BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w93 1/3 f. 5-8
  • Mesia​—Një shpresë e vërtetë?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Mesia​—Një shpresë e vërtetë?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1993
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Mesitë e shekullit të 20-të
  • Një shpresë e vërtetë?
  • Shpëtimtari i njerëzimit
  • Mesia dhe Qeveria
  • Mesia—Mjeti i Perëndisë për shpëtim!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2009
  • «E kemi gjetur Mesinë»!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1993
  • «Kemi gjetur Mesinë»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2006
  • Ata pritnin Mesinë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2011
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1993
w93 1/3 f. 5-8

Mesia​—Një shpresë e vërtetë?

E quante veten Mojsi. Megjithatë, emri i tij i vërtetë ka humbur në histori. Në shekullin e pestë të e.s., ai përshkroi në të gjitha anët ishullin e Kretës, duke i bindur hebrenjtë e atyshëm se ishte mesia që ata pritnin. U tha, se së shpejti shtypja e tyre, mërgimi dhe robëria e tyre do të merrte fund. Ata e besuan. Kur erdhi dita e çlirimit të tyre, hebrenjtë e ndoqën «Mojsiun» deri tek një kep që shikon mbi Detin Mesdhe. Ai u tha se ata vetëm duhet të hidheshin në det dhe ai do të ndahej para tyre. Shumica e dëgjoi, duke u hedhur në një det që nuk kishte ndër mend të ndahej. Shumë prej tyre u mbytën; disa u shpëtuan prej marinarëve dhe peshkatarëve. Mirëpo, Mojsiu nuk u gjend gjëkundi. Ai mesi qe zhdukur.

Ç’ËSHTË një mesi? Në mendje mund të të vijnë fjalët «shpëtimtar», «riblerës» dhe «udhëheqës». Shumë njerëz mendojnë se një mesi është një figurë që ngjall shpresë dhe besnikëri tek ithtarët e vet, duke premtuar se do t’i udhëheqë ata nga shtypja në liri. Pasi historia njerëzore është në një masë të madhe histori shtypjeje, s’është për t’u befasuar që gjatë saj të jenë shfaqur shumë mesi të tillë. (Krahaso Eklisiastiu 8:9.) Por, ngjashëm të vetëquajturit Mojsi nga Kreta, këta mesi shpeshherë u kanë sjellë ithtarëve të tyre më shumë zhgënjime dhe mjerime, sesa çlirim.

«Ky është Mbreti Mesia!» Kështu e quajti Simeon Bar Kohbën në vitin 132 të e.s. rabini i shquar Akiba ben Jozefi. Bar Kohba ishte një njeri i fortë që udhëhiqte një ushtri të fuqishme. Shumë hebrenj, më në fund, menduan se ai ishte njeriu që do t’i jepte fund mundimit të tyre të gjatë nga duart e fuqisë botërore romake. Bar Kohba dështoi; me qindra mijëra bashkëkombas të tij e paguan këtë dështim me jetën e tyre.

Në shekullin e 12-të doli një tjetër mesi hebre, kësaj rradhe në Jemen. Kur kalifi, apo sundimtari, kërkoi nga ai një shenjë të identitetit të tij mesianik, ky mesi propozoi që kalifi t’i priste kokën dhe ringjallja e tij e shpejtë do të shërbente si shenjë. Kalifi u pajtua me planin dhe ky ishte fundi i mesisë nga Jemeni. Në po atë shekull, një njeri i quajtur David Alroy u tha hebrenjve të Lindjes së Mesme që të përgatiteshin për ta ndjekur pas mbi krahët e engjëjve për në Tokën e Shenjtë. Shumica e besoi se ai ishte mesia. Hebrenjtë nga Bagdadi pritën me durim mbi pullaze, duke injoruar të hareshëm vjedhësit që plaçkitën pronën e tyre.

