Vendosmëria ime për të përparuar drejt pjekurisë
TREGUAR NGA KARL DAÇAU
«Përparim drejt pjekurisë, apo rikthim në mëkat?» Kështu titullohej një artikull i Kullës së Rojës së 15 qershorit 1948 (angl.). Ky artikull qe për mua një shtytje kundër rrezikut frymor në një nga fermat e Shteteve të Bashkuara për në karrierën e misionarit në Amerikën Jugore, që zgjati për më shumë se 43 vjet.
LINDA më 31 mars 1914. Isha i treti nga të katër fëmijët dhe jetonim në një shtëpi të ndërtuar me kërcunj në Vergas, një qytet i vogël i Minesotës. Vitet e fëmijërisë ishin shumë të bukura. Më kujtohet se peshkoja me babanë. Ndërsa nëna ishte vazhdimisht e sëmurë, kështu m’u desh që në klasën e pestë të lija shkollën për ta ndihmuar atë në punët e shtëpisë. Isha 13 vjeç kur sëmundja e saj u diagnostikua si kancer në mushkëri.
Nëna e dinte se nuk i mbeteshin edhe shumë ditë jetë. Prandaj, filloi të më përgatiste që të zija vendin e saj. Ajo ulej në kuzhinë dhe më shpjegonte se si të gatuaja e të piqja bukë. Përveç kësaj, më mësoi të laja rrobat me dorë, të kujdesesha për kopshtin dhe për nja njëqind pula. Gjithashtu, më inkurajoi të lexoja çdo ditë nga një kapitull të Biblës, gjë që e bëra pavarësisht nga aftësia ime e kufizuar për të lexuar. Pasi më stërviti për 10 muaj, nëna vdiq më 27 janar 1928.
Lufta ndryshoi jetën tonë
Pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore në shtator të 1939-ës, në Kishën tonë Luterane, çdo të shtunë bëheshin lutje në emër të trupave ushtarake. Vëllai im më i madh ishte i vendosur të mos vriste, prandaj, kur nuk pranoi të merrte pjesë në ushtri, e arrestuan. Në gjyq ai tha: «Para se të vras unë njerëz të pafajshëm, më vrisni ju mua.» Ai u dënua me një vit burg në burgun e Mekneilit, një ishull larg bregdetit të shtetit të Uashingtonit.
Atje, Franku gjeti më shumë se 300 Dëshmitarë të Jehovait që ishin burgosur për shkak të asnjanësisë së rreptë gjatë luftës. (Isaia 2:4; Gjoni 17:16) Menjëherë filloi të shoqërohej me ta dhe u pagëzua pikërisht në burg. Dënimi i tij u zbrit në nëntë muaj për sjellje të mirë. Në nëntor të 1942-shit, na erdhën fjalë se Franku ishte liruar nga burgu dhe menjëherë pas kësaj na foli për lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Pasi e shqyrtuam me kujdes mesazhin me Biblën tonë, të gjithë mundëm të shihnim se ajo që po na mësonte Franku, ishte e vërteta.
Pengesa drejt përparimit frymor
Në 1944-ën, u transferova në zonën e Maltës, në Montana, për të jetuar me xhaxhain. Ne kishim diçka të përbashkët: që të dyve na kishin lënë gratë pas gjashtë muajsh martesë. Ai ishte shumë i lumtur që më kishte ndihmë në fermë e në kuzhinë dhe i ndanim prodhimet përgjysmë. Xhaxhai më thoshte se nëse qëndroja me të, do të më linte si trashëgim 260 ha nga ferma e tij. Ato vite ishin të mbara në punën e bujqësisë dhe mua më pëlqente shumë. Çdo vit kishim të korra të mbara dhe gruri shitej me 3,16 dollarë për një masë drithi.
Megjithatë, xhaxhait nuk i pëlqente fakti që shkoja në mbledhjet e një kongregacioni të vogël të Dëshmitarëve në Maltë. Më 7 qershor 1947, pa dijeninë e xhaxhait u pagëzova në asamblenë qarkore të Dëshmitarëve të Jehovait në Vulf Point. Atje një vëlla i krishterë më ftoi të bëhesha pioner ose një shërbëtor në kohë të plotë. Megjithëse përdorimi i jetës në këtë mënyrë ishte dëshira ime e zemrës, i shpjegova se xhaxhai nuk do të më lejonte kurrë t’i kushtoja kaq shumë kohë shërbimit.
