Të dedikuar: Kujt?
«Ne do të bëjmë tërë ato që ka thënë Zoti, dhe do t’i bindemi.»—TË DALËT 24:7.
1, 2. (a) Kujt i janë përkushtuar disa njerëz? (b) A kufizohet përkushtimi vetëm në sferën fetare?
NË SHKURTIN e 1945-ës, pilotët e aeroplangjuajtësve Zero të brigadës ajrore japoneze Yatabe, u mblodhën në një sallë. Secilit iu dha në dorë nga një copë letër, ku duhej të shkruante nëse do të dilte vullnetar për t’u bërë anëtar i forcave sulmuese kamikaze. «Mendova se e kisha për detyrë të sakrifikoja veten për atdheun në rrezik,—thotë një oficer që ishte i pranishëm në atë rast.—Duke qenë se ndihesha i detyruar emocionalisht për ta vënë veten në dispozicion, u ofrova vullnetar.» Ai u stërvit për të drejtuar një Ohka (një aeroplan-raketë vetëvrasës) e për ta rrëzuar atë mbi një anije luftarake armike. Por lufta mbaroi para se t’i jepej mundësia ta bënte këtë gjë e të vdiste në këtë mënyrë për atdheun dhe perandorin e tij. Kur Japonia humbi luftën, besimi i tij në perandorin u shua.
2 Njëherë e një kohë, shumë japonezë i ishin përkushtuar perandorit, të cilin e mendonin si një perëndi të gjallë. Në vende të tjera kanë ekzistuar e akoma ekzistojnë objekte të tjera devotshmërie. Miliona njerëz i janë përkushtuar Marijes, Budës apo hyjnive të tjera, shpesh të paraqitura nga idhuj. Të ndikuar nga oratoria e tyre e bujshme, disa e derdhin paranë e tyre të fituar me djersë në xhepat e predikuesve televizivë në mbështetje të sinqertë se shuma është e barasvlershme me devotshmërinë. Pas luftës, japonezët e zhgënjyer kërkuan t’ia dedikonin jetën e tyre diçkaje të re. Për disa, kjo diçka e re u bë puna. Në Lindje dhe në Perëndim shumë i janë dedikuar grumbullimit të pasurisë. Të rinjtë e kanë përqendruar jetën e tyre mbi disa këngëtarë, nga të cilët kanë imituar mënyrën e jetesës. Sot një numër i madh njerëzish adhurojnë vetveten, duke i bërë dëshirat që kanë, objektin e devotshmërisë së tyre. (Filipianëve 3:19; 2. Timoteut 3:2) Por, a e meritojnë këto gjëra apo njerëz që t’u jepet devotshmëri me gjithë shpirt?
3. Në ç’mënyrë disa objekte devotshmërie janë treguar të pavlera?
3 Përpara realitetit, adhuruesit e idhujve shpesh zhgënjehen. Devotshmëria ndaj idhujve kthehet në zhgënjim, kur adhuruesit kuptojnë se idhujt e tyre janë thjesht «vepër e duarve të njeriut». (Psalmi 115:4) Kur zbulohen skandale lidhur me evangjelistët e shquar, njerëzit e sinqertë ndihen si të zënë ngushtë. Kur për shkak të situatës së vështirë ekonomike, disa përfshihen në listat e atyre që pushohen nga puna, fillojnë të kenë çrregullime mendore. Rënia e prodhimit kohët e fundit, i ka dhënë një goditje të ashpër adhuruesve të Mamonit. Borxhet e marra me shpresë për të bërë shumë para, janë bërë një barrë me pak perspektiva për t’u kthyer. (Mateu 6:24) Kur yjet e rrokut dhe idhuj të tjerë të spektaklit vdesin ose zhyten në harresë, adhuruesit e tyre lihen të braktisur. Ndërsa kush ka jetuar vetëm për të kënaqur veten shpesh korr fryte të hidhura.—Galatasve 6:7.
4. Ç’gjë i nxit njerëzit t’ia dedikojnë jetën gjërave të kota?
