Shkatërrimet natyrore—A është Perëndia përgjegjës?
«O ZOT, ç’na bëre kështu?»
Ky ishte reagimi i një personi që mbijetoi shkatërrimin që ndodhi më 13 nëntor 1985 në Kolumbi, nga shpërthimi i Nevada del Ruiz, i mbuluar nga bora. Orteku i baltës varrosi të gjithë qytetin e Armeros, duke vrarë më se 20.000 njerëz vetëm brenda një nate.
Reagimi i atij njeriu është i kuptueshëm. Të pafuqishëm përpara forcave të fuqishme të natyrës, që nga kohët e lashta njerëzit ia kanë atribuar këto gjëma Perëndisë. Popullsitë primitive bënin flijime, madje edhe sakrifica në njerëz, për të qetësuar perënditë e tyre të detit, të qiellit, të tokës, të maleve, të vullkaneve dhe të burimeve të tjera të rrezikut. Edhe sot, disa veta i pranojnë me nënshtrim pasojat e ngjarjeve katastrofike natyrore si një gjë e fatit apo si vepër e Perëndisë.
Por, a është vërtet Perëndia përgjegjës për shkatërrimet që u shkaktojnë njerëzve kaq shumë vuajtje dhe botës kaq shumë dëme? A ka faj ai? Për të gjetur përgjigjet, duhet që më mirë të analizojmë faktorët që përfshihen në këto shkatërrime. Po, duhet të rishqyrtojmë disa vende të zakonshme.
Çfarë është një «shkatërrim natyror»?
Gjëmat e natyrës, si tërmeti që goditi Tangshanin, në Kinë, dhe që sipas të dhënave zyrtare kineze vrau 242.000 njerëz, apo si uragani Andrew që u përplas mbi Floridën jugore dhe mbi Luisianën në SH.B.A., duke shkaktuar dëme prej miliarda dollarësh, tërheqin vëmendjen e të gjithë botës. Por, ç’do të thoshim sikur ky tërmet të kishte goditur shkretëtirën e pabanuar të Gobit, 1.100 km në veri-perëndim të Tangshanit, apo sikur uragani Andrew të kishte ndjekur një rrugë tjetër dhe ta kishte shuar zemërimin e vet në det, pa e prekur fare tokën? Zor se tani do të ishim duke folur për ta.
Është e qartë, pra, se kur flasim për shkatërrime natyrore nuk e kemi fjalën thjesht për disa shfaqje të tmerrshme të forcave natyrore. Çdo vit ndodhin me mijëra tërmete, të mëdhenj dhe të vegjël, si dhe një numër i madh stuhish, ciklonesh, uraganësh, taifunësh, shpërthimesh vullkanike dhe fenomene të tjera të forta që përfundojnë thjesht si të dhëna statistikore. Por, kur këto fenomene sjellin viktima dhe dëme të rënda, si edhe prishin ritmin e jetës normale, atëherë flitet për to si për gjëma.
Duhet thënë se jo gjithnjë dëmet dhe humbjet janë në proporcion me intensitetin e forcave natyrore që përfshihen. Gjëmat më të mëdha nuk shkaktohen doemos nga shfaqjet më të fuqishme të forcave natyrore. Për shembull, në 1971-shin një tërmet me intensitet 6,6 ballë, sipas shkallës Rihter, goditi San Fernandon në Kaliforni (SH.B.A.), duke vrarë 65 veta. Një vit më vonë, një tërmet prej 6,2 ballësh tronditi Managuan, në Nikaragua, duke vrarë 5.000 njerëz!
Kështu, kur fuqia shkatërruese e gjëmave natyrore rritet, duhet të pyesim veten: A janë bërë më të dhunshme elementet natyrore? Apo faktori njerëzor i ka kontribuar këtij problemi?
Kush e ka fajin?
Bibla e identifikon Perëndinë Jehova si Krijuesin e madh të çdo gjëje, duke përfshirë edhe forcat natyrore të tokës. (Zanafilla 1:1; Nehemia 9:6; Hebrenjve 3:4; Apokalipsi 4:11) Kjo nuk do të thotë se çdo erë që fryn apo çdo reshje shiu vjen prej tij. Ai ka vënë në lëvizje disa ligje që qeverisin tokën dhe ambientin e saj. Për shembull, Eklisiastiu (Koheleti) 1:5-7 flet për tre nga mekanizmat themelorë që bëjnë të mundur jetën mbi tokë: lindjen dhe perëndimin e përditshëm të diellit, sistemin e pandryshueshëm të erërave dhe ciklin e ujit. E kuptojnë apo jo këtë gjë njerëzit, këto dhe sisteme të tjera natyrore që lidhen me klimën, me strukturën gjeologjike dhe me ekuilibrin e ambientit të tokës, janë në funksionim prej mijëra vjetësh. Në fakt, shkrimtari i Eklisiastiut kishte ndër mend që të tërhiqte vëmendjen mbi ndryshimin e madh që ekziston midis cikleve të pasosura dhe të pandryshueshme të krijimit dhe natyrës kalimtare dhe të përkohshme të jetës njerëzore.
