mundur arritja nga ana e njerëzve e njohurisë apo njohja e së vërtetës . . . Gjithsesi, është e sigurt që sa herë idealet binjake të së vërtetës dhe njohurisë janë hedhur tej si pjella të imagjinatës apo si të dëmshme, shoqëria njerëzore është rrënuar.»—The Encyclopedia Americana.
Ndoshta edhe ti e ke vënë re këtë rrënim. Për shembull, mësimet morale të Biblës, të cilat thonë qartësisht se imoraliteti seksual është i gabuar, tashmë shumë rrallë mbahen si të vërteta. Etikat e çastit, «vendos vetë çfarë është e drejtë për ty», janë rregulli i ditës. A mund të pohojë dikush se rrënimi shoqëror nuk është rezultat i këtij këndvështrimi relativist? Sigurisht, përhapja e gjithandejshme e epidemive të sëmundjeve të transmetuara seksualisht, përçarjet e familjeve dhe shtatzënitë tek adoleshentët flasin vetë.
Çfarë është e vërteta?
Le t’i lëmë, pra, ujërat e errëta të relativizmit e të shqyrtojmë atë që Bibla e përshkruan si ujërat e pastra të së vërtetës. (Gjoni 4:14; Zbulesa [Apokalipsi] 22:17) Në Bibël, «e vërteta» nuk është aspak si koncepti abstrakt, i pakuptueshëm, mbi të cilin debatojnë filozofët.
Kur tha se i gjithë qëllimi i jetës së tij ishte të fliste mbi të vërtetën, Jezui po fliste për diçka që hebrenjtë besnikë e kishin vlerësuar për shekuj. Në shkrimet e tyre të shenjta, hebrenjtë kishin lexuar shumë për «të vërtetën», si për diçka konkrete, jo teorike. Në Bibël, «e vërteta» përkthen fjalën hebreje «emethʹ», e cila nënkupton diçka që është e vendosur, e fortë dhe, ndoshta më e rëndësishmja, e besueshme.
Hebrenjtë kishin arsye të forta për ta konsideruar në këtë mënyrë të vërtetën. Ata e quanin Perëndinë e tyre, Jehovain, «Perëndi i së vërtetës». (Psalmi 31:5) E kjo ngaqë çdo gjë që Jehovai thoshte se do të bënte, e bënte. Premtimet që merrte, ai i mbante. Kur frymëzonte profeci, ato përmbusheshin. Kur dekretonte gjykime përfundimtare, ato do të ndodhnin. Miliona izraelitë kishin qenë dëshmitarë okularë të këtyre të vërtetave. Shkrimtarët e frymëzuar të Biblës i shkruan ato si fakte të pakundërshtueshme të historisë. Përkundër librave të tjerë që mbahen si të shenjtë, Bibla nuk mbështetet në mite apo legjenda. Ajo është vendosur fortësisht mbi fakte të besueshme, historike, arkeologjike, shkencore dhe mbi të vërteta sociologjike. Nuk habitemi që psalmisti tha për Jehovain: «Ligji yt është i vërtetë. . . . Të gjitha urdhërimet e tua janë të vërteta. . . . Shuma e fjalës sate është e vërteta.»—Psalmi 119:142, 151, 160.
Jezu Krishti i përsëriti fjalët e këtij psalmi, kur i tha në lutje Jehovait: «Fjala jote është e vërteta.» (Gjoni 17:17) Jezui e dinte se gjithçka që fliste Ati i tij ishte absolutisht e vendosur dhe e besueshme. Ngjashëm, Jezui ishte «plot . . . të vërtetë». (Gjoni 1:14) Si dëshmitarë okularë, ithtarët e tij mësuan dhe shkruan për të gjithë brezat, se çdo gjë që ai tha ishte e patundur, e vërtetë.a
Megjithatë, kur i tha Pilatit se kishte ardhur mbi tokë për të folur të vërtetën, Jezui kishte një të vërtetë specifike në mendje. Jezui e bëri këtë pohim në përgjigje të pyetjes së Pilatit: «Ti, pra, qenke mbret?» (Gjoni 18:37) Mbretëria e Perëndisë dhe vetë roli i Jezuit si mbret i saj, ishte tema e vërtetë, boshti i mësimit të Jezuit ndërsa ishte mbi tokë. (Luka 4:43) «E vërteta», në të cilën shpresojnë të gjithë të krishterët e sinqertë, është se kjo Mbretëri do të shenjtërojë emrin e Jehovait, do të shfajësojë sovranitetin e tij dhe do t’i japë njerëzimit të bindur jetë të përhershme e të lumtur. Pasi roli i Jezuit në përmbushjen e të gjitha premtimeve të Perëndisë është kaq jetësor e pasi të gjitha profecitë e Perëndisë bëhen «Amen» apo të vërteta për shkak të tij, Jezui mundi të thoshte me të drejtë: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta.»—Gjoni 14:6; 2. Korintasve 1:20; Zbulesa 3:14.