4 Ç’gjë i nxit njerëzit t’ia dedikojnë veten kësaj kotësie? Në një masë të madhe, është fryma e botës e sunduar nga Satana Djalli. (Efesianëve 2:2, 3) Ndikimi i kësaj fryme shihet në mënyra të ndryshme. Dikush i është nënshtruar traditave familjare të transmetuara nga stërgjyshërit. Edukimi dhe arsimimi mund të ndikojnë fuqishëm në mënyrën e të menduarit. Atmosfera në vendin e punës mund t’i shtyjë «luftëtarët e firmave» në një punë të tepërt, gjë që mund të kërcënojë jetën. Dëshira për të pasur më shumë ushqehet nga qëndrimi materialist i botës. Zemrat e shumë njerëzve janë të korruptuara, duke i nxitur ata t’u përkushtohen dëshirave të tyre egoiste. Nuk e mendojnë gjatë nëse këto synime e meritojnë një devotshmëri të tillë apo jo.
Një komb i dedikuar
5. Cili dedikim ndaj Jehovait u bë mbi 3.500 vjet më parë?
5 Mbi 3.500 vjet më parë, populli i një kombi gjeti diçka më të denjë për t’i kushtuar devotshmëri. Ai ia dedikoi veten Perëndisë sovran, Jehovait. Kombi i Izraelit e shpalli si grup devotshmërinë e tij ndaj Perëndisë në shkretëtirën e Sinait.
6. Çfarë duhej të nënkuptonte emri i Perëndisë për izraelitët?
6 Ç’gjë i nxiti izraelitët të vepronin kështu? Kur ishin në skllavëri në Egjipt, Jehovai ngarkoi Moisiun t’i udhëhiqte ata drejt lirisë. Moisiu e pyeti se si duhej ta përshkruante Perëndinë që e dërgoi dhe Perëndia ia zbuloi veten kështu: «Unë do të tregoj se jam, ai që do të tregoj se jam.» Ai e urdhëroi Moisiun t’u thoshte bijve të Izraelit: «Unë do të tregoj se jam më ka dërguar tek ju.» (Të Dalët 3:13, 14, BR) Kjo shprehje tregonte se Jehovai bëhet gjithçka që është e nevojshme, në mënyrë që të plotësojë qëllimet e tij. Ai do të zbulohej si Plotësuesi i premtimeve në atë mënyrë që stërgjyshërit e izraelitëve nuk e kishin njohur kurrë.—Të Dalët 6:2, 3.
7, 8. Çfarë provash kishin izraelitët se Jehovai ishte një Perëndi i denjë për devotshmërinë e tyre?
7 Izraelitët qenë dëshmitarë të hidhërimit që ra mbi Egjiptin dhe popullin e tij nga dhjetë plagët. (Psalmi 78:44-51) Më pas, ndoshta më shumë se tre milionë prej tyre, duke përfshirë gra e fëmijë bënë gati plaçkat dhe brenda një nate u nisën nga vendi i Goshenit, diçka që në vetvete ishte një bëmë e çuditshme. (Të Dalët 12:37, 38) Më vonë, në Detin e Kuq, Jehovai e zbuloi veten si «një luftëtar i aftë», kur e shpëtoi popullin e tij nga forcat ushtarake të Faraonit, duke e ndarë detin më dysh që t’u jepte mundësi izraelitëve të kalonin e pastaj duke e mbyllur për të mbytur egjiptianët që i ndiqnin. Si rezultat, «Izraeli pa fuqinë e madhe që Zoti kishte treguar kundër Egjiptasve, dhe populli pati frikë nga Zoti dhe besoi te Zoti».—Të Dalët 14:31; 15:3; Psalmi 136:10-15.
8 Sikur të mos kishin pasur prova të mjaftueshme mbi domethënien e emrit të Jehovait, izraelitët pëshpërisnin kundër Jehovait dhe përfaqësuesit të tij Moisiut, për mungesën e ushqimit dhe të ujit. Jehovai dërgoi shkurtat, bëri që të bjerë manë dhe të dalë me vrull ujë nga shkëmbi në Meriba. (Të Dalët 16:2-5, 12-15, 31; 17:2-7) Gjithashtu, Jehovai i shpëtoi izraelitët nga sulmi i amalekitëve. (Të Dalët 17:8-13) Izraelitët nuk mund ta mohonin aspak atë që Jehovai i shpalli më vonë Moisiut: «Zoti, Perëndia i përjetshëm, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri, që përdor mëshirën për mijëra njerëz, që fal padrejtësinë, shkeljet dhe mëkatin.» (Të Dalët 34:6, 7) Jehovai tregoi se me të vërtetë ishte i denjë për devotshmërinë e tyre.
