Lajmëtarët e Mbretërisë aktivë në të gjithë tokën
«Do të bëheni dëshmitarët e mi . . . deri në skajin e dheut.»—VEPRAT 1:8.
1. Cilin mesazh tha Jezui se ithtarët e tij do të shpallnin në ditët tona?
DUKE përshkruar veprën, për kryerjen e së cilës Jehovai kishte dërguar Birin e tij në tokë, Jezui tha: «Më duhet ta shpall lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë.» (Luka 4:43) Ngjashëm, duke folur mbi veprën që dishepujt e tij do të kryenin në tokë, kur ai të kthehej me autoritet mbretëror, Jezui tha: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në mbarë tokën e banuar, në dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.»—Mateu 24:14, BR.
2. (a) Përse është kaq e rëndësishme që mesazhit të Mbretërisë t’i jepet një përhapje e gjerë? (b) Cilën pyetje duhet t’i bëjë vetes secili prej nesh?
2 Përse është kaq i rëndësishëm lajmi i Mbretërisë së Perëndisë? Përse kërkohet që të shpallet në mënyrë kaq të gjerë? Sepse ajo është Mbretëria mesianike që do të përligjë sovranitetin universal të Jehovait. (1. Korintasve 15:24-28) Me anë të saj Jehovai do të zbatojë gjykimin kundër sistemit të tanishëm satanik të gjërave dhe do të plotësojë premtimin e tij për të bekuar të gjitha familjet e tokës. (Zanafilla 22:17, 18; Danieli 2:44) Duke dhënë dëshmi mbi Mbretërinë, Jehovai ka gjetur ata që i ka mirosur, për të qenë pastaj bashkëtrashëgimtarë me Birin e tij. Me anë të shpalljes së Mbretërisë, sot kryhet edhe vepra e ndarjes. (Mateu 25:31-33) Jehovai do që njerëz nga të gjitha kombet të lajmërohen për qëllimet e tij. Ai do që të kenë mundësinë për të zgjedhur jetën si nënshtetas të Mbretërisë së tij. (Gjoni 3:16; Veprat 13:47) A po merr pjesë plotësisht në shpalljen e kësaj Mbretërie?
Në parashikim të fundit të kohëve të paganëve
3. (a) Mbi cilin subjekt të përshtatshëm foli vëlla Russelli, në njërin prej udhëtimeve të tij të para për formimin e grupeve të studimit biblik? (b) Çfarë kuptuan Studentët e hershëm Biblikë për sa i përket vendit që Mbretëria e Perëndisë duhej të kishte në jetën e tyre?
3 Në vitin 1880, Charles Taze Russell, botuesi i parë i revistës Kulla e Rojës, bëri një udhëtim përgjatë Shteteve të Bashkuara verilindore, për të inkurajuar formimin e grupeve të studimit biblik. Në mënyrë të përshtatshme, objekt i fjalimit të tij ishte «Gjëra që kanë lidhje me Mbretërinë e Perëndisë». Siç pasqyrohej në numrat e parë të Kullës së Rojës, Studentët Biblikë (siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait) e kuptuan se nëse donin të provonin ashtu si duhej që kishin pjesë në Mbretërinë e Perëndisë, duhej që interesi i tyre primar të ishte Mbretëria, duke përdorur me gëzim jetën, aftësitë dhe burimet e tyre në shërbim të saj. Çdo gjë tjetër në jetë duhej të vinte në radhë të dytë. (Mateu 13:44-46) Përgjegjësia e tyre ishte që t’u shpallnin të tjerëve lajmin e mirë mbi Mbretërinë e Perëndisë. (Isaia 61:1, 2) Deri në ç’masë e kryen ata këtë gjë përpara fundit të Kohëve të Paganëve, në 1914-ën?
4. Deri në ç’pikë shpërndau literaturë biblike grupi i vogël i Studentëve të Biblës para 1914-ës?
4 Nga vitet 1870 deri në 1914-ën, Studentët Biblikë ishin relativisht pak. Në vitin 1914 ishin afërsisht vetëm 5.100 veta që merreshin aktivisht me dhënien e dëshmisë publike. Por sa dëshmi të jashtëzakonshme që dhanë! Në vitin 1881, vetëm dy vjet pasi kishte filluar botimi i Kullës së Rojës, ata ndërmorën shpërndarjen e botimit 162 faqësh të titulluar Ushqim për të krishterët që mendojnë. Brenda pak muajve kishin shpërndarë 1.200.000 kopje të tij. Në pak vite, dhjetëra miliona fletushka shpërndaheshin çdo vit në shumë gjuhë.