Jehovai nuk është vetëm Krijuesi i forcave natyrore, por ka edhe forcë që t’i kontrollojë ato. Në të gjithë Biblën përshkruhen ngjarje në të cilat Jehovai i ka kontrolluar dhe i ka manovruar këto forca për të përmbushur qëllimin e tij. Midis tyre mund të përmendim ndarjen e ujërave të Detit të Kuq në kohën e Moisiut dhe ndalimin e lëvizjes së diellit dhe të hënës në qiej në ditët e Josiut. (Të Dalët 14:21-28; Josiu 10:12, 13) Edhe Jezu Krishti, Biri i Perëndisë dhe Mesia i premtuar, tregoi fuqinë e tij mbi këto forca të natyrës, për shembull kur qetësoi një stuhi mbi Detin e Galileas. (Marku 4:37-39) Ngjarje të tilla nuk lënë dyshime mbi faktin se Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti, Biri i tij, janë në gjendje të kontrollojnë në mënyrë absolute gjithçka që ndikon mbi jetën tokësore.—2. Kronikat 20:6; Jeremia 32:17; Mateu 19:26.
Pasi është kështu, a mund ta bëjmë Perëndinë përgjegjës për shkretimin dhe shkatërrimin në rritje këto kohët e fundit, të shkaktuar nga gjëmat e natyrës? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, fillimisht duhet të shohim se a ekzistojnë prova se kohët e fundit forcat natyrore janë bërë shumë më të dhunshme, madje të pakontrollueshme.
Ja, se ç’thotë në lidhje me këtë argument një libër: «Nuk ka asnjë provë se mekanizmat klimatologjikë që shkaktojnë thatësirë, përmbytje apo ciklone po ndryshojnë. Dhe asnjë gjeolog nuk pohon se lëvizjet e tokës, të lidhura me tërmetet, vullkanet dhe lëvizjet e valëve të detit, po bëhen më të shpeshta.» (Natural Disasters—Acts of God or Acts of Man?) Po kështu thotë edhe një libër tjetër: «Shkëmbinjtë e çdo kontinenti tregojnë se në të kaluarën kanë ndodhur ngjarje të shumta gjeologjike, të mëdha e të vogla, çdonjëra prej të cilave sikur të ndodhte sot do të përbënte një katastrofë të vërtetë për njerëzimin dhe është shkencërisht e sigurt se ngjarje të tilla do të vazhdojnë të ndodhin në të ardhmen.» (Earthshock) Me fjalë të tjera, gjatë mijëravjeçarëve toka dhe forcat e saj dinamike kanë mbetur pak a shumë të pandryshueshme. Prandaj, tregojnë apo jo statistikat se disa lloje aktiviteti gjeologjik apo fenomene të tjera janë intensifikuar, nuk mund të themi se kohët e fundit toka është bërë e dhunshme në mënyrë të pakontrollueshme.
Si shpjegohet atëherë dendësia dhe karakteri shkatërrimtar i gjëmave natyrore që dëgjojmë shpesh? Nëse fajin nuk e kanë forcat e natyrës, atëherë duket sikur ky duhet kërkuar në faktorin njerëzor. Dhe në fakt, ekspertët pranojnë se aktivitetet e njeriut e kanë bërë ambientin objekt dhe më shumë të prekshëm nga gjëmat natyrore. Në vendet në zhvillim, rritja e kërkesës për prodhime ushqimore i shtyn fshatarët që të kultivojnë në mënyrë mjaft intensive tokën e tyre apo që të gjejnë tjetër, duke shkatërruar pyjet aq të dobishme. Kjo e rëndon problemin e gërryerjes së dheut. Rritja demografike favorizon edhe përhapjen e lagjeve me baraka, të ndërtuara në vende jo të sigurta. Edhe në vendet më të zhvilluara, si p.sh. ata miliona që jetojnë përgjatë shkarjes së San Andreas në Kaliforni, njerëzit i ekspozohen rrezikut me gjithë paralajmërimet e hapura. Dhe kur në kushte të tilla ndodh diçka—një stuhi, një përmbytje apo një tërmet—a mund të quhen «natyrore» pasojat katastrofike?