Në shekullin e 17-të doli nga Smirna Sabbatai Zevi. Ai u shpalli mesianitetin e tij hebrenjve në gjithë Evropën. Atë e dëgjuan edhe të krishterë. Zevi u ofroi ithtarëve të vet çlirimin, duke u lejuar, me sa duket të praktikonin mëkate pa asnjë kufizim. Ithtarët e tij më të afërt kryen orgji, nudizëm, kurvëri dhe incest e pastaj ndëshkonin vetveten, duke u fshikulluar me kamxhik, duke u rrotulluar lakuriq nëpër dëborë dhe duke groposur vetveten deri në fyt në tokën e ftohtë. Kur udhëtonte në Turqi, Zevi u kap dhe iu tha se ose duhej të shndërrohej në Islam ose të vdiste. Ai u shndërrua. Shumë prej ithtarëve të tij të devotshëm u tronditën. Megjithatë, edhe gjatë dy shekujve vijues, Zevi vazhdoi të quhej prej disave si mesia.

Edhe krishterizmi ka prodhuar mesitë e tij. Në shekullin e 12-të, një njeri i quajtur Tanchelm, ngriti një ushtri adhuruesish dhe sundoi qytetin e Antversës. Ky mesi u vetëquajt perëndi; dhe arriti deri në atë pikë, sa u shiti përcjellësve të vet ujin me të cilin ishte larë që ta pinin si një rit fetar! Një tjetër mesi «i krishterë» ishte Thomas Müntzer nga Gjermania e shekullit të 16-të. Ai udhëhoqi një kryengritje kundër pushtetit lokal civil, duke u thënë ithtarëve të vet se ajo ishte beteja e Harmagedonit. Premtoi, se do t’i zinte gjylet e topave të armikut me mëngët e veta. Në vend të kësaj, njerëzit e tij u masakruan dhe Müntzer-it iu pre koka. Gjatë shekujve, në krishterizëm janë shfaqur edhe shumë mesi të tjerë.

Edhe fe të tjera kanë, po ashtu, figurat e tyre mesianike. Islamizmi tregon Mahdiun, apo udhëheqësin e drejtë, i cili do të çojë në një shekull drejtësie. Në Hinduizëm, shumë kanë pohuar se janë avatara, apo mishërim i perëndive të ndryshëm. Madje, siç përmend The New Encyclopædia Britannica, «edhe një fe jomesianike siç është budizmi ka prodhuar, mes grupeve Mahajane, besimin në Budën e ardhshëm Maitreya që do të zbresë nga vendbanimi i vet qiellor dhe do t’i çojë besnikët në parajsë.»

Mesitë e shekullit të 20-të

Në shekullin tonë, nevoja për një mesi të vërtetë është bërë më urgjente se kurrë; prandaj, s’është për t’u befasuar që shumë vetë kanë synuar nga ky titull. Në Kongon afrikane të viteve 1920, 30-të dhe 40-të, Simon Kimbangu dhe pasardhësi i tij Andre «Jezu» Matswa përshëndeteshin si mesi. Ata vdiqën, por ithtarët e tyre ende i presin ata që të kthehen dhe të sjellin një mijëvjeçar afrikan.

Ky shekull ka parë, gjithashtu, lindjen e të ashtuquajturve «kargo kult» në Guinenë e Re dhe në Melanezi. Pjesëtarët e tyre presin që të vijë një anije apo aeroplan, i drejtuar nga njerëz të bardhë ngjashëm mesisë, që do t’i bëjnë të pasur dhe do të sjellin një shekull lumturie, ku edhe të vdekurit do të ngrihen.

Edhe kombet e industrializuara kanë pasur, gjithashtu, mesitë e tyre. Disa janë udhëheqës fetarë, sikurse Sun Myung Moon, një trashëgimtar i vetëshpallur i Jezu Krishtit, që synon të pastrojë botën, përmes një familje të njësuar të besnikëve të tij. Edhe udhëheqës politikë kanë provuar të vishen me një status mesianik, nga të cilët Adolf Hitleri ishte shembulli më i tmerrshëm i këtij shekulli me fjalimin e vet madhështor mbi një Rajh Mijëvjeçar.

Edhe filozofi dhe organizata politike në mënyrë të njëjtë kanë arritur statuse mesianike. Për shembull, The Encyclopedia Americana, vëren se teoria politike marksiste-leniniste ka shenja mesianike. Ndërsa, Organizata e Kombeve të Bashkuara, e përshëndetur gjithandej si shpresë e vetme për paqe botërore, duket se në mendjen e shumicës është bërë një lloj i zëvendësimit të mesisë.

Një shpresë e vërtetë?