5. Kush ishin përhapësit dhe çfarë lloj fryme tregonin ata?
5 Gjithashtu, duke filluar nga viti 1881, disa u ofruan në shërbim si ungjilltarë përhapës. Ata ishin pararendësit e pionierëve të sotëm (ungjilltarë në shërbim të plotë kohor). Disa përhapës, që udhëtonin në këmbë apo me biçikletë, dhanë personalisht dëshmi pothuajse në çdo pjesë të vendit ku banonin. Të tjerë shkuan në fusha të huaja dhe ishin të parët që e çuan lajmin e mirë në vende të tilla si Finlanda, Barbados dhe Burma (tani Myanmar). Ata shfaqën një zell misionar, si ai i Jezu Krishtit dhe i apostujve të tij.—Luka 4:43; Romakëve 15:23-25.
6. (a) Deri ku u shtrinë udhëtimet e vëlla Russellit për të përhapur të vërtetën biblike? (b) Ç’gjë tjetër ishte bërë për të përkrahur predikimin e lajmit të mirë në fusha të huaja para përfundimit të kohëve të paganëve?
6 Edhe vetë vëlla Russelli bëri udhëtime të gjata për të përhapur të vërtetën. Shkoi disa herë në Kanada; foli në Panama, në Xhamajkë dhe në Kubë; bëri me dhjetëra udhëtime në Evropë dhe kreu një udhëtim ungjillëzimi rreth globit. Çoi edhe të tjerë për t’i hapur rrugë dhe për të drejtuar predikimin e lajmit të mirë në fusha të huaja. Adolf Weber u dërgua në Evropë në gjysmën e viteve ’90 të shekullit të kaluar dhe nga Zvicra ai e shtriu shërbimin e tij në Francë, Itali, Gjermani dhe Belgjikë. E. J. Coward u dërgua në zonën e Karaibeve. Në vitin 1912 Robert Hollister u caktua në Lindje. Për atje u përgatitën fletushka të veçanta në dhjetë gjuhë dhe miliona kopje prej tyre u shpërndanë në mbarë Indinë, Kinën, Japoninë dhe Korenë, nga përhapës që banonin në ato vende. Nëse do të kishe jetuar atëherë, a do të të kishte nxitur zemra jote për të bërë një përpjekje të sinqertë për t’u çuar të tjerëve në bashkësinë tënde e më tej lajmin e mirë?
7. (a) Si u përdorën gazetat për të intensifikuar dhënien e dëshmisë? (b) Çfarë ishte «Fotodrama e krijimit» dhe sa njerëz e panë atë vetëm në një vit?
7 Kur Kohët e Paganëve po i afroheshin fundit, u përdorën gazeta për të botuar predikimet biblike të mbajtura nga vëlla Russell. Theksi i tyre kryesor nuk u vu mbi vitin 1914, por përkundrazi, mbi qëllimin e Perëndisë dhe mbi sigurinë e përmbushjes së tij. Gati edhe 2.000 gazeta njëkohësisht botonin rregullisht këto fjalime, duke arritur një shifër prej 15.000.000 lexuesish. Pastaj, me ardhjen e 1914-ës, Shoqata filloi shfaqjen publike të «Fotodrama e Krijimit». Në katër shfaqje me nga dy orë secila, ajo paraqiste të vërteta biblike që nga krijimi deri në fund të Mijëvjeçarit. Vetëm brenda një viti, më tepër se nëntë milion njerëz gjithsej, e panë në Amerikën Veriore, në Evropë, Australi dhe Zelandën e Re.
8. Në sa vende e kishin çuar lajmin e mirë Studentët Biblikë në 1914-ën?
8 Sipas regjistrimeve që ekzistojnë, gjatë pjesës së dytë të 1914-ës, ky grup i zellshëm ungjilltarësh e kishte shtrirë predikimin e tij të Mbretërisë së Perëndisë në 68 vende.a Por ky ishte vetëm fillimi.