Pranimi i kësaj të vërtete si krejtësisht të besueshme, ka një domethënie të madhe për të krishterët e sotëm. Do të thotë se besimi i tyre në Perëndinë dhe shpresa e tyre në premtimet e tij, janë të bazuara mbi fakte, mbi të vërteta.
E vërteta në veprim
Nuk habitemi që Bibla e lidh të vërtetën me veprimet. (1. Samuelit 12:24; 1. Gjonit 3:18) Për hebrenjtë me frikë Perëndie e vërteta nuk ishte një subjekt për të filozofuar; ishte një mënyrë jetese. Fjala hebreje për «të vërtetën» mund të ketë, gjithashtu, domethënien e «besueshmërisë» dhe përdorej për të përshkruar dikë, të cilit mund t’i besohet. Jezui i mësoi ithtarët e tij ta shihnin të vërtetën nën të njëjtën dritë. Ai denoncoi në mënyrë të zjarrtë hipokrizinë e farisenjve, humnerën e madhe midis të ashtuquajturës drejtësi të tyre dhe veprave të tyre të padrejta. Ai la një shembull, duke jetuar sipas së vërtetës që mësoi.
Kështu duhet të jetë për të gjithë ithtarët e Krishtit. Për ta, e vërteta e Fjalës së Perëndisë, lajmi i mirë i gëzuar i Mbretërisë së Perëndisë nën sundimin e Jezu Krishtit, është shumë shumë më tepër se një informacion i thjeshtë. E vërteta i nxit për të vepruar, i shtyn ta jetojnë atë dhe ta ndajnë me të tjerët. (Krahaso Jeremia 20:9.) Për kongregacionin e krishterë të shekullit të parë, mënyra e jetesës që ata adoptuan si ithtarë të Krishtit, disa herë ishte e njohur thjesht si «e vërteta» ose «rruga e së vërtetës».—2. Gjonit 4; 3. Gjonit 4, 8; 2. Pjetrit 2:2.
Thesari meriton çdo çmim
Vërtet, pranimi i së vërtetës së Fjalës së Perëndisë kërkon një çmim. Së pari, vetë mësimi i së vërtetës mund të jetë një përvojë dërrmuese. Një enciklopedi vëren: «E vërteta është shpesh e papëlqyeshme, pasi ajo nuk i mbështet paragjykimet ose mitet.» (The Encyclopedia Americana) Kur shohim se bindjet tona nuk janë të vërteta, mund të zhgënjehemi, veçanërisht nëse i kemi mësuar nga krerë fetarë të besueshëm. Për disa, përvoja mund të ketë lidhje me zbulimin e faktit se prindërit në të cilët besonin, në të vërtetë ishin kriminelë të fshehtë. Por, a nuk është më mirë të gjesh të vërtetën fetare, se të jetosh në zhgënjim? A nuk është më mirë të njohësh faktet, se të jesh në dorë të gënjeshtrave?b—Krahaso Gjoni 8:32; Romakëve 3:4.
Së dyti, duke jetuar sipas së vërtetës fetare, ndoshta mund të mos pranohemi më nga disa prej miqve tanë të dikurshëm. Në një botë ku kaq shumë veta «e ndryshuan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër», ata që i mbahen fort së vërtetës së Fjalës së Perëndisë duken si të ndryshëm dhe ndonjëherë lihen të veçuar e keqkuptohen.—Romakëve 1:25; 1. Pjetrit 4:4.
Por e vërteta e meriton këtë çmim të dyfishtë. Njohja e së vërtetës na liron nga gënjeshtrat, zhgënjimet dhe bestytnitë. E vërteta na forcon të përballojmë vështirësitë, nëse ne e jetojmë atë. E vërteta e Perëndisë është kaq e besueshme dhe e bazuar e na mbush me kaq shpresë, saqë na jep mundësi të qëndrojmë të vendosur në çdo sprovë. Nuk habitemi që apostulli Pavël e krahasoi të vërtetën me rripin apo brezin e fortë prej lëkure, që ushtarët mbanin në betejë!—Efesianëve 6:13, 14.