Pak kohë më pas, xhaxhai hapi dhe lexoi një letër që më kishte dërguar një mik, i cili më nxiste të bëhesha shërbëtor i plotë kohor. Më i zemëruar se një grenxë, xhaxhai më dha ultimatumin: ose ndalo predikimin ose s’ke më vend këtu. Ai ultimatum ishte një gjë e mirë, pasi më pëlqente aq shumë puna në fermë, saqë me vullnetin tim nuk do të mund të kisha ikur. Kështu, u ktheva në familjen time në Minesota. Të gjithë ishin tani të pagëzuar dhe shoqëroheshin me kongregacionin Detroit Leiks.
Fillimisht, familja më inkurajonte të bëhesha pionier, por në 1948-ën, ata filluan të ftoheshin frymësisht. Ishte pikërisht atëherë që artikulli «Përparim drejt pjekurisë, apo rikthim në mëkat?» më siguroi shtytjen frymore që më nevojitej. Ai paralajmëronte se «pasoja vërtet të hidhura do të na ndiqnin, nëse me vullnet nuk do të pranonim përparimin në njohuri». Artikulli thoshte: «Nuk mund të lejojmë që të qëndrojmë në vend e të kthehemi prapa, por duhet të përparojmë në drejtësi. Përparimi është forca më e madhe kundër rikthimit në mëkat dhe jo qëndrimi në vend.»
Megjithëse familja ime nxirrte justifikime të tjera, unë mendoja se problemi i vërtetë ishte dëshira e tyre për t’u bërë të pasur. Ata shihnin dobi ekonomike në kalimin e kohës më shumë në fermë, sesa në predikim. Në vend që të bëhesha skllav i dëshirës për pasuri, bëra planet për t’u bërë pionier. E dija se nuk do të ishte e lehtë, madje mendova se nuk do t’ia dilja mbanë. Prandaj, në 1948-ën provova me qëllim të bëja orët e pionierit në periudhën më të vështirë të vitit, në dhjetor.
Fillimi i shërbimit si pionier
Jehovai i bekoi përpjekjet e mia. Për shembull, një ditë temperatura ishte 270C nën zero, pa marrë parasysh erën e akullt. Po bëja dëshminë e zakonshme në rrugë, duke i ndërruar vazhdimisht duart. Fusja të ftohtën në xhep, ndërsa me tjetrën mbaja revistat derisa të ftohej e t’i vinte radha të futej në xhep. M’u afrua një njeri, i cili më tha se kishte kohë që e vërente aktivitetin tim. Ai më tha: «Ç’gjë kaq të rëndësishme ka në këto revista? M’i jep mua këto të dyja që t’i lexoj.»
Ndërkohë, pashë që shoqëria me familjen po më vinte në një rrezik frymor, prandaj, sipas një kërkese që i bëra Shoqatës (Watch Tower), m’u dha një caktim i ri në qytetin Miles, Montana. Atje shërbeva si shërbëtor i kompanisë, që tani quhet mbikëqyrësi drejtues. Jetoja në një rimorkio me përmasa dy me tre. Mbahesha duke punuar gjysmë kohe në një lavanderi të pastrimit kimik. Herë pas here më merrnin që të bëja punën që më pëlqente më shumë: korrjen.
Gjatë kësaj kohe, më vinin lajme rreth keqësimit të gjendjes frymore të familjes sime. Përfundimisht, ata bashkë me shumë të tjerë në kongregacionin Detroit Leiks, u kthyen kundër organizatës së Jehovait. Nga 17 lajmëtarë të Mbretërisë në kongregacion, vetëm shtatë mbetën besnikë. Familja ishte e vendosur të më bënte të braktisja edhe unë organizatën e Jehovait, por unë e kisha kuptuar se kishte vetëm një zgjidhje: të përparoja më tej. Por si?
Synimi i shërbimit si misionar
Gjatë kongresit ndërkombëtar në qytetin e Nju Jorkut, në 1950-ën, mora pjesë në diplomimin e studentëve misionarë të klasës së 15-të të Shkollës së Galaadit (Watchtower Bible School). «Ah sikur të mund të isha mes atyre që shkojnë t’i shërbejnë Jehovait në fusha të huaja»,—mendoja.
Paraqita kërkesën dhe u pranova si anëtar i klasës së 17-të të Galaadit, që filloi në shkurt të 1951-shit. Vendi ku bënim shkollën në një fermë në pjesën veriore të Nju Jorkut ishte i mrekullueshëm. Sa dëshiroja të punoja në fermë pas orëve të mësimit, ndoshta në stalla me lopët ose jashtë në fushë! Por Xhon Buth, që atë kohë ishte mbikëqyrësi i Fermës së Mbretërisë, më shpjegoi se isha i vetmi që ia thoja pak në pastrimin kimik. Kështu, më caktuan atë punë.