Duke shpallur me zell Mbretërinë e vendosur
9. Në ç’mënyrë iu dha shtytje e veçantë veprës së dëshmisë mbi Mbretërinë në kongreset e Cedar Point-it?
9 Më vonë, në 1919-ën, kur Studentët Biblikë u mblodhën në Cedar Point, Ohio, J. F. Rutherford, në atë kohë kryetar i Shoqatës Watch Tower, deklaroi: «Vendosmëria jonë ishte dhe është lajmërimi i mbretërisë së lavdishme të Mesisë që po vjen.» Në kongresin e dytë në Cedar Point, në 1922-shin, vëlla Rutherford nxori në pah faktin se në fund të Kohëve të Paganëve, në 1914-ën, «Mbreti i lavdisë kishte marrë mbi veten pushtetin e tij të madh dhe kishte filluar të mbretëronte». Në vazhdim, ai e shtroi çështjen shkoqur para auditorit, duke thënë: «A besoni se Mbreti i lavdisë ka filluar mbretërimin e tij? Atëherë, kthehuni në fushë, o bij të Perëndisë më të lartë! . . . Shpalleni lajmin gjerë e gjatë. Bota duhet të dijë se Jehovai është Perëndia dhe se Jezu Krishti është Mbret i mbretërve dhe Zotëri i zotërinjve. Kjo është dita e të gjitha ditëve. Përkraheni, mbretërinë e Mbretit! Ju jeni përfaqësuesit e tij publikë.»
10, 11. Si u përdorën me efikasitet radiot, makinat me sistem akustik dhe parrullat për ta bërë të ditur tek të gjithë njerëzit të vërtetën e Mbretërisë?
10 Tashmë kanë kaluar më shumë se 70 vjet nga ato kongrese në Cedar Point dhe gati 80 vjet që kur Jehovai ka filluar ta shprehë sovranitetin e tij nëpërmjet sundimit mesianik të Birit të tij. Deri në ç’pikë Dëshmitarët e Jehovait e kanë kryer efektivisht veprën që u është treguar në Fjalën e Perëndisë? Çfarë pjese ke ti personalisht në të?
11 Në fillim të viteve ’20 radioja u vu në dispozicion për t’i bërë një publicitet të gjerë lajmit të Mbretërisë. Në vitet ’30, fjalimet e kongreseve që nxirrnin në pah Mbretërinë si shpresë për botën, transmetoheshin nga qarqe radiofonike apo linja telefonike që mbulonin globin. Gjithashtu u përdorën makina me sistem akustik për të dëgjuar fjalimet biblike në vende publike. Pastaj, në 1936-ën, në Glasgou të Skocisë, vëllezërit filluan të mbanin parrulla, kur kalonin përmes zonave tregtare për të reklamuar fjalimet publike. Të gjitha këto ishin mjete efikase për t’u dhënë dëshmi shumë njerëzve, në një kohë kur ishim të paktë në numër.
12. Siç tregojnë edhe Shkrimet, cila është një nga mënyrat më efikase në të cilën mund të japim dëshmi individualisht?
12 Sigurisht, Shkrimet e thonë qartë se të krishterët kanë përgjegjësi individuale për të dhënë dëshmi. Nuk mund të lëmë që vepra të kryhet thjesht prej artikujve të gazetave apo nga transmetimet radiofonike. Me mijëra të krishterë besnikë—burra, gra dhe fëmijë—e kanë pranuar këtë përgjegjësi. Si rrjedhojë, predikimi shtëpi më shtëpi është bërë një shenjë dalluese e Dëshmitarëve të Jehovait.—Veprat 5:42; 20:20.
Shtrihet në të gjithë tokën e banuar
13, 14. (a) Përse disa Dëshmitarë u transferuan në qytete të tjera, madje edhe në vende të tjera, për të zhvilluar shërbimin e tyre? (b) Në ç’mënyrë interesi i sinqertë për njerëzit e vendlindjes ndihmoi për përhapjen e lajmit të mirë?