Proverbi i Biblës thotë: «Bli të vërtetën dhe mos e shit, fito dituri, njohuri dhe gjykim.» (Proverbat 23:23) Ta konsiderosh të vërtetën si relative apo që nuk ekziston, do të thotë të dështosh në kërkimin më emocionues dhe domethënës që ofron jeta. Ta gjesh atë, do të thotë të gjesh shpresë; ta njohësh e ta duash atë, do të thotë të njohësh e të duash Krijuesin e universit dhe Birin e tij të vetëmlindur; ta jetosh atë, do të thotë të jetosh me një qëllim dhe paqe në mendje, tani e përgjithmonë.—Proverbat 2:1-5; Zaharia 8:19; Gjoni 17:3.
[Shënimet]
a Ka mbi 70 vende në tregimet e ungjijve, ku Jezui tregohet duke përdorur një shprehje të vetme për të theksuar besueshmërinë e fjalëve të tij. Ai shpesh thoshte «amen» («vërtet», BR), për të hapur një fjali. Fjala korresponduese hebreje do të thotë «sigurisht, vërtet». Një fjalor vëren: «Duke i paraprirë fjalët e veta me një amen, Jezui i quante ato si të sigurta e të besueshme. Ai qëndronte besnik ndaj tyre dhe i konsideronte si detyrë për veten dhe për dëgjuesit. Ato janë një shprehje e madhështisë dhe autoritetit të tij.»—The New International Dictionary of New Testament Theology.
b Fjala greke e përkthyer «e vërteta», a·leʹthei·a, vjen nga një fjalë që do të thotë «e pafshehur», prandaj e vërteta shpesh përfshin zbulimin e diçkaje që më parë ishte e fshehur.—Krahaso Luka 12:2.
[Kutia në faqen 6]
Ndryshon ndonjëherë e vërteta?
KJO pyetje u ngrit nga V. R. Ruxhero në librin e tij Arti i të menduarit. Përgjigjja e tij është jo. Ai shpjegon: «Disa herë mund të duket ashtu, por nga një hetim më i kujdesshëm do të shohim se nuk ndryshon.»
«Shqyrtoni,—thotë ai,—rastin e autorësisë së librit të parë të Biblës, Zanafillës. Për shekuj, të krishterë e judenj bashkë besonin se libri kishte një autor të vetëm. Me kohë kjo pikëpamje u sfidua dhe në fakt u zëvendësua nga besimi se për Zanafillën kanë kontribuar pesë autorë. Më pas, në vitin 1981, u botuan rezultatet e analizave 5-vjeçare gjuhësore të librit të Zanafillës, të cilat pohonin se mundësitë e autorësisë së vetme ishin 82 për qind, siç mendohej fillimisht.
A ndryshoi e vërteta në lidhje me autorësinë e Zanafillës? Jo. Ndryshoi vetëm besimi ynë. . . . E vërteta nuk do të ndryshojë nga njohuria apo nga padija jonë.»
[Kutia në faqen 7]
Nderim për të vërtetën
«NDERIMI për të vërtetën nuk është thjesht pseudocinizmi i epokës sonë, i cili përpiqet ‘të zbulojë’ gjithçka, sipas besimit se askush dhe asgjë nuk mund të pohojë në mënyrë absolute se zotëron të vërtetën. Është qëndrimi, i cili kombinon në mënyrë të gëzueshme besimin se e vërteta në fakt mund të gjendet, me një nënshtrim të përulur ndaj së vërtetës, kudo dhe kurdoherë që kjo del në dukje. Një mendje e tillë e hapur kërkohet nga ata që adhurojnë Perëndinë e së vërtetës; përderisa nderimi i duhur për të vërtetën siguron ndershmëri në marrëdhëniet e dikujt me të afërmit, si me fjalë ashtu edhe me vepra. Kemi parë se ky është qëndrimi, për të cilin sjellin dëshmi B[esëlidhja] e V[jetër] dhe B[esëlidhja] e R[e].»—The New International Dictionary of New Testament Theology, vëllimi 3, faqe 901.
[Figurat në faqen 7]
Përparimi shkencor bazohet në zbulimin e të vërtetave shkencore
[Figura në faqen 8]
E vërteta përfshin Mbretërinë dhe bekimet e saj