Ky shqyrtim i shkurtër tregon mjaft qartë, se historia e lëvizjeve mesianike është në një masë të madhe një histori zhgënjimesh, shpresash të shkatërruara dhe ëndrrash të keqdrejtuara. Prandaj, nuk është për t’u befasuar se shumë njerëz sot janë bërë cinikë në lidhje me shpresën për një mesi.

Megjithatë, para se ta hedhim mënjanë plotësisht shpresën mesianike, së pari duhet të mësojmë se prej nga rrjedh ajo. Në të vërtetë, «mesi» është një fjalë biblike. Fjala hebreje është mashiach, apo «i mirosur». Në kohërat biblike, mbretër dhe priftërinj, ndonjëherë emëroheshin në pozitat e tyre, nëpërmjet një ceremonie mirosjeje, në të cilën u derdhej mbi kokë një vaj aromatik. Prandaj, shprehja mashiach aplikohet me të drejtë për ta. Kishte, gjithashtu, edhe njerëz që miroseshin apo emëroheshin në pozitë të veçantë, pa asnjë ceremoni mirosjeje. Mojsiu është quajtur «Krisht», apo «i mirosur», në Hebrenjve 11:24-26, sepse u zgjodh si profet dhe përfaqësues i Perëndisë.

Ky përcaktim i mesisë si një «i mirosur» i dallon mesitë biblikë nga mesitë e rremë për të cilët kemi folur. Mesitë biblikë nuk vetëshpalleshin të tillë; as zgjidheshin nga një masë ithtarësh që i adhuronin. Jo, emërimi i tyre vinte nga lart, nga vetë Perëndia Jehova.

Edhe pse flet për shumë mesi, Bibla e ngre njërin prej tyre më lart se të tjerët. (Psalmi 45:7) Ky Mesi është figura qendrore në profecitë biblike, çelësi për plotësimin e premtimeve më të frymëzuara të Biblës. Dhe ky Mesi merret me të vërtetë me zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohemi sot.

Shpëtimtari i njerëzimit

Mesia i Biblës merret me problemet e njerëzimit, duke shkuar deri në rrënjën e tyre. Kur prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva, u rebeluan kundër Krijuesit nën nxitjen e krijesës kryengritëse frymore, Satanait, në fakt përvetësuan padrejtësisht të drejtën absolute të qeverizimit. Donin të ishin ata që të vendosnin se ç’është e mirë dhe ç’është e gabuar. Në këtë mënyrë dolën nga pushteti i dashur, mbrojtës i Jehovait dhe e zhytën familjen njerëzore në kaosin dhe mjerimin e vetëqeverisjes, në papërsosmëri dhe vdekje.​—Romakëve 5:12.

Me sa dashuri, pra, Perëndia Jehova e zgjodhi atë moment të errët të historisë njerëzore për t’i siguruar gjithë njerëzimit një shkëndijë shprese. Duke shpallur dënimin mbi kryengritësit njerëzorë, Perëndia paratha se pasardhësit e tyre do të kenë një shpëtimtar. I treguar si «fara», ky Shpëtimtar do të vinte për të rrënuar veprën e tmerrshme që bëri Satanai në Eden; Fara do ta shtypte këtë «gjarpër», Satanain, në kokë, duke e zhdukur nga ekzistenca.​—Zanafilla 3:14, 15.

Qysh prej kohërave antike, hebrenjtë e konsideruan këtë profeci si mesianike. Shumë targume, parafrazime hebreje të Shkrimeve të Shenjta, të përdorura zakonisht në shekullin e parë, shpjegojnë se kjo profeci do të përmbushej «në ditët e Mbretit Mesi».

Prandaj, s’është për t’u habitur, se që nga fillimi, njerëzit me besim drithëroheshin nga ky premtim mbi Farën e ardhshme, apo Shpëtimtarin. Mendoni vetëm se ç’mund të ketë ndjerë Abrahami, kur Jehovai i tha se Fara do të vinte prej vijës së pasardhësve të tij dhe se «të gjitha kombet e tokës», jo vetëm pasardhësit e tij, do «të bekoheshin» përmes kësaj Fare.​—Zanafilla 22:17, 18.