13 Duke e ditur se lajmi i Mbretërisë duhet predikuar në të gjithë tokën e banuar, disa Dëshmitarë të Jehovait kanë shqyrtuar seriozisht se çfarë mund të bëjnë personalisht për ta çuar atë edhe në zona të tjera përveç vendit të tyre.
14 Shumë veta e kanë njohur të vërtetën pasi kanë lënë vendin e tyre të lindjes. Edhe pse në të shumtën e rasteve lëvizën për përfitim material, kanë gjetur diçka edhe më të çmuar dhe disa janë ndier të shtyrë për t’u rikthyer në vendlindje, për t’ua bërë të njohur edhe të tjerëve të vërtetën. Në këtë mënyrë, në fillim të këtij shekulli, predikimi i lajmit të mirë u shtri në Skandinavi, Greqi, Itali, në vendet e Evropës Lindore dhe në shumë zona të tjera. Edhe tani, në vitet ’90, lajmi i Mbretërisë përhapet në të njëjtën mënyrë.
15. Çfarë bënë disa, qëndrimi i të cilëve ishte si ai i shprehur tek Isaia 6:8, gjatë viteve ’20 dhe ’30?
15 Duke zbatuar këshillën e Fjalës së Perëndisë në jetën e tyre, disa kanë mundur të jenë të gatshëm për të shërbyer në vende ku nuk kishin jetuar më parë. W. R. Brown (i quajtur shpesh ‘Brauni i Biblës’) ishte një ndër ta. Në vitin 1923, për të nxitur veprën e ungjillëzimit, ai lëvizi nga Trinidadi për në Afrikën Perëndimore. Gjatë viteve ’30, Frank dhe Gray Smith, Robert Nisbet dhe David Norman ishin ndër ata që përhapën lajmin e Mbretërisë përgjatë bregut lindor të Afrikës. Disa të tjerë ndihmuan për të kultivuar fushat në Amerikën e Jugut. Në fillim të viteve ’20, George Young, kanadez, mori pjesë në veprën në Argjentinë, Brazil, Bolivi, Kili dhe Peru. Juan Muñiz, që kishte shërbyer në Spanjë, vazhdoi në Argjentinë, Kili, Paraguaj dhe Uruguaj. Të gjithë këta treguan një frymë të ngjashme me atë që shprehu Isaia 6:8: «Ja ku jam, dërgomë mua!»
16. Përveç qendrave kryesore të popullsisë, ku tjetër u dha dëshmi në vitet para luftës?
16 Predikimi i lajmit të mirë mbërriti edhe në zona të thella. Varka me ekuipazh të përbërë nga Dëshmitarë, vizitonin të gjitha fshatrat e peshkatarëve të Tokës së Re, bregun norvegjez në Arktik, ishujt e Paqësorit dhe portet e Azisë juglindore.
17. (a) Në vitet 1935, deri në sa vende kishin arritur Dëshmitarët? (b) Përse vepra nuk kishte mbaruar pikërisht atëherë?
17 Në mënyrë të habitshme, në 1935-ën, Dëshmitarët e Jehovait gjendeshin duke predikuar në 115 vende dhe kishin mbërritur në 34 të tjera me udhëtime dëshmie apo me literaturë të dërguar me postë. Megjithatë, vepra s’kishte marrë fund. Atë vit, Jehovai u hapi sytë që të shihnin qëllimin e tij, për të mbledhur «një shumicë të madhe», që do të mbijetonte për në botën e tij të re. (Zbulesa 7:9, 10, 14) Mbetej akoma edhe shumë dëshmi për t’u dhënë!
18. Ç’rol kanë pasur Shkolla e Galaadit dhe ajo e Aftësimit për Shërbim në veprën për shpalljen e Mbretërisë?
18 Edhe pse Lufta II Botërore përfshiu tokën dhe literatura e vepra e Dëshmitarëve të Jehovait u ndaluan në disa vende, Shkolla Biblike e Galaadit hapi dyert për të stërvitur misionarët e ardhshëm për të kryer një vepër edhe më të madhe në shpalljen ndërkombëtare të Mbretërisë. Prej asaj date, të diplomuarit në Galaad kanë shërbyer në më shumë se 200 vende. Ata nuk kanë lënë vetëm literaturë e pastaj, o burra tutje. Kanë drejtuar studime biblike, kanë organizuar kongregacione dhe kanë aftësuar njerëz për të mbajtur mbi shpatulla përgjegjësi teokratike. Kohët e fundit, pleq dhe shërbëtorë ndihmës që janë diplomuar në Shkollën e Aftësimit për Shërbim, kanë ndihmuar për të plotësuar disa nevoja jetësore në lidhje me këtë vepër në gjashtë kontinente. Një themel i fortë është hedhur për të vazhduar rritjen.—Krahaso 2. Timoteut 2:2.
19. Deri në ç’përmasa i janë përgjigjur Dëshmitarët e Jehovait ftesës për të shërbyer në zona ku nevoja ishte më e madhe?
19 A kishte të tjerë që mund të ndihmonin kalimin në territore të papunuara? Në 1957-ën, nëpër kongreset e mbajtura në pjesë të ndryshme të botës, individë të veçantë dhe familje—Dëshmitarë të Jehovait të pjekur—u inkurajuan që të shqyrtonin mundësinë për t’u transferuar dhe vendosur në zona ku kishte më tepër nevojë për të zhvilluar atje shërbimin e tyre. Ftesa ishte shumë e ngjashme me atë që Perëndia i drejtoi Pavlit, i cili pa në vizion një njeri që po i lutej: «Kalo në Maqedoni dhe na ndihmo.» (Veprat 16:9, 10) Disa u transferuan në vitet ’50; të tjerë më vonë. Plot një mijë Dëshmitarë u transferuan në Irlandë dhe Kolumbi; me qindra në shumë vende të tjera. Dhjetëra mijëra të tjerë u transferuan në zonat e vendit të tyre, ku kishte më shumë nevojë.—Psalmi 110:3.
20. (a) Çfarë është bërë në përmbushje të profecisë së Jezuit tek Mateu 24:14 që nga viti 1935? (b) Si është përshpejtuar vepra gjatë këtyre viteve të fundit?
20 Me bekimet që ka derdhur Jehovai mbi popullin e tij, vepra e shpalljes së Mbretërisë vazhdon të shkojë përpara me një ritëm të jashtëzakonshëm. Nga viti 1935 numri i lajmëtarëve është rritur gati tetëfish dhe shtimi i radhëve të pionierëve ka qenë 60 përqind më i madh, sesa shtimi i numrit të lajmëtarëve. Gjatë viteve ’30 filloi rregulli i studimeve biblike në shtëpi. Çdo muaj, tani udhëhiqen mesatarisht katër milion e gjysmë. Nga viti 1935 më shumë se 15 miliardë orë i janë kushtuar veprës së shpalljes së Mbretërisë. Predikimi i rregullt i lajmit të mirë tani kryhet në 231 vende. Kur në territoret e Evropës Lindore dhe Afrikës u bë i mundshëm fillimi i predikimit më të lirshëm, kongreset ndërkombëtare u përdorën me efikasitet për të sjellë në mënyrë të dukshme vëmendjen e publikut tek lajmi i Mbretërisë. Siç premtoi shumë kohë më parë në Isaian 60:22, Jehovai patjetër «po e shpejton veprën në kohën e duhur». Sa privilegj i mrekullueshëm për ne që të marrim pjesë në të!
T’i çojmë kujtdo që është e mundur lajmin e mirë
21, 22. Çfarë mund të bëjmë personalisht për të qenë Dëshmitarë më efikasë kudo që shërbejmë?
21 Megjithatë, Zotëria nuk ka thënë ende se vepra ka përfunduar. Ka akoma mijëra njerëz që po e përkrahin adhurimin e vërtetë. Prandaj, pyetja është: «A po bëjmë gjithçka të mundur, për ta përdorur sa më mirë kohën që durimi i Jehovait na ka lejuar për këtë vepër?»—2. Pjetrit 3:15.
22 Jo gjithkush mund të transferohet në territore të punuara pak. Por a i shfrytëzon plotësisht mundësitë që të paraqiten? A i jep dëshmi kolegëve të punës, mësuesve dhe shokëve të shkollës? A ke marrë masa për të ndryshuar situatën në territorin tënd? Nëse për shkak të ndryshimeve të faktorëve të ndryshëm në punë, shumë pak njerëz gjenden në shtëpi gjatë ditës, a e ke ndryshuar programin për t’i vizituar në mbrëmje? Nëse banesat janë ndërtuar në atë mënyrë që janë të paarritshme për vizitorët e paftuar, a jep dëshmi me telefon ose me postë? A i ndjek ata që tregojnë interes dhe a u ofron atyre studime biblike në shtëpi? A e kryen në mënyrë të plotë shërbimin tënd?—Krahaso Veprat 20:21; 2. Timoteut 4:5.
23. Çfarë duhet të shohë Jehovai duke vërejtur shërbimin që i bëjmë?
23 Secili prej nesh le ta kryejë shërbimin e vet në atë mënyrë që i tregon qartë Jehovait se me të vërtetë e çmojmë privilegjin e madh për të qenë Dëshmitarët e tij në këto kohë të rëndësishme. Na është dhënë privilegji për të qenë dëshmitarë okularë, kur Jehovai të kryejë gjykimin mbi sistemin e vjetër e të korruptuar dhe të hyjmë në Sundimin e lavdishëm Mijëvjeçar të Jezu Krishtit!
[Shënimi]
a Llogaria është bërë sipas mënyrës në të cilën ishte ndarë toka në fillimet e 1990-ës.
Rishikim
◻ Përse është kaq i rëndësishëm predikimi i mesazhit të Mbretërisë?
◻ Deri në ç’pikë u predikua lajmi i mirë që nga 1914-a?
◻ Cila dëshmi intensive u bë që nga vendosja e Mbretërisë?
◻ Çfarë mund ta bëjë më produktive pjesëmarrjen tonë në shërbim?
[Kutia në faqet 16, 17]
DËSHMITARËT E JEHOVAIT—Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë
Në qindra kongrese të mbajtura në të gjithë botën gjatë vitit 1993-94, është paraqitur një libër i ri me titull Dëshmitarët e Jehovait—Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë. Është historia më informative dhe e kuptueshme e Dëshmitarëve të Jehovait. Ka 752 faqe me më shumë se një mijë ilustrime të bukura nga 96 vende të ndryshme. Nga fundi i 1993-shit është botuar në 25 gjuhë dhe po përkthehej në shumë gjuhë të tjera.
Përse ky libër vjen në kohën e duhur? Gjatë viteve të fundit, njerëz nga e gjithë bota janë bërë Dëshmitarë të Jehovait. Të gjithë duhet të jenë të mirëinformuar lidhur me historinë e organizatës me të cilën ata shoqërohen. Përveç kësaj, predikimi dhe mënyra e adhurimit të tyre kanë depërtuar deri në kombet e grupet raciale në mbarë botën dhe janë pranuar nga të rinj e të vjetër të çdo niveli ekonomik e kulturor. Si rezultat, shumë njerëz që vërejnë se çfarë po ndodh kanë pyetje rreth Dëshmitarëve—jo vetëm mbi bindjet, por edhe mbi origjinën, historinë, organizatën dhe qëllimet e tyre. Shumë të tjerë kanë shkruar për ta, megjithatë jo gjithmonë të paanshëm. Prandaj, askush nuk e njeh historinë moderne të Dëshmitarëve të Jehovait më mirë se ata vetë. Botuesit e këtij libri janë përpjekur ta paraqesin atë histori në mënyrë objektive dhe me ndershmëri. Për këtë kanë dokumentuar gjithashtu plotësimin e çdo aspekti të shenjës së pranisë së Krishtit, që është shënuar tek Mateu 24:14 dhe e kanë bërë atë duke paraqitur edhe hollësirat që mund të sigurohen vetëm nga ata që kanë marrë pjesë aktivisht në veprën e parathënë atëherë.
Libri ndahet në shtatë pjesë kryesore:
Pjesa 1: Kjo pjesë shqyrton rrënjët historike të Dëshmitarëve të Jehovait. Paraqet një pamje të përmbledhur dhe shumë informative të historisë së tyre moderne prej 1870-ës deri më 1992-shin.
Pjesa 2: Këtu bëhet një përmbledhje që nxjerr në pah zhvillimin e besimeve që i dallojnë Dëshmitarët e Jehovait nga grupe të tjera fetare.