Galaadi nuk ishte i lehtë për dikë që kishte vetëm pesë klasë shkollë. Megjithëse dritat fikeshin në 1030 të natës, ndodhte shpesh që të studioja deri në mesnatë. Një ditë, një nga instruktorët më thirri në zyrë. «Karl,—më tha.—Po shoh se notat nuk i ke shumë të mira.»
«Mos,—mendova me vete,—tani do më thonë të lë shkollën.»
Megjithatë, instruktori më dha disa këshilla me dashuri se si ta përdorja më mirë kohën pa qenë nevoja të studioja deri vonë. Me shumë frikë e pyeta: «A i plotësoj kërkesat për të qëndruar këtu në Galaad?»
«Oh, po,—u përgjigj ai,—por nuk e di nëse do të mund të marrësh diplomën.»
Ngushëllohesha nga fjalët e kryetarit të shkollës Natan H. Knorr. Më parë, u kishte thënë studentëve se nuk i bënin më shumë përshtypje notat e mira, sesa këmbëngulja për të qëndruar me besnikëri në caktimin që u jepet misionarëve.
Lënda më e vështirë për mua ishte spanjishtja, megjithatë shpresoja të merrja një caktim në Alaskë, meqenëse në shtëpi isha mësuar me klimën e ftohtë. Përveç kësaj, do të mund të predikoja në anglisht. Nuk mund ta mendosh habinë time, kur në mes të kursit m’u dha caktimi në Ekuador, në Amerikën Jugore. Po, duhej të flisja spanjisht dhe pikërisht në ekuatorin përvëlues.
Një ditë, një agjent i FBI më erdhi për vizitë në Shkollën e Galaadit. Ai më pyeti për djalin e shërbëtorit të kompanisë që kishte lënë organizatën në Detroit Leiks. Lufta koreane ishte në vazhdim dhe ai djalë thoshte se ishte një shërbëtor i Dëshmitarëve të Jehovait e kështu nuk merrte pjesë në shërbimin ushtarak. I shpjegova se nuk ishte më Dëshmitar i Jehovait. Ndërsa agjenti po më jepte lamtumirën, tha: «Të bekoftë Perëndia në punën tënde.»
Më vonë, mësova se i riu ishte vrarë në një nga betejat e para në Kore. Ç’pasojë e hidhur për dikë që mund të kishte përparuar drejt pjekurisë në organizatën e Perëndisë!
Më në fund, më 22 korrik 1951 erdhi dita e lumtur e diplomimit. Pa dyshim, asnjë nga familjarët e mi nuk ishin të pranishëm, por gëzimi im ishte i plotë kur mora diplomën për progresin që kisha bërë.
Përshtatja në fushë të huaj
Pasi arrita në caktimin tim, kuptova se stërvitja e nënës ishte vërtet e dobishme. Gatimi, larja e teshave me dorë dhe mungesa e ujit të rrjedhshëm nuk ishin të reja për mua. Ndërsa predikimi në spanjisht në të vërtetë ishte. Për njëfarë kohe, përdora një fjalim të shtypur në spanjisht. M’u deshën tre vjet, para se të mund të jepja një fjalim publik në spanjisht e edhe atë duke përdorur shumë shënime.
Kur arrita në Ekuador në 1951-shin, kishte më pak se 200 lajmëtarë të Mbretërisë. Për 25 vjetët e parë, bërja e dishepujve dukej e ngadalshme. Mësimet tona biblike ishin krejt të ndryshme nga traditat e pabazuara në Shkrime të katolicizmit dhe ndjekja jonë e udhëzimeve biblike mbi besnikërinë ndaj bashkëshortit martesor ishte veçanërisht e papëlqyeshme.—Hebrenjve 13:4.
Megjithatë kishim mundësi të linim shumë literaturë biblike. Shërbimi ynë në Makala, që ndodhej në qendër të prodhimit të bananeve, shërben si shembull për këtë. Nikolas Veslei dhe unë ishim Dëshmitarët e vetëm atje kur arritëm në 1956-ën. Niseshim herët në mëngjes me kamionët që përdoreshin në ndërtimin e xhadeve që ndërtoheshin në ato ditë. Pasi përshkonim një largësi të konsiderueshme, zbrisnim dhe u jepnim dëshmi njerëzve gjatë gjithë rrugës deri në vendin ku do të shkonim.
Një ditë, unë dhe Niku mbajtëm shënim se kush do të shpërndante më shumë revista. Më kujtohet se deri në mesditë isha përpara, ndërsa në mbrëmje ishim njëlloj me 114 revista. Çdo muaj u linim njerëzve qindra revista në itinerarin tonë të revistave. Gjashtë herë, lashë më shumë se njëmijë revista gjatë një muaji. Mendo se sa shumë mund t’i kenë mësuar të vërtetat biblike nga ato revista.