Një shembull tipik është thatësira në sahelin afrikan. Normalisht, mendohet se thatësira vjen nga mungesa e shirave apo e ujit, që i hap rrugë zisë së bukës, urisë dhe vdekjes. Por, a është vetëm mungesa e ujit shkak i zisë së tmerrshme të bukës dhe i urisë që brengos atë zonë? Një libër pohon: «Dëshmitë e mbledhura nga organizata shkencore dhe humanitare tregojnë se sot zia e bukës nuk është edhe aq pasojë e thatësirës së zgjatur, sesa e abuzimeve të zgjatura në lidhje me terrenin dhe burimet ujore. . . . Shkretimi i vazhdueshëm i sahelit është në pjesën më të madhe një fenomen i shkaktuar nga njeriu.» (Nature on the Rampage) Një gazetë jugafrikane, Natal Witness, vëren: «Zia e bukës nuk konsiston në mungesën e ushqimeve; konsiston në pamundësinë për t’i siguruar ato. Me fjalë të tjera, është e lidhur me varfërinë.»
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për pjesën më të madhe të shkatërrimeve të shkaktuara nga katastrofa të tjera. Disa studime kanë nxjerrë në pah se gjatë gjëmave natyrore vendet më të varfra paguajnë një taksë vdekshmërie që është sproporcionalisht shumë më e lartë se ajo e vendeve më të pasura. Për shembull, sipas një studimi, prej 1960-ës deri në 1981-shin në Japoni ka pasur 43 tërmete dhe gjëma të tjera, që kanë bërë 2.700 viktima, me një mesatare 63 të vdekur në çdo gjëmë. Në të njëjtën periudhë, Peruja është goditur nga 31 gjëma, që kanë pasur 91.000 të vdekur, d.m.th. 2.900 për çdonjërën. Përse ky ndryshim? Forcat e natyrës ndoshta kanë shkaktuar shkatërrime, por përgjegjësia për diferencën kaq të madhe në numrin e viktimave dhe për shtrirjen e dëmeve duhet të bjerë mbi aktivitetin e njeriut në fushën shoqërore, ekonomike dhe politike.
Cilat janë zgjidhjet?
Prej shumë vjetësh, shkencëtarë dhe ekspertë përpiqen të gjejnë mënyrën për të përballuar shkatërrimet natyrore. Shpojnë tokën në thellësi për të kuptuar makanizmat e tërmeteve dhe të shpërthimeve vullkanike. Me anë të satelitëve në hapësirë vërejnë se si shkojnë punët e gjendjes meteorologjike, për të ndjekur zhvillimin e cikloneve dhe uraganëve apo për të parashikuar përmbytjet dhe thatësirën. Nëpërmjet këtyre kërkimeve kanë arritur rezultate falë të cilave shpresojnë se do të mund të ulin vrullin e këtyre forcave natyrore.
A kanë dhënë rezultate të mira këto përpjekje? Duke folur mbi këto kërkime të kushtueshme, që kërkojnë përdorimin e pajisjeve me një teknologji të lartë, një organizatë për ambientin vëren: «Ato kanë rëndësinë e tyre. Por, nëse harxhojnë një sasi jo të drejtë parash dhe përpjekjesh—nëse shërbejnë si pretekst për të mos përfillur rreziqet që lidhen me llojin e shoqërisë në të cilën jetojnë viktimat, gjë që i rëndon këto fatkeqësi—atëherë mund të bëjnë më shumë keq, sesa mirë.» Për shembull, edhe pse është e dobishme që dihet se delta bregdetare e Bangladeshit është vazhdimisht e rrezikuar nga përmbytjet dhe valët e shkaktuara nga lëvizjet detare, kjo njohuri s’do të thotë asgjë për miliona banorë të Bangladeshit që janë të detyruar të jetojnë në atë zonë. Si rrjedhojë, ndodhin katastrofa të vazhdueshme që shkaktojnë mijëra viktima.
Është e dukshme se të dhënat shkencore janë të dobishme deri në një farë mase. Do të ishte e nevojshme të ndryshoheshin kushtet që nuk u lënë këtyre njerëzve zgjidhje tjetër veç asaj që të jetojnë në zona veçanërisht të rrezikshme dhe në mënyra që shkatërrojnë ambientin. Me fjalë të tjera, për të lehtësuar dëmin e shkaktuar nga elementet do të duhej një ristrukturim i përgjithshëm i sistemit shoqëror, ekonomik dhe politik në të cilin jetojmë. Kush mund ta bëjë një gjë të tillë? Vetëm Ai që mund të kontrollojë edhe forcat që nxitin shkatërrimet natyrore.