9. Përse Jehovai u dha mundësi izraelitëve ta shprehnin dedikimin e tyre për t’i shërbyer atij dhe si u përgjigjën ata?
9 Megjithëse Jehovai kishte të drejtën e pronësisë mbi izraelitët, sepse i kishte blerë nga Egjipti, ai si Perëndi i mirë dhe i mëshirshëm, u dha atyre mundësinë të shprehnin vullnetarisht dëshirën e tyre për t’i shërbyer. (Ligji i përtërirë 7:7, 8; 30:15-20) Ai, gjithashtu, vendosi kushtet për marrëveshjen e tij me izraelitët. (Të Dalët 19:3-8; 20:1-23:33) Kur Moisiu tregoi këto kushte, izraelitët shpallën: «Ne do të bëjmë tërë ato që ka thënë Zoti, dhe do t’i bindemi.» (Të Dalët 24:3-7) Me vullnetin e tyre të lirë, ata u bënë kombi i dedikuar ndaj Zotit Sovran Jehova.
Çmueshmëria çon në dedikim
10. Ku duhet bazuar dedikimi ynë ndaj Jehovait?
10 Jehovai, Krijuesi, vazhdon të jetë i denjë për devotshmërinë tonë me gjithë shpirt. (Malakia 3:6; Mateu 22:37; Zbulesa 4:11) Megjithatë, dedikimi ynë nuk duhet të bazohet në naivitetin, ndjenjat kalimtare dhe detyrimin nga të tjerët, madje edhe nga prindërit. Ai duhet bazuar në njohurinë e saktë të së vërtetës mbi Jehovain dhe në çmueshmërinë për atë që Jehovai ka bërë për ne. (Romakëve 10:2; Kolosianëve 1:9, 10; 1. Timoteut 2:4) Ashtu si Jehovai u dha mundësi izraelitëve që me vullnet të lirë ta shprehnin dedikimin e tyre, ashtu na jep edhe neve rast që me vullnet të lirë t’ia dedikojmë veten atij dhe ta bëjmë atë dedikim në mënyrë publike.—1. Pjetrit 3:21.
11. Çfarë kemi mësuar për Jehovain nga studimi ynë i Biblës?
11 Përmes studimit të Biblës, ne arrijmë ta njohim Perëndinë si person. Fjala e tij na ndihmon që t’i dallojmë cilësitë e tij siç pasqyrohen në krijim. (Psalmi 19:1-4) Nga Fjala e tij mund të shohim se ai nuk është një trinitet misterioz i pakuptueshëm. Ai nuk ka humbur asnjë betejë e kështu nuk ka pse heq dorë nga hyjnia e tij. (Të Dalët 15:11; 1. Korintasve 8:5, 6; Zbulesa 11:17, 18) Fakti që ai i ka plotësuar premtimet e tij, na kujton atë që emri i tij i bukur, Jehova, paraqet. Ai ka një qëllim madhështor. (Zanafilla 2:4, shënimi, BR; Psalmi 83:18; Isaia 46:9-11) Duke studiuar Biblën, arrijmë të kuptojmë qartë se sa besnik e i denjë për besim është ai.—Ligji i përtërirë 7:9; Psalmi 19:7, 9; 111:7.
12. (a) Ç’gjë na tërheq nga Jehovai? (b) Në ç’mënyrë përvojat e jetës reale të treguara në Bibël nxisin dëshirën për t’i shërbyer Jehovait? (c) Çfarë ndien për shërbimin e Jehovait?
12 Ajo që na tërheq në mënyrë të veçantë nga Jehovai është personaliteti i tij i dashur. Bibla tregon se sa i dashur, i mëshirshëm dhe i dhembshur është ai në marrëdhëniet me njerëzit. Mendo se sa mbarësi i dha Jobit, pasi ai e mbajti me besnikëri integritetin e tij. Përvoja e Jobit thekson se «Zoti është plot mëshirë e dhembshuri». (Jakovit 5:11; Jobi 42:12-17) Mendo se si Jehovai veproi me Davidin, kur ai kreu tradhti bashkëshortore dhe vrasje. Po, Jehovai është i gatshëm të falë edhe mëkatet serioze, kur mëkatari i afrohet atij me ‘zemër të thyer e të penduar’. (Psalmi 51:3-11, 17) Mendo se si u soll Jehovai me Saulin nga Tarsa, i cili në fillim ishte një persekutues i vendosur i popullit të Perëndisë. Këta shembuj nxjerrin në pah mëshirën e Perëndisë dhe gatishmërinë e tij bujare për të përdorur të penduarit. (1. Korintasve 15:9; 1. Timoteut 1:15, 16) Pavli u ndie i nxitur t’ia besonte jetën shërbimit të këtij Perëndie të dashur. (Romakëve 14:8) A ndien edhe ti të njëjtën gjë?