Në Makala kishim, gjithashtu, privilegjin të ndërtonim Sallën e parë të Mbretërisë në pronësi të kongregacionit, në Ekuador. Kjo ndodhi 35 vjet më parë, në 1960-ën. Atëherë kishim vetëm rreth 15 të pranishëm në mbledhje. Sot Makala ka 11 kongregacione që janë në lulëzim.
Një vizitë në Shtetet e Bashkuara
Nga fundi i 1970-ës, u ktheva në Shtetet e Bashkuara me pushime dhe kalova disa orë me vëllanë tim, Frankun. Me makinën e tij shkuam në një kodrinë nga ku mund të shihnim në një vijë të gjatë luginën e lumit Red. Ishte i mrekullueshëm me grurin e pjekur që e valëviste era, një oqean me kallinj të rëndë gruri. Në largësi dallohej lumi Shejen i rrethuar nga të dyja anët me pemë. Gjithë kënaqësia e asaj bukurie të paqme u ndërpre, kur im vëlla filloi me të njëjtin avaz si më parë.
«Po të mos ishe treguar kaq gomar e të endeshe nëpër Amerikën e Jugut, kjo do të ishte edhe e jotja!»
«Frank,—e ndërpreva menjëherë.—Mjaft me kaq!»
E mbylli gojën e s’nxori më një fjalë. Disa vjet më pas, ai vdiq papritur e pa kujtuar nga pika në tru, duke lënë pas tri ferma të bukura në Dakotën veriore, me më shumë se 400 ha, si dhe fermën e xhaxhait prej 260 ha në Montana, të cilën e kishte marrë ai si trashëgim.
Tani të gjithë në familjen time kanë vdekur. Por, jam i kënaqur që në Detroit Leiks, ku të gjithë ne filluam jetën si Dëshmitarë të Jehovait vite më parë, kam një familje frymore me më shumë se 90 motra e vëllezër frymorë.
Vazhdoj të përparoj frymësisht
15 vjetët e fundit, ka pasur korrje të mbara gjatë korrjes frymore këtu në Ekuador. Nga 5.000 lajmëtarë të Mbretërisë në 1980-ën, tani kemi më shumë se 26.000. Kam korrur bekimin duke çuar drejt pagëzimit më shumë se njëqind persona.
Tani jam 80 vjeç dhe për të bërë 30 orë në muaj bëj më shumë përpjekje, sesa bëja në 1951-shin për të plotësuar kuotën prej 150 orësh. Që nga 1989-ta kur mësova se kisha kancer në prostat, kam përfituar nga kjo kohë për të lexuar. Që nga ai vit, kam lexuar Biblën nga fillimi në fund 19 herë dhe librin Dëshmitarët e Jehovait—Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë, 6 herë. Në këtë mënyrë, vazhdoj të përparoj frymësisht.
Po, kam pasur shumë mundësi të nxirrja dobi materiale në fermat e Shteteve të Bashkuara. Por dobitë e pasurisë materiale nuk janë asgjë në krahasim me gëzimin që kam përjetuar në korrjen frymore. Dega këtu në Ekuador, më informon se gjatë karrierës sime si misionar kam shpërndarë më shumë se 147.000 revista dhe 18.000 libra. I konsideroj ato si fara frymore, shumë prej të cilave tashmë kanë çelur e të tjera mund të çelin akoma në zemrat e njerëzve, ndërsa lexojnë mbi këto të vërteta të Mbretërisë.
Nuk mendoj asgjë më të mirë, sesa përparimi për të hyrë në botën e re të Perëndisë bashkë me të gjithë fëmijët e mi frymorë dhe me miliona të tjerë që kanë zgjedhur t’i shërbejnë Perëndisë tonë, Jehovait. Paraja nuk do të shpëtojë asnjë në fund të kësaj bote të ligë. (Proverbat 11:4; Ezekieli 7:19) Megjithatë, frytet e veprës sonë frymore do të vazhdojnë, nëse secili prej nesh vazhdon të përparojë në pjekuri.
[Figura në faqen 24]
Gati për shërbimin si pionier në qytetin Miles, Montana, në 1949-ën
[Figura në faqen 24]
Duke blerë ujë për shtëpinë tonë misionare, 1952
[Figura në faqen 25]
Predikim në Makala, 1957
[Figura në faqen 25]
Që kur u sëmura në 1989-ën, e kam lexuar Biblën nga fillimi në fund 19 herë