Bibla—Cila është vlera e saj e vërtetë?
«BIBLA është një mister, një libër që nuk u dha për t’u kuptuar»,—pohon një pronar shtëpie. Ndërsa një tjetër thotë: «Unë e di se Bibla është një libër i rëndësishëm, por nuk di shumë rreth saj. Është e vështirë për t’u kuptuar.»
«Shumë të krishterë dinë . . . pak rreth Biblës»,—deklaron gazeta, The Toronto Star. Një zonjë katolike komentoi: «Pasja e një Bible më bën të ndihem mirë. Më sjell një paqe të brendshme.» «Bibla është si një busull që e drejton dikë përmes detit të stuhishëm të jetës në një vend të sigurt»,—thotë një peshkatar. Një ish hindus është shprehur: «Bibla është Fjala e Perëndisë, një dhuratë për njerëzimin dhe një ilaç për vuajtjet frymore.»
Opinionet mbi vlerën e vërtetë të Biblës janë të shumta dhe të ndryshme. Por cila është vlera e saj e vërtetë?
Bibla është libri më i rëndësishëm dhe më i shpërndarë që ekziston. Brenda faqeve të saj gjenden përgjigje për shumicën e problemeve të ndërlikuara që njeriu ka përjetuar apo që akoma do të ndeshë. Vlera praktike e këshillave të saj është e pashoqe. Standardet morale që ajo përkrah janë të pakrahasueshme. Mesazhi i saj është i fuqishëm dhe i dobishëm. Ky libër me një vlerë të pakrahasueshme meriton të nxirret nga biblioteka jonë dhe t’i kushtohet një vëmendje e kujdesshme dhe e përqendruar.
Ne mund ta hapim Biblën me besim të plotë se ajo është plotësisht e saktë, e besueshme dhe origjinale. Ngjarjet historike të regjistruara në të, janë vërtetuar gjatë historisë shekullore. Zbulimet arkeologjike, herë pas here vërtetojnë se Bibla është një libër me fakte dhe të vërteta. Sinqeriteti i rreth 40 shkrimtarëve të Biblës i ka bërë ata të dallohen si njerëz të ndershëm dhe me integritet. Harmonia e plotë e Biblës tregon se ajo nuk ka origjinë njerëzore. Ngjarjet e shënuara në të janë të vërteta. Njerëzit për të cilët ajo flet, në realitet kanë ekzistuar. Vendet dhe zonat që ajo përmend janë reale. Për më tepër, Bibla përmban profeci të shquara, që në mënyrë të padiskutueshme e identifikojnë Perëndinë Jehova si Autorin e Biblës.—2. Pjetrit 1:21.
Mësuesi ynë i madh na siguron se njohuria mbi vullnetin dhe qëllimin e tij do të jenë në dispozicion të atyre që dëshirojnë ta njohin atë. Në fakt, Jehovai na tregon në një mënyrë të qartë se vullneti i tij është që të gjithë njerëzit pa përjashtim të studiojnë Fjalën e tij dhe «të vijnë në njohurinë e saktë të së vërtetës». (1. Timoteut 2:3, 4, BR; Proverbat 1:5, 20-33)Kjo është një nga gjërat më të rëndësishme që mund të bëjmë në jetën tonë. Fitimi i njohurisë së saktë, është një sfidë që ne duhet ta përballojmë. Të krishterët e parë e kuptuan këtë. Njëri prej tyre u nxit të thoshte: «Dhe për këtë lutem që dashuria juaj të teprojë gjithnjë e më shumë në njohuri dhe në dallim, që të dalloni gjërat më të mira.»—Filipianëve 1:9, 10; Kolosianëve 1:9, 10.
Bibla është mjeti kryesor, me anë të të cilit Krijuesi i komunikon vullnetin dhe qëllimin e tij familjes njerëzore dhe shpjegon se si ne individualisht përfshihemi në këtë qëllim. Në të shënohen ngjarjet e së shkuarës dhe jepet një vizion i qartë i së ardhmes. Bibla paraqet doktrinën e drejtë dhe na korrigjon në lidhje me atë që duhet apo nuk duhet të besojmë. (Veprat 17:11; 2. Timoteut 3:16, 17) Ajo përcakton rregullat e sjelljes sipas së cilës njerëzit duhet të jetojnë dhe i drejton ata në rrugën e suksesit dhe të lumturisë. (Mateu, kapitujt 5 deri 7) Ajo thekson Mbretërinë e Perëndisë, si të vetmen shpresë për njerëzimin dhe tregon se si qeveria e tij është instrumenti për të shenjtëruar emrin e Perëndisë dhe për të përligjur sovranitetin e tij. Bibla shpjegon rrugën që duhet të ndjekim për të gëzuar një marrëdhënie të afërt e të dashur me Dhënësin e jetës tonë, Jehovain.
Për më tepër, Bibla është i vetmi libër që mund të të çojë drejt çmimit më të madh që njerëzimi mund të fitojë ndonjëherë—jetës së përhershme në një tokë parajsore si njerëz të përsosur. (Romakëve 6:23) Biri i vetëmlindur i Jehovait na thotë: «Dhe kjo është jeta e përhershme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar.» (Gjoni 17:3) Sigurisht, një libër me një vlerë kaq të madhe, duhet të na nxitë të mësojmë se çfarë duhet të bëjmë për të fituar çmimin e jetës së përhershme. Bibla është një libër i dhënë për t’u kuptuar, siç do të tregojë artikulli vijues.