Veprime të ardhshme të Perëndisë
Perëndia Jehova nuk do të mjaftohet vetëm me ndërhyrjen mbi simptomat, por do t’u futet me themel halleve njerëzore. Do t’u japë fund sistemeve lakmitare dhe shtypëse politike, tregtare dhe fetare që kanë «sunduar mbi njeriun në dëm të tij». (Eklisiastiu 8:9, BR) Cilido që e njeh Biblën, s’do ta ketë të vështirë të zbulojë se ajo është plot me profeci që tregojnë kohën në të cilën Perëndia do të ndërhyjë për ta liruar tokën nga ligësia dhe vuajtjet dhe për të sjellë mbi të një parajsë me paqe dhe drejtësi.—Psalmi 37:9-11, 29; Isaia 13:9; 65:17, 20-25; Jeremia 25:31-33; 2. Pjetrit 3:7; Zbulesa 11:18.
Në të vërtetë, kjo është ajo për të cilën Jezu Krishti i mësoi të luten dishepujt e tij: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt si në qiell, ashtu dhe mbi tokë.» (Mateu 6:10, BR) Mbretëria mesianike do të zhdukë dhe do të zëvendësojë çdo sundim të papërsosur njerëzor, siç paratha profeti Daniel: «Në kohën e këtyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë; kjo mbretëri nuk do t’i lihet një populli tjetër, por do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri, dhe do të ekzistojë përjetë.»—Danieli 2:44.
Çfarë do të bëjë Mbretëria e Perëndisë që kombet sot nuk mund ta bëjnë? Bibla na jep një pamje tërheqëse dhe të parakohshme të asaj që duhet të ndodhë. Në vend të kushteve që ilustrohen në këto faqe, si zi buke dhe varfëri, «do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve» dhe «druri i fushës do të japë frytin e tij dhe toka do të japë prodhimet e saj. Ato do të jenë të sigurta në tokën e tyre». (Psalmi 72:16; Ezekieli 34:27) Sa për ambientin natyror, Bibla thotë: «Shkretëtira dhe toka e thatë do të gëzohen, vetmia do të gëzohet dhe do të lulëzojë si trëndafili; . . . sepse do të dalin ujëra në shkretëtirë dhe përrenj në vendin e vetmuar. Vendi i thatë do të bëhet pellg dhe toka e etur për ujë burim ujërash.» (Isaia 35:1, 6, 7) Dhe nuk do të ketë më luftë.—Psalmi 46:9.
Bibla nuk thotë se në ç’mënyrë Perëndia Jehova do ta kryejë gjithë këtë gjë dhe se çfarë do të bëjë me qëllim që asnjë forcë e natyrës të mos shkaktojë më asnjë dëm. Por ajo që është e sigurt, ama, është fakti se të gjithë ata që do të jetojnë nën atë qeveri të drejtë «nuk do të lodhen më kot dhe nuk do të lindin fëmijë për të përballuar një shkatërrim të papritur, sepse do të jenë pasardhësit e të bekuarve të Zotit dhe trashëgimtarët e tyre bashkë me ata».—Isaia 65:23.
Në faqet e kësaj reviste, si edhe në botimet e tjera të Shoqatës Watch Tower, Dëshmitarët e Jehovait kanë treguar shumë herë se Mbretëria e Perëndisë është vendosur në qiell në 1914-ën. Nën drejtimin e asaj Mbretërie, tashmë prej 80 vjetësh jepet një dëshmi në nivel botëror dhe sot jemi në prag të «qiejve të rinj dhe tokës së re» të premtuar. Njerëzimi do të lirohet jo vetëm nga shkatërrimet e gjëmave natyrore, por edhe nga e gjithë dhembja dhe vuajtjet që e kanë brejtur atë këto gjashtë mijë vitet e kaluara. Në lidhje me atë kohë, mund të themi me të vërtetë se «gjërat e mëparshme kanë kaluar».—2. Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:4, BR.
Por ç’mund të themi për sot? A u ka ardhur Perëndia në ndihmë atyre që vuajnë për shkak të kushteve natyrore apo të ndonjë lloji tjetër? Pa dyshim që po, por s’është e thënë që ta ketë bërë patjetër në atë mënyrë që mund të priste shumica.
[Figurat në faqet 8, 9]
Aktivitetet e njeriut e kanë bërë ambientin më shumë objekt të shkatërrimeve natyrore
[Burimet]
Laif/Sipa Press
Chamussy/Sipa Press
Wesley Bocxe/Sipa Press
Jose Nicolas/Sipa Press