13. Cila shprehje e madhe e dashurisë nga ana e Jehovait e detyron një person me zemër të sinqertë t’i dedikohet atij?
13 Jehovai i shpëtoi izraelitët nga skllavëria e Egjiptit dhe ka përgatitur një mjet për të na shpëtuar edhe ne nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes: sakrificën shpërblerëse të Jezu Krishtit. (Gjoni 3:16) Pavli tha: «Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.» (Romakëve 5:8) Kjo përgatitje e dashur i detyron njerëzit me zemër të sinqertë t’ia dedikojnë veten Jehovait përmes Jezu Krishtit. «Sepse dashuria e Krishtit na shtrëngon, sepse kemi arritur në konkluzionin se, në qoftë se një ka vdekur për të gjithë, të gjithë, pra, kanë vdekur; dhe se ai ka vdekur për të gjithë, me qëllim që ata të cilët jetojnë, të mos jetojnë që sot e tutje për veten e tyre, po për atë që vdiq dhe u ringjall për ta.»—2. Korintasve 5:14, 15; Romakëve 8:35-39.
14. A mjafton vetëm njohuria mbi atë që ka bërë Jehovai për të na nxitur t’ia dedikojmë jetën tonë atij? Shpjego.
14 Megjithatë, nuk mjafton të njohim personalitetin e Jehovait dhe marrëdhëniet e tij me njerëzimin. Duhet kultivuar çmueshmëria personale për Jehovain. Si mund të bëhet kjo? Duke e zbatuar Fjalën e Perëndisë në jetën tonë dhe duke kuptuar nga përvoja jonë se parimet në të, janë vërtet të efektshme. (Isaia 48:17) Duhet të ndiejmë se Jehovai na ka shpëtuar nga lluca e kësaj bote të ligë nën sundimin e Satanait. (Krahaso 1. Korintasve 6:11.) Në luftën tonë për të bërë atë që është e drejtë, ne mësojmë të mbështetemi tek Jehovai dhe e shikojmë personalisht se Jehovai është Perëndia i gjallë, «Dëgjuesi i lutjes». (Psalmi 62:8; 65:2, BR) Shpejt ndihemi shumë të afërt me të dhe arrijmë t’i besojmë atij ndjenjat tona më intime. Ndjenja e ngrohtë e dashurisë për Jehovain rritet brenda nesh. Kjo gjë pa dyshim na udhëheq drejt dedikimit të jetës sonë ndaj tij.
15. Ç’gjë e nxiti një burrë që më parë i ishte dedikuar punës t’i shërbente Jehovait?
15 Shumë persona kanë arritur ta njohin Jehovain, këtë Perëndi të dashur dhe ia kanë dedikuar jetën shërbimit të tij. Merr shembullin e një elektricisti, që kishte një biznes të mbarë. Kishte kohë kur punonte nga mëngjesi deri edhe gjatë natës dhe kthehej në shtëpi në orën pesë të mëngjesit tjetër. Pasi pushonte gati një orë, shkonte për të bërë punën tjetër. «I isha dedikuar punës»,—kujton ai. Kur e shoqja filloi të studionte Biblën edhe ai u bashkua me të. Ai thotë: «Të gjitha perënditë që kisha njohur deri atëherë s’bënin gjë tjetër veçse prisnin t’u shërbehej, duke mos bërë asgjë në dobinë tonë. Ndërsa Jehovai e hodhi hapin i pari, duke dërguar në tokë Birin e tij të vetëmlindur, një çmim i madh sakrifice.» (1. Gjonit 4:10, 19) Brenda dhjetë muajve ai iu dedikua Jehovait. Pas kësaj, e përqendroi aktivitetin e tij në shërbim të Perëndisë së gjallë. Filloi shërbimin e plotë kohor dhe shkoi të shërbente atje ku nevoja ishte më e madhe. Ai, ashtu si apostujt ‘i la të gjitha gjërat dhe ndoqi [Jezuin]’. (Mateu 19:27) Pas dy muajsh, ai dhe e shoqja u ftuan të shërbenin në zyrën e degës në Watch Tower Bible and Tract Society në atë vend, që të ndihmonte aty si elektricist. Për më shumë se 20 vjet, ai punoi në zyrën e degës, duke bërë punën që aq shumë e donte jo për vete, por për Jehovain.
Bëjeni dedikimin tuaj publik
16. Cilat janë disa hapa që duhet të bëjë një person për t’iu dedikuar Jehovait?
16 Pas studimit të Biblës për ca kohë, të rinj e të moshuar bashkë arrijnë ta çmojnë Jehovain dhe atë që ai ka bërë për ta. Kjo gjë duhet t’i nxisë ata t’ia dedikojnë veten Perëndisë. Ti mund të jesh një prej tyre. Si mund t’i dedikohesh Jehovait? Pas marrjes së njohurisë së saktë nga Bibla, duhet të veprosh në përputhje me atë njohuri dhe të ushtrosh besim tek Jehovai dhe Jezu Krishti. (Gjoni 17:3) Pendohu dhe kthehu, duke braktisur çdo sjellje të mëparshme mëkatare. (Veprat 3:19) Atëherë do të arrish në hapin e dedikimit, duke e shprehur atë solemnisht në lutje ndaj Jehovait. Kjo lutje pa dyshim që do të lërë një mbresë të pashlyeshme në mendjen tënde, sepse do të jetë fillimi i një marrëdhënieje të re me Jehovain.
17. (a) Përse pleqtë shqyrtojnë disa pyetje të përgatitura me të dedikuarit e rinj? (b) Cili hap i rëndësishëm duhet bërë menjëherë pas dedikimit dhe me ç’qëllim?
17 Ashtu si Moisiu u shpjegoi izraelitëve kushtet për të lidhur një besëlidhje me Jehovain, pleqtë në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait i ndihmojnë ata që janë dedikuar nga pak kohë, të shqyrtojnë me saktësi atë që kërkohet prej tyre. Ata përdorin pyetje të përgatitura për të vërtetuar nëse gjithsecili i kupton plotësisht mësimet themelore të Biblës dhe është i vetëdijshëm mbi faktin se çdo të thotë të jesh Dëshmitar i Jehovait. Në këtë pikë është e përshtatshme që të mbahet një ceremoni, për ta bërë dedikimin publik. Natyrisht, dikush që është dedikuar nga pak kohë, mezi pret t’u tregojë të tjerëve se ka arritur në një marrëdhënie të privilegjuar me Jehovain. (Krahaso Jeremian 9:24.) Kjo gjë, bëhet në mënyrë të përshtatshme, duke iu nënshtruar pagëzimit në ujë si simbol i dedikimit. Zhytja e pastaj dalja nga uji simbolizojnë faktin që ai bën të vdesë mënyra e mëparshme egoiste e jetës dhe ringjallet në një mënyrë të re jetese, në atë të kryerjes së vullnetit të Perëndisë. Nuk është as kungatë, as rit si misogi shintoist, sipas të cilit mendohet se personi pastrohet nga uji.a Përkundrazi, pagëzimi është shpallja publike e dedikimit që tashmë është bërë në lutje.
18. Përse mund të kemi besim se dedikimi ynë nuk do të jetë i kotë?
18 Ky rast solemn është diçka e paharrueshme që i kujton shërbëtorit të Perëndisë marrëdhënien e qëndrueshme që ka tani me Jehovain. Ndryshe dedikimit që bënë pilotët kamikaze ndaj vendit dhe perandorit të tyre, ky dedikim ndaj Jehovait nuk do të jetë i kotë, sepse ai është Perëndia i përjetshëm dhe i plotfuqishëm, që plotëson të gjitha ato që vendos për të bërë. Ai dhe vetëm ai është i denjë për devotshmëri me gjithë shpirt.—Isaia 55:9-11.
19. Çfarë do të trajtohet në artikullin vijues?
19 Megjithatë, dedikimi përfshin edhe gjëra të tjera. Për shembull, si ndikon dedikimi në jetën tonë të përditshme? Kjo do të trajtohet në artikullin vijues.
[Shënimi]
a Shiko Mankind’s Search for God, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., faqet 194-195.
A të kujtohet?
◻ Përse lloji i dedikimit të botës përfundon në zhgënjim?
◻ Çfarë i nxiti izraelitët t’i dedikoheshin Jehovait?
◻ Ç’gjë na nxit sot t’i dedikohemi Jehovait?
◻ Në ç’mënyrë ia dedikojmë veten Jehovait?
◻ Cila është domethënia e pagëzimit në ujë?
[Figura në faqen 10]
Izraeli i dedikohet Jehovait në Sinai