Mesia dhe Qeveria

Profeci të mëvonshme e lidhën këtë shpresë me perspektivën e qeverisë së mirë. Te Zanafilla 49:10, Judës, stërnipit të Abrahamit iu tha: «Skeptri s’do të largohet nga Juda, dhe as shkopi i urdhëruesit nga këmbët e tij, derisa të vijë Shilo; dhe atij do t’i binden popujt.» Është e qartë, se ky «Shilo» do të ishte një qeveritar​—dhe do të sundonte jo vetëm mbi hebrenjtë, por mbi «popujt». (Krahaso Danieli 7:13, 14.) Hebrenjtë e vjetër Shilon e kanë identifikuar me Mesinë; në të vërtetë, disa nga targumet hebreje në mënyrë të thjeshtë e zëvendësuan fjalën «Shilo» me «Mesia» apo «mbreti Mesia».

Ndërsa drita e profecive të frymëzuara vazhdonte të ndriçonte, zbuloheshin mjaft gjëra të tjera mbi sundimin e këtij Mesie. (Proverbat 4:18) Në 2. Samuelit 7:12-16, Mbretit David, një pasardhës i Judës, iu tha, se fara do të vinte prej pasardhësve të tij. Përveç kësaj, kjo Farë nuk do të ishte një mbret i zakonshëm. Froni, apo sundimi i tij, do të zgjaste përgjithmonë! Isaia 9:6, 7 e përkrah këtë pikë: «Na lindi një fëmi; na u dha një djalë; dhe sundimi [pushteti, King James Version] princëror do të jetë mbi krahët e tij . . . . Bollëku i sundimit princëror dhe i paqes s’do të ketë fund, mbi fronin e Davidit dhe mbi mbretërinë e tij për ta vendosur fortësisht dhe mbajtur nëpërmjet së drejtës dhe nëpërmjet drejtësisë, prej tani e deri në kohëra të pacaktuara. Vetë zelli i Jehovait të ushtrive do ta bëjë këtë.»

A mund të imagjinosh një qeveri të tillë? Një qeveritar të drejtë që vendos paqen dhe sundon përgjithmonë. Çfarë dallimi nga parada patetike e mesive të rremë! Larg nga të qenët një udhëheqës mashtrues, i vetemëruar, Mesia i Biblës është një qeveritar botëror me gjithë fuqinë dhe autoritetin e nevojshëm për të ndryshuar gjendjen e botës.

Kjo shpresë ka një domethënie të thellë në kohërat tona të turbullta. Kurrë më parë se sot, njerëzimi nuk e ka ndjerë nevojën e dëshpëruar të një shprese të tillë. Por, pasi është kaq e lehtë të kapesh pas shpresave të rreme, është me rëndësi që secili të mendojë me kujdes mbi këtë pyetje: A ishte Jezui nga Nazareti, Mesia i parathënë, sikurse beson shumica? Artikulli vijues do të shqyrtojë këtë çështje.

[Kutia në faqen 6]

Një Mesi në Brooklyn?

Pak kohë më parë pllakatat, afishet dhe reklamat e neonit në Izrael, lajmëronin: «Përgatituni për ardhjen e Mesisë.» Kjo fushatë reklame, që kushtoi 400.000 dollarë, u nxit nga pjesëtarët e sektit ultra-ortodoks të hebrenjve hasidikë Lubavitch. Mes 250.000 anëtarëve të këtij grupi është përhapur besimi se rabini i tyre i madh, Menachem Mendel Schneerson nga Brooklyn-i, New York, është Mesia. Përse? Schneerson-i mëson se Mesia do të vijë në këtë brez. Sipas revistës Newsweek, përfaqësues të sektit Lubavitch insistojnë se rabini 90-vjeçar s’do të vdesë para se të arrijë Mesia. Për shekuj me rradhë, sekti mëson se çdo brez nxjerr së paku një njeri të aftë për të qenë Mesia. Schneerson-i konsiderohet nga ithtarët e tij si një njeri i tillë dhe vetë ai nuk ka emëruar asnjë pasardhës. Megjithatë, pjesa më e madhe e hebrenjve nuk e pranon atë si Mesi, thotë Newsweek. Sipas gazetës Newsday, rabini rival 96-vjeçar, Eliezer Schach e ka quajtur atë një «mesi të rremë».

[Figura në faqen 7]

Besimi se Mojsiu nga Kreta ishte mesia, shumicës i kushtoi me jetë

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo