Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
E vërteta biblike bashkon një familje
SOT, në shumë pjesë të botës, uniteti familjar pothuaj është zhdukur. Megjithatë, Bibla na zbulon sekretin e unitetit familjar. Shqyrto fjalët e Jezuit: «Ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb.» (Mateu 7:24) Mijëra familje të Dëshmitarëve të Jehovait e kanë siguruar unitetin nga zbatimi i këtyre fjalëve dhe nga përdorimi i Biblës si themel për të ndërtuar një familje të bashkuar. Edhe familje të tjera janë duke e arritur një unitet të tillë, siç tregon përvoja e mëposhtme.
Ndërsa Danieli po kryente shërbimin ushtarak në Francë, një kapelan ushtarak i sugjeroi të blinte një Bibël. Danieli e bleu dhe filloi ta lexonte atë rregullisht. Përfundimisht ai u transferua në Tahiti. Disa nga shokët ushtarë të Danielit ishin adventistë dhe disa të tjerë mormonë. Biseda e tyre shpesh vërtitej rreth fesë. Një ditë, një kryerreshter i prezantoi Danielit gruan e tij, e cila ishte një Dëshmitare e Jehovait. Ajo kaloi një pasdite të tërë duke iu përgjigjur pyetjeve të Danielit dhe e vuri atë në kontakt me një nga kongregacionet lokale të Dëshmitarëve të Jehovait në Tahiti. Shpejt, ai filloi një studim të rregullt biblik.
Prindërit e Danielit, të cilët jetonin në Francë ishin katolikë shumë të sinqertë. Babai i tij ishte një këshilltar shkolle dhe jepte mësime fetare në një shkollë katolike. Duke dashur të ndante me prindërit e tij disa nga gjërat e çmuara frymore që ai kishte mësuar, Danieli pak nga pak filloi t’u shkruante për këto gjëra në letrat e tij.
Në fillim mamaja e Danielit u gëzua shumë, por pastaj u trondit kur pa emrin Jehova në një nga letrat e tij. Pak ditë më vonë, ajo dëgjoi një program në radio ku Dëshmitarët e Jehovait i prezantuan si një «sekt të rrezikshëm». Ajo i shkroi Danielit, duke i kërkuar atij të ndërpriste menjëherë çdo kontakt me Dëshmitarët e Jehovait. Megjithatë, Danieli vazhdoi të përparonte në studimin e tij të Biblës dhe shpejt e rregulloi që të largohej nga ushtria dhe të kthehej në Francë.
Kur u kthye në shtëpi, Danieli kalonte çdo natë, disa herë edhe deri në mesnatë, duke bërë me mamanë diskutime të gjata rreth Biblës. Më në fund ajo pranoi ta shoqëronte Danielin në Sallën e Mbretërisë. Kur ajo ndoqi mbledhjen e parë, ishte aq e emocionuar sa filloi studimin e saj të rregullt të Biblës. Ajo përparoi vrullshëm dhe shpejt u pagëzua.
Babai i Danielit ishte një burrë tolerant, por shumë i dhënë pas profesionit të tij dhe aktivitetit fetar. Një herë, ai e shoqëroi gruan e tij dhe Danielin në një asamble krahinore. Ishte 14 korrik dhe ai kishte ndërmend të shikonte paradën e Ditës së Bastijës, ndërsa ishte duke menduar këtë, vendosi për kuriozitet t’i hidhte një sy sallës së asamblesë. U emocionua shumë nga rregulli dhe paqja që vuri re midis popullit të Jehovait dhe ndërsa po ecte nëpër repartet e ndryshme të asamblesë, të gjithë vazhdonin ta thërritnin «vëlla». Ai harroi gjithçka rreth paradës së Ditës së Bastijës dhe qëndroi deri në fund të asamblesë. Ai kërkoi një studim biblik dhe bëri përparim të vrullshëm në mësimin e së vërtetës. Megjithatë, sa më shumë mësonte, aq më i parehatshëm ndihej në punën e tij, prandaj në moshën 58 vjeç, ai e la punën. Tani, të tre në familje janë të dedikuar dhe të pagëzuar dhe i shërbejnë Jehovait të gjithë bashkë në unitet.
Ishte e vërteta e Biblës ajo që bashkoi familjen e Danielit. Ajo mund të ndihmojë gjithashtu edhe familje të tjera, në qoftë se ata e mësojnë dhe e aplikojnë atë me gjithë zemër.