Pjesa 3: Kjo pjesë e librit shqyrton zhvillimin e strukturës së tyre organizative. Siguron informacione interesante për mbledhjet e tyre të kongregacionit e kongreset, si dhe për mënyrën se si ata i ndërtojnë Sallat e Mbretërisë, Sallat e mëdha të kongreseve dhe për pajisjet tipografike për botimin e literaturës biblike. Shpreh zellin me të cilin Dëshmitarët e Jehovait shpallin Mbretërinë e Perëndisë dhe dashurinë që tregojnë ndërsa kujdesen për njëri-tjetrin në momentet kritike.
Pjesa 4: Këtu do të gjesh hollësi bindëse se si ka arritur predikimi i Mbretërisë së Perëndisë në vendet kryesore dhe në ishujt e largët të globit. Vetëm mendo: në 1914-ën predikohej në 43 vende, ndërsa në 1992-shin në 229 vende! Përvojat e atyre që kanë marrë pjesë në këtë shtrirje botërore janë vërtet inkurajuese.
Pjesa 5: Për të kryer gjithë këtë vepër të shpalljes së Mbretërisë ka qenë i nevojshëm zhvillimi i pajisjeve në nivel ndërkombëtar, për të botuar Bibla si dhe literaturë biblike në më shumë se dyqind gjuhë. Këtu do të mësosh mbi këtë aspekt të veprës së tyre.
Pjesa 6: Dëshmitarët e Jehovait kanë përballuar edhe prova—disa për shkak të papërsosmërisë njerëzore, të tjerët për shkak të disa vëllezërve të rremë dhe akoma më shumë për shkak të persekutimeve haptazi. Fjala e Perëndisë paralajmëronte se do të ishte kështu. (Luka 17:1; 2. Timoteut 3:12; 1. Pjetrit 4:12; 2. Pjetrit 2:1, 2) Kjo pjesë e librit tregon në mënyrë realiste çfarë ka ndodhur në të vërtetë dhe se si besimi u ka lejuar Dëshmitarëve të Jehovait të dalin fitimtarë.
Pjesa 7: Në mbyllje, libri merr në shqyrtim se përse Dëshmitarët e Jehovait janë fortësisht të bindur se organizata ku bëjnë pjesë është me të vërtetë e udhëhequr nga Perëndia. Gjithashtu, shqyrton se përse është e nevojshme të jenë vigjilentë qoftë si organizatë, ashtu edhe si individë.
Përveç sa përmendëm më lart, ky volum i shkëlqyeshëm përmban edhe një pjesë prej 50 faqesh të bukura dhe mjaft informative, me fotografi me ngjyra të Qendrës botërore si dhe të objekteve të degëve që përdoren nga Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën.
Komente nga disa që e kanë lexuar
Si kanë reaguar ata që tashmë e kanë lexuar këtë libër? Këtu janë paraqitur disa:
«Sapo e kam mbaruar së lexuari librin e mrekullueshëm, dëshminë e gjallë Dëshmitarët e Jehovait—Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë. Vetëm një organizatë e dedikuar me besnikëri dhe përulësi mund të shkruajë kaq hapur, me kurajë dhe me ndjenjë.»
«Për ndershmërinë dhe sinqeritetin të duket sikur lexon librin e Veprave.»
«Ky botim i ri me të vërtetë të ngjall kureshtje! . . . Është një kryevepër historike.»
Pasi kishte lexuar gati gjysmën e librit, një burrë shkroi: «Isha i mahnitur, i befasuar e gati sa s’më rridhnin lotë. . . . Gjatë gjithë jetës sime asnjë botim tjetër nuk më ka prekur kaq shumë.»
«Zemra ime shpërthen çdo herë që mendoj se si ky libër do të forcojë besimin e të rinjve si dhe të atyre që vijnë sot për herë të parë në organizatë.»
«Gjithmonë e kam çmuar të vërtetën, por leximi i këtij libri më ka hapur sytë dhe më ka ndihmuar të kuptoj më shumë se kurrë më parë se prapa gjithë kësaj është fryma e shenjtë e Jehovait.»
[Figurat në faqen 18]
Shumë njerëz arritën ta dëgjonin mesazhin e Mbretërisë edhe kur Dëshmitarët ishin të paktë në numër